Speciale
Paulin Z. Zefi: Çfarë ndodhi 557 vite më parë në Kështjellën e Kepit të Rodonit?!…
E hene, 12.08.2024, 06:59 PM
Çfarë ndodhi 557 vite më parë në Kështjellën e Kepit të Rodonit?!…
Nga
Paulin Z. Zefi
Më
3 gusht të vitit 1467, një nip i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, djali i së
motrës, që u la në vend nga sulltan Mehmeti II Fatih si masë sigurie gjatë
procesit të tërheqjes së tij drejt Stambollit dhe që u vendos në Kepin e
Rodonit, u sulmua gjatë natës prej anijeve veneciane nga deti dhe prej Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut nga toka dhe më pas iu pre koka nga ky i fundit në
anijen e admiralit të flotës veneciane.
•
Dinamika e zhvillimit të kësaj ngjarjeje jepet e zgjeruar në një dokument të
njohur si “Cronaca Zeno (Kronika Zeno)”, që është publikuar e riprodhuar nga
N.Jorga (1) dhe më vonë nga J.Radoniç (2). Nga dokumenti në fjalë, mësojmë se
kur sulltan Mehmeti II Fatih u largua me turp nga qyteti i Krujës, la aty pranë
vetëm një ushtri të vogël prej 1.300 kalorësish të zgjedhur nën komandën e një
nipi renegat të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili u tërhoq në kështjellën e
Kepit të Rodonit. Nipi tradhtar u sulmua dhe ushtria e tij u shpartallua
plotësisht pas një aksioni të përbashkët që u zhvillua nga Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu dhe luftanijet e flotës veneciane. Gjatë këtij sulmi të
koordinuar nga toka dhe nga deti, kalorësit osmanë u vranë të gjithë pa
përjashtim dhe ndërsa nipi tradhtar, me shpresën se do t'i kursehej jeta,
vendosi të dorëzohej tek venecianët, duke kërkuar mëshirë. Mirëpo, daja i tij,
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që nuk mund t'ia falte kurrë tradhtinë dhe
vuajtjet që nipi i kishte shkaktuar popullit arbër, duke shpërfillur
autoritetin e admiralit të flotës veneciane, ia preu kokën me duart e veta
pikërisht në bashin e luftanijes së këtij të fundit. Pas kësaj ngjarjeje,
Arbnori i Madh rivendosi kontrollin e plotë mbi pjesën më të madhe të
zotërimeve të veta dhe ndërsa, Mehmeti II Fatih, i mbuluar me turp dhe i
hidhëruar nga dy fushatat e mëdha sulltanore, që udhëhoqi në Arbëri
(1466-1467), humbi çdo shpresë për ta pushtuar këtë vend për aq kohë sa do të
ishte gjallë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Përsa i përket këtij nipi tradhtar,
që u vra nga Kryeheroi në anijen e admiralit të flotës veneciane, mendohet se
ishte njëri nga djemtë e Mamica Kastriotit, por nuk mund të thuhet me siguri nëse
bëhet fjalë për djalin e madh, Reposh Topia, që ishte martuar me Irena
Rallainën në vitin 1464, apo për ndonjërin prej tre bijve të tjerë! Gjon Muzaka
në "Memorien e tij", thotë se Mamica Kastrioti dhe Muzakë Topia
kishin "katër djem dhe dy vajza" dhe shton se “djemtë u kthyen në
turq (3),” d.m.th. në myslimanë. Duhet të theksoj se 12 vite më herët,
bashkëshorti i Mamicës dhe i ati i këtyre djemve, fatkeqi Muzak Topia, ishte
vrarë nga turqit në "Tragjedinë e Beratit" më 26 korrik 1455. Kufoma e
tij nuk u gjet askund, sepse turqit e kishin copëtuar e hedhur në të katër anët
dhe në këtë mënyrë mbetjet e tij ishin shpërndarë dhe humbur. Se çfarë i ka
shtyrë të bijtë e të ndjerit për të shkelur mbi gjakun e tij dhe për të kaluar
në anën e vrasësve, kjo nuk dihet me siguri, por disa autorë supozojnë se
renegati Ballaban Pashë Badera kishte arritur t'i rekrutonte gjatë kohës kur e
ëma ndodhej në Castel Sant'Angelo dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu gjendej në
Romë dhe në Napoli, duke kërkuar ndihma për të çliruar Krujën nga rrethimi i
dytë! Madje thuhet se njëri prej djemve të Muzak Topisë dhe Mamica Kastriotit
ishte martuar me të bijën e Ballabanit. Cilatdo qofshin motivet, që i kanë
shtyrë ata drejt tradhtisë, ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është se
njëri prej tyre mori dënimin e merituar dhe pikërisht nga duart e atij, të
cilin e kishte lënduar më shumë se këdo tjetër!
BIBLIOGRAFIA:
1) N.Jorga, Notes et
extraits pour servir à l’histoire des Croisades au Moyem-âge, Vol. IV
(1453-1476), Bucarest: 1915, f. 213.
2) ????? ???????, ?????
???????? ?????????? ? ???????? ? XV ????, (????????? ?????), ???????? XCV,
????? ???????, 74, ???????: ?????a ????????a ????????a, 1942, f. 205, Doc. Nr.
377.
3) Giovanni Musachi,
Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, në: C.Hopf, Chroniques
gréco-romanes inédites peu connues, Berlin, 1873, f. 298.