Speciale
Jusuf Buxhovi: 23 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit - Marrëveshja për mosmarrëveshje?
E diele, 18.08.2024, 07:57 PM
23 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit
MARRËVESHJA
PËR MOSMARRËVESHJE?
-Ose
gjeneza e një lufte të sukseshme të shqiptarëve në Maqedoni që u kthye në një
kompromis të padobishëm politik
Nga
Jusuf Buxhovi
Rruga
e bisedimeve “ndërmjetëse” midis subjekteve politike maqedonase që kishin
përfaqësuar institucionet shtetërore dhe ato parlamentare dhe liderëve
ushtarakë të UÇK-së, që kishin folur në emër të “Shtabit të Përgjithshëm”,
kishte kaluar nëpër një marrëveshje politike që ishte arritur në Prizren. Me
këtë marrëveshje, UÇK-ja do të bëhet pjesë e procesit politik, për ç’gjë ishin
angazhuar faktorët meritorë ndërkombëtarë. Por, duhet thënë se përfshirjen e
UÇK-së në procesin politik, ndonëse me naze,e kishin dëshiruar edhe
maqedonasit, të cilët e dinin se ishte shtabi i Tetovës ai që duhej ta thoshte
fjalën e fundit, fjalë kjo që sipas Komunikatës 6 të marsit, kur mbrohej
integriteti territorial dhe ai shtetëror i Maqedonisë dhe Projekt-Planit të
Paqes së UÇK-së të 14 qershorit, në kuadër të reformave kushtetuese kërkohej
shteti multietnik, për maqedonasit ishte e mirëseardhur, ngaqë me anën e tyre,
edhe më tutje do t’i ruanin pozitat dominuese në institucionet e vendit. Ndërsa
pozita e shqiptarëve, paçka se kishin luftuar, mund të ndryshohej paksa, por jo
që të arrinin te limitet, ngaqë vetë karakteri i demokracisë me fuqinë e shumicës,
pengon këtë.
Sidoqoftë,
marrëveshja e Prizrenit, duhej t’ia hapte rrugën një zgjidhje politike për të
cilën ishin pajtuar që të gjithë, që do të arrihej me palën shqiptare me anën e
një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive (luftës). Meqë këtë punë kishte
marrë përsipër qeveria e koalicionit e zgjedhur më 15 maj, Trajkovski kish-te
kërkuar nga ndërmjetësuesi Robert Frowick, i emëruar i veçantë i OSBE-së për
Maqedoninë, një “fushatë” për ndërprerjen e luftimeve të armatosura, që duhej
të shkonte nëpërmes një marrëveshjeje te faktorëve politikë shqiptarë në rajon
– në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri me çka Maqedonia fitonte garanci
“gjithëshqiptare” për opsionin e multietnicitetit në Maqedoni, që përjashtonte
atë më të rrezikshmin për Shkupin – shtetin dykombesh, siç ishte kërkuar
fillimisht nga UÇK-ja.
Marrëveshja
e faktorëve politikë shqiptarë në rajon, atyre në Maqedoni dhe Shqipëri, për
Frowickun si iniciues të saj dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi nuk duhej
të paraqiste ndonjë vështirësi. Edhe pse faktorët politikë shqiptarë vinin nga
tri realitete të ndryshme politike dhe shtetërore dhe përkatësi të ndryshme
intelektuale, megjithatë, pjesa më e madhe e tyre (ata nga Kosova dhe
Maqedonia) kishin të përbashkët veprimtarinë në rrethanat e shpërbërjes së ish
Jugosllavisë dhe angazhimin për çështjen e Kosovës në kuadër të rezistencës
institucionale dhe të asaj të armatosur në radhët e luftës së UÇK-së,
veprimtari kjo që në vitet e fundit (1989-1999), në shumë aspekte ishte
zhvilluar në Shqipëri dhe e gjitha kishte kaluar nëpër një emancipim të
përbashkët politik rreth asaj që shfaqej si interesa i përbashkët shqiptar në
rrethanat e reja, e ku shteti maqedonas, edhe si interes i shqiptarëve, kishte
mbështetje unanime.
Vegëza
politike e liderëve shqiptarë në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkupit, në
raport me Maqedoninë dhe rolin e shqiptarëve në arritjen e marrëveshjes
paqësore atje duhej t’ua kthente “kohezionin e brendshëm”, siç kishte ndodhur
edhe gjatë bisedimeve të Rambujesë në shkurt dhe mars 1999, gjithsesi se
shfaqej Veton Surroi.
Surroi
kishte pranuar të ndërmjetësonte me kusht që bisedimet të mos çonin te ndarja e
Maqedonisë, meqë kjo ishte kundër bindjeve të tij.
Por,
ky kusht as që i duhej, ngaqë, UÇK-ja, qysh në Komunikatën numër 6, kishte
theksuar mbrojtjen e integritetit territorial si dhe sovranitetin shtetëror të
Maqedonisë dhe gjithnjë e më shpesh theksonte reformat kushtetuese me anën e të
cilave në shtetin multietnik realizohej barazia e plotë e të gjithëve.
Ideja
për t’u takuar në Prizren nuk ishte e rastësishme. Kishte arsyet
praktike-teknike (Ali Ahmeti mund të lëvizte lirisht nga shtabi i tij afër
Tetovës për në Prizren, nëpër brezin deri te kufiri me Kosovën ngaqë e
mbikëqyrnin forcat e tij) edhe pse ajo pjesë mbikëqyrje nga KFOR-i amerikan dhe
britanik, por kishte edhe simbolikë historike, meqë Prizreni ishte qendra
politike e nacionalizmit shqiptar, që kishte ushqyer të gjitha lëvizjet
shqiptare për liri dhe pavarësi, që si e tillë nga shumëkush shihej edhe lufta
e UÇK-së në Maqedoni. Andaj, marrëveshja shqiptare në Prizren, pos pajtimit të
brendshëm, dërgonte edhe mesazhe bashkimi jashtë, të cila edhe në këto rrethana
kishin rëndësi të veçantë, që gjërave që quheshin “historike”, paçka se nuk
ishin të tilla, t’ua jepte grimin e duhur “patriotik”.
Siç
pritej, AliAhmeti kishte disa kërkesa, të cilat duhej plotësuar për t’u filluar
procesi politik. Ndër to ishte prania si dhe vendosja e trupave të NATO-s në
Maqedoni, ngaqë shqiptarët kishin humbur besimin në demokracinë e njëanshme dhe
të shpërdorur si dhe në aparatin policor dhe ushtarak të shtetit maqedonas, i
cili kishe qenë në shërbim të represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve, siç
ishte parë edhe gjatë konfliktit të fundit, kur pas dështimeve në vijat e
fronteve, në shenjë hakmarrje, kishin sulmuar vendbanimet e shqiptarëve. Ndër
këto kushte ishin edhe ato që lidheshin me demilitarizimin e Maqedonisë,
amnesitimin e pjesëtarëve të UÇK-së si dhe disa të tjera të natyrës teknike.
Mbas
takimit të parë me Ali Ahmetin në Prizren, Surroi kishte nxituar të takohej me
Frowickun në Shkup për ta njoftuar rreth kërkesave të UÇK-së.
Në
bisedën e dytë në Prizren, Surroi ia kishte përcjellë Ali Ahmetit qëndrimet e
Frowickut, duke ia bërë me dije se dy prej tri objektivave mund të arrihen:filimi
i procesit politik, me kërkesat e ndërtuara edhe të UÇK-së si dhe ky proces të
ndërlidhet me atë të amnestisë së ushtarëve të UÇK-së dhe të demilitarizimit të
UÇK-së. Ajo çfarë duke se nuk mund të arrihet ishte vendosja e trupave të
NATO-s në Maqedoni si forcë sigurie, pas së cilës do të fillonte procesi
negociator, ngaqë dihej se një vendim i tillë, së pari kërkonte qëndrimin
unanim të Asamblesë Veriatlantike, gjë që vështirë të arrihej, dhe së dyti,
kërkonte edhe mandatin e KS të OKB-së, që varej nga qëndrimi i Rusisë dhe Kinës
aty.
Takimi
i përbashkët i Surroit me Ali Ahmetin dhe Arben Xhaferin ishte mbajtur në
furrën e Prizrenit, aty ku kishin filluar takimet e para. Surroi thekson se
“qëllimi i takimit ishte unifikimi i qëndrimeve ndërmjet Aliut dhe Arbenit për
të përgatitur një platformë për negociata për përfundimin e luftës me
realizimin e kërkesave të shqiptarëve, mapë-kornizë, që do të shprehte
qëndrimet e UÇK-së dhe do të ishte konsensual për UÇK-në dhe partitë politike,
dhe njëkohësisht një proces që do ta nxjerrë UÇK-në prej pozitës së tanishme të
pamundshme për negociatat, te një ‘organizatë terroriste’ drejt një pozicionimi
të legjitimitetit politik”.
Në
takim u sollën edhe këto konkluzione:
-Shlyerja
e preambulës së Kushtetutës;
-Përdorimi
i pakufizuar i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni;
-Përfaqësimi
përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit;
-Zgjerimi
i kompetencave të komunave;
-Shekullarizimi
i plotë i Kushtetutës së shtetit;
-Vendosja
e demokracisë konsenzuale në fushat që kanë të bëjnë me të drejtat etnike; do
me thënë, pengimi i mbivotimit mazhoritar në fushat që kanë të bëjnë
drejtpërdrejt me të drejtat etnike.
U
vendos që vëmendje t’i kushtohet edhe amnistisë së përgjithshme për të gjithë
të përfshirit në konfliktin e armatosur si dhe çështja e shërbimit ushtarak në
ARM brenda territorit të komunës së vendlindjes.
Kërkesat
që kishin dalë nga takimi i përbashkët midis Ali Ahmetit dhe Arben Xhaferit me
Surroin, që do t’i dorëzohen në Shkup Frowikcukt, nuk ishin të reja e as të
panjohura. Si të tilla ato tashmë ishin shfaqur në Kumtesën numër 6 të UÇK-së,
në Memorandumin e Ali Ahmetit drejtuar faktorit ndërkombëtar si dhe në
prononcimet e ngjashme që vinin nga Shtabi i UÇK-së.
Në
këtë pako, e re ishte vetëm kërkesa rreth përfshirjes së plotë të NATO-s në
procesin e implementimit të paqes, që nënkuptonte edhe demilitarizimin e
Maqedonisë, kërkesë kjo që ishte jo reale, megjithatë mund të përdorej për
koordi-nata të tjera.
Frowick
kërkoi nga UÇK-ja që me shkrim të operacionalizohen pikat e përmbajtjes, duke
bërë me dije se me to mund të shkojë te Trajkovski për të filluar procesin e
paqes dhe pajtohen që të kenë një tekst të shkurtër sapo ai të ketë biseduar me
Trajkoskin.
Më
21 maj, Surroi ia dorëzon Frowickut, ofertat e shkruara nga lidershipi i UÇK-së
të përmbledhura në shtatë pika:
1.
Shpallja e përfundimit të operacioneve luftarake të UÇK-së dhe fillimi i
dialogut në nivel politik përmes institucioneve të shtetit me lehtësim
ndërko-mbëtar, të përcjellë me deklarata të ngjashme nga autoritetet
maqedonase;
2.
Shpallja e amnistisë (me afat përfundimtar prej një muaji) nga autoritetet
maqedonase, me përjashtim të të dyshuarve dhe kryerësve të krimeve dhe të
krimeve kundër njerëzimit;
3.
Vendosja e menjëhershme e vëzhguesve të paarmatosur të OSBE-së (opsioni: të
armatosur me revole) në rajonin kritik të Kumanovës (opsioni B: të gjitha zonat
ku është luftuar, duke përfshirë edhe Tetovën);
4.
Vendosjen e pranisë së paarmatosur institucionale të shtetit maqedonas
(prefekti i Likovës, institucionet shëndetësore etj.) në kohëzgjatje prej dy
muajve, në mënyrë identike me qëndrimin e vëzhguesve të OSBE-së);
5.
Dorëzimin e armëve të UÇK-së para komisionit të udhëhequr nga pushteti lokal i
Likovës dhe OSBE-së, dhe me pas dorëzimin nga ana e OSBE-së deri te strukturat
maqedonase të sigurisë;
6.
Shpallja e deklaratës së përbashkët të liderëve politikë shqiptarë për qëllime
të përbashkëta, të cilat duhet të arrihen me procesin reformues. Deklaratë e nënshkruar
edhe nga AliAhmeti dhe
7.
Shpallja nga an e kryetarit Trajkovski të datës së fillimit të negociatave për
reformimin e Maqedonisë.
Kërkesat
e përfaqësuesve shqiptarë, nga Frowicku do të revidohen dukshëm duke i
zbërthyer në njëfarë plani aksional thuajse njëanshëm, me të cilin do të merrej
kryesisht qeveria maqedonase, ndërsa pala shqiptare, ndonëse pjesëmarrëse e
konfliktit, mbete jashtë ndikimit. Kjo u pa edhe me refuzimin kategorik që Ali
Ahmetit t’i përmendet emri në konkluzione si dhe pjesëmarrja e luftëtarëve në
bisedime. Sipas Frowickut, luftëtarët shqiptarë mund të merrnin pjesë në
bisedime, në kuadër të ndonjërit nga subjektet politike (PDSH ose PPD), vetëm
pa-si që UÇK-ja të pushojë me veprimet dhe të rehabilitohet, gjë që e gjitha
lente përshtypjen e një marrëveshjeje për kapitullim.
Edhe
sa u përket çështjeve të tjera, sidomos atyre që kanë të bëjë me reformat,
Frowick, thuajse anashkalohet esenca e problemit, pra ndryshimi i preambulës së
kushtetutës, me të cilën duhet të ndryshohet koncepti shteti-komb në shtet të
barabartë qytetar. Me këtë rast, Frowick insiston që në vend të ndryshimit të
kushtetutës, siç kërkojnë shqiptarët të ketë reforma kushtetuese, dhe ato të
shkojnë në drejtim të barabarësisë së të drejtave individuale dhe qytetare dhe
barabarësisë së përgjegjësive individuale qytetare, si mundësi për mënjanimin e
jostabiltetit kronik për shkak të refuzimit shqiptar, që të pranohet Kushtetuta
e vitit 1991.
Edhe
formulimi “jostabilitet kronik”, i parë nga këndvështrimi i “refuzimit të
shqiptarëve që të pranohet Kushtetuta” nxjerr në pah “fajësinë” e shqiptarëve
dhe jo shkaktarin kryesor – Kushtetutën që ata i diskriminon dhe rolin e
hartuesve dhe miratuesve të saj – klasës së gjithëmbarshme politike maqedonase.
Përkundër
përpjekjeve të Frovickut që bisedimet e Prizrenit me ndërmjetësimin e Surroit
si dhe qëndrimet nga aty të “zbuteshin” sa më shumë, nuk do të pëlqehen nga
pala maqedonase, e cila bisedimet e ardhshme i kushtëzonte me ndërprerjen e
menjëhershme të luftimeve nga ana e UÇK-së si dhe dorëzimin e armë-ve. Kryetari
Trajkovski ishte thuajse kategorik në kërkesën e tij që të mos hiqet cilësimi
“terroristë” për luftëtarët e UÇK-së si dhe të përjashtohet çfarëdo pjesëmarrje
e Ali Ahmetit në bisedimet e ardhshme. Trajkovski, po ashtu, kërkonte nga
Frowicku që UÇK-së t’i jepej një afat prej disa ditësh t’i pranojë kërkesat
(ultimative), ose t’i nënshtrohet sulmeve ushtarake, me ç’rast kërcënohej me
një ofensivë të përgjithshme deri në shkatërrim.
Por,
Frowick, që e dinte takatin e forcave policore dhe ushtarake maqedonase si dhe
gatishmërinë e UÇK-së që të përparojë edhe në zona të tjera, pasi që e kishte
më se të qartë se nga do të silleshin shqiptarët dhe deri ku mund të shkonin me
kompromise, siç e kishte të qartë edhe pozicionin e qeveritarëve maqedonas,
gjithnjë duke u mbështetur edhe në ato që kishte marrë nga Surroi dhe nga
tabori maqedonas, doli me një plan operativ prej tri fazash, që duhej t’u
shërbente palëve në konflikt si platformë për ndërprerjen e konflikteve si dhe
bisedimet e paqes, që duhej të fillonin menjëherë.
Plani
kishte tri faza.
E
para parashihte vendosjen e paqes, kohë kjo që parashihej që luftëtarët e
UÇK-së t’i dorëzonin të gjitha armët dhe uniformat vëzhguesve të OSBE-së.
Luftëtarët, pasi t’i dorëzojnë armët mund t’i kthehen jetës së përditshme dhe
pu-nëve që kishin. Qeveria do të shpallë amnisti.
Faza
e dytë, parashihet si kohë mirëbesimi, për t’u përforcuar dialogu. Në këtë fazë
parashihet hapja e universitetit të Shtulit dhe lëshimi i kanali të tretë televiziv
për pakicat.
Në
fazën e tretë do të negociohej për çështjet me rëndësi të veçantë, si ndryshimi
i preambulës së kushtetutës, për përdorimin e gjuhës shqipe e të tjera.
Ndihmësi
Foley, bën të ditur se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare për ndryshimin e
preambulës së Kushtetutës është i prerë:
“Krejt
do të shkojë në konceptin qytetar, gjegjësisht definimi i Maqedonisë si shtet i
të gjithë qytetarëve, e jo si shtet i popullit maqedonas dhe shqiptar, siç
kërkojnë shqiptarët.”
Foley,
po ashtu pranon se tri fazat e pakos së paqes, mund të mbeteshin në letër, po
qe se nuk arrihet një marrëveshje për çarmatosjen e UÇK-së, me të cilën ajo do
të pajtohej, që nënkuptonte edhe pranimin e kushteve që parashtronte ajo.
Krahasuar
me gjuhën përjashtuese që vinte nga zyrtarët maqedonas, Foley ishte më e matur
dhe pranë realitetit, ngaqë e dinte se ndërprerja e konfliktit, siç kërkohej
nga faktori ndërkombëtar, nuk mund të arrihej me trysni të njëanshme (ndaj
luftëtarëve shqiptarë), por me kompromise nga të dyja palët, rreth një
marrëveshje të re midis dy popujve për shtetin e përbashkët mbi konceptim e
barazisë qytetare, pra shtetit-multietnik, që ishe opsion edhe i bashkësisë
ndërkombëtare. Marrëveshja e re, pa marrë parasysh si do të quhej, kushtëzohej
nga marrëveshja paraprake për ndërprerjen e konflikteve, pra të luftës, e cila,
po ashtu, nuk mund të ishte as e njëanshme, siç kërkonin maqedonasit, e as pa
implementimin e ku-shteve të luftëtarëve shqiptarë. Si e tillë, kjo
marrëveshje, nëse nënkuptonte çar-matosjen e UÇK-së, ajo duhej t’u jepte
përgjigje edhe shumë çështjeve të tjera që lidheshin me këtë proces (nga
amnistia, rehabilitimi, punësimi, pakoja sociale e të tjera veprime) dhe assesi
“falje” ose “lirim nga përgjegjësia” për një vepër penale!
Dhe,
do të jetë pikërisht çështja e arritjes së armëpushimit e me të edhe e
implementimit të paqes, pika thyese e gjithë çështjes, që do të varej jo nga
fjalët e mëdha dhe “kërcënimet” që vinin nga kryetari Trajkovski dhe ushtarakët
e tij që nuk ishin në gjendje të arrinin asgjë me ofensivat që ditë për ditë i
shpallnin në shtyp, por nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, konkretisht
SHBA-ve dhe NATO-s si duhej lidhur kryet konfliktit, gjithnjë duke pasur
parasysh që e gjitha të përfshihet në një pako për marrëveshje dhe assesi
ultimatum drejtuar shqiptarëve për kapitullim.
Duke
ditë këtë gjë, përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë shqiptarë në Prizren ishin
përqendruar te një marrëveshje e tyre rreth planit të paqes, që do të
justifikonte luftën dhe gjakun që ishte derdhur gjatë atyre muajve nëpër vijat
e shumta të fronte, por në të njëjtën kohë do të pranonte edhe realitetet
politike dhe ato të sferave të interesit që lidheshin me ekzistencën e shtetit
maqedonas, i cili duhej të nxirrej nga “pronësia maqedonase” dhe “tapitë
kombëtare”, që ia kishte dhënë Kushtetuta e vitit 1991, qoftë edhe mbi parimin
e shtetit multietnik, për të cilin tashmë mbretëronte ujdi e përgjithshme.
Në
përputhje me këto qëndrime dhe pavarësisht gjuhës së ultimatumeve që përdorte
qeveria maqedonase, duke i ndërlidhur ato edhe me operacionet ushtarake (“Ogan”
në Runicë dhe, “Vaksince”, që sapo kishte filluar dhe përdorej si trysni ndaj
faktorit politik dhe ushtarak shqiptar), përfaqësuesi politik i UÇK-së –
AliAhmeti, liderët e parive politike – i Partisë Demokratike Shqiptare, Arben
Xhaferi dhe i Prosperitetit Demokratik, Imer Imeri, më 22 maj 2001, nënshkruan
deklaratën lidhur me procesin paqësor e reformues në Republikën e Maqedonisë,
të njohur si “Marrëveshja e Prizrenit”.
Pajtimi
i arritur në mes liderëve shqiptarë mbështetet mbi këto parime:
-njohjen
e faktit se reformat, për të cilat angazhohen shqiptarët, kanë qëllim ruajtjen
e integritetit dhe karakterit multietnik të Maqedonisë,
-njohjen
e faktit se nuk ka zgjidhje “etnike territoriale” për problemet në Republikën e
Maqedonisë dhe se çdo përpjekje për të copëtuar etnikisht territoret e u sjell
dëm vetë qytetarëve të Maqedonisë,
-njohjen
e faktit se nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet në RM,
-njohjen
e faktit se procesi i transformimeve të RM-së duhet të shkojë drejtë
integrimeve euroatlantike,
-njohjen
e faktit se zgjidhja do të gjendet brenda një procesi vendor politik me
lehtësimin e SHBA-ve dhe BE-së.
Në
bazë të këtyre parimeve, liderët shqiptarë të Maqedonisë janë të vendosur që të
marrin pjesë në procesin e dialogut reformist, duke trajtuar këto çështje:
-amendamentet
në Kushtetutën e Maqedonisë,
-përdorimi
i papenguar i gjuhës shqipe, si njëra prej gjuhëve zyrtare të Maqedonisë,
-përfaqësimi
përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit,
-zgjerim
i kompetencave të pushtetit komunal,
-shekullarizim
i plotë i Kushtetutës-shtet,
-vendosja
e demokracisë konsenzuale për çështjet, që kanë të bëjnë me të drejtat
kombëtare, që do të thotë, kufizim i procesit të mbivotimi në fushat që kanë të
bëjnë drejtpërsëdrejti me të drejtat etnike,
-e
drejta për komunikim të lirë e të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare.
Në
marrëveshje përfshihen edhe masat për transformimin e jetës së anëtarëve të
UÇK-së në profesione të ndryshme civile, duke përfshirë edhe ato brenda
institucioneve qeveritare.
Për
nga kërkesat, “Marrëveshja e Prizrenit” mbetet në kornizat e Komunikatës numër
6 të UÇK-së nga 9 marsi 2001. Theksohet ruajtja e integritetit shtetëror të
Maqedonisë dhe karakteri multietnik i Maqedonisë. Karakteri multietnik i
Maqedonisë duhet të arrihet me anën e një dialogu reformues, ku do të
ndryshohen amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë, me çka, koncepti i
ndryshimeve kushtetuese si dhe kërkesa për to do të zbutet në reformë
kushtetuese.
Kërkesat
tjera, si ajo për përdorimin e papenguar të gjuhës shqipe, si njërës prej
gjuhëve zyrtare në Maqedoni, shekullarizimit të shtetit, përfaqësimit
përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit e deri të e drejta për komunikim
të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare, që u takojnë të drejtave dhe
lirive elementare njerëzore universale, janë të vetëkuptueshme në secilën
demokraci parlamentare, gjë që tregon, në njërën anë absurdin e ndërtimit të shteteve
mbi konceptet shtet-komb, siç ishte ai maqedonas, që doli nga shpërbërja e ish
Jugosllavisë në një realitetet shumetnik dhe, në tjetrën anë, të pranimit
ndërkombëtar jashtë kritereve elementare demokratike dhe civilizues, që kthehet
në çështje krize deri te lufta.
Këtë
më së miri do ta pasqyrojnë reagimet e ashpra, që erdhën rreth Marrëveshjes së
Prizrenit nga ana e liderëve shtetëror maqedonas si dhe elitës intelektuale
maqedonase, po edhe ato nga faktori ndërkombëtar.
Reagimet
nga liderët maqedonas sado që refuzuese dukeshin ishin edhe të pritshme dhe të
natyrës së koniunkturave dhe për nevoja të brendshme për vetë faktin se nga
trysnia e kryengritjes së shqiptarëve, binte koncepti i shtetit-komb, mbi të
cilin ishte shpallur pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, paçka se edhe
koncepti i multietnik, që shfaqej i pashmangshëm, edhe në rrethanat të krijuara
nga trysnia e luftës së shqiptarëve, në segmentet kryesore (gjuha zyrtare,
simbolet shtetërore, himni e deri te emërtimi zyrtar), shtetit ia ruante karakterin
maqedonas.
Të
kësaj natyre duhet kuptuar edhe reagimet që erdhën nga faktori ndërkombëtar, që
ndonëse shfaqeshin refuzuese ndaj Marrëveshje së Prizrenit dhe atyre që ajo
përmbante, më shumë i referoheshin formës se sa përmbajtjes. Madje, kjo e fundit,
me ndonjë përjashtim, në pikat kryesore (ruajtja e integritetit territorial dhe
sovranitetit shtetëror, reformat kushtetuese me të cilat shteti maqedonas
trans-formohet nga shteti-komb te shteti qytetar-multietnik) ruante në tërësi
qasjen e ndërkombëtarëve ndaj krizës në Maqedoni si dhe zgjidhjes që duhej
dhënë, të shpalosura në forumet kryesore ndërkombëtare nga KS i OKB-së,
OSBE-ja, BE-ja e deri te NATO-ja, dhe po ashtu, që njëherësh ishin edhe
qëndrime zyrtare të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe
vendeve të tjera, të cilat ishin elaboruar edhe në takimet me zyrtarët më të
lartë të shteti maqedonas, po edhe me takimet e herë pas hershme me liderët
politikë shqiptarë në Maqedoni. Këto qëndrime, po ashtu, vinin edhe nga
Shqipëria dhe nga Kosova, ndonëse në rolin e spektatorit të thjeshtë.
Edhe
pse SHBA-të, Franca, Gjermania si dhe përfaqësuesit e BE-së sa për sy e faqe,
kërkuan nga A. Xhaferi dhe I. Imeri që të heqin dorë nga Marrëveshja e
Prizrenit, meqë ajo “kthente në subjekt të marrëveshjes ata që kishin marrë
armët”, megjithatë, ata dëshironin që liderët shqiptarë të mbeteshin në
koalicionin qeverisës, i cili, shfaqej si garantues i bisedimeve për paqen dhe
marrëveshjeve të ardhme. Ky konstalacion ishte i vetmi që pengonte alternativën
e luftës.
Këtë
e dinin edhe maqedonasit, që ndonëse sulmonin A. Xhaferin dhe I. Imerin si
“bashkëpunëtorë të terroristëve” e të ngjashme, ishin të vetëdijshëm se ata
ishin të pashmangshëm dhe madje, edhe të dobishëm për vetë çështjen, ngaqë
vetëm me anën e tyre, pengonin shfaqjen e Ali Ahmeti në bisedime të
drejtpërdrejta si dhe legjitimimin e faktorit luftë, që për opinionin maqedonas
ishte i papranueshëm, ndonëse edhe luftëtarët ashtu siç flisnin paralajmëronin
se do të merreshin me politikë. Maqedonasit, po ashtu e dinin, se me deklarimin
e UÇK-së për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovraniteti shtetëror të
Maqedonisë si dhe tërheqjen e tyre nga kërkesa për shtetin dy-kombesh, pra për
federalizimin, ia kishin dalë që disfatën në planin ushtarak ta kthejnë në një
fitore politike, edhe për vetë faktin se slogani i diskriminimit kombëtar, i
dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve, “i terrorit demokratik”, e mbi të gjitha i
degradimit të shqiptarëve në pakicë dhe të tjera me të cilat kishte filluar kryengritja
shqiptare në Tanushë dhe ishte përhapur me të shpejtë në pjesët tjera, ishte
rrudhur në atë se “në Maqedoni po luftohet për reforma, luftohet për barazi”,
gjë që gjithë çështjes i jep dimensionin e “gabimeve gjatë procesit të
shtetndërtimit”, që mund të korrigjohen me marrëveshje, siç do të ndodhëm me
atë të Ohrit.
Dhe,
meqë ishte arritur deri te një modus që “reformat demokratike” të shërojnë
“gabimet e tranzicioneve demokratike”, siç kishe filluar të fliste propaganda
mediatike e Shkupit, pra kur UÇK-ja gjithë çështjen e shihte te “receta e
reformave dhe shteti multietnik”, dhe jo të ndryshimet kushtetuese, atëherë
ishte e pritshme, që nga maqedonasit, “intermexoja” midis “luftës dhe paqes” të
shfrytëzohet që faktori ushtarak shqiptar, meqë kishte hequr dorë nga kërkesat
që do ta rrezikonin shtetin maqedonas dhe nuk paraqiste më kërcënim për
copëtimin e tij e të tjera rreziqe që mund t’i vinin, të dobësohet sa më shumë,
e me ta edhe faktorët politikë shqiptarë, që do të flisnin me gjuhën e tyre gjatë
bisedimeve për paqen.
Kjo
në të vërtetë do të shihet me operacionet ushtarake që do të vazhdojnë sapo të
jetë shpallur “Marrëveshja e Prizrenit”, me “Vaksince” në katundin Vaksince, më
24 maj 2001 dhe luftimet në Mateç gjatë tri ditëve të ardhshme dhe tëtje-rat
gjatë ditëve në vazhdimi kur do të sulmohen Sllupçani, Hotëk dhe Orizore.
Në
këto operacione lufte, ndonëse pa pasoja për UÇK-në, e cila edhe më tutje
kishte ruajtur pozicionet dhe në disa pjesë edhe kishte përparuar, kishte
pë-suar popullata. Forcat policore dhe ushtarake maqedonase, me anën e
artilerisë qëllimisht kishin bombarduar vendbanimet e shqiptarëve, shtëpitë dhe
pronat e tyre madje edhe bagëtia. Nuk ishin kursyer as infrastruktura publike.
Rreziku që u vinte nga shtrirja e luftës nëpër pjesët urbane, operacionet
“spastruese” që kryheshin, kishte detyruar shumë prej banorëve të largoheshin
prej zonave të luftës në pjesët tjera të vendit, po edhe në drejtim të Kosovës.
Kundërpërgjigjja
e UÇK-së ndaj këtyre veprimeve luftarake kishte qenë e natyrës mbrojtëse dhe e
matur, me lëvizje përpara në drejtimet strategjike pa rrezikuar popullatën dhe
pronat e tyre. Të tilla ishin ato në rajonin e Dervenit dhe në Shkup, veçmas në
drejtim të Haraçinës, prej nga do të vihen nën mbikëqyrje pikat kryesore
përreth Shkupi dhe në drejtim të Kosovës, me çka duhej të ush-trohej trysni e
mëtutjeshme edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që mbështeste forcat maqedonase.
Veprimet
luftarake të forcave policore dhe ushtarake maqedonase të trumbetuara si
ofensivë përfundimtare ndaj pozicioneve të UÇK-së për rrënimin e saj, të cilave
nuk u besonte kush, në të vërtetë dëmtonin popullatën shqiptare të viseve të
shpallura si zona lufte në mënyrë që prej andej të shpërnguleshin me çka ata do
t’i paguanin “koston” rebelimit me armë. Por, tymi që vinte nga andej si dhe
pamjet e luftës propaganduese, do t’i shërbejnë Trajkovskit për shpalljen e
“Planit për paqe”, që shprehte idenë “se zhvillimet e mëtutjeshme duhej të
drejtohen në dy kahe: Në marrëveshjen për reformat politike, sipas kërkesave të
UÇK-së, që duhet bërë me partitë politike shqiptare PPD-në dhe PDSH-në, me
kushte që ato të ndiqnin rrugën e veprimit kundër UÇK-së dhe në idenë për
zhdukjen e UÇK-së me përdorimin e forcës”. Ky plan, në katër faza, duhej të
zgjaste jo më shumë se një muaj e gjysmë.
Në
këto rrethana, pra kur Shkupi kishte filluar të keqpërdorte gatishmërinë e
shqiptarëve për kompromise të dhimbshme, çfarë kishin bërë në të vërtetë me
Marrëveshjen e Prizrenit, më 11 qershor, kemi edhe futjen e njësive të UÇK-së
në Haraçinë, vendbanim në hyrje të Shkupit.
Ishin
këto operacione spkektakultare të luftëtarëve shqiptarë, që për pak iu kthyen
strategjisë së luftës, me çka, faktori ndërkombëtar përfundimisht u bind se
shteti maqedonas, përkundër fjalëve të mëdha, nuk ishte në gjendje që
konfliktit të armatosur me UÇK-në t’i jepte përgjigje ushtarake, pra të fitonte
luftën, siç fliste pareshtur. Përkundrazi, u pa qartë, se UÇK-ja ishte në
gjendje që ta vazhdonte luftën me sukses dhe në përputhje me të, sipas nevojës,
serish t’u kthehej kërkesave maksimaliste: federalizimit të Maqedonisë mbi
parimet e shtetit dy-kombesh, ose të kantonizimit.
Haraçina,
pra, kur u pa qartë se luftëtarët shqiptarë ishin në gjendje që luftën ta
kthenin në mjet të politikës edhe me kërkesat nismëtare që do të mbështeteshin
me fakte të kryera (ndarja e brendshme Maqedonisë në përputhje me “Iliridën”),
e gjitha i dha përgjigje fundit të luftës dhe fillimit të bisedimeve për paqen,
që do të përmbyllen me “Marrëveshjen e kornizës së Ohrit”, e nënshkruar në
Shkup, më 13 gusht 2001.
Ato
që ndodhën nga mesi i qershorit deri nga fillimi i gushtit e deri te nënshkrimi
përfundimtar, ishin vetëm pjesë e një skenari kryekreje ndërkombëtar (NATO-BE),
që i duheshin një epilogu, ku lufta nuk duhej të kthehej në sukses, e as paqja
në disfatë, por në një normalitet politik të dobishëm “për të gjithë”.
Nga
ky këndvështrim duhet parë edhe ato që ndodhen në Maqedoni brenda shtatë muajsh
me çka iu hapën dyert tri zhvillimeve:
a)
Hyrjes së NATO-s në Maqedoni
b)
Ridefinimit të shtetit maqedonas nga shteti kombëtar, në shtet qytetar
multietnik, sado që ky formulim shtetit do t’ia ruajë karakterin maqedonas me
riformulimin në Kuvendin e Maqedonisë, dhe
c)
Pajtimit të shqiptarëve me realitetet e reja politike në shtetin maqedonas,
të
cilat mbetën thuajse të njëjta me ato të para luftës.
Si
do të shihet, përfituesi më i madh do të jenë liderët ushtarakë të UÇK-së, nga
trashëgimia e “Lëvizjes Popullore të Kosovës” (LPK), dega e Zvicrës, që siç
kishte ndodhur edhe me rastin e luftës së Kosovës, armët e dorëzuara do t’i
zëvendësojnë me ato të posteve të partive politike, do të kyçen në jetën
politike të vendit.
“Partia
e Demokratike e Integrimeve” (PDI) e Ali Ahmetit, do t’i fitojë zgjedhjet e
para “të shteti multietnik” dhe në këtë mënyrë ia doli, që me oreolin “e
partisë së luftës”, t’ia marrë primatin politik edhe Arben Xhaferit për të
vazhduar ku kishte mbetur ai – kthimit në pjesë të mekanizmave institucional të
drejtuar nga politikanët maqedonas pa ia dalë që të ndryshojë gjendjen për të
cilën edhe ishte luftuar, gjë që nga ky këndvështrim, kjo luftë, mbetet e
papërfunduar.
(Fragment nga librit "Maqedonia nga antika deri te koha
jonë", Prishtinë, 2019)