Speciale
Feti Tunuzliu: Dokumente që zbulojnë bashkërendimin ndërinstitucional të drejtësisë serbo-jugosllave gjatë bombardimeve të NATO-s
E shtune, 10.08.2024, 06:55 PM
Dosje
DOKUMENTE
QË ZBULOJNË BASHKËRENDIMIN NDËRINSTITUCIONAL
TË DREJTËSISË SERBO-JUGOSLLAVE
GJATË BOMBARDIMEVE TË NATO-s
(1999)
Nga
Feti Tunuzliu
Gjeneza e dokumenteve, objekti i bashkërendimit dhe subjektët e
drejtësisë
Dy dokumentet e specifikuara më poshtë të
karakterit sekret janë pjesë të lëndës arkivore të ish-gjykatës serbe të qarkut
në Mitrovicë personeli i së cilës qe larguar nga Kosova me mbarimin e luftës 78
ditëshe, kur do pasojë ndarja e Kosovës
nga Jugosllavia duke u vënë nën administrimin e Misionit të Përkohshëm të
Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe duke u vendosur në Kosovë NATO (KFOR), ndërsa
shqiptarët kështu do shpëtojnë nga dhuna e represioni barbar i forcave
qeveritare ushtarake, policore dhe paraushtarake ushtruar sistematikisht në
trajta nga më të trishta gjatë dekadës së fundit (1990-1999) të shekullit që
lamë pas (XX).
Me këto dy dokumente zyrtare, ç’është e vërteta,
mëtohej që përmes komunikimit ndërinstitucional të sigurohen prova materiale me
përmbajtje informatash burimore e me vërtetësi dokumentare nga vendngjarjet ku
kanë përfunduar jetëra njerëzish, kanë pësuar plagosje apo ku janë shkaktuar
dëme materiale përmasash të mëdha. Kësisoj, tentohej të provohen dhe ilustrohen
“krimet e luftës” pas 24 marsi 1999, kur filluan operacionet ushtarake
(ndërhyrja humanitare) të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në
ish-Jugosllavi. Këto operacione përfunduan
më 9 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike Ushtarake në Kumanovë me forcat jugosllave
dhe serbe për terheqje nga Kosova, ndërsa më 10 qershor 1999 Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi Rezolutën 1244 për vendosjen e pranisë ndërkombetare në
Kosovë më 12 qershor 1999 që pasuan ndërprerjen e gjakderdhjes në
ish-Jugosllavi dhe spastrimin etnik të shqiptarëve. Pra, kësisoj, aparati
shtetëror federal e republikan serb mëtonte
t’i shfrytëzoi si burim
temash e “motivesh kriminale” një
varg pasojash të bombardimeve për t’i lënë pas vetes një varg dokumente
origjinale atribuuar “krimeve të luftës”
të kryera nga NATO.
Të përpiluar në kohë lufte, në prill 1999, njëri prej
Ministrisë së Drejtësisë të Jugosllavisë Federale (Serbi, Mali i Zi), kurse
tjetri prej Ministrisë së Drejtësisë të Serbisë, që të dy dokumente të natyrës
sekrete të shtypura në alfabetin çirilik serb, shpalosin aspekte kruciale retrospektive
dedikuar bashkërenditjes së aktiviteteve ndërministrore të drejtësisë – në njerën anë dhe të aktiviteteve të këtyre
ministrive tejtësisë me organet e jurisprudencës serbe – në tjetrën anë.
Ç’është e vërteta, detajet e këtyre dokumenteve, në
përgjithësi konsistojnë në ndërlidhjen funksionale për sigurimin, administrimin,
ruajtjen dhe mbrojtjen e materialit të tillë autentik sipas kërkesave ligjore e
nënligjore, këshillave e udhëzimeve të organeve të sistemit juridik në
ish-Jugosllavi, përkatësisht në Serbi.
Dokumenti i Ministrisë së Drejtësisë federale
Dokumenti i parë sekret 6/0-16/2-99-06 i shtypur në
tekst prej një faqe dhe i firmosur nga ministri i Drejtësisë të Republikës
Federale të Jugosllavisë në Beograd, Zoran Knezheviq, i adresohet (faxohet)
homologut të tij, Ministrit të Drejtësisë të Serbisë, Dragolub Jankoviq.
Autori i dokumentit federal fillimisht bën të ditur
se është “Komiteti për mbledhjen e të dhënave për krimet e kryera kundër
njerëzimit dhe të drejtës”. Aludohet në “veprat penale” të sanksionuara me Kodin
Penal të ish-Jugosllavisë. Tutje, autori i kësaj shkrese nënvizon se Komiteti në fjalë
ishte organ i veçantë në kuadër të Qeverisë Federale, me Ligj i themeluar qysh në
vitin 1993. E themelimi i këtij Komiteti
duket se ishte parapërgatitje legjislative me kohë për të juridizuar
“viktiminzimin” e serbëve dhe “dokumentimin” e ngjarjeve të luftës e cila qe nxitur nga Millosheviqi në Bosnje
e Hercegovinë dhe Kroaci (ish-Jugosllavi).
Ç’është e vërteta, vetëm një vit nga fillimi i
luftës në Bosnje e Hercegovinë në prill të vitit 1992, serbët kishin shpallur
Republikë serbe territoret që po i kontrollonin me ndihmën e armatës jugosllave
dhe Serbisë e më pas, kroatët do t’i refuzojnë kompetencat e Qeverisë së
Bosnjes e Hercegovinës e kështu edhe këta do e shpallin republikën e tyre me
ndihmën e Kroacisë. Gjatë viteve që pasojnë, ky konflikt i përgjakshëm do shndërrohet në luftë
trepalëshe për territore dhe do përfundoi me Marrëveshjen e Paqës së Dejtonit,
në nëntor 1995, pas një gjenocidi të forcave serbe ndaj popullatës muslimane.
Tutje, në këtë dokument, i pari i drejtësisë nga
Qeveria federale cilëson “agresion” ndërhyrjen me force ushtarake, përkatësisht
fushatën e NATO-s, që sipas qëndrimeve zyrtare serbo-jugosllave, është bërë “pa
miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB” duke “rënë ndesh” me Kartën e OKB. Por, duke
iu shmangur me koshiencë faktit relevant - se aktet e dhunës së forcave serbo-jugosllave ndaj
popullësisë shqiptare dënoheshin gjithandej globit - përveç nga OKB edhe nga
organizata e agjenci ndërkombëtare si dhe organizata joqeveritare.
Duke nxjerrë në dritë subjektët që pretendonin të
kenë përgjegjësi penale, autori i
dokumentit sekret thekson se, për krimet
e kryera “gjatë agresionit të NATO-s” mbajnë përgjegjësi penale sikundër “ekzekutorët
e drejtpërdrejt” ashtu edhe “urdhërdhënësit e tyre”.
Sapo e quan “të dobishëm” grumbullimin e provave,
ministri federal shton se “gjykatat, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, kopjet
e procesverbaleve t’ia dërgojnë Komitetit të përmendur”. Pikërisht prej tyre do
formohet një “dokumentacion unik” për “krimet” e kryera nga NATO. Në vijim, bën
të ditur se ky, ta quajmë “Libër i Bardhë”, me përmbledhje dokumentesh burimore
dedikuar enkas “krimeve të luftës” do të
“përdorej në planin ndërkombëtar në luftë kundër agresorit”. Në këtë kontekst, do
shfrytëzohej edhe “për vërtetimin e përgjegjësisë individuale për krime të kryera
gjatë asaj periode”, theksohet aty.
Në përmbyllje të dokumentit sekret, Ministri
propozon “ndërmarrjen e masave gjegjëse”. Punët e tilla “me rëndësi të
jashtëzakonshme për vendin në tërësi”, aspiron që të kryhen “me kohë, plotësisht
dhe kualitativisht”.
Dokumenti i Ministrise se Drejtesise serbe
Dokumenti i dytë sekret (Njoftimi) prej dy faqesh
tekst që përmban shkurtesën origjinale të
klasifikimit POV. 5/99-14, datë 15.4.1999 dhe nr. tjetër 021-05-37/99-05-03,
datë 9 prill 1999, firmosur nga Ministri i Drejtësisë serbe Dragolub Jankoviq,
i adresohet (faxohet) eprorëve të organeve të jurisprudencës serbe (gjykatave
të qarkut, gjykatave ekonomike, prokurorive publike të qarkut, këshillave për
kundërvajtje, enteve për ekzekutimin e
sanksioneve penale).
Në pjesën e I, autori i dokumentit sekret, njofton
këto organe se agresori paska “shkaktuar dëme edhe në objektet ku ishin të
vendosura gjykatat, prokuroritë publike, organet e kundërvajtjeve dhe entet për
ekzekutimin e sanksioneve penale në Serbi (organet e jurisprudencës).” Duke i
pikasur “këto dhe të gjitha dëmet tjera” ministri republikan obligon që dëmet e
tilla të evidentohen “me pedantëri”. Lidhur me këto të dhëna dokumentare do
pasojë kërkesa për përgjegjësi të dyfishtë: civile dhe penale, nënvizon ai.
Në pjesën e II të dokumentit sekret, Ministri identifikon
dinamikën dhe format e veprimeve konkrete që duhet ndërmarrin organet e
sipërpërmendur të jurisprudencës serbe. Kështu, për dëmet e shkaktuara deri më
10 prill 1999, thekson se këto institucione “duhet menjëherë të informojnë
Ministrinë e Drejtësisë për datat e dëmeve, mënyrën në të cilën janë shkaktuar dëmet dhe vëllimin
e dëmeve”. Përtej kësaj, obligon serish që njejtë të veprohet edhe për dëmet e
shkaktuara pas 10 prilli 1999.
Në pjesën e III të dokumentit sekret, i pari i
drejtësisë nga Qeveria serbe jep instrukcione obligative gjykatës edhe përkitazi
me llojet e provave që duhet siguruar, subjektëve që mund të ndihmojnë në këtë
çështje dhe subjektëve që do t’i përdorin të njejtat.
“Përveç Procesverbaleve të këqyrjes, duhet të sigurojnë
edhe xhirime të filmuara, foto xhirime”, shprehet ai dhe shton se duhet të
marrin deklarata nga dëshmitarët … të jenë të bazuara, ashtu sikurse veprohet në
kushte paqeje. Pastaj rekomandon për
mundësinë e shfrytëzimit të teknikës së MPB, dhe televizioneve lokale. Me të
përfunduar këto punë, obligon gjykatat t’i dërgojnë provat e tilla urgjentisht.
Të njejtat duhet përfshinë detajet e informatave të nevojshme me që materiali i
tillë, përveç në Serbi e në Jugosllavi, do të shfrytëzohet edhe nga autoritetet
kompetente të drejtësisë ndërkombëtare.
Duke përfunduar këtë shkrim të theksojmë se
derisa në pjesën e IV të dokumentit sekret, Ministri i drejtësisë obligon organet
e jurisprudencës serbe që informatat t’ia dërgojnë kësaj Ministrie, në pjesën e
V, të fundit, i njejti sugjeron organet e drejtësisë serbe që këtë Njoftim të
drejtësisë serbe t’ua dërgojnë “menjëherë të gjitha organeve lokale”.
Dokumenti i Ministrisë së Drejtësisë federale, faksimil
Dokumenti i Ministrisë së Drejtësisë serbe, faksimil