Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Fatmir Haxhiu, piktori që skaliti me pasione zjarri si penelatat lirike ashtu edhe ato historike
E enjte, 28.12.2023, 08:50 PM
Fatmir Haxhiu, piktori që skaliti me pasione zjarri si penelatat lirike ashtu edhe ato historike
Nga
Albert Vataj
Fatmir
Haxhiu, ishte ai identitet artkrijues, i cili sendërgjoi një panoramë realiteti
artistik sfidues. “Piktor i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” në këto
vite të ikjes ka lënë pas një emër që renditet në fondin e artë të traditës së
pikturës shqiptare. Ai ka lënë gjithashtu një testament të çmuar të kumtit
estetik që parakalon përmes tablove të shumta. Megjithëse karriera e tij
artistike vëllimin më të madh të punës e ka të kohështrir në periudhën e
realizmit socialist dhe tematikat në një pjesë të konsiderueshme ishin të
imponuara, ai diti të ishte një artit i dimensioneve të mëdha. Fatmir Haxhiu
dhe emra të tjerë të kësaj periudhë, me artin dhe aktin krijues ditën të
përcjellin një shije estetike të konsoliduar, të denja për t’u ndeshur me artin
e kohës.
Duket
sikur gjithçka po merr flakë, ngjyra të ndezura, ngjyra të zhurmshme, ngjyra që
flasin. Shkëmbinj të thepisur, në një tokë të zhuritur… Malësorë dhe trima
shqiptarë që luftojnë e vriten për paqe kundër serbëve. Një tokë që dridhet,
shpata që ngrihen e godasin fort, kuaj që ulërijnë, pemë që bien nën qiellin e
kuq e që shkallmon ndoshta më shumë se çdo lëvizje, rebelim, agresivitet, apo
kërcënim kokfortë.
Një
luftë e ashpër, një thirrje çjerrëse, një sfilitje sa shkatërruese aq edhe e
ëmbël që lind, merr jetë, zhvillohet në dimensione, por që nuk vdes në “Tokën e
zhuritur”. Asgjë nuk mund të vdesë në tokën e zhuritur. Është kaq e gjallë dhe
shprehëse kjo luftë e përshkruar plot ngjyra midis shqiptarëve dhe serbëve
agresivë. Aty ku gjithçka duket sikur po merr fund, aty vendosmërisht rilind
një frymëmarrje, një forcë e re, një zhurmë e paqtë një fitore e sigurt për ata
që janë veçse shqiptarët.
Në
malet më të thepisura, në shkëmbinjtë më të akullt, ata janë të vendosur, që në
këtë “performancë” spektakolare të luajnë më mirë se kurrë, të bërtasin më
shumë se kurrë fitoren e paqes të varrosin përjetësisht shpirtin dyshues të
triumfit. Sepse vetëm ata mund të jenë triumfatorë, ashtu sikurse e tregojnë
edhe vetë ngjyrat, dinamizmi që zhvillohet, apo më mirë se të gjitha këto vetë
autori i kësaj pikture mbresëlënëse, që të lë pa fjalë Fatmir Haxhiu.
Kështu
vjen dhe prezantohet një ndër perlat e pikturës dhe të artit të Fatmir Haxhiut
me plot ekspresivitet, dinamizëm, pasion për jetën dhe shumë vendosmëri për një
performancë të pathyeshme. Ai me të drejtë mund të cilësohet si një sfidues i
kohës sepse në çdo pikturë ai është përcjellësi i një kohe të caktuar, e cila
në vazhdimësi, me kalimin e një hapësirë të pafund kohore, bën që vepra e tij
të mbetet një kohë në vetvete. Është një ndër piktorët më të suksesshëm të
gjithë brezave të tij, duke realizuar kështu një arsenal të pafund me piktura
të mrekullueshme apo peizazhe, portrete, tablo kompozicionale, afreske e shumë
të tjera.
Fatmir
Haxhiu lindi në 28 dhjetor 1927 në qytetin e Gjirokastrës. I prejardhur nga një
familje e mesme qytetare nga qyteti i Përmetit. Studimet e mesme i kryen në
liceun e Tiranës, ndërsa në Zagreb studimet e Larta. Në vitin 1930 familja e
tij u vendos me banim në qytetin e Tiranës ku kaloi gjithë jetën deri në ditët
e fundit më 10 mars 2001. Që i ri ai ishte i etur për të shprehur çdo lëvizje,
ndjenjë apo përshtypje në pikturë. Me një energji pozitive me shumë ëndrra dhe
pasione ai kthehet në atdhe për ta vazhduar më tej rrugën e tij të artit. Dhe
pikërisht në vitet 50 ai bëhet promotori dhe krijuesi i studios së pare
ushtarake në Shqipëri, ku u pasua nga piktorë e skulptorë të rinj të sapo
diplomuar në Liceun Artistik.
Dëshira
e tij e zjarrtë për pikturë e bëri që të përfundojë studimet e pikturës me
rezultate të shkëlqyera. Por edhe pas diplomimit ai vazhdoi të punojë si kuadër
ushtrie, duke kryer kështu detyra me përgjegjësi të ndryshme në Ministrinë e
Mbrojtjes. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve
dhe anëtar i këshillit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Aktiviteti
artistik i Fatmir Haxhiut është i ndërthurur edhe me atë pedagogjik, ku për
vite me radhë ka investuar për diplomimin e brezave të rinj të piktorëve me
emër. Biografia e Fatmir Haxhiut është e pasur me shumë aktivitete të ndryshme,
ku statuset e tij përmbushen falë talentit dhe profesionalizmit artistik të
cilin e shohim të reflektuar në të gjitha veprat e tij.
Ndryshe
nga njerëzit e zakonshëm, krijuesit e fushave të ndryshme të artit apo
shkencës, kanë një fat tjetër: atë të pavdekësisë dhe ringjalljes pas vdekjes.
Jo vetëm pllaka me emrin “Rr. Fatmir Haxhiu” dhe tjetra, vendosur në hyrje të
shkallës së pallatit, ku ai jetoi dhe punoi për një kohë të gjatë, por në radhë
të parë mbi 100 tablotë kompozicionale e shumë të tjera të gjinisë së
portretit, peizazhit e punimeve grafike, e bëjnë të pavdekshëm Fatmir Haxhiun.
Ai
i përket atij brezi piktorësh, që bënë epokë në gjysmën e dytë të shek. 20. Fatmir
Haxhiu i qëndroi besnik deri në fund parimeve të tij krijuese: realizmit dhe
pasqyrimit me vërtetësi të momenteve kyçe të historisë sonë kombëtare. Nuk
është i rastit fakti, që ai ju përkushtua me aq pathos tablosë kompozicionale,
duke na lënë vepra të nivelit europian. Në këto tablo historia e shqiptarëve
erdhi epike, dramatike, duke na kujtuar eposin tonë dhe tragjizmin, që e
përshkon atë. Nuk e teproj, po të them se tabloja “Me shpatë në dorë”, një nga
më të mirat e Haxhiut, mund të vendoset denjësisht në çdo galeri botërore.
Përpara pikturave të Fatmir Haxhiut ndjen jo vetëm emocione, por edhe dinamizëm
të brendshëm, lëvizje, nerv, “zhurmë”, hingëllima kuajsh, zëra njerëzorë,
thirrje luftarake, grahmat e fundit të atyre që bien në fushëbeteja. Atje është
bota e trazuar shqiptare e ballkanase, por dhe bota e trazuar e vetë piktorit.
Mbaj
mend që miku im, shkruan Enver Kushi në një shkrim për oiktorin, kur poeti
brilant Frederik Rrepshja, njeri me shije aristokratike për artin, kur binte
fjala për pikturën shqiptare, më thonte se ashtu si në letërsinë shqipe kemi
një kryevepër realiste, siç është “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, në pikturë
kemi Fatmir Haxhiun, që të trondit me tablotë realiste dhe gjallërinë e
figurave. Kam qenë me fat, që nga mesi i viteve ’80 dhe vitet ’90, kam ndjekur
nga afër, gjatë procesit krijues, shumë nga punët e Fatmirit. Edhe në dy
shkrime të tjera, “Hingëllima e ngrirë e kuajve”, botuar pasi piktori shkoi dhe
“Këmbanat duhet të bien”, botuar në mars 2005, kam shprehur mendimet e mia
modeste për artistin e papërsëritshëm, mikun tim, që më mungon nga 10 marsi i
vitit 2001. Shënimet e mëposhtme në formë kujtimesh, janë një homazh për
njeriun dhe piktorin Fatmir Haxhiu. Të ishe mik i Fatmir Haxhiut ishte
privilegj, të cilin si shumë të tjerë, e kam patur edhe unë. Tek ai dhe familja
e tij, kam ndjerë ngrohtësi njerëzore, veçanërisht në disa momente dhimbjesh,
apo fatgoditje gri, që kanë qenë jo të pakta dhe bashkëshoqëruese prej vitesh e
jetës time …
Pengu i piktorit
Fatmir
Haxhiu shkoi në prag të Ditës së Verës, më 10 mars të vitit 2001. Them “shkoi”,
sepse fjala vdekje ose ndërroi jetë, tingëllon keq para emrit të çdo krijuesi
të fushës së artit, kulturës apo shkencës. Ai pati një goditje të beftë në
zemër, jo në ndonjë fushëbetejë lufte, por në një fushëbetejë tjetër: atë të
shahut. Vetëm kështu mund të shkonte ai si qindra luftëtarë të tablove, që
kishte pikturuar gjatë gjithë jetës. Fatmir Haxhiu shkoi me një peng të madh,
sepse nuk arriti të realizojë, ndoshta ëndrrën e tij të fundit, pikturën murale
“Beteja e Fushë Kosovës”. Gjatë vitit 2000 dhe pak kohë para se të shkonte,
piktori kishte rrugëtuar për në Kosovë, ku ishte njohur me vendin, ku më 1389
ishte zhvilluar beteja e ballkanasve të bashkuar me ushtrinë otomane. Në Tiranë
ai punoi intensivisht dhe bëri gati bocetin, që do ta realizonte gjatë muajve
prill ose maj në Muzeun e Prishtinës. Pikturën murale do t’ia dhuronte Kosovës.
Boceti mbeti i parealizuar dhe është në dhomën studio të shtëpisë së piktorit
ku ruhet me kujdes nga familja e tij.