Kulturë
Met Rexhepi: Grafomania
E merkure, 03.01.2024, 02:34 PM
GRAFOMANIA
PIKËPAMJE
(Intervistë
me vetveten)
Nga Met Rexhepi
Le ta nisi për gjuhën. Çfarë gjuhe përdorim sot në
komunikimin tonë publik?
Përmasat e lirisë dhe të demokracisë sollën hapësira për
shfaqje shprehjesh nga më të ndryshmet, deri në deformime të pakuptimta,
ndonjëherë kthim prapa, ndonëse gjuha e njësuar shqipe arriti shkallën e një
gjuhe standarde, sado që ta quajmë “standard i diktatit politik” por, me gjithë
atë u bë standard unifikimi. Sipas akëcilit prijës letrash, treve a krahinë,
“pakënaqësia” për gjuhën e “njesueme”, “imponuese” (Arshi Pipa), mund të
shfaqet dhe përmes kthimit te variantet dialektore e nëndialektore të shqipes,
të lëna jashtë standardit?! Pra, shtrohen dy alternativa: kthimi i përdorimit
të shqipes në dy dialekte ose plotësimi i gjithanshëm i standardit me të dy
dialektet? Mbase rrjedha të dyta do të na shpien te një përfundim më i
logjikshëm. Pothuaj se gjithçka sikur duhet të ribëhet, ri-shtrohet,
ri-korrigjohet, madje dhe e arritura e shqipes, që në rrethanat e shkëputura me
Shqipërinë administrative nga Jugosllavia Federale e Sllavëve të Jugut të
Evropës, megjithatë, gjysma tjetër e etnisë, që të mos mbetej e shkëputur
pranoi jetësimin e njësimit; njërin nga synimet shekullore të Rilindjes sonë të
ndritur Kombëtare, e zbërthyer në moton: Njësia
e gjuhës është njësia e kombit, ose deviza madhore: Një gjuhë, një komb! A shtrohet njësimi i gjuhës kombëtare në stilin:
pse ndodhi unifikimi në periudhën e komunizmit?! Mundësia e dhënë nuk mund ta
përjashtonte kronologjinë e historisë…
Brengosëse është sjellja e papërfillshme, veçmas, e
shtresimit intelektual ndaj shqipes si të ishte njerkë e jo nënë jona! Kush do ta
mbronte shqipen më bindshëm, në qoftë se nuk e mbron elita e saj intelektuale:
gjuhëtarët dhe shkrimtarët? Madje, për keqpërdorimin e shqipes në veprimtaritë
publike, do të duhej të vepronte ligji dhe gjoba. Kush u gjobit deri tash për
paraqitje të stërkequr të shqipes? Askush?! Dilemat janë: megjithatë, shqipja
standarde nuk përfilli embrion-morfemat e pasura të gegërishtes?! Standardi
duhet të rishikohet e të ri-plotësohet, në një kongres të ardhshëm
gjithëkombëtar, për rishikimin e ri-plotësimin e shqipes standarde, me trajta
të shmangura, që kanë një përdorim të dendur në variantin e gegërishtes së
gjallë. Pra, ka vend për përfshirje e kodifikim në gjuhën shqipe standarde,
qoftë të trajtës përcjellore, të paskajores së gegërishtes a të ndonjë trajte tjetër...
Evoluimi i shqipes sotme ka arsye të ndiqet dhe, të kihet parasysh etimologjia,
rrënjët fjalë-ndërtuese, por njëkohësisht dhe të ruhet arritja, gjithnjë jashtë
vështrimeve të ngushta krahinore, ideologjike e politike. Mbyllja e
albanologjisë në suaza përkufizimesh të rregullave të ngurta, kinse tashmë të
kristalizuara, është ngufatje nga të dy “akademitë” burokratike të shqiptarëve!
Gjithsesi, mos-përballja me nisma të gjedheve të reja në gjuhën e sotme shqipe,
e folur dhe e shkruar, është e padurueshme!
Gjuhës së njësuar kombëtare, tashmë ia kanë përzier
ndikimin ndërfutjet e trajtave dialektore për funksionimin e përdorimit të saj,
porse pa kritere të mirëfillta të parimeve shkencore.
Laramania e të shprehurit shqip nuk i bën nder as gjuhës,
as standardit të saj, as unitetit komb-bashkues e shtet-ndërtues. Ri-qasja e
gjithanshme ndaj thesarit gjuhësor, të cilin e dikton gjuha e gjallë e shqipes
në gjithë shtrirjen e saj, kërkon një riformatim të thellë shkencor nga
albanologjia.
GRAFOMANIA
A po zvetënohet libri në “vërshim” të librave sot?
Pas Luftës Çlirimtare një varg rrethanash i shpërqendruan
lexuesit tonë të paktë. U zgjerua interneti, “mrekullia informative” dhe iu
kthye shpina librit. Te ne, librit në vitrinat tona, ka filluar t`i trashet pluhuri.
Pse ndodh kështu? Kjo shfaqje paradoksale, kur pas LÇ-së (Luftës Çlirimtare) në
Shqipërinë këtej Drinit “vërshoi” botimi, publikimi i librave të ndryshëm, i të
gjitha llojeve letrare, shkencore a pseudo shkencore, me vlera e pa vlera, me
kritere, por të shumtën pa kritere: libra kujtimesh, publicistikë me meritë e
pa meritë, mjafton t`i kesh paratë… Përkitazi kësaj rrjedhe më reflektoi pohimi
ironik i Nolit “hallvaxhinë e pamë mbret”! Jemi vërshuar nga “poetët”,
“shkrimtarët”, “kritikët” dhe grado-mania, nga doktorantët që kopjojnë arritjet
e të huajve! Po, ashtu, mjedisin tonë krahinor e përmbush grafomania. Ç`është
grafomania? Dëshirë e sëmurë për të shkruar sa më shumë, sëmundje për të
shkruar, pa marrë parasysh cilësinë dhe përmbajtjen e shkrimit. Grafomanët e
mjedisit tonë kulturor, pothuajse për çdo muaj e nxjerrin nga një vëllim libri!
Për t`i reklamuar vëllimet e tyre poetike grafomanët tanë, më pak para i
”blejnë” “redaktorët”, “recensentët”, “kritikët” të cilët gjejnë “risi” poetike
tek akëcili poet a shkrimtarë grafomanë! Natyrisht pason rutina e përurimeve
pompozë dhe pamjet qesharake, kur në sallë ka më shumë grafomanë se sa lexues
të mirëfilltë!
Pse aq lehtë redaktorët e recensentët, i nxjerrin emrat e
vet në vëllime librash pa vlerë ose me vlera të dyshimta?!
Vlerat letrare, artistike a shkencore i tumirë ose jo
zbatimi i kritereve letrare, artistike, përkatësisht talenti-dija, nëpërmjet
redaktorëve e recensentëve kompetentë për fushat përkatëse. Si duket,
autoritetet vlerësuese për t`i larguar telashet nga vetja, të gjitha kriteret
për publikimin e morisë së librave, ia deleguan një kriteri të vetëm anonim:
kriterit kohë?! Ia lëmë kohës do të thoshin?! A mund të jetë kriteri kohë
jorgan i njëjtë: si për dimër ashtu dhe për verë?! Jemi në baltën e gjallë të
logjikës paradoksale! Le të prodhojnë (j)organe kriteresh të tjerët pas nesh!…
Institucioni i redaktorit e i recensentit pothuajse është komprometuar. Libri e
humbi fronin e tij, faqet e librave mund të na shërbenin për të nisur zjarrin në
koftorë për ditët e ftohta!
Pyes: për të kthyer librin në fronin ballor a duhet
zhvilluar beteja për librin?
Gjithsesi, por duhet rekrutuar ushtrinë e lexuesve.
Pyetja ime dyshuese për librin ndoshta tingëllon tejet e
skajshme?
Një mik imi i përvuajtur, njëkohësisht mik i librit, para
pesë vitesh nxori një pohim të prerë për librin: tashmë nuk ka libër, ai ka vdekur! Pjesërisht ka të drejtë, miku im
Femi Halimi. Meqë isha në veprimtarinë arsimore, le të më lejohet të sjellë
dëshmi nga përvoja e atëhershme para dhjetë vitesh, që nuk dallon as nga kjo e
tashmja; madje rënia është më e dukshme! Në gjimnazin e Shkencave Shoqërore në
Gjilan: në pesë klasa të njëmbëdhjeta, prej pesë veprave letrare të letërsisë
botërore e kombëtare, të parapara për lexim për një
gjysmë vjetor, atëherë në paralelet me nga 30-35 nxënës, gjatë vitit mësimor,
vetëm një nxënëse e kishte lexuar “ Don Kishotin” e Servantesit, vëllimin e
parë?!
Si po pozicionohet kritika letrare kundruall
prodhimtarisë së veprave letrare dhe artistike? Cilat janë kahet tona kulturore
te ne?
Mendimi i kritikës letrare, me përjashtime, është anemik,
kryesisht subjektiv, ngase lëvdon ku nuk duhet lëvduar, heshtë ku nuk duhet
heshtur, ose edhe kur rrënon për të ndërtuar, i mungon risia për zbatimin e
arkitekturës për ndërtime bashkëkohore.
Në tërësi kritika jonë e kultivon mbresën, ende jo të
mjaftueshme shkencën. Edhe kur e ngre zërin e dijes, zëri i saj nuk ndihet nga
kakofonia e jo vlerave, nuk spikatët, ngufatet. Pena kritike mbase, pa të
drejtë, është duke pritur ditë më të qeta, sepse ka shumë për të bërë, pos
tjerrash, hartën e konfigurimit të mal-brezave poetike, etj. Tashti çelësi
ideologjik i vlerësimit, i ndryshkur, nuk hap brava për hyrje në përmbajtje
ideologjike në skema ideore- politike; por është fabrikuar një çelës tjetër, ai
i ideologjive fetare, i mëtimit të dogmave, madje dhe censura e “estetika” e
tyre e dukjes së jashtme!
Pikëpamja ime kundruall trysnive tërësisht asimiluese
kulturore dhe shpirtërore është e qartë: më lejoni të jem i lirë, të kultivoj
autoktoninë time, etniken dhe estetikën time shpirtërore, shkurt shqip!
Gjithsesi, jo pa pleksje universale të përvojave globale. Edhe lutjet dua t`i
bëj vetëm shqip! As latinisht, as arabisht, as greqisht, sepse edhe shqipja
antike është gjuhë e Zotit, sikurse tri të parat. Në qoftë se nuk më lejohet të
besoj si ndjejë dhe si di unë, atëbotë të tjerët për mua do të jenë pushtues
shpirtërorë. Ndaj, nuk e honeps dot dogmën imperialiste të mjekrave e të futave
të zeza, në emër të pluralizmit! Në rrethanat tona ka tendenca politike, për
mbivendosje të shpirtërores mbi gjithçka etnike: zhvlerësimi i trashëgimisë
historike, i figurave e mitologjisë kombëtare: Gjergj Kastriotit, Rilindjes
Kombëtare Shqiptare, kthimi kokëposhtë i identitetit, i etimonit etik-etnik në
pacifizmin islamik; “rehabilitimi” i sulltanëve nga pushtues në “miq!…”;
“korrigjimi i historisë?!...” Apetite të tjera neokoloniale nga të tjerët,
kthimi neo-otoman përmes vërshimit i paparë i arkitekturës së xhamive, por që
kanë jehonë te një shtresim yni shqetësues?!
Ky depërtim djallëzor mëton të kët pushtetin shpirtëror
dhe të diktojë kahen tonë edukative orientale! Kësisoj, tkurret hapësira e
kombëtares! Ajo, kombëtarja, kategorizohet si një shtresim i dorës së dytë a të
tretë! “Partizanët” të këtij paqësimi të kombëtares, gjithandej hapësirës sonë
etnike kanë përvjelë mangët… I kemi madje dhe në katedra fakultetesh! Ndërsa
ne, sikur na vjen turp prej përkatësisë së vlerave, të cilat i kultivuam me
shekuj, duke mbajtur të pashuar identitetin, dhe, shih se si po ia lëmë
indiferencës asimiluese!
Shkrimtari i mirëfilltë vazhdimisht e mban të ndezur
luftën ndaj dogmave. Ai është luftëtar i papërkulur kundruall dogmave e
tjetërsimeve identitare!
Më vjen pyetja tjetër drejtuar vetës sime të dytë: a ka
hapësirë të mjaftueshme për shkrimet artistike? A mbrohet sa duhet e drejta e
autorit?
Cikli i kamjes dhe skamjes edhe në sferën e kulturës e të
krijimtarisë letrare, vijon shfaqjen e theksuar: cili ka para boton dhe përuron
me pompë e bujë në mideje publikimin e vet, ndërsa kategoria e krijuesve
skamnorë, por të talentuar, dergjet në heshtjen vrastare të padijes, jashtë
vëmendjes së ngjyrimeve partiake e klanore, nëse nuk ka simpatinë, vardisjen a
shndërrimin e autorit në instrument të akëcilës parti në pushtet. Vardisja e
shkrimtarit rreth pushtetit, do të thotë, zhveshje nga mëvetësia e dinjitetit
dhe autonomisë së tij. Shkrimtari dhe vepra, në të shumtën e herëve, janë
antipode mes etikës së jetës dhe veprës, përjashtimet janë fare të mundshme, megjithatë,
vepra e jeton jetën e vet e shkëputur prej autorit. Shkrimtarët duhet t`i
nuhasin erërat e pakëndshme, t`iu prijnë rrjedhave të qytetërimit, ndryshe nuk
do të jenë prijatarë të bukurisë e të idealeve estetike dhe njerëzore.
Sot është e pa sigurt të publikosh shkrime origjinale e
të mos vidhen, të mos përvetësohen, duke i kamufluar, të shkëputura nga tërësia
e manipulime të tjera… Autori është i pafuqishëm për t`u përballur me
piraterinë, sepse ende nuk të mbron as ligji, as e drejta e autorit, as gjyqi,
as kritika letrare, as vetëdija e pa zgjuar qytetare për këtë lloj veprimtarie
të sferave shpirtërore e intelektuale.
Nuk do të duhej të vonohej rikthimi i kritikës së
mirëfilltë në letrat shqipe.
Prodhimi letrar, përmbledhjet poetike, proza e drama,
llojet shkencore, trashëgimia kulturore e kombit, pa dyshim presin shqyrtime
jashtë diktateve të çfarëdo lloji dhe dogmave të çfarëdollojshme. Prodhimtaria
e imagjinatës dhe e diskurseve të dijes presin shqyrtimin, analizën dhe
sintezën e prurjeve të reja, me metodologjinë e një kritike moderne. Si? Me
gërshetime disiplinash, duke përtrollitur, në radhë të parë, talentin, dijen
bashkëkohore, që ngrihet mbi nivelin e konstatimit të tekstit, që zbërthen
nivelet e nëntekstit dhe të meta-tekstit, të jetë matëse e thellësisë dhe e
gjerësive të shtrirjes së figurës, e frymëmarrjes ose shmangien e ngufatjes së
kumtit brenda saj; shkëlqimet ose errësimet e pamjeve për formësime e rishfaqje
idesh… Shikimi bardhezi i akëcilës vepër artistike është i tejkaluar.
Kritikës sonë i duhet ripërtëritja, gjakftohtësia e
guximi për t`u përballur me aneminë e prurjeve artistike, për t`i flakur:
snobizmin, anarkinë e kritereve, për të mbrehur gjykimin kritik, për t`u
kthjellur nga dehja e kritikës së mbresës, për t`ia fuqizuar rolin shkencor
asaj.
Rutina e përurimeve të dendura te ne nuk i sjell cilësi
prodhimit letrar. Akti i përurimit është akt solemn. Tek libri i ri vështrohet
vetëm sipërfaqja e librit, pa depërtime të thella në shtresë-kumtime, në
strukturën e brendshme, në forcën reflektuese të ideve dhe të porosive,
filozofinë a mungesën e saj, figuracionin rrezatues a mjegullnajën e gjykimit
pa estetikë dhe përbërës tjerë.
Në dinamikën e jetës, kur njerëzit janë të prirë më tepër
të shikojnë se sa të lexojnë, kritika e mirëfilltë do të ishte një mëlmesë për
të joshur shijen e leximit.
Disa të vetëquajtur zbatues të kritikës letrare, në
gazeta e revistat e pakta të shkruara, që mezi mbahen, në portale e mideje
pamore, e përurojnë kryesisht mendimin e
klisheve anemike të një kritikë të flashkët por, jo shqiptimin e mirëfilltë të
analizës e të sintezës kritike. Diapazoni i tyre nuk i kapërcen klishetë e
njohura e tautologjinë në kritikë, që
ende nuk e ka kapë sa e si duhet, me ndonjë përjashtim, mendimin kritik
shumështresor modern por, futet terminologji e improvizuar dhe shterpe e rrethanave të shumë-mendësisë
së kamufluar.
Gjilan,
tetor 2023