Faleminderit
Pal Ndrecaj: Odisejada e luftëtarit Mark Sokol Pnishi
E enjte, 18.01.2024, 08:59 PM
ODISEJADA E LUFTËTARIT MARK SOKOL PNISHI
Nga
Pal Ndrecaj
Ishte
viti 1999 dhe vala e luftës po përfshinte krahinat e fshatrat e Kosovës. Një
fshat i vogël malor, me emrin Nec, i bashkohet aradhave të rezistencës së
madhe, që shtrihej prej maleve të Junikut, Batushës, Ponoshecit e deri në
Smolicë. Në mesin e vullnetarëve të këtyre njësiteve u radhit edhe Mark Sokol
Pnishi, 50 vjecar dhe djali i tij, Kened Pnishi, 17 vjecar. Të gjithë të
gatshëm me u përballë me një armik të pabarabartë në të gjitha aspektet. Në
aspektin ushtarak, armiku printe me armatimin modern e me njësitet e
organizuara në mënyrë profesionale. Në aspektin moral printe me shpirtin
mesjetar, të pajisur e të mobilizuar me
të gjitha bekimet politike, kulturore e religjioze për të zhbërë deri në gjene
qenien shqiptare, me anë të vrasjeve masive, pa dallim, deri te foshnjet.
Granatat hidheshin nga distanca prej dhjetëra kilometrave, duke pasur për objektiv shtëpitë e civilëve e vendet ku
ishte grumbulluar popullata e shpërngulur.
Për
një kohë të gjatë, malet e Smolicës e të Necit nuk arriten të shkelën nga këmba
e armikut. Vullnetarët e organizuar në mënyra guerile po e mbanin atë larg.
PLAGOSJA E MARK PNISHIT
Mirëpo,
për të marrë këtë pikë strategjike, më 2 gusht 1998, armiku mobilizon forca
shtesë. Mëngjesi i hershëm i kësaj dite gdhiu me granatime të papara nga toka e
ajri. Njësitet e UCK-së duhej të tërhiqeshin në mënyrë taktike, duke bërë
zbrapsje graduale: vija e pare, vija e dytë e vija e tretë, deri në vendin e
planifikuar të rigrupimit. Aty, nëpër breshërinë e plumbave e granatave
mbildhen, pothuajse, të gjithë luftëtarët. Mirëpo mungon djali i Markut,
Kenedi. Njoftimet për të vijnë të zymta. Një lajm thotë se ai ka mbetur në
llogoret e vijës së parë, pasi që ishte më afër armikut. Marku, pa një pa dy, niset përsëri në drejtim të
asaj vije. Tashmë, njësitet tankiste e autoblindat e armikut kishin kapërcyer
vijën e parë dhe kishin hyrë në fshat. Depërtimi i Markut tek llogoret, ku
thuhej se kishte mbetur i biri, nuk mund të bëhej pa u hetuar nga armiku.
Mirëpo, gatishmëria e prindit për ta parë edhe njëherë djalin e tij, të gjallë
a të vdekur, shpërfill cdo rrethanë dhe Marku, duke lëvizur ngadalë e me kujdes
prapa një muri, arrin të del në rrugën që shpinte drejt vendit ku ndodhej i
biri. Por, vetëm deri këtu! Pjesa tjetër ishte blinduar dhe nuk kalohej as nga
zog mali. Atëherë, kur arrin në pikën e mbramë të shpresës dhe kupton se nuk
shkohet përtej, vjen ndjenja e hakmarrjes për ta shpaguar të birin. Hap derën e
vogël të murit. Tre ushtarë të armikut,
që po lëviznin prapa autoblindit, bëhen vlera e cmimit që atë ditë Marku e
nxori për të birin. Mirëpo, autoblindi “Praga”, i njohur për mënyrën e shpejtë
të reagimit, hedh granata në drejtimin nga i kishte ardhur gjuajtja dhe copat e
tyre plagosin rëndë Markun në disa pjesë të trupit. Tërhiqet zvarrë deri në
përrockën e fshatit, ku mundohet t`ia lidhë plagët vetes. Më pas, takon një
luftëtar tjetër, shok të Kenedit, i cili i ndihmon me u tërheqë përsëri tek
bashkëluftëtarët tjerë, në mal.
Menjëherë
dërgohet në spitalin në shtëpinë e Shpend Nurajt, në fshatin Rracaj, ku merr
ndimen e parë nga mjeku i UCK-së, Bedri Beqaj. Pas marrjes së ndihmës së parë,
i vendosur në qerre kali e i përcjellur nga, Zeqë Tahiraj, babai i tij, Isufi e Demë Bunjaku , përmes
rrugës së fshatit Skivjan, dërgohet në
spitalin e ushtarak të Irzniqit për trajtim të mëtejshëm. Pastaj, prej këtu,
kalon në fshatin Vranoc, dhe strehohet në Shtëpinë e Brahim Ibrës.
LAJMI PËR “VDEKJEN” E
MARKUT
Në
shtëpinë e Brahim Ibrës ishin strehuar shumë luftëtarë të plagosur. Cdo mbrëmje, tregonte Marku, dëgjonim lajmet
për lëvizjen e trupave tona e të armimkut, për gjendjen e civilëve dhe për të
vrarët e të plagosurit. Një mbrëmje, Radio Evropa e lirë, duke bërë fjalë për
depërtimin e trupave serbe në Rekë të Keqe, njofton se në atë betejë të ashpër
ka mbetur i vrarë luftëtari Mark Pnishi. Në dhomën e Brahim Ibrës, ku ishin
mbledhur të plagosurit, bie heshtje vdekjeje. Ishte dita e dytë pas ofensivës
dhe të strehuarit nuk njiheshin ende mes vete me emra. Si zakonisht, pak para shprehjes
se ngushëllimeve vijnë pyetjet: a e ke pase njohur të vrarin? Pyetje, te cilave
iu pergjigjet ne menyrë pohuese. Pas dy-tri ngushëllimeve, Marku, nuk pret më
dhe ua zbulon te pranishëmve se është fjala për të, se ai është personi për të
cilin ishte dhënë lajmi i kobshëm. Në dhomën ku ishin tubuar të strehuarit,
ishin tretur retë e vdekjes dhe ishte kthyer prapë qetësia. Mirëpo, ato re u
lëshuan menjëherë mbi një dhomë tjetër të një shtëpie në fshatin Moglicë, ku
ndodhej famija e Markut: Gruaja, Vitorja; vajzat Ardiana e Mirjana dhe djali
Zefi.
Lajmin
e dëgjuam unë dhe Vitorja, motra ime. Pritjet e mia se ajo do të pësonte ndonjë
goditje dolën të pasakta, sikur ta dinte se Radio Evropa e Lirë e kishte gabim.
Motra u mbajt e fortë. Ishte natë dhe në një shtëpi tjetër, mbi shtëpinë time
ishin strehuar dy vëllezërit e Markut, poashtu ushtarë të UCK-sw, Nika e Pali
dhe djali Kenedi, i pandehur si i vrarë. Shkuam nëpër terr tek ata, mirëpo
lajmi kishte mbërritur para nesh. Atë natë e kaluam si në gjysmëjetë. Të
nesërmen në mëngjes, duke kaluar rrugëve më të fshehta të qytetit, shkova në
zyrën e vogël të Këshilllit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Gjakovë.
Aty ishin aktivisti Mark Malota, tash Hero i Kosovës dhe gazetarja Valentina
Gjuraj, të cilët më siguruan se Marku është gjallë, por i plagosur.
Plagët
Marku i përballoi burrërisht deri në fund. Pa u ligështuar kurrë dhe duke u
ndier gjithmonë krenar për to. Kurrë nuk është ankuar për pensionin e vogël
invalidor, por kurrë nuk i ka kaluar në heshtje dobësitë që qeveritë kanë bërë
në përparimin e ngadalshëm të vendit. Idealin e tij për lirinë e vendit kurrë
nuk e ka kalkuluar materialisht, por kurrë nuk ua ka falur qeveritarëve
korrupsionin e dhënien pas interesave personale. Atdheun e ka dashur të fortë,
të begatshëm e të drejtë për të gjithë, e
jo vetëm për ata që janë të zotë për të zhvatur. Ai e kishte
kuptimin tij të lirisë dhe nuk e
ndërronte. Ai kuptim ishte drejtësia, e cila matet vetëm me një masë, me masën
e përkushtimit serioz e vetmohues për të ardhmen e Kosovës.
Marku
jetoi deri të hënën, më 15 janar 2024, kur dha shpirt, duke marrë me vete,
vetëm pak minuta pas, edhe bashkëshorten e tij, motrën time Vitoren (emri
zyrtar Gjyste) e duke lënë prapa vepra dashurie, kujdesi e humanizmi në secilin
hap të jetës së tyre
Pushoni
të qetë, motra ime e dhëndrri im!
Ju
kemi në zemrat tona gjithmonë.
Në
foto: Marku me bashkeshorten, Vitoren