E marte, 15.10.2024, 07:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Fishta për dëshmorët

E enjte, 04.01.2024, 04:32 PM


FISHTA DHE DËSHMORËT

(Në 83-vjetorin e vdekjes së At Gjergj Fishtës dhe të Ditës së Veteranit)

Nga Prend BUZHALA

Kush më bukur se At Gjergj Fishta të jetë shprehur apo të ketë kënduar për DËSHMORËT ... (duhet të shihet, se kush përpara Fishtës e ka përdorë shqip fjalën DËSHMOR)

O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,

o ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,

qi për Mbret e vend të Parëve,

qi për erz e nderë t'Shqiptarëve

derdhën gjakun tue luftue,

porsi t'Parët u pa'n punue!

Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak'lli, bora e serotina:

e der' t' këndojë n'mal ndo' i Zanë,

e der' t' ketë n' detë ujë e ranë,

der' sa t'shndërisin diellë e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n'kangë e n'valle por u këndojshin.

E njaj gjak, qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t'jesë tue velue

për m'ia xe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t'Parit!

Dëshmorët janë ata që kanë dhënë dhuratën më të çmuar, jetën e tyre. Ata janë të zgjedhurit e kombit dhe të zgjedhurit e Hyjit. Urtakët thonë se kjo është lumturia më e përsosur, mu ashtu siç ligjëron Fishta:

O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,

o ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,

Janë ai soj i rrallë që kalojnë nëpër shumë mundime, që kanë duruar përtej kufijve njerëzorë vuajtjen. Aty ku përfundon jeta e tij në tokë, aty nis një përjetësi e re e emrit të tij. Filozofi i shquar modern, Soren Kierkegaard, do t thoshte: "Vdes tirani dhe sundimi i tij mbaron, martiri vdes dhe sundimi i tij fillon." Ata janë ndryshues të historisë. janë vula e së vërtetës.  Dhe idetë e  një lëvizjeje për çlirim përfaqësohen më së miri përmes emrit të tyre, sakrificës së tyre. Dhe pjekuria e një kohe arrin pikën e saj më të lartë përmes rënies së tyre të lavdishme. Ata lënë pas dishepujt e tyre. Dhe, në kohë të rënda, pasuesit vuajnë dyfish më shumë. "Është më se e vërtetë të thuhet se dëshmorët krijojnë besim më shumë se besimi dëshmorët" (Miguel de Unamuno). Atdhedashuria, ndjenja më e lartë sublime, identifikohet me emrin e tyre. Fishta i identifikon ata me përjetësinë, me kangën dhe vallen e jo me zinë:

e der' t' këndojë n'mal ndo' i Zanë,

e der' t' ketë n' detë ujë e ranë,

der' sa t'shndërisin diellë e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n'kangë e n'valle por u këndojshin.

Shpirti vetëmohues është farë që përhapet tek njerëzit, si edukim etnik. dashuria për vlerat më sublime, është edukim universal njerëzor. Është nderimi i kujtimit për të. Është vlerësimi ynë i Pikës së Gjakut në kohë e nëpër kohë:

qi për erz e nderë t'Shqiptarëve

derdhën gjakun tue luftue,

porsi t'Parët u pa'n punue!

Teksti i Fishtës është këndim epik. Ky këndim është i rëndësishëm, si kryevepër e letrave shqipe, siç është “Lahuta e Malcis”. Tërë kjo kryevepër është një himn epik për të rënët. Tekst i kujtesës së përhershme të epopesë fishtiane. Dhe shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora