Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Krijues e studiues serioz e i palodhur
E diele, 01.10.2023, 07:54 PM
KRIJUES E STUDIUES SERIOZ E I PALODHUR
Në
77 -vjetorin e lindjes të studiuesit, Anton Nikë Berishës
Shkruan:
Gjekë Gjonaj, Ulqin
Mosha për të është
thjesht një numër
Studiuesi
serioz dhe i përkushtuar i letërsisë shqipe, prof. dr. Anton Nikë Berisha, më 7
gusht të këtij viti ka mbushur 77-vjet.Ata që e njohin këtë figurë të dalluar
të letërsisë shqipe besoj se do të pajtohen me vlerësimin se mosha për të
thjeshtë është vetëm një numër, kur bëhet fjalë për krijimtarinë letrare e
studiuese, e cila s’ka ndaluar, por ajo fatmirësisht vazhdon për të mirën e
brezave shqiptarë, të tashëm dhe të ardhshëm. Puna e tij krijuese, hulumtuese
dhe shkencore, që të mbushë me kulturë dhe dije, është tejet e madhe, për të
mos thënë e jashtëzakonshme për rrethanat tona. Kontributi i tij në letërsinë
shqipe, si në atë të krijimit letrar artistik, ashtu edhe në atë të studimit
dhe interpretimit letrar, është një arritje e madhe në fushën e studimit të
letërsisë. Kjo tashmë është e njohur gjithandej.
Kush është Anton Nikë
Berisha?
Ky
autor i dhjetëra e dhjetëra veprave letrare dhe studimore mbi të gjitha është
njeri i mirë e i thjeshtë me një kulturë të gjerë, një mik i sinqertë e pastaj
një intelektual me përmasa mbarëkombëtare, profesor, poet, prozator, përkthyes
letrar e studiues i mirëfilltë, i respektuar nga autoritete shkencore e letrare
shqiptare e më gjerë.
Diskursi
i tij letrar e studimor është i gdhendur, i thellë, i skalitur e efektiv. Ky
nivel arrihet, sigurisht, falë talentit, përkushtimit krijues dhe vetëdijes së
lartë për misionin e fjalës së shkruar, por Anton Nikë Berishën si shkrimtar e
studiues dhe posaçërisht si intelektual, e karakterizon edhe guximi për ta
thënë troç atë që sheh dhe ndien, në të gjitha rastet dhe rrethanat.
U
lind më 7 gusht 1946 në katundin Dobërdol të Klinës (Kosovë). Nga jetëshkrimi i
tij mësojmë se arsimin 8-vjeçar e ka përfunduar në Ujëmirë për të vazhduar më
pas në Prishtinë, ku ka përfunduar Shkollën normale ( më 1966) dhe studimet në
Fakultetin filozofik, Dega gjuhë e letërsi shqipe.
Disa
vite më vonë ka kryer studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit
Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mori titullin e magjistrit të
filologjisë. Po në këtë Universitet më 1981 mbrojti tezën e doktoratës
shkencore.
Profesor
Antoni nuk kënaqet me njohuritë e fituara studimore në Prishtinë e Zagreb,
prandaj vazhdon t’i zgjerojë ato në Universitetin e Gëtingenit, gjatë vitit
universitar 1978/79 si bursist i DAAD-së , dhe 1984/85, ndërsa specializohet në
Universitetin e Mynihut të Gjermanisë në vitin akademik 1992/93 ku fitoi një
bursë nga Fondacioni “Alexander von Humboldt” .
Ka
punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e folklorit, në
Katedrën e albanologjisë të Universitetit të Mynihut, ndërsa nga nëntori i
vitit 1993 ka punuar si ligjërues e më vonë profesor i letërsisë shqipe në
Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe – Departamentin e linguistikës, të
Fakultetit të letërsisë dhe i filozofisë të Universitetit të Kalabrisë, ku për
vite me radhë ka ligjëruar letërsinë shqipe, brenda saj sidomos atë arbëreshe.
Ka
mbajtur mësim në disa universitete të Evropës, po dhe në universitetin e
Prishtinës, Tiranës, Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Vlorës etj.
Krijues e studiues
serioz e i palodhur
Veprimtaria
letrare e Anton Nikë Berishës filloi me poezinë për të rritur, botuar në
revistën letrare “ Jeta e re” ( Prishtinë), në vitin 1965 .
Krijimtarinë
e mirëfilltë e fillon në vitin 1968 me një punim kushtuar porosive të
fantazmave në tragjedinë e Shekspirit “Hamleti” dhe në “Histori të
Skënderbeut”, të Naim Frashërit dhe më një vështrim që i bën poezisë së
Migjenit “Të lindet njeriu”, për të vazhduar më pastaj në fushën e studimeve të
letërsisë shqiptare, që vazhdon deri në ditët e sotme.
Nga
veprat e tij të shumta të cilat kritika e kohës dhe studiuesit shqiptarë dhe të
huaj i vlerësuan lartë veçojmë: “Mundësi interpretimi“, “Teksti poetik”,
“Veçanti ligjërimesh poetike”, “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së
arbëreshëve të Italisë” , “Çështje teorike të letërsisë” , “Njëmendësia e
fjalëve” (Mundësi interpretimesh letrare), “Interpretime të letërsisë së
arbëreshëve të Italisë”, “Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të
Fishtës”, ”Larmi vëzhgimesh letrare”, “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjeve
të lashta të jetesës së njeriut tone”, “ Ligjërime rreth tekstit letrar
poetik”, “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”, “Vëzhgime mbi
Poetikën” e Aristotelit”, dy studime monografike për “Mesharin” e Buzukut, “Mbi
disa kryevepra të letërsisë botërore”, “Rreth disa kryeveprave të letërsisë
sonë” etj.
Disa
vepra të tij e vështrojnë veprën dhe flijimin e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze
për tjetrin, ku dallohet kompleti prej shtatë vëllime “Nëna Tereze në shtatë
shpalime 1 – 7 (Faik Konica, Kuvendi Françeskan i Gjakovës, Prishtinë 2019) dhe
“Letra të Gonxhe Bojaxhiut - Nënës Tereze” (Shkup 2022).
Një
punë të rëndësishme ka bërë dhe në fushën e përkthimeve nga disa gjuhë. Po
përmend vetëm disa më kryesoret: Epi i Gilgameshit, Kënga e këngëve, Këngën e
Nibelungëve (Kënga e parë dhe e pestë), Psalmet, Qasje artit poetik të
Aristotelit, Këngët e Ali Binakut. Ardhësit të Radovan Zogoviqit etj.
Për
veprën e tij letrare dhe shkencore janë botuar deri më tani 13 studime e libra
nga autorë shqiptarë dhe italianë.
Po
përmend edhe faktin se për romanin e tij “Gjin Bardhela & Etja e gurëzuar”,
botuar në vitin 2002 nga shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës (romani
është përkthyer edhe në italisht) janë shkruar e botuar 54 punime, 29 prej tyre
nga autorë italianë.
Fitues i disa
shpërblimeve e çmimeve
Për
kontributin e tij të madh, Anton Nikë Berisha, është vlerësuar me disa
shpërblime e çmime. Ai mori Shpërblimin e dhjetorit të KSA të Kosovës,
shpërblimin “Hivzi Sulejmani”, shpërblimin “Asdreni”, shpërblimin “Giorge
Mangone” të Sindikatës së pavarur të shkrimtarëve Italianë, shpërblimin
“Azem Shkreli” të Komunës së Pejës, shpërblimin “Beqir Musliu” të Komunës së
Gjilanit, shpërblimin “Din Mehmeti” të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”
dhe Medaljen presidenciale të meritave të Republikës së Kosovës. Po ashtu është
fitues i “Muzës së Agimit” dhe çmimit tradicional “Ora e Tahir Deskut” të
Komunës së Klinës, shpërblimin “Ymer Elashani” etj.
Si përfundim
Me
veprat e tij, të cilat janë botuar e ribotuar disa herë, gjatë gati gjashtë
dekadash të kaluara, Anton Nikë Berisha, jo vetëm se e pasuroi opusin krijues
të tij, por gjithsesi edhe letërsinë tonë shqiptare. Ai theu kufijtë
gjeografikë, krahinorë e ideologjikë, duke u prezantuar si një studiues me
integritet të plotë, i cili nderoi integritetet e tjera, aty ku duhet të
nderohen.
Po
e mbyll këtë shkrim me një thënie të cilën për momentin nuk po më kujtohet se
ku e kam lexuar: “Rinia është një vepër e natyrës, ndërsa mosha është një vepër
arti”.
Urime
për fëmijërinë e dytë!
Gëzuar 77-vjetorin e lindjes profesori ynë!