Faleminderit
Dorian Koçi: In memoriam për Robert Elsie
E hene, 02.10.2023, 07:59 PM
In memoriam për Robert Elsie
Nga
Dorian Koçi
Robert
Elsie për të gjithë ata që nuk e njohin është një nga albanologët më të shquar
të huaj. Që nga vitet `80 të shekullit të kaluar e në vazhdim që ai ka patur
një aktivitet shumë të ngjeshur në shumë aspekte historik, filologjik, në
fushën e fotografisë duke bërë të mundur që thesaret e ndryshme të kulturës
shqiptare të shpërndara, të paidentifikuara më parë ti bashkojë dhe të krijojë
një mozaik të madh të atij imazhi dhe përceptimi që kanë patur të huajt ndaj
Shqipërisë. Këto perceptime fillojnë që
nga viti 1809, një vit i cili shënon edhe interesin e madh albanologjik për
shkak edhe të veprës së Bajronit, të shkruar përreth shqiptarëve dhe autorëve
të tjerë që ecën në gjurmët e tij.
Robert
Elsie ishte një studiues pasionant, i cili arriti në thyerjen të viteve ’90 të
krijojë një individualitet të veçantë në kritikën, në letrat shqipe, në
kulturën shqiptare një pikë referimi shumë të fortë për gjithësecilin që
dëshironte të njihte më tepër shqiptarët, por edhe për të ndërtuar e për të
shkruar histori të ndryshme të zhvillimit kulturor të shqiptarëve.Mbetet një
kontribut i madh historia e letërsisë shqipe që ai hartoi, në të cilën për herë
të parë vinin më të detajuar autorë që më parë ishin mohuar apo dhe autorë të
së shkuarës pa as edhe një lloj kompleksi duke bërë të mundur që një njeri, të
dukej sikur bënte punën e institucioneve, kulturore, artistike apo historike të
vendit tonë.
Robert
Elsie dashuronte gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Për këtë gjë, ai bënte
më të mirën e mundshme, që të krijonte dhe të arrinte rezultate të
drejtpërdrejta në prezantimin e kësaj kulture në Europë kryesisht, por edhe në
botë. Neve na duhet ta pranojmë që bibliotekat e Europës dhe arkivat e ndryshme
të muzeumeve, kanë akoma dokumente të paeksploruara për shqiptarët. Robert
Elsie kishte mundësinë që të depërtonte dhe të merrte një pjesë nga këto
dokumente dhe mbi to të analizonte dhe shkruante faza të ndryshme të zhvillimit
kulturor të shqiptarëve.
Por,
ajo që e përbën atë si një rast i veçantë, krahasuar edhe me gjithë studiuesit
e tjerë, është se ai arrinte të krijonte dhe një analizë tërësore të këtyre
dokumenteve duke na bërë të mundur, që ne herë pas here të kishim botime shumë
cilësore apo qoftë edhe prezantime të letërsisë shqipe. Një ndër to edhe
përkthimi i “Lahutës së Malësisë” të Gjergj Fishtës ose të veprave më të
hershme të letërsisë shqipe, të cilat mund të konsiderohen për shijen e
publikut tashmë si arkaike, por që Elsie kishte kurajon për të prezantuar në
perëndim si vlera të vërteta të ringjalljes kulturore dhe shpirtërore të
shqiptarëve.
Për
të gjithë ata që e kanë njohur Elsie, e njihnin si një “Ambasador i
Shqipërisë”, por nuk ishte nga ata lloj ambasadorë që ka një përgjegjësi shtetërore
nga prapa dhe do të detyrohej të fliste gjithmonë pozitivisht. Ai për gjëra që
nuk i pëlqente në Shqipëri, problematika në histori, në kulturën shqiptare, të
cilat nuk kishin guximin për t”i trajtuar apo dhe për t”i shqyrtuar ashtu siç
duhet duke u bazuar në realitetet historike, kritikonte, krahasonte me
zhvillimet e popujve të tjerë. Në këtë mënyrë mund të themi se Elsie mundohej
të ishte jashtë Shqipërisë si një mentor i botës shqiptare.
Ai
kërkonte që kultura shqiptare të ngrihej dhe të arrinte një standard të lartë.
Robert Elsie si një njeri i kulturës besonte fort se përfaqësimi dinjitoz në
kulturë do të bënte të mundur që Shqipëria të arrinte dhe të realizonte ëndrrën
të ishte pjesë e familjes europiane. Kudo ku kishte thërmija të botës shqiptare,
Elsie ishte i pranishëm për ta vëzhguar dhe studiuar. Dy vitet e fundit të
jetës së vet, ai arriti të mblidhte material etnografik apo material folklorik,
zanor, jo vetëm nga Kosova, nga arbëreshët në Itali por edhe nga arvanitasit në
Greqi. Elsie nuk i njihte kufijtë administrative që i ndajnë shqiptarët, pasi
ai ishte i dashuruar me botën shqiptare dhe kudo që ai mendonte se diçka në
botën shqiptare ishte duke u rrezikuar ose që duhej mbledhur për t`ua lënë
pasardhësve, ose shkrimet e vjetra të udhëtarëve europianë përreth zhvillimit
kulturor të shqiptarëve, ai i merrte dhe i nxirrte nga harresa dhe mosvlerësimi
për t’ia paraqitur publikut të huaj dhe atij shqiptar.
Robert
Elsie mbetet një nga pikat e referimit për botën shqiptare. Ai në momentet e fundit
të jetës së tij prezantoi në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, të gjithë
diapozitivët e udhëtares së njohur Edith Durham, fotografi fare të panjohura
nga arkivi i Muzeut Britanik, me të cilat ai ndërtoi një koleksion shumë të
bukur të memories albanalogjike. Në këto foto pasqyrohen kujtesa e memorja e qyteteve shqiptare, një kujtesë urbane, për
qytete që kanë patur një zhvillim ekonomik por që pas Luftërave Ballkanike, ranë
pre e hordhive të ushtrive shoviniste fqinj dhe u dogjën. Në këtë koleksion shikon
foto të Leskovikut me të gjitha shtëpitë karakteristike të mbajtura shumë mirë,
shikon Përmetin, arrin të shikosh
Tepelenën dhe disa qytete të tjera. Përveçse qendrave të njohura urbane, arrin
të shikosh malësinë e Shpatit si dhe Malësitë e Veriut.
Robert
Elsie sjell, krahason dhe ngacmon në
memorien e njerëzve, pra rizgjon memorien kolektive të shqiptarëve, jo vetëm
nëpërmjet teksteve të shkruara por edhe nëpërmjet fotografisë. Ai është hartues
i zërave të ndryshëm në fjalorët enciklopedik për figurat e Shqipërise e të
Kosovës, jo vetëm për personalitetet e njohur por edhe figura të harrura për të
cilat mungonte informacioni i detajuar për publikun shqiptar.
Robert
Elsie është ai i cili i shplurosi disa figura të rëndësishme të kulturës
shqiptare duke i prezantuar në botime të
ndryshme që edhe sot e kësaj dite janë një pikë referimi për studiuesit e rinj.
Kështu p.sh ai risolli në vëmendje të botës shqiptare një nga poezitë e para në
shqip kushtuar një tradite
antropologjike shqiptare siç është rituali
i pirjes së kafesë, poezi nga Muçi Zade, i cili është një poet nga krahinat e
Korçës. Robert Elsie jo vetëm që e solli në shqip por edhe e përktheu në
anglisht, për të dëshmuar kulturën urbane të qyteteve shqiptare në shekullin e
XVII-XVIII.
Analizat
dhe shkrimet e Robert Elsie do t’i mungojnë shumë botës shqiptare, pasi ishte
një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe një nga avokatët mbrojtës më të mirë
të saj . Robert Elsie ka lënë gjurmën e vet të pashlyeshme në memorien dhe
kulturën shqiptare.