E marte, 15.10.2024, 07:21 PM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Besnik Hoxha - Fisi Hoxhaj, Arrëz e Madhe

E premte, 05.01.2024, 08:51 PM


Mbresa rreth librit “Fisi Hoxhaj, Arrëz e Madhe” me autor Besnik Hoxha

(Vatrani Latif Hoxha nga Arrëz e Madhe e Tepelenës)

Nga Kozeta Zylo

Arrëza e Madhe e Tepelenës një vend i lashtë, ku burrat kanë ditur të bëjnë historinë e lavdishme.  Arrëza gjithmonë ka qenë në fokusin e penës dhe të shkrimeve të mia për shumë e shumë arsye.  Ajo që më qëndron si kurorë manushaqesh naimiane është lidhja e dashurisë sime të pastër me djalin e Zylajve dhe që vazhdon të jetë si uji i burimit të mahnitshëm të Gurrës që zbret nga malet dhe rrjedh si muzikë vjeneze në fshat.

Një dhuratë të çmuar pata në prag të festave të fundvitit nga autori Besnik Hoxha sjellë nga poeti dhe këngëtari Pëllumb Aliaj i cili erdhi me Grupin “Thesaret Labe” të ftuar nga TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” në New York.  Librin e kam mikun më të ngushtë dhe natyrshëm i kushtoj vëmendjen e posaçme, por kur librat mbajnë brenda një histori të tërë të një fisi të nderuar si Hoxha ne Arrëzën e Madhe doemos më sjellë muzën, perëndeshën e frymëzimit dhe me kuriozitetin tim ulem të lexoj dhe të shkruaj.  Autori me një punë skrupuloze, të gjatë ka ditur të paraqesë në këtë monografi arkivin personal të familjes Hoxha.  Mendoj se kanë një kontribut të vyer në shoqëri ndaj dhe natyra e rrëfimit të autorit ka marrë rolin e hulumtimit tek tharmi popullor për të shkruajtur këtë monografi me titull “Fisi Hoxhaj, Arrëz e Madhe”.

Që në hyrje autori na njeh me pozicionin gjeografik të Arrëzës e cila ndodhet në krahinën malore-jugore të Shqipërisë dhe shtrihet në perëndim të malit të Trebeshinës.  Lexoj dhe përfytyroj pesë kodrat midis Qafës së Kiçokut dhe Qafës së Arrëzës, gjysmën e shpatit lindor të Shendëllisë dhe zonën kodrinore midis Trebeshinës, Përroit të Arrëzës, Qafës së Arrëzës dhe Qafës së Rozecit.  Gjithmonë më ka magjepsur shtrirja, hapësira e madhe, malet kryelartë, shtëpitë e gurta, kopetë me zile të rënda, mushkat dhe kuajtë që ecnin herë në rrugë të kalldrëmta, herë zhavorrit, e herë përroit duke hedhur stërkalat e ujit fytyrës së kalorësve kapedanë dhe trima të Arrëzës së Madhe.

Kapitulli i parë hapet me fisnin Hoxhaj që sipas autorit është autokton.  Sa më pëlqen fjala autokton, çka flet për rrënjët tona të lashta sa vetë njerëzimi.  Autoktonët shqiptarë si dhe fisi Hoxha janë një sfidë e mohuesve të historisë që duan të mohojnë dhe të gllabërojnë tokat tona.  Aspak nuk është e çuditshme me qarqet shoviniste, por nëse ne qëndrojmë në këmbë si kapedanët trima të Arrëzës filluar me Fejzo Arrëzën o lule e deri tek Selameti i parë i Zylajve që luftuan kundër barbarëve dhe hordhive greke, ne do të mbetemi gjithmonë autokton.  Autori Hoxha e fillon me stërgjyshin e tij Lak3    ua, i pari i fisit i cili ka qenë i martuar me Durijen nga fisi i Zylajve dhe këto fakte të lidhin dhe më shumë dhe të krijojnë një respekt të epërm për çfarë ka hulumtuar, studjuar, arshivuar dhe pyetur për shumë ngjarje dhe histori.

Interesant është fakti se Latoja pati vetëm një djalë pas 7 vajzave ndaj dhe i kënduan, se kur lind djali kërcet pushka e pihet rakia.  Ja si: Hajde Lako në shtëpi, të lindi një çelepi.  E ftojnë Lakon në shtëpi pasi ai ishte në Izmir të Turrqisë.

Kërshëria s’mund të më hiqet nga faqja e parë deri në fund pasi ka dhe shumë lidhje me Mezhgoranin tim të shtrenjte, ku e fillon me djalin që ka lindur Bejazja të quajtur Saliko Myrteza Durmishaj dhe ne Gjonaj vazhdojmë të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me brezat Durmishaj.

Vatrani Latif Hoxha nga Arrëz e Madhe e Tepelenës

E quaj detyrim moral dhe qytetar të shkruaj për këtë aktivist të shquar që kanë kontribute, por mjerisht historianët heshtin dhe pakuptuar brezat i harrojnë.  Ndaj këtë liber e çmoj shumë dhe për këto fakte interesante, por dhe me kokën lart si tepelenase.

Me krenari të ligjshme shkruan për gjyshin Latif Hoxha i cili kishte mësuar turqisht në shkollën turke “Mejtep”.  Njëherë për një konflikt për tokat për padrejtesitë që iu bëhet ai qëllon mbi kundërshtarin duke e lënë sakat.  Për këtë burgoset në Gjirokastër në kala për tre vjet.  Në burg u njoh me shumë trima ku flitej dhe për një botë të lire.  Interesant është fakti i emigrmit të tij në Amerikë.  Ai u anëtarësua në shoqërinë “Vatra” në Boston në korrik të vitit 1912.  Ai pati rastin të njihet nga afër me njerëzit e shquar si me Fan Nolin e Faik Konica, por dhe me shumë bashkëfshatarë, apo atdhetarë nga të gjitha trojet shqiptare.  Kur Kombi kërcënohej dhe Shqipëria ishte në rrezik, dihet historikisht mbledhja e fondeve nga Vatra në mitingun madhështor, më 17 nëntor, Boston, më 1913.

Gazeta Dielli në kalendarin origjinal të Vatrës, Boston 1918 sjellë të shkruar dhe emrat e disa prej arrëziotëve vatranë si: Ali Arrëza, Bektash Cepuni, Hysen Goxha Arrëza.

Në këtë kohë u be një tubim i madh në Boston ku ishin të pranishëm media amerikane dhe ishin në mbrojtje të shqiptarëve për të drejtat e tyre.  Një rubrikë e vecantë në Gazetën “Dielli” ishte “Djemtë e Tepelenës” ku midis të tjerëve përmendet emri i Latif Sadik Arrezës.  Fushata shumë e njohur patriotike më 1917 për të mbledhur ndihma për Shqipërinë është shumë emocionuese, atdhetare, e zjarrtë, e betuar, e jashtëzakonshme.  Ndaj Noli ky udhëheqës i jashtëzakonshëm dhe i palindur deri më sot pas tij, u frymëzua të shkruajë vargjet lapidar si: Armë dhe fishekë mblithni/ Qesen edhe shpirtin hithni/ Për lirin' e vëndit t'onë, Sot -se nesër është vonë/ Jepni, Nënën të shpëtoni/ Komb e vatra të nderoni/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n'Amerikë.

Në libër flitet dhe për protestën e 1000 emigrantëve shqiptarë ku midis tyre ishin dhe emigrante nga arreziotë, marriciotë dhe të zonës së Buzit ku u miratua një resolutë që i drejtohej fuqive të mëdha për të drejtat kombëtare të mohuara po nga këto fuqi.

Vatranët e Arrëzës në Luftën Heroike të Vlorës në komandën e Aqif Përmetit.

Atdheu në rrezik dha kushtrimin si Washingtoni i shqiptarëve Fan Stelian Noli dhe Faik Konica.  “Kthehuni bij nënash të mbroni Atdheun”!  Çfarë patriotizmi, çfarë ndjenje kombëtare!  U kthyen 300 emigrantë, 300 vullnetarë, bij nënash shqiptare nga Shoqata “Vatra” e Amerikës për në Shqipëri.  Midis 300 vullnetarëve ishin Latifi, Hsyeni, Aliu, Bektashi, Abedini, Rushiti etj dhe nën komandën e Aqif  Përmetit, u nisën me vapor drejt Atdheut.  Aqif Përmeti një intelektual par excellence ka qenë menaxher i gazetës “Dielli” dhe komandant i trupave vullnetarë që u nisën për Lirinë e Atdheut. Aqif Permeti mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai u pushkatua nga diktatura si nacionalist.  Pasi u çmallën me familjarët pas 10 vjetëve emigrim, Latifi së bashku me burrat u mblodhën tek Bregu i Burrave me të cilet u bashkuan fshatrat përreth si Marricaj, Martalloz, Buz, Shalës etj.  Ata vendosën si Kapedanë të shkojnë me pushkë në dorë për të mbrojtur vatanin në Luftën Heroike të Vlorës dhe e kryen me heroizëm dhe atdhetari.

Latif Hoxha anëtar i kryegjyshatës botërore

Në vitin 1922 deri në vitin 1924 u zgjodh kryeplak.  Nën autoritetin e kryplakut i dërgoi qeverisë në pushtet letër për hapjen e Shkollës Shqipe në Arrëz të Madhe dhe se Hysen Goxharaj me profesion mësues ishte i gatshëm për të ushtruar këtë detyrë fisnike.  Ai ishte anëtar i kryegjyshatës botërore në qendër të Tiranës me një kulturë perëndimore.  Ai zgjidhet sekretar i teqesë në Marricaj që kishte Baba Feimin shenjtor ëngjëllor.  Midis anëtarëve të këshillit të teqesë ishin këta emra nga Arrëza, Shaqo Jonuz Zylaj, Abedin Taro Pushi, Zylfo Goxhara, Teme Goxhara, Dervish Agara, Islam Agara, Hamit Cibuku, Tefik Zeneli, Dullo Alinani, Qazim Xifi, Xhemal Zeka, Alisha Ismaili, Hasan Hoxhaj.

Fronti i Luftës italo greke në Arrëz dhe Marricaj

Nga tetori i viti 1940 dhe deri ne vitin 1941 Arrëza ka qenë front lufte.  Fshati ishte pushtuar nga fashistët italianë, ndërsa në malet e Trebeshinës dhe në Shëndëlli ishin pozicionuar grekët.  Duke qenë në vende strategjike grekërit zunë 300 robër italianë.  Ishte një betejë e gjaktë me jetë njerëzish.  Italianët filluan të qëllonin me top nga Gllava për t’i detyruar fshatarët të largoheshin nga shtëpitë e tyre.  Gjatë kësaj beteje u vranë dhe u plagosën nga bombardimet disa njerëz nga Arrëza.  Grekët dogjën në gropën e gëlqeres mjaft njerëz që kishin mbetur në Arrëz. Më vonë pas shumë përpjekjesh dhe kur grekët u kthyen nga sytë këmbët, arrëziotet u kthyen në fshat, pasi bënë 4 ditë rrugë në këmbë, Përmet, Këlcyrë, Mezhgoran, Qafë e Arrëzës.  Tmerret që panë rrugës ishte llahtari, veçanërisht kur mbërritën në fshat tek gropa e Abazit, ku ishte mbushur me plot të vrarë italianë e grekër, fyt më fyt. Duke u kthyer nga muhaxhillëku, dhe hajde ta kuptojnë të rinjtë e sotëm çfarë kanë hequr të parët tanë, ata gjetën shumë viktima dhe luftëtarë të vrarë në beteja.

Varri i Selamet Jonuz Zylit

Gjithmonë më ka tërhequr kjo histori e trishtë e dhimbshme, por më ka dhënë dhe krenari.  Lufta italo greke që pushtoi gjithë zonat tona ishte një luftë e tmerrshme, një luftë e pabarabartë në teknikë, por mbi të gjithë dy fuqi ushtarake qe nuk i përkisnin vendit tonë luftonin me njeri tjetrin në tokat tona, bash mu në shtëpitë tona në Arrëz të Madhe.  Çfarë barbarizmi, çfarë lufte barbare!  Si gjithmonë kapedanët e Arrëzës së Madhe të dëgjuar për trimëri të pashoqe, por edhe për edukim nuk ndenjën duarkryq, por rrëmbyen armët dhe dolën malit për Liri.  Edhe pse ligji I Luftës ka qenë që kur të fillonte bombardimi italo grek fshatarët të largoheshin, përsëri shumë fshatarë nuk e lanë shtëpinë.  Ndoshta është një fjalë goje, ikni, ikni.  Por jo!  Të ndizet gjaku për të mbrojtur trojet.  Dhe ashtu bëne gjithë arrëziotët. I tillë ishte një prej tyre Selamet Jonuz Zyli të cilin që në momentet e para të ardhjes sime në Arrëz ma përmendnin me krenari të ligjshme dy nipërit e Selametit: baba Nasipi, xhaxhi Mystehaku si dhe kushëriri i tyre xhaxhi Xhaferr Zyli.

Selamet Zyli u vra nga bombat greke dhe u plagos duke i marrë këmbën në mal me dëborë ku dhe dha shpirt.  Kur mbaroi lufta Nasipi bashkë me Mystehakun shkuan dhe i varrosën atje burrë e grua dhe sot quhet “Varri i Selametit”, në shullërin mbrapa gropës së gjatë, kur zbret për tek shtegu i Sherros.

Lufta e dytë Botërore

Në Luftën e dytë botërore Arrëza e Madhe e gjithë ka qenë në këmbë për të mbrojtur Kombin.

Sipas autorit çdo familje kishte një djalë në mal me pushkë në dorë për të luftuar kundër armiqve fashistë dhe pushtues të Shqipërisë.

Në luftë kundër fashizmit ranë heroikisht këta dëshmorë:

Avni Bektash Çapuni (23 vjeç i pamartuar)

Laze Tahir Hoxha (28 vjeç i pamartuar)

Haxhi Hysen Shehu (22 vjeç i pamartuar)

Sulo Ceno Baka (30 Vjeç i martuar dhe babai i një vajze 4 vjeçare e cila u martua në Mezhgoran me Selman Gjonin një çift i përkryer. ( Zot unë i quaj shenjtorë)

Novruz Muharrem Tata rreth të 30-ve i pamartuar

Xhemal Meto Goxhari 35 vjeç i pamartuar.

Esad Hoxha i burgosuri i pafajshem i sistemit

I lexoj me një kurreshtje shumë të madhe si dhe historinë e te atit të autorit Esad Hoxha.  Me një lloj nostalgjie e lexoj dhe rikujtoj se çfare më ka rrëfyer Ati im Brahim Gjoni per mikun e tij te vyer me shumë vlera dhe të besës Esadin kur ishin bashkë në forume të ndryshme, pas Luftës në gëzime dhe në vuajtje.  Ai kishte një shkrim të përsosur dhe një botë të pasur shpirtërore.  Esadi si kryetar në fillimet e kooperativës dhe më vonë kryetar këshilli.  Ai ra në burg padrejtësisht dhe sepse ishte një kuadër i zoti, luftëtar i së drejtës, drejtues me kulturë dhe profesionalizëm dhe nuk u bë kurrë sahanlëpirës. Atë e burgosën servilët dhe shpifësit e atij sistemi që në kurriz të tij donin të merrnin dhe të mbanin poste.

Ajo që më bëri përshtypje në këtë rubrikë ishte mirënjohja e madhe dhe e pakufishme që shpreh I biri i tij autori i këtij libri Besniku në lidhje me Çelo Arrëzën drejtorin e burgut i cili ka bërë përpjekje të mëdha për ta nxjerrë nga burgi të pafajshmin Esad Hoxha Arrëza.  Njëherë i dha leje kur shkoi Bekimi për ta takuar në Ballsh dhe i tha ta merrte dhe të takonte fëmijët e tij.  Por Esadi tha se unë nuk dua se e di qe të prish punë se këtu në këtë sistem e ha ministri dhe jo Çelo Arrëza.  Nuk numërohen thotë autori se çfarë të mirash ka bërë Çelo Arrëza për atin tim.

Mirënjohja që shpreh autori është e njerëzve fisnikë ndaj dhe më kujton thënien e presidentit të famshëm amerikan John F. Kenedy i cili ka thënë: Ndërsa shprehim mirënjohjen tonë, nuk duhet të harrojmë kurrë se vlerësimi më i lartë nuk është të thuash fjalë, por të jetosh dhe te veprosh sipas tyre.”

Nuk e kam për herë të pare që dëgjoj mirënjohje të shprehura për Çelo Arrëzën.  Në intervistën që kam realizuar me ish të burgosurin politik, mësuesin e talentuar të Tepelenës Daut Gumeni në pyetjen time si:  Në takimin që patëm në Tiranë, ju më përmëndët Çelo Arrëzën, ish-komandant i burgut, dhe unë u impresionova për cilësitë e tij të vyera të përshkruara aq realisht nga ju. A mund të më thoni diçka për të?

Gumeni: Kam pasur dhe kam bindjen se vlerat njerëzore janë aq të fuqishme e universale, sa nuk bëhen dot pronë vetëm e një pale. Këtë bindje ma bëjnë përherë e më më të fortë dhe shembuj burrërie si ai i Çelo Arrëzës, ish-komandanti im i kampit të përqëndrimit të Spaçit.  Une nuk kisha folur se, duke qenë të dy tepelenas, nuk doja që spiunët e shumtë ta denonconin dhe komandant Çelon për “zbutje të luftës së klasave”… Ja pse kolonel Çelo Arrëza më kujton gjithmonë markezin Lantenak të Viktor Hygoit…

E përfundoj monografinë duke lexuar disa krijime nga autori dhe duke shfletuar të gjitha fotot e Hoxhajve të fishëm. Kjo monografi është një dritare më shume për mua si shkrimtare për Arrëzën e Madhe të Tepelenës plot famë dhe lavdi.

Në këtë monografi me një penë të hollë analitike që ka për bazë bërthamën kryesore të evidentimit të kontributeve të fisit Hoxha lexuesi i interesuar do të shuajë kurreshtjen dhe dikush mund të gjejë diçka interesante dhe nga familja e tij.  Historia duhet të shkruhet realisht të njihet se ndryshe do të ndodh sic ka thënë shkrimtari i famshëm amerikan George Orwell si: "Mënyra më efektive për të shkatërruar njerëzit është mohimi dhe zhdukja e të kuptuarit të historisë së tyre." - George Orwell

Dhe autori e arriti me këtë monografi historike ku vlen të thuhet se ka dhe një parathënie të shkruajtur plot kulturë nga Prof. Kristaq F. Shabani.

26 dhjetor, 2023

Staten Island, New York



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kozeta Zylo: Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” festoi gjashtë Vjetorin e themelimit të saj Kozeta Zylo: Lamtumirë pedagogu im dhe shkrimtar i shquar Musa Vyshka! Kozeta Zylo: Në Kepin e Rodonit, në Kishën e Shna Ndout si pranë Zotit Kozeta Zylo: Libri “Gjenocidi serbo-malazez” është një studim historik kombëtar mbi tragjedinë shqiptare për dy shekuj me radhë Kozeta Zylo: Krahina historike e Buzit ndez qirinjtë e isos me frymëz Hëne në Gjinokastër Kozeta Zylo: Bisedë me zonjushen Ema Hila, garuese për Miss Shqipëria 2023 Kozeta Zylo: Mbrëmje Gala dhe Paradë madhështore nga Rrënjët Shqiptare në 15-të Vjetorin e saj Kozeta Zylo: UÇK-ja në gjyqin e turpit të shekullit 21 Kozeta Zylo: Ambasadori Blerim Reka midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” Kozeta Zylo: Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në New York Kozeta Zylo: Përçarja dhe mosmirënjohesit, Kanceri i shoqërise shqiptare Kozeta Zylo: Në Udhën e Shkronjave Shqip drejt Washingtonit Keze Kozeta Zylo: Një kurorë ulliri në kulturën kombëtare Kozeta Zylo: Çështja e Pazgjidhur Çame së shpejti në Kongresin Amerikan Kozeta Zylo: Gjenerali Clark u takua me komunitetin shqiptar në Staten Island Kozeta Zylo: Shqip nëpër gjithë Nju Jorkun dhe në Online nga Alba Life, Ambasador i Kombit Kozeta Zylo: Shkolla Shqipe “Alba Life” në Bronx filloi vitin akademik Kozeta Zylo: Kujtojmë Martirët e Gjuhës Shqipe Kozeta Zylo: Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York Kozeta Zylo: Festivali i parë i shkollave Shqipe “Alba Life” New York

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora