Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Në nderim të vlerave bamirëse të shenjtores së të varfërve dhe misionares shqiptare, Nënë Terezës
E shtune, 04.11.2023, 08:55 PM
Në
nderim të vlerave bamirëse të shenjtores së të varfërve dhe misionares
shqiptare, Nënë Terezës
Nga
Gjekë Gjonaj
Më
19 tetor të këtij viti janë mbushur 20 vjet nga lumturimi i misionares
shqiptare, Nënë Terezës. Këtë simbol
shqiptar dhe botëror të solidaritetit njerëzor, e lumturoi Papa Gjon Pali II . Ky vendim i
Papës Gjon Pali II erdhi menjëherë pas aprovimit nga Kongregacioni i Selisë së
Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit. “Me autoritetin tim apostolik, ne
garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e
lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.
“Me
gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një
murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra
ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë
Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.
Në
vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, “për punën e ndërmarrë në luftën
për të kapërcyer varfërinë dhe vuajtjet, të cilat gjithashtu përbëjnë një
kërcënim për paqe.” e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në
çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e
pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar
në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë.
Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Më
5 shtator 2016 Papa Françesku
shenjtëroi Nënë Terezën, duke e
bërë atë një shenjtore të Kishës Katolike dhe një shembull të ndritshëm të bamirësisë dhe dashurisë njerëzore. Prej atëherë kjo ditë, e cila përkon me ditën
e vdekjes së saj, është festë zyrtare në
Shqipëri “ Dita e Shenjtërimit të Nënë
Terezës”. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në njohje të rolit
të bamirësisë, në zbutjen e krizave
humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të
përpjekjeve të organizatave dhe
individëve bamirës, duke përfshirë punën e Nënë Terezës, caktoi 5 shtatorin,
ditën e vdekjes së saj, si Ditën
Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Kjo
heroinë e kohëve moderne ka frymëzuar miliona njerëz të shërbejnë të ndriçuar
nga drita e dashurisë. Kjo nënë e përvuajtur e njerëzimit, e cila doli nga
gjiri i një populli të lashtë, me
kulturë, identitet e histori origjinale,
ndryshoi botën dhe e bëri atë një vend me të mirë, nëpërmjet dhimbjes,
përkushtimit dhe dashurisë. Kjo grua me trup të vogël, por me zemër të madhe
, është krenaria e të gjithë njerëzimit,
por më shumë dhe mbi të gjithë na bën krenar
ne shqiptarëve, prandaj duhet të kujtojmë misionin e saj të pavdekshëm
bamirës, të cilin secili prej nesh mund ta vazhdojë duke dashur e respektuar më
shumë njëri-tjetrin dhe duke ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë. Fjalët e
saj: “Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në
buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh
buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën” , na vijnë si
reflektim dhe mësim.
Angje
Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi më 26 gusht
1910, në Üsküb - sot Shkup në Maqedoninë
e Veriut nga prindër shqiptarë, të cilët
i rritën fëmijët e tyre në besimin e krishterë. Ajo i mori mësimet e para në
një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua
murgeshë, për t'u bashkuar me manastirin
e Motrave të Loretos, në Rathfarnham, afër Dublinit, Irlandë. Pasi u
specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e
saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.
Vepra
e saj e ndritur , hyjnore dhe bamirëse e bënë
atë nënë e të gjithëve , të njerëzve të pashpresë, të pambrojtur, të braktisur, të sëmurë, të
varfër, të pafuqishëm... Si të tillë
njerëzimi botëror me të drejtë e konsideron si simbol i vlerave të larta njerëzore, mëshirës, bujarisë, shpirtmadhësisë, bashkëvuajtjes, vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë
personal dhe flijimit për të tjerët. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në
moshën 87 vjeçare, në manastirin e saj në Kalkutë Qeveria indiane shpali ditë zie dhe, duke thyer traditën,
organizoi një funeral shtetëror për të , më 13 shtator në stadiumin e brendshëm
“ Netaji”. Sot , puna e saj është një frymëzim në të gjithë botën për më shumë
ndihmë ndaj të varfërve.
BOX 1:
“Kjo
nënë e përvuajtur e njerëzimit, e cila doli nga gjiri i një populli të lashtë, me kulturë,
identitet e histori origjinale, ndryshoi
botën dhe e bëri atë një vend me të mirë, nëpërmjet dhimbjes, përkushtimit dhe
dashurisë”
BOX 2:
“Fjalët
e saj: “Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në
buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh
buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën” , na vijnë si
reflektim dhe mësim”
BOX 3:
“
Vepra e saj e ndritur, hyjnore dhe bamirëse e bënë
atë nënë e të gjithëve , të njerëzve të pashpresë, të pambrojtur, të braktisur, të sëmurë, të
varfër, të pafuqishëm... “