Udhëpërshkrim
Syrja Etemi: Mbresa ndër breza
E diele, 14.04.2024, 07:00 PM
MBRESA NDËR BREZA
Njëmbëdhjetë
vjet më parë…
Shkruan:
Syrja ETEMI
Njeriut
ndonjëherë edhe papandehur e beftas i ndodh që ta grishë fati i mirë, ta merr
në krahët e magjishëm që t’i jep mundësi të përjetojë momente të bukura e
fascinante, të cilat do të ngelin të thadruara në kujtesë për vite e dekada.
Ndodhi kjo edhe me mua, pikërisht në fundin e qershorit të vitit 2013, kur i
bëmë një vizitë grupore Turqisë (me të
punësuarit e komunës Tearcë).
Autobusi
dykatësh i Agjencisë “Habib turs”, në ora 19-00, nga Tearca u nis me 52 pjesëtarë të kategorive dhe grupmoshave të ndryshme - me motivacion:
Pjesëmarrje në Festivalin e Qershisë, që duhet të mbahet në Keles (Qelesi) -
Bursë të Turqisë. Meqë unë për këtë pjesëmarrje u njoftova një muaj më herët, e
formova një grup folkloristësh nga treva e Tearcës, për të përgatitur program
artistik për prezentim në këtë eveniment. Kështu, me të mbaruar përgatitjet e
formalitetet, të gjithë NE “mysafirët”,
të ngazëllyer e të gëzuar, u nisëm duke përshëndetur me dorë të afërmit që
kishin ardhur të na përcjellin e të na dëshirojnë rrugë të mbarë për në
destinacionin e paralajmëruar. Shoferi bëri
“tu-tuuu” - në e fundit me borinë e fortë e penetruese, duke
paralajmëruar nisjen e mbarë!
MARSHI EPIK FILLOI…
…Ecëm
tërë natën e lume, përmes Greqisë dhe, në mëngjesin e hershëm, arritëm te
kufiri Greko-turk. Ceremonitë kufitare ishin më të shkurta sesa në kufirin
maqedono - grek. Blatoja në vetvete:
“Recidivat e politikave inatçore të ballkanasve, patjetër të mugullojnë
e të nxjerrin krye!…”
Pas
kalimit të kufirit grek dhe hyrjes në tokën turke, gjëja e parë që të bie në sy
hapësirave përreth rrugës është hudhja e mbeturinave: shishe plastike,
najllonë, mbetje betoni, pika karburanti të braktisura, grumbuj hekurishtesh të
ndryshkur, si: rimorkio kamionësh të prishur, karroseri limuzinash… rrugë të
parregulluara të fushës, imazhe këto që ndrydhin përjetimet pozitive. Më larg
diku të kap syri edhe qen endacakë, madje edhe lopë e dhen, duke kullotur
kullotave të paana. Edhe këtu, si kudo tjetër, zona kufitare e shteteve është
“viktima” e pazarllëqeve të pushteteve, duke e ndëshkuar me moskujdes dhe
neglixhencë. “Kësi skenash kam vërejtur edhe në shumë vija kufitare të shteteve
tjera ballkanike, prandaj edhe Turqia nuk bëka përjashtim”, mendova me vete…
Në
vazhdimin e rrugës, më në thellësi të Vendit të Madh, të thadron mbresa
impozante rrafshi i paanë i fushës së mbjellur me lloj - lloj bimësh drithore e
ushqimore, duke filluar nga gruri, elbi, tërshëra,e,deri te orizi, pambuku,
luledielli, susami e shumë të tjera që s’di edhe t’i emërtoj. Me këtë panoramë
që zgjati te 5-6 orë udhëtim përgjatë
fushë së bereqetshme me plotë ujë e
lagështi artificiale, u binda se kemi të bëjmë me një vend shumë të pasur, i
cili nuk vuan për bukë, bile që ka edhe rezerva të ushqejë edhe krejt Ballkanin
me bukën e gojës.
Të
lodhur për gjumë, ashtu duke u kalamendur në mbështetësen e sedilës, dikur
arritëm në Çanakala - në bregun e detit
Marmara, me ç’rast për nja 10 minuta
ceremoni burokratike, hypim në trajekt dhe përreth nja 20 minuta arrimë në anën
tjetër, ku na priste mediatori apo ndërmjetësi i vizitës, shqiptari me
prejardhje nga Nerashti, Ferhat Hocallar - Ferati, i cili na shoqëroi deri në
vendin e destinuar.
DETI “I ZI”– DI TË JETË
I BARDHË PËR MYSAFIRËT E “RUMELISË”
Në
Bursë arritëm aty kah ora 14-00. Për mua, meqë ishte hera e
parë që po vizitoja këtë vend, nuk mungonte kurreshtja që të “regjistroj” çdo
imtësi dhe detal, qoftë të fizikut, qoftë të mentalitetit dhe sjelljes së
njerëzve të kësaj Toke të Madhe. Dhe ashtu bëra.
KELES ( 29 dhe 30
qershor, 2013)
Arrijmë
në Keles (70 km. larg Bursës) dhe, menjëherë vëren njerëz që nuk priren shumë
pas luksit, por që gëzojnë mirëqenie ekonomike, sidomos shtresa e mesme.
Infrastrukturës rrugore nuk i kanë kushtuar gjithaq kujdes, por në shumë vende
shihet se punohet me të madhe në këtë drejtim.
Banorët
e Kelesit janë shumë bujarë e mikpritës. Kështu, duke na llogaritur miq të
zemrës, na servirën darkë (edhe atë dy netë) në të njëjtin lokal ku bëhej edhe
dasma e synetit (natën e parë) dhe martesë (natën e dytë). Aty ceremonia e
dasmës zhvillohej pa kurrnjëfarë paragjykimesh se brenda në hapësirat e
restoranit ka edhe “të huaj”. Ushton muzika
me këngë e valle të bukura turke. Bile kërkuan dhe na u lutën që lirisht të mund të marrim
pjesë edhe në vallen e shtrirë, ku vallëzonte me plotë naze edhe nusja me
dhëndrin. Këtu rash në përfundim se, ne shqiptarët e Tetovës, Tearcës (Sllatinës),
jemi shumë paragjykues dhe konservativë, dhe se stereotipet i kemi krijuar vet,
e, nuk na i “eksportojnë” të tjerët. Ne ende dasmat i bëjmë veç e veç, d.m.th.
burrat veç e gratë veç.
Kuptova
se komuna, kryetari i së cilës, në bashkëpunim me qytetarët e saj, d.m.th. të
Kelesit, ka kërkuar që, ditën kur në restoran ka dasëm (kushdo që të ketë qenë
në rend sipas agjendës), do të përgatitë ushqim apo darkë plus edhe për 55 vetë
mysafirë nga Maqedonia – Tetova -Tearca.
…Hyzmeti
është në nivel shumë të kënaqshëm dhe pa teklif; bukë sa të duash, pije po
ashtu, çaj, neskafe… Por, ajo që më habiti së tepërmi ishte fakti se kafje
turke nuk konsumohej dhe nuk preferohej gjithaq, bile-bile, nuk përdorin
gjithaq edhe automat kafeje për kapuçino apo makijato.
Natën
e parë kur arritëm në Keles, pasi u sistemuam në një konvikt (shtëpi e madhe
private), shfaqëm një program artistik me këngë e valle nga artistë reprezentë të komunës së Tearcës. Programi
realizohet në një binë të hapët, që në cilësinë e Festivalit tradicional, mbahej
për çdo vjet si Festival i Qershisë.
Nuk
prish punë nëse bëj ndonjë parantezë në vijim, e t’ju shkruaj diç më tepër - për të prekur
ndonjë detal më të hollësishëm në lidhje me qytezën mikpritëse – Keles!
Ky
vendbanim ka 3600 banorë me 4 xhami, shkollë fillore e të mesme, me degë të
Fakultetit të pylltarisë, madje, stacion policie, shumë dyqane veprimtarish të
ndryshme, me infrastrukturë relativisht të mirë rrugore, dhe me pozitë
kodrinore - malore , ku pjesë të konsiderueshme shtrihen edhe në rrafsh, me
toka të mbjella me bimë drithore e me pemë frutore. Sidomos veçohet qershia
(shumë kualitative). Mbi të gjitha, Kelesi është edhe komunë në vete, në krye
të së cilës është z. Sylejman Kajnak (stërgjyshi i të cilit ishte me prejardhje
nga Shkupi).
Lartësia
mbidetare e Kelesit është 1100 m. , që, për ne, pak më të shtyrët
në moshë, na bën pak telashe me frymëmarrjen. Vendbanimi është i mbushur
me pemë (pisha të mëdha, dru rrapi apo çinari, bile ndonjë arrin trashësi diku
deri dy metra, të thuash - sa të mos mund tre - katër burra ta mbërthejnë. Një
dru i tillë gjigant (monument natyre), qe
200 vjet po lartësohet e po “mrizon” në qendër të këtij vendbanimi shumë atraktiv - ndërmjet
xhamisë dhe çajtores gëluese dhe mikpritëse. Mu në këtë çajtore, kryetari i
komunës “vjedh” kohë për të na qerasur me një çaj vendi, dhe i cili nuk
mund të përmbahej nga emocionet e një shpirti që vuan për identitetin e bjerrë,
që mund të lexohej në sytë e përlotur dhe në
shpirtin e lëmekur për të parët e tij.
Çajtoret
janë si tonat: luhet tablla, “gjurëz”, letra, por nuk pihet duhan. Kryetari,
për të na davaritur frikën e gjobitjes, për shkak të pirjes së duhanit brenda
lokalit, nxori vet pakon e cigareve dhe na ofroi neve për të ndezur. Ne, të
druajtur (jo se nuk e praktikojmë një veprim të këtillë, por të dukemi si “të
kulturuar”), dikush i bëri shoqëri nikoqirit apo mikpritësit të madh e
zemërgjerë. Kjo sikur donte të thoshte se “për mysafirët e rrallë, jemi të
gatshëm të sfidojmë edhe Ligjin, e të bëhet përjashtim”.
Nuk
vonoi, dhe, kamarieri, i vetëdishëm për sekuencat e shkeljes së ligjit për
antiduhan, solli një shpuzore: për “zor”, e vendoi në tavolinë dhe na pyeti për
preferencat e gostisjes me ndonjë pije,
e, që, që nuk ia prishëm qejfin…
PERFORMIM E “DROJE” NGA
FESTIVALI
Madhështia
e këtij evenimenti justifikohej me shumë primesa: Vendi i gjërë në natyrë, e
skenë gjigante në mes të kodrinave të buta, ku të bëhej përshtypja se Zoti e ka
destinuar enkas për kësi rastesh të veçanta. Në ndërdijen time mendoja:
-Si
do ta mbushim gjithë këtë alamet bine me njerëz - artistë? Si do ta presë
publiku paraqitjen tonë me pikat e folklorit këtu në “skaj të botës”?
Dilemat
sillen vërdallë në kokën time, që më bën gati të harroj edhe radhën kur duhet
të dalim në podiumin madhështor, ku në anën ballore, në dimensionin gjysmëhark,
lartësoheshin pjerrësirat me shkallë
natyrale ku mund të akomodoheshin deri 3000 e më tepër shikues, të cilët
uleshin secili sipas dëshirës dhe mundësisë. Tek-tuk, në distanca jo fort të
largëta, bredhët hijerëndë, mbronin shikuesit artdashës nga rrezet e forta të
diellit.
Në
skenë defilojnë artistë të vendeve të ndryshme, kombe e etni të ndryshme.
Vallëzime, rite e këngë gjuhësh të ndryshme, që, nëse gjuhën nuk ua kupton, ua
“dekodon” gjestikulacioni.
Na
erdhi radha “hileqare” edhe neve. Të ndrojtur paksa, ngjitemi në skenë.
Problemi i parë që hasëm, ishte manipulimi me zërimin. Por, profesionistëve të
festivalit, asgjë nuk mund t’u “rrëshqasë” nga dora. Asgjë nuk mund t’i lihej
rastit e neglixhencës. Secili arsyetonte profesionalizmin e vet. Çdonjëri është
në vendin e duhur dhe në momentin adekuat. Për nja 2-3 minuta, teknika bëhet
gati për veglat tona të folklorit: 4 çifteli, 2 sharki, 1 def, bile edhe
mikrofonat e solistëve - në akces…
Natën
e parë u paraqitëm, apo të themi më saktë: u prezentuam me instrumentalin e
udhëhequr nga Syrja Etemi, madje - këngën: “Kah po shkojnë këta djem?” (të
kënduar nga Hasan Memishi e S.E.) dhe këngën: “Ku e kam, nënë, çiftelinë e
babës?”, të kënduar nga Zemri Arifi.
Për
çudi, paraqitja jonë në skenë befasoi të pranishmit, përkatësisht përcjellësit
e Festivalit, sidomos me kostumografinë e cila karakterizohej me: opinga,
tirqi, brez, këmishë të pëlhurtë, jelekë dhe kësula të bardha.
Harrova
të them se Festivali nuk ka karakter garues, por revyal. Por, sido që të jetë,
kjo neve nuk na preokupon gjithaq, sepse qëllimi ynë është që ne të paraqitemi
në mënyrë sa më dinjitoze e mos të
koritemi para një publiku të këtillë. Dhe, që në natën e parë, relativisht ia
arritëm qëllimit: performuam me sukses…
Kështu
u paraqitëm edhe natën e dytë, por kësaj radhe prezentimin e bëmë ditën, aty
kah ora 14-00, kur ngrehinat prej ku
përcillej festivali, ishin të stërmbushura me plot spektatorë. Përderisa
“rridhte” festivali, në terrenet përreth tij, në një hapësirë, të thuash prej
kilometrash të tërë, zhvillohej edhe Panairi i Madh i Kelesit, ku “derdhej” e
ekspozohej një pasuri e madhe me mijëra e mijëra asortimentesh e mallrash, duke
filluar, nga “gjilpëra” e deri te
kombaji. Çdo gjë – “Turk mallo” apo prodhim vendi.
BURSA më 01.07.2013
Në
mëngjesin e 1 korrikut, u zgjuam jo aq herët, por aty kah ora 9-00. Bëmë nga
një dush dhe përgatitëm “cakravatet” - i morrëm me vete dhe, sipas agjendës, plaçkat i lamë në autobusin e
parkuar në qendër të Kelesit dhe shkuam për të ngrënë mëngjesin. Brenda në
restoran, ku shërbejnë nja dhjetëra kuzhinierë dhe kamarierë, të gjithë të
presin me nga një “Selam!”- të shoqëruar edhe me nga një buzëqeshje të sinqertë
e të ngrohtë. Këtu marrim takëmin e ushqimit - tabllën me thikë, lugë, pirun e
letra higjienike… duke kaluar drejt tryezës së stërmbushur me lloj-lloj
ushqimesh, sidomos ato me produkte vedore: bukë (7-8 llojesh), vezë, djath,
kaçkavall, ulli, reçele, marmelada të ndryshme, bostan; madje sallatë
(kastraveca e domate); gjygymi i madh i çajit është në dispozicion; kokrra sheqeri
(katror) etj. Secili sipas shijes së vet, zgjedh e merr atë që ia do shpirti e zemra, mbush pjatën…e,
herë - herë të vjen edhe kamarieri (ndodh që të jetë edhe femër), në mënyrë që
të të ndihmojë për ndonjë nevojë plus.
Shumica
e të pranishmëve kishim nevojë për toalet. Duke patur parasysh rrugën e gjatë
që do të merrnim për në Bursë, edhe ata që nuk kishin gjithaq nevojë, do
të “vizitojnë” WC-të, të cilat ishin
shumë të pastra dhe shumë të rregulluara. Nuk kishte lokal, madje edhe rrugë pa
një “shërbim” të këtillë dhe, kurrë nuk bëhej kallaballëk për të fituar radhën
…ashtu si tek Ne, ku të kërkojnë edhe para për “oferta” të këtilla.
Pasi
hëngrëm sillë, bëmë një vizitë apo “zijaret” në zyrën e kryetarit të komunës së
Kelesit, z. Kajnak, madje edhe foto nga më të ndryshmet që do të na ngelin si
kujtim i ëmbël nga vizita vëllazërore. Mëpastaj, frekuentuam hapësirat e
komunës dhe u hallashtisëm me të
punësuarit e këtij institucioni, duke na dëshiruar ndonjë takim tjetër të
radhës.
Lotët
ishin të paktë për të shprehur gjithë atë mall, atë përdëllesë, ato emocione,
me rastin e ndarjes nga njëri - tjetri,
por të gjithë uruam që sa më shpejtë të ndodh edhe ndonjë “sebep”
tjetër, e të shifemi sërish.
Hypim
në autobus dhe nisemi për në Bursë, ku arrijmë aty kah ora 14-30. Që nga një
distancë prej nja 10 km. “ndjejmë” aromën e këtij metropoli të mrekullueshëm.
Hymë brenda në qytet. Dikush pretendon të kap momente e tabllo sa më
interesante e atraktive, duke bërë foto me celular që nga autobusi, duke mëtuar
të kapë pozicione sa më të mira.
…Rrugë
të stërmbushura me komunikacion e automjete, por duke iu nënshtruar - strikt
rendit urban. Nga kati i autobusit, nga njëra anë vërejmë kulme të një
arqitektura qibare osmane rrëzë kalave të panumërta, kurse në anën tjetër -
”bumin” ndërtimor modern të stilit europian. Një kombinim interesant, një
bashkëjetesë të pakundërshtueshme, duke respektuar moshën e njëri - tjetrit, e,
sikur i japin shtysë pulsimit të jetës
urbane drejt pushtimit të zemrave të vizitorëve e mysafirëve, që, këtu nuk janë të paktë. Këtë karakteristikë
markante e dallojmë nga pozitat ku jemi, sepse të kap syri shumë grupe
njerëzish (turistë) duke kaluar nga një monument në tjetrin dhe duke
fotografuar apo xhiruar.
Me
të arritur te selia e bashkisë së Bursës, zbresim nga autobusi dhe për nja 15
minuta pritje, na sugjerohet për të hyrë
brenda në objekt, në godinën e vjetër 200 vjeçare - e stilit tipik osman: me
dyer e dritare të mëdha, kanatet e të cilave janë të ngjyrosura me bojë kafe të errët, bile edhe krejt fasada e
ndërtesës (e Shtëpisë së Madhe) - e lyer me lloj-lloj koloriti, që edhe te
ndonjë vizitor indiferent do ta zgjonte kurreshtjen për t’ia hedhur sytë e për
t’u admiruar e që do ta bënte për vete. Kulmi i mbuluar me qeremide të vjetra
të zeza të ullukta, të pastra e pa fije pluhuri, të lë përshtypje indikative.
Enterieri - tipi i një ambienti oriental, por i modifikuar me elemente të
kohës, si: abazhure, qilimë e tepihë të pushtë, kanape e kolltuqe të buta alla-sulltançe,
mindere të gjata me peçeta të qendisura me dorë, ku pikasej dora e shkathtë e
femrës turke, e, ku në murë, nuk do të mungojnë as pikturat e zgjedhura
autorësh osmanë, turk e të huaj, që
doemos të zbukurojnë muret me fasadat atraktive të enterierit impozant.
Hymë
në zyrën e kryebashkiakut të Bursës 3
milionëshe, z.Rexhep Altepe. Për aq vetë sa jemi (55), në çdo poltronë të
parlamentit ku do të uleshim ne, kishte të vënduara nga një çantë me peshqeshe
për mysafirët. Për pak kohë mbërrin zëvendësi i kryetarit, Nexhbedin Sali, i
cili me një përshëndetje duke tundur dorën në ajër e me buzëqeshje miqësore,
mori pozicionin aty afër foltores. Me një përshëndetje të bukur shqipe na uroi
mirëseardhje të përzemërt, pastaj u prezentua dhe fjalën e parë që foli, pohoi
se vjen nga një familje me prejardhje
nga Shkupi (familje shqiptare) dhe, përsëri na u drejtua me një shqipe të
ëmbël, duke na bërë me dije se edhe
kryetari Rexhep Altepe (i cili për moment gjendej në vizitë zyrtare në
Bullgari), është me prejardhje shqiptare nga Gjilani i Kosovës, dhe se: “synimi
i të gjithë Neve, pa marrë parasysh prejardhjen, kemi një qëllim të përbashkët:
ta bëjmë vendin sa më të mirë – në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në të,
jo me reçetën e një vëllazërim - bashkimi të rrejshëm të stilit të dikurshëm
jugosllav, i cili doemos edhe të dështojë...” Në vazhdim të fjalimit,
zëvendëskryetari potencoi: “Kur jemi te përbërja etnike e Bursës, mund të flas
edhe me gjuhën e statistikës, që indicon kësisoj: vetëm 10% e banorëve të
Bursës janë banorë rezident apo me prejardhje osmano-turke, ndërsa 90% e
përbëjnë banorë të etnive tjera, sidomos nga Rumelia, e në veçanti shqiptarë…”
Ajo
që na lë përshtypje për të dëshiruar, është
fakti se nga referimi i këtyre të
dhënave , kuptuam se tanimë deklarimi i prejardhjes këtu nuk është temë - tabu,
por shprehje e lirshme e personit, por
mbi të gjitha parametrat, këtu, synim i përbashkët i të gjithë pjesëtarëve të
etnive (për nga provinienca stërgjyshore e gjeografike) të ndryshme është
ndërtimi dhe zhvillimi i qytetit të tyre të përbashkët, e ku secili gëzon hisen
e vet që i takon. Është ky qytet i mundësive dhe vizioneve të akceptueshme e të realizueshme, metropolë e ndryshimeve dhe modifikimeve të përditshme,
mapë e diversiteteve komplementare, qytet -“ shtet” në miniaturë, në të cilin,
qytetarët e saj duke rafinuar të kaluarën, modelojnë dhe zhvillojnë të ardhmen.
Stili
i punës dhe jetës së qytetarëve të Bursës, paraqet një antipod të përditshmërisë
sonë të tendosur me reflekse agresive në
IRJM, ku pulson një stil i jetës: ”Për inat të vjehrës më vdektë burri…”, e,
ku, periodikisht, për çdo tersllëk i kërcënohemi njëri - tjetrit, duke ia
dëshiruar ferrin njëri - tjetrit dhe “dhomat e gazit” bashkëqytetarit apo fqiut të vet.
Përderisa
në komoditetin e gjetur në ambientin e sallës së Parlamentit, jehu kumbues i
folësve po përhapej gjithandej, nuk u la pa u përmendur edhe kontributi i
Njeriut të Madh të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk dhe ndikimi në
mëkëmbjen e këtij shteti që vuante ngalakaqjen e shekujve. Ende kjo figurë e
madhe reflekton energji pozitive tek gjeneratat që pasojnë. E, si mos të të
magjeps shikimi i këtij burrshteti të madh nga fotografia – në mur të sallës ku
jemi? Vështrimi përbirues dhe heshtja e tij flet shumë. Mesazhi i tij ende po
gjallon, ende po stimulon… E, ky mesazh duhet të jetë formulë apo recetë për
shtetndërtim, për të gjitha shtetet e kombet e Ballkanit të trazuar, e jo vetëm
për turqit!