Kulturë
Mark Palnikaj: Shkolla e Pllanës në Lezhë
E hene, 15.04.2024, 07:55 PM
NJË FAQE NGA LIBRI I RI QE DO TE SHTYPET SË SHPJETI KU FLITET PËR SHKOLLËN E PLLANËS NË LEZHË
Nga
Mark Palnikaj
Duke
konsideruar Etërit që për shkak të padijes së madhe ndodhnin shumë të këqija e
që për mungesë të dritës shumë ecnin në terr, duke qenë se gati (erat sicut
Populus sic sacerdos) si populli, ashtu edhe prifti, e duke mos u gjendur
askush në këtë dioqezë që të kuptonte latinishten, askush që të dinte të
shkruante e ndonjë me shumë vështirësi të lexonte, për këtë arsye e gjykoi Atë
Xhaçinto nga Sospello, se dobi më e madhe për shpirtrat do të ishte të
predikonte e të bënte ushtrime shpirtërore, ai mendoi që të ngrinte një
shkollë, në mënyrë që, kur pranonte njëri të bëhej nxënës, pastaj ua mësonte
fëmijëve të tij tetë apo dhjetë vjeç atë që ai vetë kishte mësuar, me abetare
dhe alfabet, që i kishte në dorëshkrim.
Kështu,
pak kohë kishte kaluar kur u përhap fama e kësaj shkolle nëpër gjithë vendin e
u rrit në atë mënyrë, saqë numri i nxënësve shkoi në 25 veta, sepse, jo vetëm
që shkonin të mësonin nxënësit e fshatrave afër, por madje deri edhe nga
Zadrima dhe vende të tjera të largëta i sollën fëmijët. E në këtë mënyrë jo
vetëm fëmijët e vegjël, por edhe ata që ishin 18 e 20 vjeçarë, të cilët, duke
qenë ndihmës të priftërinjve që shërbenin në celebrimin e Meshës donin të
bëheshin meshtarë, mblidheshin në një prej këtyre fshatrave afër që të mësonin
të lexonin e të shkruanin dhe gjërat e tjera të nevojshme. Që të mund të
shuguroheshin meshtarë etërit ua mësonin në kohë të ndryshme, jo vetëm
Doktrinën e krishterë, devocionin, por edhe të lexonin e të shkruanin, si dhe
Gramatikën.
Në
harkun e kohës prej tetë apo nëntë viteve, që është mbajtur shkolla, shumë qenë
ata që kanë mësuar të shkruajnë e të kuptojnë atë që lexonin, dhe në të gjitha
ditët e festave lexonin në këtë orator uficën e Zojës Tejet të Shenjtë. Për
këto vepra, shumë u acaruan e u tërbuan turqit kundër etërve, duke u parë qartë
se të varfrit e Krishterë po ndriçoheshin e po forcoheshin edhe më shumë në
besimin e shenjtë. U ndërpre, pastaj, aktiviteti i kësaj shkolle, sepse shumë
veta, duke parë që prelatët i shuguronin meshtarë injorantët, atëherë njerëzit
nuk u kujdesën më të mësonin.
Duke
qenë se ishte përhapur fjala e të mirave të mëdha, fryteve dhe dobisë që
merrnin të krishterët nga shkolla e ngritur në Pllanë si dhe për mësimin që u
jepej fëmijëve nga këta misionarë, krerët e fshatit të Blinishtit të Zadrimës,
i cili, meqë ishte shumë i madh dhe vetëm me të krishterë, kishte shumë fëmijë
që mësonin aty, i bënë kërkesa të shumta Atit prefekt dhe misionarëve të
Troshanit, që të përpiqeshin të ngrinin një hospic në këtë fshat për të mësuar
djemtë dhe vajzat në Doktrinën e krishterë, të mësonin të shkruanin ata që
ishin më të zotët, t’u predikonin në ditët e festave dhe t’u celebronin meshën
në ditët e zakonshme, duke celebruar me radhë në këto ditë disa priftërinj që
ishin – u mor në shqyrtim me shumë maturi kjo kërkesë nga të gjithë etërit, të
cilëve, nga njëra anë, meqë bëhej fjalë për një përfitim që mund të vazhdonte,
dhe duke parë edhe këtë nevojë ekstreme të atyre që po bënin kërkesën - u
pëlqeu shumë. Nga ana tjetër duke vlerësuar arsyet e përndjekjeve të
sipërpërmendura dhe duke parashikuar se fshati ishte rrugë kalimi i turqve, për
të mos shkaktuar trazira mes tyre, u pezullua e u ndryshua destinacioni i saj
për disa kohë. Ndërkaq, meqë ishte nisur Atë Bonaventura për Kotorr e meqë
kishin mbetur etërit zëvendës prefekt, Atë Evangjelista nga Venetia dhe Atë
Karlo nga Mirandola, një Atë shumë i zoti ky për të dhënë mësim e për të
administruar shkollën, morën kërkesa edhe më shumë nga fshati për zgjidhjen e
kësaj çështjeje, prej ku, duke mos mundur më t’u rezistonin lutjeve të tyre, me
aprovimin e ipeshkvit të Sapës, dhe të priftërinjve të fshatit, u ngrit kjo
shkollë dhe u fillua me një rregull të ri. U panë shumë fryte, saqë deri edhe
zotërinjtë turq, për mrekullinë që provonin, shkonin ta shihnin.