Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Trieshjani që u flijua për lirinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar
E premte, 25.08.2023, 07:59 PM
Portreti i Martin Lucë Prenkoçajt ( 1887- 1944)
Trieshjani
që u flijua për lirinë e Kosovës dhe
bashkimin kombëtar
Nga
Gjekë Gjonaj
Në
mesin e burrave trima të shquar
malësorë në periudhën e pas Lidhjes së Prizrenit (1878) është cilësuar edhe trieshjani, Martin Lucë
Prenkoçaj nga fshati Budzë. Ai ka pasur virtyte të larta njerëzore
dhe vetëdije kombëtare, të cilat
i mori nga babai
Lucë Ujka , i cili u shqua në
betejat çlirimtare të Trieshit në Cem-Lemajë, Shesh e Grabom ( 1907) dhe
në betejat e Kryengritjes së Malësisë ,
në Pikalë e Selisht ( Qafë të Bokrrinës),
në Deçiq, Qafë të Uglës, ku ra
heroikisht , më 25 qershor 1911.
Martini u lind në vitin 1887. Ai ishte djali i Lucë Ujk Gilës, të cilit Presidenti i
Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha
ia dha Urdhrin për Veprimtari
Patriotike të Klasit II në vitin 1993, kurse Ministria e Mbrojtjes së
Republikës së Shqipërisë i ndau
Certifikatën e Dëshmorit të Atdheut, dhe
familjes së tij i dha simbolin “ Familje
e Dëshmorit të Atdheut” në vitin
2020. Gjyshi i tij , Ujk Gila
u vra në luftën e Qafë Nagrivës,
në vitin 1862. Nëna e tij Tringë
Çugaj, ishte nga fisi i njohur
i fshatit Stjepoh( Triesh). Martini
ka pasur dy vëllezër, Tomën e
Kolën dhe pesë motra, Hakën, Dilën, Mrikën, Prëtën dhe Maren. Të dy
vëllezërit e tij vdiqën në moshë të re. Toma vdiq në moshën 8 vjeçare, kurse Kola
vdiq në moshën 24-vjeçare si pasojë e
vuajtjeve që përjetoi në burgun
famëkeq Jusovaça, në afërsi të stacionit të trenit dhe të
autobusëve në Podgoricë, njërin nga monumentet më të errëta të kryeqytetit të
Malit të Zi.
Martin
Lucë Prenkoçaj nuk ishte i arsimuar, por mbante gradën ushtarake Toger i
Këmbësorisë dhe dinte të shkruajë e të lexojë
dhe po ashtu fliste rrjedhshëm gjuhën sllave, italiane dhe gjermane të cilat i kishte mësuar gjatë internimit në Austri (1916-1918) nga
Austro-Hungaria dhe më pas gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në
Itali. Periudha kohore në të cilën jetoi
dhe veproi ishte periudha e përpjekjeve e sakrificave sublime të popullit shqiptar.
Veprimtaria
atdhetare e Martin Lucë Prenkoçajt
kishte filluar që në moshë të re të tij. Si i ri u inkuadrua në jetën politike, të
cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese. Mori pjesë
në ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. U inkuadrua në luftë
kundër pushtuesve turq, në luftën e Deçiqit,
e më pas për më se tri dekada kundër pushtuesit serb,duke luftuar me
pushkë në dorë në luftëra e beteja për
mbrojtjen e territoreve etnike gjatë
periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga
pushtuesit. Ishte aktiv në
luftën e Koplikut, së bashku me vëllain Kolën, në konfliktin e armatosur
kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave në krahinën e Shkodrës zhvilluar në
muajt korrik e gusht të vitit 1920. Pas luftës së Koplikut inkuadrohet në
ushtrinë të sapoformuar shqiptare të themeluar nga Ahmet Zogu. Atje shërben pak
kohë për t'u rikthyer më pas ilegalisht në Mal të Zi, ku luftoi dhe rezistoi
fortë okupuesit e këtyre trevave deri në amnisti që kishte ndodhur në
Jugosllavi rreth viteve 1925.
Tomë Nikë Lulgjuraj, bashkëluftëtar (shok i luftës) i Martinit ka treguar një episod të tij trimërie. “Gjatë një beteje në luftën e Koplikut na u prishë mitralozi dhe Martini pa kurrfarë frike rrezikoi jetën, kaloi nëpër breshëri plumbash, e ndreqi mitralozin me të cilin arritëm të ndalim sulmet e ushtrisë armike, të cilat kishin goxha mirë. Pas këtij akti trimërie Ushtria Shqiptare e mbajtën Martinin lartë me duar”, kishte thënë Lulgjuraj. Ky burrë i pushkës e atdhetar për arsye të rrethanave e kushteve të pavolitshme vendos që në vitin 1936 së bashku me familjen e tij të largohet nga Trieshi dhe vendoset në fshatin Dallashaj afër Gjakovës. Megjithatë, ai kurrë nuk e harroi vendlindjen dhe nuk e shiti shtëpinë as pronat e tij të shumta. Me të vendosur në Kosovë, bie në kontakt me burrat e ndritur dhe personalitete të shquara atje. Në fillim qëndron te Shaban Polluzha, njërin ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilin e kishte kumbarë, bashkëluftëtarë e mik. Më pas njoftohet me Ndue Përlleshin me të cilin vëllazërohet ( bëhet probatin) dhe inkuadrohet në grupin e tij luftarak si njëri ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe më besnik të tij.
Ai
menjëherë u inkuadrua në Ballin Kombëtar dhe
pati fatin të njihej, të luftojë e të
veprojë përkrah këtyre figurave më të ndritura të kombit të asaj
periudhe, e dhjetëra atdhetarë të tjerë të cilët bënë emër e lanë nam me
qëndresën dhe luftën e zhvilluar për lirinë e Kosovës. Ka qenë pjesëmarrës i
Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila i zhvilloi punimet më 16-22 shtator 1943.
Martin
Lucë Prenkoçaj bashkë me Ali Binakun
e Becit, Xhemë Sadrinë e Cërmjanit
(udhëheqës), Rrustem Delinë e Becit e pjesëtarë të tjerë të Ballit Kombëtar, të gjithë të armatosur, në
tetor të vitit 1944, ranë në pritë të çetniko-partizanëve në fshatin Gërçinë
(Has). Komunistët shqiptarë me yllin pesë rrëmbesh dhe uniformën jugosllave pasi e rrethuan fshatin kërkuan
nga shqiptarët për t’i dorëzuar armët
gjoja se tani vendi ishte i çliruar dhe armët nuk kanë pse të mbahen nga
populli. Por, trieshjani (malësor) me mustak të zezë dhe plis të bardhë nuk pranoi në asnjë mënyrë që t’ua
dorëzojnë armët komunistëve jugosllavë dhe u tha: "Na hala nuk jemi çliruar.
Brigadat e çetnikëve po bëjnë
kasaphane në Drenicë, Shale e Bajgore. Ju mund të ktheheni
nga keni ardhur sa nuk ua kam këput me
duart e mia, se për të gjallë nuk i dorëzojmë armët deri në çlirim dhe bashkim
kombëtar".
Burri
nga Trieshi i mbeti besnik fjalës së tij dhe besës së dhënë
Shqipërisë, se deri në çlirim dhe në bashkim kombëtar, nuk do ta lëshojë
pushkën nga dora. Pas pak ditësh nga 19 luftëtarë që kishin qenë, 16 ishin vrarë në vend.
Martin Lucë Prenkoçaj , duke luftuar heroikisht për Shqipërinë Etnike, kishte
vdekur rrugës nga plagët e marra. La gruan e re, Drane Gjushën Pecaj me të
cilën ishte martuar në vitin 1926 dhe 4
fëmijë jetimë, dy djem, Zefin dhe Kolën
si dhe dy vajza, Mrinë
dhe Lenën.
Në
vitin 2012 u vendos Memoriali - Lapidari me 33 dëshmorë në
fshatin Zhdrellë të Becit të Dushkajës,
në mesin e tyre është edhe Martin
Luca. Komuna e Gjakovës e nderoi këtë dëshmor të popullit në vitin 2018.
Rruga në Qërim mbanë emrin e tij.
Ky
vlerësim është nder dhe krenari jo vetëm
për familjen e tij, por edhe për Trieshin, Malësinë dhe krejt shqiptarinë.
Lufta heroike e Martin Prenkoçajt për liri dhe mëvetësi duhet t’u shërbejë brezave të ardhshëm si
shembull sesi duhet t’i duam dhe t’i
mbrojmë tokat shqiptare nga zaptimet e
pushtuesit të huaj. Përpjekja, kontributi dhe
sakrifica e tij sublime do të mbeten të përjetshme në historinë e popullit shqiptar.