Speciale
Jusuf Buxhovi: 81 vjetori i Lidhjes së Dytë të Prizrenit
E hene, 16.09.2024, 06:57 PM
81 vjetori i Lidhjes së Dytë të Prizrenit
NGJARJE
E RËNDËSISHME HISTORIKE E SHTETFORMIMIT SHQIPTAR
-"Lidhja
e dytë e Prizrenit" u kthye në platformë politike të shtetit të ri të
bashkuar shqiptar, me anën e të cilit i sigurohej jo vetëm deklarimi i
vullnetshëm i popullatës së bashkuar në një hapësirë etnike prej 74 mijë
kilometra katrore, por edhe strukturat administrative dhe mbrojtëse,në sherbim
të shtetit shqiptar, kufinjtë e të cilit kërcënoheshin vazhdimisht nga çetnikët
e Drazha Mihajloviqit dhe nga brigadat komuniste serbe dhe malaziase...
Nga
Jusuf Buxhovi
Kapitullimi
i Italisë fashiste, më 8 shtator 1943 nuk ishte i papritur. Ushtria italiane
nuk ishte e gatshme për luftë as kur filloi Lufta e Dytë Botërore. Nga fundi i
vitit 1942 dhe fillimet e vitit 1943, për Hitlerin shqetësim më të madh
paraqiste mënyra si do të plotësohej vakumi italian se sa kapitullimi i aleatit
të saj kryesor. Me këtë rast, sa i përket hapësirës ballkanike, e cila kishte
një rol të rëndësishëm në mbajtjen e frontit juglindor dhe atij lindor,
Gjermanët mbronin qëndrimin se duhej
shpallur Shqipërinë shtet të pavarur. Ministri i jashtëm gjerman, Ribentrop, ia
kishte paraqitur planin Hitlerit se formimi i një qeverie kombëtare shqiptare,
e cila “si e tillë do të jetë e aftë për bisedime dhe do të ketë qëndrim
pozitiv ndaj nesh”.
Deri
te ky qëndrim Ribentrop do të vijë në saje të një analize të Shtabit Operativ
të Vermahtit, në të cilën thuhet se “Shqiptarët kërkojnë pavarësinë e tyre
shtetërore. Ai që ua sjell, ai është mik i tyre. Duhet pritur se
Anglo-Amerikanët, me rastin e parë të përshtatshëm, do ta shpallin pavarësinë
shqiptare. Për këtë arsye duket se është shumë e ngutshme që nga ana gjermane
të shpallet sa më parë një deklaratë e këtillë, në mënyrë që të pengohej që
Shqiptarët të kthehen në anën e armikut”.
Me
këtë rast Ribentropi i dha udhëzime ambasadorit në Romë dhe konsullit të
përgjithshëm në Tiranë, ku theksonte nevojën e marrjes së një vendimi politik
mbi qëndrimin e ardhshëm ndaj Shqipërisë, i cili do të jetë i dobishëm nga
aspekti ushtarak. Një shtet shqiptar i pavarur, do të jetë në gjendje që
Gjermanisë t’ia sigurojë mbrojtjen e bregdetit shqiptar, sidomos rrugët e
Otrantit, ndërkohë që ky shtet, jo vetëm që do ta qetësonte politikisht
Shqipërinë, por atë do ta kthente në një mbështetës tonë të fortë, ku forcat
tona do të jenë fare të pakta, por shumë të sigurta.
Me
këto udhëzime do të veprojë edhe i autorizuari i Ministrisë së Punëve të
Jashtme të Gjermanisë për Ballkanin (me seli në Beograd), Herman Neubacher
(Nojbaher). Në fillim të shtatorit ai do
të vërë kontakte me autoritetet shqiptare Ibrahim Biçokun, Xhafer Devën, Vehbi
Frashërin dhe Shqiptarët e tjerë progjermanë, që kishte pranë, në mënyrë që
qeveria e re e shtetit të pavarur shqiptar të ishte progjermane.
Menjëherë
pas kapitullimit të Italisë, më 9 shtator 1943, trupat gjermane i çarmatosën
trupat italiane në gjithë Shqipërinë. Përgatitjet për këtë veprim, Gjermanët i
kishin kryer më kohë gjatë muajit gusht, kur komanda gjermane ia kishte arritur
të instalonte në pikat strategjike të vendit numër të konsiderueshëm forcash
ushtarake në fushat e aviacionit në Tiranë, në Shkodër, Berat, Vlorë, Kuçovë
dhe gjetiu. Vlerësohej se ky numër arrinte në 6 mijë veta. Pas riorganizimit të
Vermahtit në Ballkan, me ç’rast u krijua grupi i forcave tokësore “F” me qendër
në Beograd nën komandën e feldmareshalit Von Vajks, në të njëjtën kohë komanda
e lartë Vermahtit urdhëroi afrimin e forcave të caktuara ushtarake pranë
kufijve të Shqipërisë për të marshuar, siç ishte Korpusi XXI, Divizioni 297-të
i këmbësorisë, që u përqendruan në rajonin e Mitrovicës.
Kështu,
më 9 shtator, repartet e para gjermane nisën lëvizjen në thellësi të Shqipërisë:
Divizioni 297 nga Mitrovica në Prishtinë, në Kukës e në Shkodër; Divizioni i
100-të nga Ohri në Strugë, Elbasan, në Tiranë e në Durrës. Trupat gjermane
morën urdhër të çarmatosnin menjëherë ushtrinë italiane dhe të shtriheshin në
gjithë vendin.
Në
Kosovë dhe në Maqedoni trupat gjermane
depërtuan pa kurrfarë pengese. Në pjesë të ndryshme ardhja e tyre u
përshëndet nga paria e vendit, e cila nuk ishte e kënaqur me ushtrinë italiane,
e cila kishte filluar të sillej me ashpërsi ndaj manifestimeve patriotike, duke
përndjekur nacionalistët. Edhe pse Këshilli i Përgjithshëm i Nacionalçlirimtar
dhe Shtabi i Përgjithshëm Ushtrisë Nacio-nalçlirimtare Shqiptare kishte lëshuar
një thirrje për t’iu kundërvënë ushtrisë gjermane, nuk pati ndonjë reagim të
ndjeshëm. U shënuan disa veprime të vogla e ndonjë kundërvënie, siç ishte ajo
në Xhyrë, te Ura e Kardhiqit në afërsi të Konispolit dhe në rrugët
Korçë-Janinë, ndërkohë që më disa pjesë, në hapësirën e lëshuar nga Italianët,
përkohësisht u vendos pushteti i këshillave nacio-nal-çlirimtarë.
Pavarësisht
vështirësive të vogla që hasi ushtria gjermane gjatë vendosjes së saj në të
gjitha pjesët e vendit, ditën që ajo u shfaq në Shqipëri po atë ditë,
kryekomandanti i trupave gjermane në Shqipëri, gjenerali von Besel, doli me një
komunikatë në të cilën thuhej:
“Me
hyrjen e ushtrisë gjermane në tokën tuaj, pavarësia e Shqipërisë do të jetë e
siguruar, pasi garant do të qëndrojë Rajhu i madh gjerman dhe ushtria
ngadhënjyese e tij, e cila kundrejt tokës suaj nuk ushqen kurrfarë
pretendimesh. Dëshirat tuaja themelore për pavarësi do të realizohen nëpërmjet
ndihmës që do t’i jepni ushtrisë gjermane”.
Pra,
pavarësia mund të realizohej nëpërmjet ndihmës që do t’i jepej ushtrisë
gjermane. Gjenerali gjerman këtë do t’ua bëjë me dije edhe personaliteteve të
rëndësishme të vendit dhe intelektualëve gjatë një takimi që do të ketë në
Tiranë. Me këtë rast ai do të tërheqë vërejtjen nga bashkëpunimi i të majtës
shqiptare me fqinjët sllavë mbi bazat e ideologjisë komuniste, meqë ashtu bashkoheshin
me bolshevizmin rus.
Meqë
Gjermania pas kapitullimin të Italisë, në rrethanat e reja të luftës kur humbja
e betejës së Stalingradit paraqiste një
shqetësim tjetër të madh ushtarak për Hitlerin, duhej të rishqyrtonte pozitën
strategjike në Ballkan dhe Mediteran, ku Shqipëria dhe hapësira e saj shfaqej
me rëndësi të madhe. Ishte e domosdoshme që kjo pozitë të përcillej edhe me një
tretman tjetër politik të Shqipërisë, në mënyrë që ajo të mos kthehej në brengë
të saj, por në një vend të sigurt dhe me stabilitet për Gjermanët. Kjo
nënkuptonte përmirësimin e statusit shoqëror dhe politik të saj në raport me
atë që kishte në kohën Italisë, me ç’rast, siç u tha, në Berlin doli ideja që
Shqipërisë t’i njihej statusi i një
vendi “me pavarësi relative” dhe “sovranitet të kufizuar”.
Projekti
gjerman për statusin e Shqipërisë mbështetej kryesisht te ideja që qeverisja duhej të ishte shqiptare e zgjedhur
nga vetë Shqiptarët, pra në një shtet
shqiptar, ku bashkimi shqiptar krahasuar me atë italian, do të përmirësohej dhe
institucionalizohej në përputhje me qëndrimin shqiptar rreth kësaj çështje si
dhe realiteteve të saj etnike në formën e një
“Shqipërie Etnike”, në të cilën
do të përfshihej edhe Mitrovica dhe viset tjera, që deri më atëherë
ishin lënë jashtë.
“Shqipëria
Etnike”, ku përfshihej Kosova dhe një pjesë tjetër e viseve shqiptare, që
nuk kishin gjetur vend në “Shqipërinë e
Madhe” të krijuar nga fashizmi italian, jo vetëm që kishte mbështetje
nga pjesa më e madhe e Shqiptarëve, por kërkohej që ajo të jetësohej sa më
shpejt. Kjo u shkonte për shtati edhe Gjermanëve, të cilët ishin të interesuar
sa më parë të stabilizonin gjendjen ushtarake në këtë pjesë tepër strategjike.
Në
këso situate, megjithatë, Gjermania i kushtonte vëmendje të veçantë Kosovës dhe
viseve të tjera shqiptare që kishin qenë nën pushtimin jugosllav. Duke ditur
këtë, ajo jo rastësisht, angazhoi intelektualët dhe forcat politike nga këto
pjesë në qeverinë shqiptare dhe në
strukturat e tjera administrative dhe shtetërore dhe kjo u dha shtytje të reja
lëvizjeve patriotike për bashkim kombëtar, ku ishin përfshirë një pjesë e madhe
intelektualëve kosovarë për të cilët e rëndësishme
ishte që cilado qofshin rrethanat e luftës nëpër të cilat po kalonte bota duhej
të shfrytëzoheshin për këtë çështje. Ndaj, lëvizja nacionaliste në Kosovë, me
të kapitulluar Italia fashiste, nxitoi të marrë në dorëzim administratën e
vendit nëpër të gjitha qendrat e prefekturave dhe nënprefekturave
autonome-ekzekutive. Ky veprim, bashkë me çarmatimin e trupave italiane dhe
marrjen e depove të armatimit në të gjitha qendrat, u përmbyll brenda dy ditësh
u përmbyll me sukses, sado që në disa pjesë pati përpjekje të çetave komuniste
të ndërhynin për hesapin e tyre. Kjo nuk u lejua nga nacionalistët. Ata, tashmë
e kishin gjithnjë e më qartë, se ishte koha që këtij ndryshim të madh t’i jepej
një përgjigje nga Shqiptarët në përputhje me interesat kombëtare. Ndër ato
interesa dy ishin më të rëndësishmet: shpëtimi i vendit nga rreziku
sllavo-komunist si dhe mbajtja e bashkimit kombëtar në binarët tashmë të filluar në atë mënyrë që
të rrumbullakohet sa më shumë që të jetë e mundshme duke gjetur përkrahje edhe nga faktori ndërkombëtar.
Për
t’i realizuar këto qëllime, me nismën e një grupi nacionalistësh të përbërë nga
Xhafer Deva nga Mitrovica, Musa Shehu e Sheh Hasani nga Prizreni, Asllan
Boletini nga Mitrovica, Tahir Zajmi nga Gjakova, Lukë Simon Mjeda nga Prizreni,
Qazim Bllaca nga Suhareka dhe Pjetër Vuçaj nga Prizreni, më 11 shtator 1943, në
Prizren u mbajt një mbledhje në të cilën u shqyrtua gjendja e krijuar dhe masat
që duhej marrë që ajo të shfrytëzohej për realizimin e këtyre interesave
kombëtare.
Në
këtë mbledhje u vendos:
a)
thirrja e një mbledhjeje të përgjithshme me shpirtin dhe frymën e Lidhjes së
Prizrenit, në të cilën nëpërmes delegatëve të zgjedhur nga populli, duhej të
përfaqësoheshin të gjitha krahinat e Kosovës, të Dibrës, të Strugës, të Tuzit
dhe Ulqinit;
b)
krijimi i këshillave-autonome-ekzekutive, që do të marrin për-gjegjësinë e
pushtetit vendor dhe të rendit përderisa të themelohet një autoritet suprem nga
mbledhja e përgjithshme dhe
c)
ngarkimi i këshillit ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e mble-dhjes së
Kuvendit, hapja e të cilit do të bëhej jo më vonë se më 16 shtator 1943.
Edhe
pse në një afat të shkurtët dukej vështirë përballimi i vështirësive
organizative, megjithatë ato u përballuan
falë atmosferës së një entuziazmi që kishte shpërthyer në gjithë vendin
si dhe përkushtimit patriotik që kësaj sfide historike t’i jepej përgjigjja e
duhur
Ndaj,
po atë ditë që në Tiranë do të mbahej Asambleja Kushtetuese, në Prizren në një
atmosferë festive të jashtëzakonshme, delegatë nga të gjitha viset shqiptare
(nga Kosova, Tetova, Dibra, Gostivari, Ulqini dhe të tjera), u mblodhën në
Kuvendin e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, kuvend ky që do të paraqiste vazhdimësinë e Kuvendit të
Parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, kur në të vërtetë prej
tij kishte dalë edhe Qeveria e parë e një shteti shqiptar pas asaj të
Skënderbeut.
Kuvendi
u mbajt në shkollën “Bajram Curri”. U hap në orën 10 me fjalimin e Musa Shehut,
i cili arsyetoi vendimin për thirrjen dhe mbajtjen e Kuvendit të Dytë të Lidhjes së Prizrenit,
duke vënë theksin te detyrat që i presin Shqiptarët në ato
rrethana, për të cilat tha se janë ndër më të rëndësishme për fatin e vendit
dhe të popullit. Musa Shehu, me këtë rast përkujtoi edhe përgjegjësinë
historike që e marrin përsipër intelektualët dhe patriotët kur kjo është e
domosdoshme, e që duhet të artikulohet qartë dhe me guxim pa marrë parasysh
vështirësitë, rreziqet me të cilat përcillet ajo. Theksoi se qershori i vitit
1878, po ashtu ishte me shumë shqetësim dhe rreziqe, por në Prizren, Shqiptarët
e bashkuar, me një mendje dhe me një qëndrim, dhanë betimin për mbrojtjen e
trojeve të veta, siç dhanë konceptin politik për një Shqipëri autonome, që
duhej t’ia hapte udhën një Shqipërie të Pavarur, në përputhje me rrethanat.
“Shqipërinë
e bashkuar nuk duhet ta heqim kurrë nga mendja, e as nga veprimet tona... Edhe
sot kemi këtë preokupim, që duhet ta bëjmë të qartë karshi botës...”
Pas
fjalës së Musa Shehut, Kuvendi zgjodhi për kryetar Musa Shehun, nënkryetarë
Aqif Blyten dhe Rexhep Krasniqin ndërsa Bedri Gjinajn, sekretar.
Ditën
e parë, para Kuvendit, Kryesia doli me
me një program 6 pikësh:
1.
Bisedim mbi shpalljen e vullnetit popullor për bashkimin e viseve të Kosovës,
të Dibrës, të Strugës dhe të Ulqinit e Tuzit si pjesë integrale e Shqipërisë;
2.
Mbi bashkimin gjithashtu me nanën Shqipëri të krahinave të Mitrovicës, të
Vuçitërnës, të Podujevës dhe Pazarit të Ri, që ndodhen nën pushtimin e ushtrisë
gjermane, por administrativisht të lidhura me shtetin e Serbisë;
3.
Mbi organizimi politik dhe ushtarak të popullit
dhe përgatitjen e mbrojtjes së kufijve etnikë;
4.
Mbi krijimin e një organi ekzekutiv ose Komitetit Qendror me seli në Prizren
dhe të nënkomiteteve ndër të gjitha qendrat
e tokave të liruara për të drejtuar aktivitetet nevojshme mbi qeverisjen
e mbrojtjen e vendit;
5.
Mbi përpilimin dhe aprovimin e një statuti të Organizatës Kombëtare “Lidhja II
e Prizrenit” dhe
6.
Mbi procedurën që do të ndiqet për zgjedhjen e përfaqësisë së krahinave të
Kosovës, të Dibrës, të Strugës dhe Ulqinit e Tuzit për Kuvendin Kombëtar të
Tiranës.
Kuvendi
i vazhdoi punimet për katër ditë me
radhë. I përfundoi më 20 shtator 1943 me miratimin e dokumenteve themelore
(statutit dhe proklamatës) me zgjedhjen e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë
të Prizrenit. Kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica,
ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Musa Shehu dhe Kolë Margjini, të dy nga Prizreni,
ndërsa Sheh Hasani nga Prizreni, Bedri Pejani nga Peja, Asllan Buletini nga
Mitrovica, Tahir Zajmi nga Gjakova dhe Qazim Bllaca nga Suhareka u zgjodhën
anëtarë. Në këtë kuvend u caktuan edhe delegatët e viseve shqiptare (Kosovës,
Rrafshit të Dukagjinit dhe të Sanxhakut) për mbledhjen e Kuvendit Popullor që
duhej të mblidhej më 16 tetor në Tiranë.
Në
Kuvendin e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, krahinat e ndryshme të shqiptare u
përfaqësuan nga 42 delegatë: Musa Shehu, Sheh Hasani, Lukë Simon Mjeda dhe
Qemal Karahoda (Prizren), Sulejman Kryeziu dhe Hasan Dashi (Gjakovë), Tahir
Zajmi (Kukës), Halim Shuku (Ferizaj), Bejtullah Haxhiu (Rahovec); Nuredin
Haliti, Qazim Bllaca (Suharekë), Haxhi Xheladini (Shkup),Nexhip Basha, Xhevat
Begolli (Pejë), Bajram Gashi (Plavë), Shemsi Feri (Rozhajë), Adem Kurtaga
(Prishtinë) Mahmut Shabanpasha dhe Jusuf Agushi (Gjilan), Mehmet Devaja dhe
Esad Berisha (Mitrovicë), Asllan Boletini, Bedri Gjinaj (Pazari i Ri), Aqif
Blyta (Senicë), Hasan Zvezdiq,Vehbi Hamzagaj (Bicaj), Lutfi Spahiu (Malësi e Gjakovës), Bajram Haziri (Strugë),
Mentor Çoka (Ulqin), Safet Ulqini (Dibrër), Rrustem Ymeri dhe Shahin Cami (Tetovë), Shmet Lusha dhe Jusuf Jaga (Gostivar), Remzi
Ragibi, Rexh Meta (Vuthaj). Ndërsa si kosovarë me qëndrim në Shqipëri nga viti
1913 u zgjodhën: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Xhafer Deva, Xhelal Mitrovica
dhe Maz’har Sopoti.
Njëri
nga qëllimet kryesore të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit ishte arritja e
tubimit të të gjithë Shqiptarëve në një shtet, të cilit do t’i takonin Kosova
dhe Rrafshi i Dukagjinit, Sanxhaku dhe pjesët lindore të Malit të Zi, pjesët
perëndimore të Maqedonisë, viset e Novi-Pazarit si dhe në Jug (Pika II e
statutit).
Këtij
qëllimi i nënshtrohej edhe Statuti i organizimit të vetë Lidhjes nëpër degë dhe
nëndegë si dhe veprimtarinë e organizatës, që duhet të jetë në përputhje me
programin (pika IV), ku njëra ndër detyrat kryesore të Lidhjes ishte formimi i
njësive ushtarake të cilat do t’i shërbenin përmbushjes së këtyre qëllimeve
(pika VI). Pika XI përcakton edhe karakterin e njësive ushtarake rezervë, të
cilat mbahen në stërvitje të vazhdueshme për të qenë të gatshme të vihen në
mbrojtje të vendit.
Në
përputhje me Statutin e Lidhjes, qeveria e Rexhep Mitrovicës, nën përkujdesjen
e ministrit të punëve të brendshme, Xhafer Devës, filloi mobilizimin dhe
formimin e divizionit “Skënderbeg”, i cili do të përfshihej në luftimet kundër
forcave çetnike dhe komuniste në këtë pjesë.
Këshilli
i Naltë i Shtetit Shqiptar, mbi propozimin e bërë me shkresën nr. 324 datë 12
shkurt 1944, më 14 mars 1944, aprovoi Statutin e Organizatës Lidhja II e
Prizrenit”. Dekreti u nënshkrua nga Kryetari Mehdi Frashëri dhe Kryeministri
Rexhep Mitrovica.
Në
këtë mënyrë, edhe zyrtarisht, “Lidhja II e Prizrenit” u kthye në platformë
politike të shtetit të ri të bashkuar
shqiptar, me anën e të cilit i sigurohej jo vetëm deklarimi
i vullnetshëm i popullatës së
bashkuar, por edhe struktura administrative dhe ato mbrojtëse, të cilat duhej të viheshin në
shërbim të shtetit shqiptar, kufijtë e të cilit kërcënoheshin e cenoheshin
vazhdimisht nga çetnikët e Drazha Mihajloviqit, por edhe brigadat komuniste
serbe, malaziase dhe bullgare, ku nuk përjashtoheshin edhe aleatët e tyre nga
radhët shqiptare.
(Shkëputje nga "Kosova - histori e shkurtër",
Prishtinnë 2021, faqe 450-457)