Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Kontributi i çmuar arsimor dhe shkencor i akademikut Anton Kolë Berishaj
E premte, 02.06.2023, 08:39 PM
Kontributi i çmuar arsimor dhe shkencor i akademikut Anton Kolë Berishaj
Nga
Gjekë Gjonaj
Personazhi
i këtij shkrimi  është një  personalitet i njohur në fushën e arsimit dhe
shkencës,  një njohës i mirë i
profesionit të tij, i nderuar në mjedisin  
shkencor  arsimor dhe kombëtar. U
përket atyre  intelektualëve  me mendje të zgjuar e të lirë,  atyre njerëzve  me karakter shembullor,  të cilët ushtrojnë vlera të larta morale dhe
etike në jetën e tyre të përditshme. Është një shembull i mirë  i besnikërisë shqiptare ( malësore) dhe
sinqeritetit. Një  shok dhe mik që i
respekton shokët dhe miqtë e tij. Intelektual mendjemprehtë,  profesor i talentuar dhe një sociolog i
dalluar i dashur  në mesin e studentëve
dhe personelit akademik.  Ai është
dhe  do të mbetet  shembull për shumë pedagogë ( edukatorë) , të
cilët sigurisht do ta ndjekin  rrugëtimin  dhe punën e 
tij edukative-arsimore  dhe
shkencore.    Akademiku Anton Kolë  Berishaj 
është me origjinë nga Malësia e Madhe, me traditë të pasur familjare, me
punë të shkëlqyer profesionale, me punë dhe përkushtim prej intelektuali.
Nga
jetëshkrimi i tij   mësojmë u  lind më 13 korrik 1954 në  fshatin Priftën të  Grudës, 
në Komunën e Titogradit ( Podgoricës së 
sotme), aktualisht   Komuna e Tuzit.   Shkollimin 
fillor e kreu në Priftën dhe Tuz, ndërsa gjimnazin në Ulqin. Në vitin
shkollor 1978/79 u diplomua në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë në
Universitetin e Prishtinës. Pas diplomimit, një semestër punoi si profesor i
lëndëve filozofi, sociologji, psikologji dhe logjikë në Gjimnazin “Ivo Llolla
Ribar” në Prishtinë dhe në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz.
Karrierën
akademike e filloi në vitin shkollor 1980/81, fillimisht si asistent në Degën e
Filozofisë dhe të Sociologjisë për lëndët Sociologji e përgjithshme I,II,III, e
në periudhën 1987-1997 si ligjërues i lëndëve Sociologji industriale (më vonë e
punës) dhe Strukturës së zhvillimit shoqëror. Në vitet shkollore 1997-2004
kishte thirrjen universitare të docentit (profesorit asistent), ndërsa në vitin
shkollor 2004-2005 u avancua në thirrjen e profesorit ordinar (të rregullt).
Në
vitin shkollor 1983/84 u regjistrua në studimet pasuniversitare në
Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të
Zagrebit, ku u diplomua në vitin shkollor 1986/87. Më 1989, po në kë këtë
departament, i regjistroi studimet e doktoratës, të cilat i ndërpreu për shkak
të luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, për t’i vazhduar dhe përfunduar
pas Marrëveshjes së Dejtonit. Në korrik të vitit 1997 e mbrojti temën e
doktoratës me titull: “Ndryshimet familjare në Malësi”, me fokus të veçantë për
procesin e integrimit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më
2012 u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Anëtarësimi
në këtë institucion kulmor të shkencës nuk është i lehtë, mirëpo Prof.Dr. Anton
K. Berishaj u imponua  si hulumtues e
shkencëtar serioz , punimet e të cilit 
janë prezantuar në shumë simpoziume dhe tryeza  shkencore dhe 
botuar në  revista të rëndësishme
kombëtare dhe jo vetëm në disa gjuhë. Në periudhën mars-shtator 2014 ishte
ushtrues detyre i Rektorit të Universitetit të Prishtinës.
Autorësinë
e akademikut Anton K. Berishaj, përveç kumtesave e  artikujve të shumtë shkencor që kanë të bëjnë
me hulumtime empirike, analiza dhe interpretime 
sociologjike,   mbajnë një numër i
madh librash autorialë dhe bashkautorialë , sikurse edhe  libra shkollorë .  Nga opusi i pasur i krijimtarisë  letrare dhe shkencore të Anton K.
Berishaj  veçojmë: “Shndërrimi i etnisë”
( 1998), Monografia e shqiptarëve në Mal të Zi – Në një cep të Ilirisë,(2007),
“ Filantropia në Kosovë” ( 2010),  “
Shoqëria pa shtet” ( 2014) , dhe “ Virgjërat e përbetuara” (2016).
Studiuesit
e sociologjisë, filozofisë dhe letërsisë 
pohojnë se librat e autorit Berishaj janë projekte të mëdha, të
rëndësishme e serioze me  qasje
multidisciplinare    të shkruara me një
metodologji të mirëfilltë dhe aparaturë të lakmueshme shkencore, të mbështetur
shkencërisht dhe mbi burime të mirëfillta shkencore në disa gjuhë.  Sipas studiuesve, në fokusin e
hulumtimeve  empirike të akademikut
Berishaj  kanë qenë edhe shqiptarët në
Mal të Zi, të cilat lidhen  me pozitën e
gruas, gjakmarrjen, procesin e integrimit të shqiptarëve në Shtete të Bashkuara
të Amerikës dhe shumë dukuri të tjera , që ai vlerëson se  vërtetë meritojnë të shkruhen dhe
dokumentohen.
Akademiku
Anton K. Berishaj   me punën e tij të
palodhur shumë produktive dhe shkencore, me mendjen e tij prodhuese e
origjinale të shkencëtarit la vulën e vet për këtë kohë në rrafshin kombëtar.
Terë potencialin e vet intelektual e vuri në shërbim  dhe në mbrojtje të Universitetit të
Prishtinës, duke e ditur dhe vlerësuar si institucionin më të rëndësishëm  arsimor, shkencor e kulturor në Kosovë për
popullin shqiptar.  Ai asnjëherë nuk iki
nga puna,   obligimet dhe detyrat me
përgjegjësi  në këtë universitet, as  në periudhën më të vështirë dhe më dramatike
të jetës dhe të rritës së tij, siç ishte periudha e pas vitit 1990 e këndej,
kur Serbia komuniste  u vërsul me të gjitha
mjetet dhe metodat për zhbërjen e tij dhe për zhbërjen e arsimit dhe kulturës
shqiptare në përgjithësi, siç do ta vërtetojnë ngjarjet në vijim, sidomos
dhuna, terrori dhe gjenocidi shtetëror serb i vitit 1998/1999 ndaj popullit
shqiptar të Kosovës dhe vlerave më të ndritshme të tij  të arritura me shumë mund e sakrificë.
U
rreshtua  në mesin e atyre pedagogëve
shqiptarë në Kosovë  i cili  arriti të kryejë detyra  pedagogjike, kërkimore, shkencore  dhe organizative me rëndësi të madhe
shoqërore me qëllim të zhvillimit të arsimimit të popullatës  së re shqiptare. E gjithë rruga dhe puna
e  tij jetësore, arsimore dhe
shkencore  është shembull i denjë i
përmbushjes së detyrës qytetare, diktuar nga vullneti dhe dashuria e  njëmendët për punën e vet të palodhur  në kërkim të dijes.  Për këtë kontribut  dhe vlerat e tij njerëzore  ka mbetur i dashur nga shumë nxënës,
studentë, kolegë, studiues e intelektualë 
nga shumë treva shqiptare dhe  të
gjithë ata që i  dëgjuan ligjëratat apo  i lexuan veprat e tij të mirëfillta  studimore. Ata që e njohën  pajtohen se Prof. Dr. Anton Kolë
Berishaj  dha një kontribut të çmuar
arsimor dhe shkencor në hapësirën kombëtare.
Ulqin, 1 qershor 2023









