Faleminderit
Ibrahim Kabili: Luigj Gurakuqi, eruditi dhe atdhetar i flaktë
E enjte, 10.08.2023, 07:55 PM
Luigj Gurakuqi, eruditi dhe atdhetar i flaktë...
Nga
Ibrahim Kabili
Në
shkrimet e mia për disa nga figurat e shquara atdhetare më mungonte ajo e
firmëtarit të pavarësisë, atdhetarit të madh shkodran, Luigj Gurakuqi. Unë isha
me pushime në Velipojë dhe bëra enkas një vizitë në Shkodër. Këto radhe që inë
po hedh në kërë shkrim, janë krejtësisht të pamjaftueshme për të pasqyruar
veprimtarinë e gjithanshme të kësaj figurë të madhe me përmasa kombëtare. Luigj
Gurakuqi bëri shumë, dhe shkriu gjithçka për atdheun dhe çështjen kombëtare.
Luigj
Gurakuqi lindi në Shkodër më 19 shkurt 1879 në një familje tregtare shkodrane
me kulturë të gjerë. Ai është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes
sonë kombëtare, është një nga figurat më të shquara të historisë dhe kulturës
shqiptare, është një personalitet i shquar në fushën e arsimit dhe kulturore.
Veprimtaria e tij e gjerë në kohë, përfshin fundin Rilindjes dhe të fillimin e
Pavarësisë. Ai ishte politikan, diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, poet,
prozator, kritik letrar, pedagog, ekonomist, financier, orator, njeri i penës
dhe i pushkës. Mbi të gjitha, Luigj Gurakuqi ishte një patriot dhe atdhetar i
flaktë. Ai ishte bashkëthemelues i shtetit shqiptar dhe nënshkrues i Deklaratë së
Pavarësisë së Shqipërisë. Ai përjetoi ngjarjet më kulmore të vendit tonë duke
qenë pjesmarrës dhe drejtues në shumicën prej tyre. Si i tillë, dhe me një
veprimtari të gjithanshme, mund të themi se ai ishte një figurë poliedrike i
vënë shërbim të kombit shqiptar dhe që i bën nder atij...
Shkollën
fillore dhe të mesme e bëri në Kolegjin Saverian që ishte shkolla më e mirë dhe
më organizuar e kohës. Në shkollë pati rezultate shumë të mira në mësime dhe
prirje për letërsi dhe krijimtari letrare. E plotëson arsimin e mesëm në
kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronës. Mësues i tij De Rada qe figurë e vyer
për të, dhe që e frymëzoi për gjithë jetën e tij. Më pas studion 2-3 vjet për
mjekësi. Është diplomuar për shkencat natyrore. Në të gjitha studimet e kryera
qe me rezultate të larta.
Gjatë
studimeve universitare në Napoli në vitet 1901-1906 shkroi veprat e para dhe
bëri disa botime. Në vitin 1906 botoi “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth
shqyp-frengjisht n’marim”. Po në këtë vit botoi në Bukuresht librin, “Abetar i
vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet”.
Botoi në Napoli një “Fjalorth
Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja”. Luigj Gurakuqi botoi
mjaft shkrime me përmbajtje patriotike. Te Luigj Gurakuqi spikat kultura e
gjërë dhe njohja shumëdimensionale. Ai ishte një njohës i thellë i trashëgimisë
kulturore të popullit shqiptar dhe njëkohësisht edhe i kulturës romake e
latine. Ishte një njohës i historis së vendit tonë dhe të asaj botërore. Si
njihte arkeologjinë, shkencat ekonomike, financat, trashëgiminë tonë arsimore
dhe pedagogjike kombëtare, dhe atë europiane. Krahas gjuhës shqipe, ai
zotëronte: latinishten, italishten, turqishten, frëngjishten, njihte edhe greqishten dhe gjermanishte Luigj
Gurakuqi është autor dhe bashkëautor në botimin e 8 teksteve mësimore shkollore
për shkollën shqipe.
Pas
vitit 1906 Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht luftës për çlirimin kombëtar. Në
vitin 1907 së bashku me Bajo Topullin punuan për organizimin e kryengritjes në
veri. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit së bashku me disa figura
të tjera të shquara dhe zgjidhet nënkryetar e anëtar i komisionit për njësimin
e alfabetit shqip. Gurakuqi udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e
shkollës sonë kombëtare dhe të sistemit arsimor shqiptar. Ai hodhi themelet e
para të sistemit arsimor fillor në Shqipëri. Më 1909 u emërua drejtor i
shkollës normale në Elbasan.Ai dha një ndihmesëtë madhe për vënien e arsimit
mbi baza kombëtare. Në vitin 1911 merr pjesë në kryengritjen e Malsisë së
Madhe. Ai është njëri ndër udhëheqësit e saj, dhe një nga hartuesit e
Memorandumit të Greçës. Ai zhvilloi një veprimtari të madhe për organizimin e
kryengritjes së përgjithshme të armatisur të vitit 1912. Mori pjesë në
mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte një
nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Qemalit dhe shkruesi i Deklaratës
së Pavarësisë. U emërua ministër i arsimit në Qeverinë e Vlorës të kryesuar nga
kryeministri Ismail Qemali.
Pas
pushtimint malazez të Shkodrës, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë. Merr
pjesë në Konferencën e Londrës të vitit 1913, së bashku me Ismail Qemalin dhe
Isa Boletinin. Gjatë pushtimit austro-hungarez emërohet drejtori i përgjithshëm
i Arsimit, ku hapi shumë shkolla shqipe. Personalisht ai ka pasur një angazhim
serioz për gjuhësinë dhe problemet e saj. Ai i përmbahej tezës se gjuha shqipe
është shenja e parë e kombit, kushti kryesor për ekzistencën e tij, dhe mjeti
më i mirë për bashkimin kombëtar. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918
dhe zgjidhet anëtar i delegacionit për në Konferencën e Paqes në Paris. Në
vitet 1921-1924 ishte deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. Ai qe si
udhëheqësi i opozitës demokratike dhe luftoi për demokratizimin e jetës së vendit.
Luigj Gurakuqi vritet në Bari të Italisë më 2 mars 1925, nga një agjent i
paguar nga Ahmet Zogu dhe klika e tij. Këtu merr fund jeta e atdhetarit të madh
Luigj Gurakuqi. Ai ra për të mos me vdekur kurrë. Në nderim të figurës
atdhetare të Luigj Gurakuqit kemi rrugë,
shkolla, sheshe që mbajnë emrin e tij. Po kështu edhe Universiteti i
Shkodrës, mban emrin "Luigj Gurakuqi". Ai ka edhe titullin më lartë,
"Hero i popullit". Njerëz të tillë janë të pavdekshëm falë veprës së
tyre madhore në shërbim të kombit. I tillë është Luigj Gurakuqi.
Vrasja
e tij nuk ka emër tjetër, përveç tradhëtisë. Tradhëtar qe mbreti i shqiptarëve
Ahmet Zogu. Ai hoqi qafe shumë figura atdhetare, ndër ta edhe Luigj Gurakuqin.
Pasi i eliminoj me vrasje figurat e spikatura politike, Zogu e pati dorën e
lirë në rrugën drejt pushtetit. I ndihmuar prej Serbisë dhe elementëve
reaksionar ai arriti të bëhej President dhe Mbret i Shqipërisë.
Ibrahim Kabili
Velipojë, më 23.07.2023