Faleminderit
Idriz Zeqiraj: Rrëfimi i trishtë i Kolonel Qunit për vrasjen e Sali Çekaj
E enjte, 03.08.2023, 07:56 PM
Kolonel
Anton Quni flet për heroin Sali Çekaj
RRËFIMI
I TRISHTË I KOLONEL QUNIT, PËR VRASJEN E SALI ÇEKAJ
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Kur u botua libri "Peticioni i 215 intelektualëve", i
autorit Prof. Dr. Zekirja Cana, i thashë: "Profesor, si shumë armiq po
bënë?"
-Profesori: "Unë jam historian dhe historia kërkon fakte dhe
jo përralla. E di peshën e fjalës së shkruar, andaj dua ta them vetëm të
vërtetën".
Eksponenti i PDK-së, Hajredin Kuqi, në panegjirizmin e tij për një
rektor, thoshte: "Ishte burrë i madh i kombit", ndërkohë që kishte
refuzuar të firmoste peticionin e 215 intelektualëve! Personazhi i zotit Kuqi,
mund të ishte pedagog i mirë, i shkolluar bollshëm, por assesi "burrë i madh
i kombit", sepse Atdheut nuk i jipet rasti për ta provuar shumë herë
shtetasin e tij. Edhe 215 intelektualët, të cilët firmosën peticionin, vetëm
një jetë kishin.
Terminologjia e luftës e ka kodin e vet. Të emërtosh njerëz me
legjendë, legjendar, ose ngjarje luftarake me epope, duhet edhe të lëndëzohen
me faktet, të cilat dëshmohen në fushë-betejë. Në një epope, gjaku arrinë deri
në zog të këmbës, ose, të paktën, një opingë, nga të dyja palët ndërluftuese.
Dhe, kjo nuk ka ndodhur në luftën e Kosovës. Masakra e civilëve nuk është
epope.
Betejat ballore në Kosovë kanë qenë të pakta. Me formacione të
mirëfillta ushtarake është Beteja e Loxhës dhe Lufta në Koshare. Kur është
fjala tek kjo e dyta, në të shumtën, përdorët "Beteja e Kosharës!"
Këtë gabim e bëjnë edhe vetë komandantët, protagonistë të saj. Realisht, për
ndryshim nga Beteja e Loxhës dhe tri beteja në tre fshatrat tjera, nën komandën
e Kolonel Tahir Zemaj, në Koshare janë bërë beteja të çdo-ditëshme, të cilat në
tërësi përbëjnë Luftën e Kosharës.
Pas Luftës të Shaban Polluzhës, më 1944, e cila, edhe pse në
raporte disproporcionale forcash luftarake, numri i viktimave ishte i përafërt,
Lufta e Kosharës ka të njëjtin rezultat. Terreni i përthyer gjeografik, me
mundësi të pakta llogorimi, luftëtarët ishin të ekspozuar shënjestrimit,
goditjes. Ishte një luftë ballore, që pasoi Betejën e Loxhës.
Lufta e Kosharës kishte kryeprotagonistët e saj, të cilët
komanduan formacionet e rregullta ushtarake lufftarake. Në mesin e tyre janë
shquar, veç komandantëve, tashmë, heronj të kombit, Sali Çekaj, Agim Ramadani,
me shokë, edhe komandantët e mbijetuar: Rrustem Berisha, Anton Quni, Skënder
Hasangjekaj, Nazif Ramabaja, ky i fundit ndihmës i parë i Kolonel Tahir Zemaj,
në Betejën e Loxhës.
Ngritja e tyre në gradën e -Gjeneralit-, është sa meritore, aq
edhe njerëzore. Është thënë dhe përsëritur, se Lufta e Kosharës dhe Beteja e
Loxhës, legjitimuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, kjo arritje e
shkëlqyer, meriton të lëndëzohet dhe të dëshmohet edhe me vlerësimet përkatëse.
Dhe, më së paku që duhet të bëjë Kosova e lirë dhe e pavarur, përkatësisht,
drejtuesit e saj shtetërorë e qeveritarë, në koordinim me strukturat
profesionale, do të ishte akordimi i titullit honorik -Gjeneral- për sejcilin
syrësh. Nderimi i tyre do të ishte edhe një homazh e përkujtesë për shokët e
tyre të armëve, tashmë, të flijuar për lirinë e Kosovës, Sali Çekaj, Agim
Ramadani dhe dëshmorët tjerë të Kosharës, Loxhës dhe qindra të tjerëve, si dhe
mijëra të tjerëve, të plumbuar, qoftë si dëshmorë, qoftë si viktima, anekënd
etnikumit shqiptar dhe Mërgata.
Mendoj se presidentja Vjosë Osmani, me shtetarë e pushtetarë, e
cila është dëshmuar shumë e përgjegjshme, në detyrën e saj - kupolë shtetërore
-, do ta marrë seriozisht këtë sugjërim, sa logjik, aq edhe fisnik, i cili,
assesi, nuk është personal, por pritshmëri e shqiptarëve.
Kur u vlerësuan me gradën e Gjeneralit bashkëkomanduesit e tyre,
Fadil Hadërgjonaj dhe Hisen Berisha, pati një mirë-pritje masive, gjithnjë me
urimin që të pasohet me vlerësimet e njëjta, edhe për disa nga kolegët e tyre,
që drejtuan me trimëri, profesionalizëm dhe sukses, formacionet ushtarake në
luftën e Kosharës, të Loxhës dhe gjetkë.
Në Akademinë Përkujtimore, kushtuar heroit Sali Çekaj, me
prezencën e tij nderoi edhe Kolonel Anton Quni, heroi i mbijetuar i Kosharës.
Në mes tjerash, ai bëri vlerësimin sintezë-proverbial, për figurën e heroit
emblematik Sali Çekaj:
"Çdo orë e
kaluar me Veteranin ishte orë mësimi, çdo ditë ishte përvojë e re dhe e tërë
koha e kaluar së bashku ishte mësim jetësor. Shoqëria me të na bëri që ta
peshojmë fjalën më shumë, të jemi më racional dhe të përmbajtur nga emocionet,
më të guximshëm në vendime e veprime dhe më të motivuar. Nëse si i ri isha i
fascionuar me Akilin, Odiseun, Hektorin, Aleksandrin, Pirron, Skënderbeun etj.,
tani, e kisha fatin të mësoja nga njeriu me përmasa përtej legjendave e miteve.
Në netët pa gjumë, i
etur dhe i uritur, në gjirin e Alpeve Shqiptare, i rrahur nga shiu, bora dhe
stuhitë, nën breshërinë e automatikëve dhe detonimet e artilerisë, Salihu më
kujtonte heronjtë e eposit të kreshnikëve, të cilëve në krah u qëndronin zanat,
për t’i drejtuar në mjegullë e errësirë. Aq më i vendosur ishte se me jetë do
të mbronte vendin, ku gjaku i Agim Ramadanit ende ishte i njomë".
Ftoj poetët,
kompozitorët, këngëtarët, shkrimtarët, artistët, që nga ky fragment
vlërsimi-lapidar, për heroin Sali Çekaj, të frymëzohen për ta përjetësuar në
këngë dhe art, veprimtarin, luftëtarin, komisarin, komandantin, heroin Sali
Çekaj, i cili është unik në angazhimin kombëtar, në kohë-zgjatjen e viteve
`80-a dhe `90-a të shekullit të shkuar.
E vërteta për vrasjen e
Sali Çekaj
Kolonel Anton Quni, në
fjalën e tij në Akademi, në mes tjerash, shpalosi rrëfimin e trishtë, për
vrasjen e Sali Çekaj, një vrasje bollshëm e përfolur:
"Çdo herë kur
flitet për Betejën e Koshares, ka zëra që ndryshojnë nga e vërteta. Ndër to
edhe mënyra e rënies së heroit Sali Çekaj.
Më lejoni që me këtë
rast nga memoaret e luftës të Gjeneralit Fadil Hadergjonaj, ta citoj një
pjesë, që për mua dhe të gjithë luftëtarët e Kosharës, është e saktë dhe e
vërtetë:
Citoj:
"Data 19 prill
1999, ditë e hënë. Luftimet e zhvilluara në drejtimin operativ luftarak të
koduar “777”, Rrasa e Kosharës.
Mëngjesi agoi i qetë e
me diell, por temperaturat ishin të ulëta, terreni malor i mbuluar me borë,
vende-vende trashësia e saj kalonte mbi 1metër. Analizuam situatën bashkë me
Milazim Maraj, Shiqer Maloku, Shefqet Mustafaj, Naim Loshaj, Milaim Mazrrekaj,
Sefer Berisha, Arben Shala dhe përgjegjës të tjerë, rreth zhvillimeve të ditëve
të kaluara, nxorëm konkludimet dhe vendosëm për avancimin si dhe ripozicionimin
e luftëtarëve në pozicione më të sigurta, më të maskuara dhe me fushëpamje më
të qartë në drejtim të armikut, ndërruam pozicionet e armëve sipas kalibrave
dhe misionit, caktuam koordinatat dhe objektivat e veprimit të zjarrit
artilerik, përgjegjësit e pozicioneve morën detyrat dhe po i zbatonin në
përpikmëri.
Në pjesën juglindore të
Rrasës (dretimit operativ 777), vendosëm ekipet e topit pa dridhje 75mm, topit
20/1mm, i konfiskuar nga armiku, mitralozit 12.7mm, me detyrë asgjësimin dhe
neutralizimin e lëvizjeve të forcave të armikut, nga drejtimi gryka e Batushës
dhe Oplazit. Në pjesën verilindore (ana e djathtë e vijës së zjarrit),
pozicionuam një togë të këmbësorisë me armatim personal, të mbështetur nga
mitralozi 12.7mm, snajperët 7.9mm, në pjesën veriperëndimore (ana ballore)
vendosëm togën tjetër të këmbësorisë, snajperët 5,56mm dhe 7,9mm, me mbështetje
të mitralozit 12,7mm, dhe prapa tyre pozicionuam mortajat 60mm dhe 82mm, që
ishin në mbështetje me zjarr për të gjithë. Të gjitha këto veprime, duke
përfshirë edhe ushqimin e mëngjesit, përfunduan rreth orës 7:30.
Gatishmëria luftarake
ishte e plotë, rreth orës 07:45, vëzhguesi ynë Sadri Ajvazi nga Zhegra, në
pjesën perëndimore vëren një skuadër të forcave të armikut, duke lëvizur në
kolonë dhe distancë nga njëri-tjetri, në drejtim të Ujezës, përmes një mali me
lisa të rrallë, por ishin shumë larg nesh dhe atje ende nuk kishte forca tona.
Forcat e armikut kishin planifikuar që trupat e br,72 për operacione speciale,
pjesëtarët e batalionit të 52 PU, gjegjësisht, kompania antiterroriste dhe asaj
diversanto-vëzhguese, të depërtonin pa u diktuar prapa vijës sonë nga drejtimi
jugperëndimor (ana e majtë), përmes malit me lisa ahu të mëdhenj dhe duke
shfrytëzuar elementin e befasisë, të na godisnin nga krahu, kurse njësitë e
batalionit të këmbësorisë të depërtonin nga pjesa veripërendimore (pjesa
ballore) dhe kështu të arrinin qëllimin e tyre: marrjen nën kontroll të Rrasës
së Kosharës.
Kam urdhëruar Loshin që
të hapte zjarr direkt me mortajë 82mm dhe predha e parë ka rënë shumë afër
tyre, me një korigjim të shpejtë të elementeve qitëse ka nisur predhën tjetër,
por ata manovruan shpejt dhe u futën në pjesën e malit në anën jugperëndimore
apo të majtën tonë, duke kaluar në pjesën që ne nuk kishim pamje vizuele. Nga
ky moment u dekonspirua plani i tyre dhe filluan menjëherë të përgjigjen me
zjarr të fuqishëm artilerik të kalibrave 60, 82 dhe 120mm, nëpër pozicionet
tona të një dite më parë, me qëllim përgatitjen e terrenit për depërtimin e
forcave të tyre. Hodhën mbi 500 predha por për fatin tonë ne kishim ndërruar
pozicionet, njëherit, trashësia e borës amortizonte efektin e shpërndarjes së
copëzave të predhave. Zjarrit të tyre iu kundërpërgjigjem edhe ne, fillimisht
me artileri 60 dhe 82 mm, pastaj me tërë arsenalin e armatimit që kishim.
Në drejtim të pjesës
(majtë) jugperëndimore, pjesës së malit me lisa të mëdhenj, diktuam forcat e
armikut, njoftova Milazimin, Shefqetin dhe Shiqerin, se me një skuadër do të
ndahem për të marrë atë drejtim. M’u bashkëngjitën edhe Naim Loshi me Florim
Shehun e Isuf Krasniqin. U zhvilluam në formacion luftimi. Loshi shënjestroi
dhe goditi me raketahedhës 64mm, duke asgjësuar një pozicion të tyre të fshehur
prapa shkurreve. Tani, në tërë vijën e frontit zhvilloheshin luftime të rrepta
e në distanca të afërta. Manovrimi, si nga trupat e tyre e po ashtu edhe nga
trupat tanë, ishte i shpejtë dhe si mburojë shfrytëzonim lisat. Arritëm të
stabilizonim vijën e zjarrit duke identifikuar me saktësi vendndodhjen e forcave
që kishim përballë.
Sali Çekaj dy ditë më
parë kishte shkuar në komandën e operacionit, për koordinim dhe pak pushim.
Dëgjon detonimet dhe luftimet që zhvilloheshin në Rrasë dhe niset vet i treti,
kur arrin te pozicioni i topave 20/1, 75mm dhe mitralozi të rëndë, takon
luftëtarët Milaimin, Flamurin, Hilmiun etj., që luftonin me plot entuziazëm dhe
moral të lartë, vazhdon lart dhe tek pozicioni i mortajava po ashtu takon
luftëtarët Shkelzenin, Bahriun, Ramizin, Arbenin etj., duke goditur pandërprerë
pozicionet e armikut. Pyet Milazimin si është situata, ai i raporton se
luftimet po ecin mirë dhe se luftëtarët po e përmbushin misionin e tyre. Merr
edhe 4 ushtarë për t’u bashkuar me ne në anën e majtë. U takuam afër përroit të
Kosharës, u sistemuan dhe zhvilluan në formacion luftimi e menjëherë u dallua
fuqia e zjarrit.
Luftimet zhvilloheshin
në afërsi, shkëmbenim sharjet dhe fyerjet mes palëve. Forcat e armikut u
tmerruan dhe duke mbuluar me zjarr të fuqishëm njëri-tjetrin, filluan të
zbrapsen, ndërsa ne i qëllonim. Nisëm të këndonim këngën “Besa-Besë” dhe kaluam
në sulm. Filluan të na mbulojnë me artileri për të mundësuar tërheqjen e tyre,
kurse shpëtimi ynë ishte të qëndronim sa më afër tyre. Kështu vazhduam tërë
ditën duke i ndjekur për më shumë se 500m edhe në pozicionet tjera, atë ballore
dhe në anën e djathtë, luftimet ishin të rrepta dhe në afërsi. Kishte të vrarë
e të plagosur nga të dyja palët. Numri i ushtarëve pakësohej, një të plagosur,
së paku dy e shpesh herë edhe më shumë, duhej ta tërhiqnin dhe ndihmonin.
Para muzgut kishim
mbetur tre veta në atë drejtim, komunikimi me pjesën tjetër nuk funksiononte,
përveç detonimeve dhe zjarrit që dëgjohej, por që binte intenziteti nga të dyja
palët. Para nesh ende kishte forca më të pakëta, por ende qëllonin herë pas
here, ndërsa ishte shtuar intenziteti i predhave artilerike. Dëgjohej zhurma
fluturuese e predhave dhe ne strukeshim pranë lisit, disa eksplodonin në
kontakt me degët e lisave e disa depërtonin në borë, duke reduktuar efektin e shpërthimit.
Pas shpërthimit ngriheshim dhe shikonim njëri-tjetrin duke u përgëzuar se
shpëtuam dhe vazhdonim tutje, prap vinte kontigjenti i radhës së predhave dhe
ne prap veprimet e njëjta. Në një moment Salihu qëllonte në drejtim të një
pozicioni ku ishte armiku, në të njëjtën kohë zhurma e predhave. Ende pa
shpërthyer predhat dhe pa u strukur, Salihu qëllohet dhe bie, në moment
strukemi edhe ne, si herave të tjera, për pak sekonda deri në shpërthimin e
predhave. U ngritëm ne të dy por Salihu nuk u ngrit. Nuk doja dhe nuk mund të
besoja se ai nuk po ngritet, për të vazhduar tutje.
Me gisht e udhëzoj
ushtarin që të afrohet dhe të shikojë, ushtari afrohet me kujdes maksimal,
ngrit duart dhe rrudhë krahët, duke më sinjalizuar se komandanti ra, për të mos
vdekur kurrë. U afrova edhe vet dhe kuptova reagimin e ushtarit. Tani duhej të
vazhdonim aty ku mbeti Salihu, të pastronim hapsirën nga elementet e mbetura të
armikut, të krijonim zonë të sigurtë në atë pjesë, ashtu që trupi i pajetë i
komandantit mos të bie në duar të armikut. Isha para dy sfidave: të merremi me
tërheqjen e komandantit apo të inspektoj vijat e zjarrit e të informohem me
situatën dhe pasojat. Kisha bindjen se nuk ka njeri tjetër në Rrasë. Tentonim
të diktonim çfarëdo sinjali nga bashkëluftëtarët, por pa sukses. Jemi nisur në
drejtim të pozicioneve të mëngjesit, në një moment kam rënë në kontakt me Naim
Loshin dhe pas pak jemi takuar. Shpejt shfaqet edhe Milazimi, Shiqeri e te
tjerët. Pyesnim njëri-tjetrin si është situata, aty kuptova se kishte rënë
Shefqet Mustafa, Izet Morinna, Afrim Stajku dhe ishin plagosur shumë të tjerë.
Më pyetën për komandant Salihun, nuk ju tregova (përveç Milazimit), sepse kisha
frikë se do të dekurajoheshin. Pozicionet e zjarrit ishin dobësuar shumë,
mungesa e të rënëve dhe të plagosurve ishte shqetësim i ri për ditën e nesërme.
Nuk vonon shumë dhe në
mbështetje na arrin një kontigjent ushtarësh të udhëhequr nga Abaz Thaqi. Ishin
të papërgatitur për luftë, ankoheshin për borën, të ftohtin dhe kushtet e vështira.
Na morën shumë kohë duke tentuar t’i bindim se ne jemi në tokën tonë, po
luftojmë për lirinë e vendit tonë dhe nëse armiku qëndron njëherë, ne duhet të
qëndrojmë 100 herë.
Në fund të ditës,
armikun e dëbuam, duke i shkaktuar humbje serioze dhe dështimin e tyre të
radhës. Përkundër luftës heroike dhe humbjeve të shkaktuara armikut, edhe për
ne kjo ditë konsiderohet dita më e përgjakshme gjatë tërë luftës së Kosharës.
Në këtë ditë ranë:
1. Salih Beqir Çekaj -
Veterani, 22.06.1956, Broliq - Pejë;
2. Afrim Ahmet Stajku,
04.02.1981, Arbanë - Prizren;
3. Aziz Bajram Gashi,
16.08.1975, Balincë - Malishevë:
4. Bejtë Azem Kajdomçaj,
03.03.1963, Dedaj - Prizren;
5. Fatos Shefqet Limani,
08.01.1978 - Prishtinë;
6. Fisnik Alejdin
Ibrahimi, 09.05.1978 - Beograd;
7. Hysni Sylë Temaj,
15.11.1976, Kushnin - Prizren;
8. Ilir Ahmet Hoxha,
14.09.1979, Arbanë - Prizren;
9. Izet Islam Morina,
10.12.1961. Ostrozub - Malishevë;
10. Leonard Dedë
Palucaj, 24.05.1978 - Klinë;
11. Luan Ruzhdi
Gashi, 03.11.1977, Prizren;
12. Mejdi Avdullah
Korrani, 13.11.1977, Pozharan - Viti;
13. Shefqet Fazli
Mustafaj, 03.04.1969, Gllogjan - Deçan.
Ndërsa u plagosën lehtë
e rëndë 22 luftëtarë. Edhe pse kishim të rënë e të plagosur në radhët tona,
numri i luftëtarëve shtohej gjithnjë e më tepër, sepse qëllimi ynë ishte i
shenjtë, kurse armiku sado që forcohej me ushtarë, policë e paramilitarë, e
sado që shtonin teknikë të rëndë luftarake, ata nuk mundën ta forconin moralin
e tyre.
U rikonsoliduam që të
jemi gati për ditën e nesërme. Herët në mëngjesin e 20 prillit, ngarkova me
detyrën e tërheqjes së trupit të komandantit, skuadrën që udhëhiqte Adem Shehu
nga Kukësi, kurse ushtarin Xhelal Avdylaj e dërgova që të jetë me ta për t’jua
treguar vendin. Kurse me Milazimin shkoja nga një ushtar tek tjetri, duke i
pozicionuar dhe duke konsoliduar vijat e zjarrit.
Për shkak të mjegullës
së dendur e terrenit të vështirë, ky grup, pas disa orësh kthehet pa e
përmbushur detyrën. Mora përsipër ta përmbushi vet detyrën, formova një grup
prej 4 ushtarësh në mesin e të cilëve ishte edhe Xajë Qela, njëri ndër
luftëtarët më të zot dhe më të kompletuar të frontit. Gjatë lëvizjeve në
drejtim të vendrënies, armiku na mbulonte me zjarr artilerik. Disa kontigjente
predhash ranë rreth nesh, ndërsa ne vepronim njëjtë, sikur ditën e mëparshme,
me dëgjimin e zhurmës fluturuese të predhave shtriheshim, pas eksplodimit
ngriheshim dhe vazhdonim tutje. Në një moment predha eksplodon afër dhe plagos
rëndë në këmbë Xajën. Japim ndihmën e parë dhe detyrohemi të kthehemi, duke
improvizuar barrelën për bartjen dhe transferimin e Xajës për shërim të
mëtejmë. Prap nuk arritëm që të përmbushim detyrën, sepse nata ishte shumë e
errët dhe me mjegullë të dendur.
Me 21 prill, në Rrasë
arrin si përforcim Naser Vllasi, bashkë me Arben Sejdiun dhe Hisni Ramën. Kisha
njohuri se ishin pjesëtarët që i kishte ngritur e stërvitur vet Agim Ramadani dhe
ishin ndër ushtarët më të aftë për detyra të ndërlikuara. Kërkova që të më
bashkëngjitën të tre, morëm edhe Jeton Pajazitin, një luftëtar shumë i zoti, që
ishte edhe ditën e kaluar kur u plagos Xaja dhe u nisëm për të tërhequr trupin
e komandantit. Lëvizjet e këtij ekipi ishin shumë profesionale, të kujdesshme
dhe të sigurta. Moti ndryshonte shpejt, binte dhe hiqej mjegulla, shfrytëzonim
intervalet me mjegullë, për të avancuar drejt trupit të komandantit. Pas dy
orësh kemi arritur të tërheqim komandantin, pa luftë dhe pa pasoja për
asnjërin.” Këtu mbaron citimi nga memoaret e Gjeneral Fadil Hadërgjonaj.
Natyrshëm, jo të gjitha
mund t’i themi në një akademi. Por, një gjë është e sigurtë: Sali Çekaj
arriti nga asgjëja të ngritë një njësi të UÇK-së, më të fuqishmen në historinë
moderne dhe asaj t’i prijë në fitore, deri në ditën kur ai vet kaloi në
përjetësi.
Jeta dhe vepra e tij
janë një mësim, se si duhet atdheu, se si mbrohet nderi, se si mbahet fjala, si
fitohen betejat dhe si ndërtohet besimi në vetëveten, në shokun e luftës dhe në
Zot.
Lavdi e
përjetëshme",- përmbylli rrëfimin e tij përmbajtësor e domëthënës, Kolonel
Anton Quni.