Speciale » Alia
Lutfi Alia: Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, 1522 – 1592 (I)
E diele, 01.10.2023, 08:00 PM
XHIOVANA GRANAI KASTRIOTI KARAFA (1522 – 1592)
(Pjesa
I)
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Pas emigrimit në Itali, shumë pjestarë të familjeve
fisnike arbërore dhe përfaqësues nga masa e madhe e popullit, u shquan në jetën
politike, ushtarake, fetare, shoqërore dhe kulturore, duke u bërë pjesë aktive,
madje dhe protagonista në historinë e Italisë. Krahas pasardhësve të familjes
të Gjergj Kastriotit, në Itali u shquan dhe përfaqësues të familjeve Granai,
Muzaka, Zgura, Gropa, Spani, Dukagjini, Balsha, Renes, Mansi etj.
Ndër pjestarët e këtyre familjeve
arbërore u shquan dhe shumë femra si Andronika
Kastrioti, Maria Granai Kastrioti me vajzat Xhiovana, Isabella, Kamilla; dy
poeteshat Luçia Albani dhe Isabella Kastrioti Skenderbeg, si dhe Xhiovana
Granai Kastrioti Karafa (1522 – 1592), dukesha e Noçera dhe Markeza e
Cività Sant Angelo.
Në
Itali, Kastriotët janë me prejardhje nga dy degë, e para nga familja e Gjergj
Kastriotit dhe Andronikës me djalin Gjoni II Kastrioti; ndersa linja e dytë janë
pasardhësit e Kont Urani Granai Kastrioti (Vrana Kontit), i cili kishte lidhje
fisnore me Gjergj Kastriotin, andaj përdornin mbiemër të përbërë Granai -
Kastrioti.
Karl Hopf, në pemën gjeanologjike të Kastriotëve, e ka përfshirë dhe Vrana Kontin me pasardhësit e tij në Itali, të cilët i prezanton pjestarë të dinastisë Kastrioti. [Charl Hopf, Chronique Gréco-Romanes: Inédites ou peu connues; avec notes et tables généalogiques. Berlin, 1873, pp. 47 - 48]
Pas vdekjes të
Gjergj Kastriotit, Brana (i biri i Vrana Kontit) dhe gruaja e tij Maria Zardari
(e bija e Pal Zardari dhe e Teodora Muzaka), erdhën në Itali, në të njejtën
anije bashkë me Andronikën dhe të birin Gjoni II Kastrioti. Mbreti Ferrante I i
Napolit, i sistemoi të dy familjet në mjediset e oborrit aragonez. Mbretëresha
Xhiovana III krijoi lidhje miqësore dhe konfidenciale me Andronika Kastriotin,
e cila ishte damën e parë e shoqërimit dhe këshilltare e mbretëreshës. Bashkë
me Andronikën, në grupin e damave shoqëruese ishte dhe Maria Zardari, gruaja e
Bernard Granai, të cilën e thërrisnin
"madama Porfida - kuqaloshja". [Lutfi Alia, Andronika dhe
Gjoni II Kastrioti, Botimet Streha, Tiranë 2023, f.39 - 44]
Në
Itali, pasardhësit e Kont Urani Granai, përdorin dhe mbiemërin Branai, nga emri
Brana i djalit të madh të Kont Uranit, i italianizuar në Bernardo, si rezulton
në dokumentat dhe kronikat e kohës Bernard Granai Kastrioti dhe Bernard Branai
Kastrioti. Mbiemërin e dyfishtë Granai Kastrioti e mbajtën fëmijët, nipat,
biznipat dhe stërnipat e Brana - Bernard Granai Kastriotit.
Familja
Bernard Granai Kastrioti, u mirëprit dhe kishte pozicion të privilegjuar në
rrethin e personelit të mbretereshës Xhiovana III e Napolit. Sipas Gjon Muzakës, ky trajtim i
familjes Granai i dedikohet ndikimit të Andronikës, e cila gëzonte respekte dhe
nderim të veçantë nga familja mbretërore e Napolit. [Giovannni Musachi: La storia e l‘eredità da generazione a generazione della famiglia
dei Muzaka. Napoli, 1510]
Brana – Bernardi
dhe Maria kishin gjashtë fëmijë. Ne vitin 1468, në
Napoli lindi djali i parë Giovanni - Gjon Granai Kastrioti dhe me pas Alfonsi,
Ferrante dhe tre vajzat Isabella, Xhiovana dhe Kamilla. Fëmijët e Brana Granai
dhe Marie Zardari u shkolluan në Napoli. (Paolo Giovio. Dialogo sugli
uomini e le donne illustre, del nostro tempo. 1529, Pubblicato da Nino Aragno
Editore, Vol. II 2011)
Në
vitin 1508 vdiq Bernard Granai Kastrioti dhe djali Gjon Granai Kastrioti
trashëgoi titujt e fisnikërisë të atit, Duka II i Kopertno, Baroni II i
Galatone, Duka II i Ferrandina dhe mëkëmbës i mbretëreshës në Pulia dhe
Basilikata. Gjon
Granai Kastrioti, fillimisht ndoqi karrierën klerikale, ishte Ipeshkëv i Mazara
del Vallo, por më pas e braktisi aktivitetin ekleziastik dhe u martua me
Xhiovana Gaetani, e bija e dukës Trajeto dhe konti i Fondi. Nga kjo martesë
lindi vetëm një djal Pirro. Gjon Granai Kastrioti vdiq në Mesagne në vitin
1515, ku mbeti i vrarë gjatë një dueli.
Djali
i dytë Ferrante Granai Kastrioti, governatori i Abruco, markez i Sant’Angelo dhe kont i Spoltone, u
martua
me Kamilla di Kapua, e bija e Kontit të Palena dhe kishin dy vajza: Xhiovana
dhe Hipolita. Konti Ferrante Granai Kastrioti u vra nga mbreti i Francës, gjatë dyluftimit në betejën e Pavia më 1525.
Djali i tretë,
Alfonso Granai Kastrioti, shërbeu komandant i repartit të stratiotëve të
mbretërisë së Napolit dhe mbreti i akordoi titullin Duka i Ferrandina, Markez i
Atripalda, guvernator i Trojeve të Barit e Otrantos.
Pas vdekjes të Gjonit dhe të Ferrante, Alfonsi mori drejtimin e feudeve të
familjes Granai – Kastrioti dhe për të shmangur ndarjet e pronave, i martoi
djemtë e tij me mbesat. Djalin Antonio e martoi me mbesën Maria, dukesha e
Ferrandina, por ata nuk kishin fëmijë. Duka Antonio Granai Kastrioti, pas një
vizite në Gjermani në vitin 1596, u ndal në Venecia, ku u prit me nderime e
respekte, madje e ftuan në një festë në Murano, por gjatë një grindje me një
fisnik venecian, u plagos rëndë në kokë dhe vdiq.
Djalin e dytë Xhiovanin, në vitin 1544 e martoi me mbesën Xhiovana 22 vjeçe, markeza e Città Sant' Angelo, e cila kishte trashëguar titullin markeza dhe pronat nga i ati Ferrante Granai Kastrioti. [Gennaro Orlando, Storia di Nocera de’Pagani, Napoli 1888, p. 35 - 48].
Pas vdekjes të Xhiovani Granai Kastriotit, vejusha
Xhiovana u martua me Alfonso Karafa Stadera, Duka III i Noçera dei Pagani,
konti IV i Soriano Kalabro, patric napolitan, nga 1566 – 1568 guvernatori i
Abruco. Me pajën në prona të Xhiovanës, Alfonis u
fuqizua ekonomikisht.
Stemat heraldike e familjes Karafa pas martesës të
Alfonsit me Xhiovana Granai Kastrioti
Nga martesa me Alfonso Karafa Stadera, krahas titullit
markeza Xhiovana mori dhe titullin Dukesha e Noçera, madje në stemën heraldike
të familjes Karafa, me mburojën me tre fasha të argjendëta në sfond të kuq, në
anën e majtë vendosi stemën e familjes Granai Kastrioti me shqiponjën
dykrenëshe me kurorat mbi kokë në sfond të artë dhe me yllin tetëcepash sipër
në trekëndësh blu. Kjo stemë ende ndodhet në dyshemenë e varrit monumental të
dukës Alfonso Karafa, në manastirin e Sant Andrea në Noçera, monument funeral
që Xhiovana Granai ia dedikoi bashkëshortit.
Alfonsi dhe Xhiovana më pas e modifikuan stemën e
familjes duke vendosur në qendër tre fasha të argjendëta të stemës të familjes
Karafa, djathtas vendosi shqiponjën dykrenore me kurorat dhe majtas luanin në
këmbë. Kjo stemë ruhet në fasadën e pallatit të familjes Karafa Granai
Kastriuoti në Noçera dei Pagani. [Fortunato
Teobaldo, Nuceria, scritti in onore di Raffaele Pucci, Postiglione (SA),
2006]
Në fakt, stema me shqiponjë dykrenëshe ishte e Gjonit II
Kastriotit, djali i Gjergj Kastriotit, por më pas, arbitrarisht u përvehtësua
nga Gjon Granai dhe nga pasardhësit e familjes Granai Kastrioti, çka shpesh ka
krijuar konfuzion në trajtimin e stemave heraldike të këtyre familjeve fisnike.
[Lutfi Alia, Familja e Vrana Kontit në Itali, në Dixit 2, Tiranë 2022, f.
172-180].
Nga martesë e Xhiovana Granai Kastrioti me Alfonso Karafa
Stadera lindën katër fëmijë.
- Kamilla Karafa Stadera, më 1565 u martua me Ferrante
Karaçiolo, duka i Airola.
- Ferdinandi II (Ferrante) Stadera, duka II i Noçera, në
vitin 1578 u martua me Anna Klariçe Stadera.
- Pompeo I Karafa Stadera, duka i Noia; në janar1584 u
martua në Napoli me Isabella Papakoda.
- Antonio II Karafa Stadera, Zot i Grotaglie, në gusht
1584 u martua me Hipolita Papakoda, dukesha e
Kançellara, motra e Isabellës. Antonio II Vdiq në vitin
1600.
Alfonso Karafa Stadera, vdiq në vitin 1581 dhe e varrosën
në kishën e kuvendit të Shen Antonio, i urdhërit të Kapuçinëve. [E. Falcone, Nocera
dei Pagani dalle origini ad oggi, Cava dei Tirreni, 1983].
Tabllo në katedralen e Noçera, ku
janë pasqyruar pjestarët e oborrit të familjes Karafa dhe portretet e Dukës
Alfonso Karafa dhe të bashkëshortes Xhiovana Granai (Branai) Kastrioti
Xhiovana Granai (Branai) Kastrioti, u
shqua si bashkëshorte e Alfonso Karafa dhe zonjë fisnike me autoritet dhe
prestigj shoqëror në Noçera dhe në Napoli. Në katedralen e Noçera të Poshtëme,
në një podium të vogël, ndodhet tablloja flaminga Aert Mytens e Madonna del
Rosario, ku janë pasqyruar pjestarët e oborrit të famijes Karafa – Granai
Kastrioti dhe në kuadratin e poshtëm janë portretet e Dukës Alfonso Karafa dhe
të Xhiovana Granai Kastrioti. [Salierno G, Piccolo V. La pinanoteca (altre
opere conservate), nel convento di Sant’Antonio, Nocera Inferiore. Media. Com
1997].
Xhiovana Granai Kastrioti Karafa (1522 – 1592), dukesha e Noçera
dhe Markeza e Cività Sant Angelo, është një ndër gratë arbërore të shquara në
jetën shoqërore dhe letrare italiane të gjysmës së dytë të shekullit XVI. Ajo
ishte e pranishme në jetën shoqërore të salloneve të fisnikërisë së Noçera dhe
të Napolit, e vlerësuar për bukurinë, mençurinë, autoritetin, dinjitetin dhe
kontributin letrar, si drejtuese e rrethit letrar të Noçera. Ndonëse krijimet
letrare të Xhiovana Granai Kastrioti nuk janë ruajtur, Ajo nderohej për
kontributet letrare dhe shoqërore, madje i është dedikuar një vëllim me soneta,
i titulluar:
“RIME, in lode della Illustrissima ed Eccellenstissima Signora Donna
Giovanna Castriota Carrafa”,
“Rima me lëvdata për të përndritshmen dhe të shkëlqyerën Zonja Xhiovana
Kastrioti Karafa”.
Kjo vepër përmbanë
një cikël me soneta të dedikuara Xhiovana Granai Kastrioti, të mbledhura nga
Shipione De Monti dhe botuar në vitin 1585 në Vico Equense - Napoli. Xhiovana
Granai Kastrioti është e para dhe e vetmja grua arbërore, të cilës i dedikohet
një vepër e tillë imponente dhe voluminoze me sonetta.
Në këtë vëllim
janë përfshirë krijime poetike, të shkruara në kohë të ndryshme nga poetë të
shquar të asaj kohe (Illustrium poetarum), të cilët kanë thurur 181 soneta të
dedikuara Ioanam Castriotam Carrafa (Xhiovana Kastrioti Karafa), krijime të
mbledhura nga Shipione De Monti dhe të botuar në një vëllim me 215 faqe në
vitin 1585. Sonetat janë krijime në Rime Toskane, me strofa me vargje tetë rrokëshe,
me rima ABABABCC.
Kopertina dhe frontespici i botimit të vitit 1585, dedikuar Xhiovana Kastrioti Karafa
Shipione
de Monti, markezi i Koriliano të Otrantos, i shquara si poet dhe luftëtar i
shekullit XVI (De le muse cultor, di Marte alunno), është autor dhe i poemës
heroike “Scanderbego”, si dhe mbledhës i sonetave të poetëve italianë, që ia
kanë dedikuar Xhiovana Graanai Kastrioti Karafa. (Vincenzo Dolla, Scipione
de’Monti, lo “Scanderbego” e la celebrazione Castriota, in: Rinascimento
Meridionale ed altri studi in onore di Mario Santoro, Napoli, S.E.N, 1987, p.
49 - 70).
I
mrekulluar nga jeta dhe vepra heroike e Gjergj Kastriotit, Shipione de Morti iu
përkushtua prezantimit të pjestarëve të Kastriotëve në Itali, ndërmjet tyre në
veçanti Xhiovana Granai Kastriotit Karafa, të cilën bazuar vetëm në mbiemërin
Kastrioti, gabimisht e trajton pasardhëse e Gjergj Kastriotit (Discendente
dell’eroe albanese Scanderbeg, noto come Giorgio Castriota: Croia 1403 –
Alessio 1468). Në vëzhdim Shipione de
Morti thekson se ishte gruaja e Alfonso Karafa dhe nëna e Ferrante II, duka i
Noçera.
Në
fakt Xhiovana ishte pasardhëse e linjës të familjes Granai Kastrioti, ishte e
bija e Ferrante Granai Kastriotit (Ferrante ishte i biri i Brana – Bernard
Granai Kastriotit dhe nipi i Vrana Kontit).
Përmbledhja e
sonetave nga Shipione De Monti, të botuara në Vico Equinis - Napoli në vitin
1585, është ruajtur e plotë dhe për vlerat letrare, është ribotuar dy herë nga
shtëpia botuese “Rubbettino” (Katanzaro), së pari në vitin 2003 nën kujdesin e
Soverio Mannelli dhe botimi i dytë në vitin 2017, nën kujdesin e Pasquino
Crupi, me shënime në tekst nga Serena Skordo.
Kjo vepër është
ribotua me të njëjtin titull si botimi i parë i vitit 1585: “Rime in lode della
Illustrissima et Eccellentissima Signora Donna Giovanna Castriota Carrafa,
Duchessa di Nocera e Marchesa di Cività Santo Angelo” dhe është përfshirë në
serinë e botimeve “Klasikët e Letërsisë Kalabreze”.
Vijon në numërin e ardhshëm…