Editorial
Ndue Dedaj: Në njërën dorë lopatën, në tjetrën votën
E enjte, 04.05.2023, 07:58 PM
NË NJËRËN DORË LOPATËN, NË TJETRËN VOTËN
(Pamftet
zgjedhor 2023)
Nga
Ndue Dedaj
Rrugëtimi
i gjelbërt socialist drejt 14 majit, me lopata në duar nëpër lulishte, si
simbolikë zgjedhore nuk është (mirë)kuptuar të paktën prej meje si qytetar.
Duket si një lëvizje ekologjistësh, mjedisorësh, bujqësh, por zor se mund te
jetë kredo e manaxhimit të punëve të komunitet nga ana e kryebashkiakëve, të
cilët as nuk mbjellin, as nuk prashisin, as nuk korrin, as nuk lidhin, në
funksion të detyrës, veçse në paçin rreth vilave familjare ndonjë kopësht.
Prifti
i mirënjohur italian i Zadrimës, Dom Antonio Sharra, që derdhi Kumbonën e Paqes
me gëzhojat e plumbave vrastar të 97 - ës, e vendosur para “Piramidës” në
Tiranë, në makinën e tij mbante dhe një lopatë, me të cilën mbyllte gropat në
rrugët e paasfalturara asokohe të famullisë së Blinishtit etj. Kjo është një
lopatë që nuk të hiqet nga mandja dhe që nuk ka asgjë të përbashkët me lopatat
e kësaj fushate zgjedhore të “priftërinjve” të politikës, që u shfaqen në
parqet e metropolit në duar qeveritarësh të lartë, si dhe gjatë daljeve
mëngëpërveshur të kryebashkiakut të Tiranës dhe atij të Kamzës.
Dihet
që është veç mirë të mbjellësh pemë frutore, dekorative etj., qoftë dhe në
fushatë elektorale, për sytë e botës dhe do të kishte njëfarë kuptimi, nëse të
njëjtët aktorë do të na ishin shfaqur me lopata jo në bulevard, por në arat e
Myzeqesë, Bregut të Bunës, Devollit apo Dropullit, duke bërë gjeste të tilla
simbolike të mbjelljes së kulturave bujqësore, që do ta merrnim si një kthesë
të politikës qeverisëse drejt prodhimit vendas, ku pushteti vendor do të kishte
një rol tjetër nga ai që ka sot. Pra, nëse lopata elektorale do të na sjellë
bereqet dhe punësim, ku me e gjetë! Mirëpo kryebashkiakët rikandidues dhe ata
të rinj asgjë nuk na kanë thënë për shtimin e prodhimit vendas, sigurimin e
tregut për të dhe punësimin. A ka dhe pushteti vendor politika ekonomike? Apo
vetëm shërbime dhe këtu mbyllet kapitulli i tij. Ajo që publiku sheh rëndom në
kryeqytet dhe kudo, janë policët bashkiakë që venë shërbes-shërbes dhe ua
përmbysin tezgat me perime të freskëta fshatarëve që vijnë me furgona nga
Shëngjergji deri te Pazari i Ri për të shitur pak tranguj, speca e mollatarë...
“Lopata
e gjelbërt” do të ishte e nevojshme të shkonte dhe në Bërxullë, ku banorët
protestojnë dhe ditëve të diela, duke deklaruar se do të bojkotojnë zgjedhjet e
14 majit, nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre për dëmshpërblimin sipas tregut
të shpronësimeve për hapjen e rrugës Thumanë - Kashar. Përtej rastit, a mundet
që ekipet elektorale të shumicës të venë kudo ku ka njerëz me halle dhe jo
vetëm aty ku përgaritet më parë terreni me patronazhistë e gjer fëmijë, që
kërcejnë valle dyshe me udhëheqësit, si dikur Enveri në takimet me popullin.
Ndërkohë
që vazhdon sfiltata elektorale bimëmbjellëse në publik për të bërë vota dhe në
këtë mënyrë, dihet që ka dhe një tjetër fushatë të “gjelbërt” gjithandej nëpër
malet e Shqipërisë, që nuk është ndalur që nga Lazarati i djeshëm e që
zhvillohet pa kamera dhe slogane, por shpesh nëpër vringëllimat e armëve të
krimit. Bimët e kësaj fushatës tjetër, me apo pa lopatë, janë kaq të
harlisshme, sa kanë mbirë gjer në vazot e luleve, serat sipër tarracave të
pallateve, duke krijuar “shtëpi bari” me shumicë. Duam apo nuk duam, ky është
realiteti jeshil i “padukshëm” dhe kësaj nuk mund t’i bien mohit as zotërinjtë
e fushës së blertë elektorale. Politika ka në dorë me e ndalue aksionin e
hashashizimit të vendit, por nuk dashur apo nuk ka mundur ta bëjë.
Prandaj,
në të gjitha vështrimet që ta rrokësh, ku e ku kjo lopata elektorale
dyzetditëshe me ato lopatat e zakonshme, që nuk i përdor më as ndërmarrja e
mirëmbajtjes së rrugëve rurale, pasi në vend të tyre, që punonin përditë e
ngapak, vete fadroma e bashkisë për të pastruar dherat e rënë nga shirat.
Shkurt, lopata ka dalë jashtë përdorimit aty ku duhet dhe ka hyrë në “përdorim”
politik, si një vegël me të cilën do të punojmë katër vitet e ardhshme, në
dekadën e tretë të shekullit XXI, a thue se nuk ishte lopatë ajo me të cilën
ngarkonin mineralin në karroca pirustët!? Vegla më e thjeshtë e njerëzimit, një
copë hekur me një bisht druri! Në dy mijë vjet vetëm njëherë pati përbërë lajm,
në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur u modernizua duke u bërë lopatë
vetëngarkuese e mineralit në miniera. Pa ia zvogëluar aspak vlerën, lopata
është aq e brishtë për të qenë simbol i një fushate elektorale për ndryshim, në
vendin e mbuluar nga ferrat dhe plehrat, pasi po të kishte qenë ajo në punë,
mjedisi ynë do të ishte i pastër.
“Simfonia”
e lopatave elektorale nuk të ngjit, pasi nuk premton, thjesht duket si një
reminishencë e së shkuarës e “popullit punonjës”, që beson te veglat e punës
dhe “vija e partisë” për krijimin e mirëqenies. Kështu e kemi nisur, me drapër
e çekan dhe yllin e kuq në ballë. Pastaj fitoret duheshin mbrojtuar, ndaj doli
parulla tjetër “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Sot janë kohë të
tjera dhe lopata është vetëm një iluzion. Përballë saj autobusi elektoral i
kandidatit të opozitës duket më i gjetur, pasi dihet se si është trafiku i
Tiranës, nuk hyn dhe nuk del dot pa humbur orë të tëra në vendnumëro. Por dhe
sinjali për një nënkalim në sheshin “Skënderbej”, ku kryeqyteti ynë nuk ka
asnjë metër metro, duket si një yshtje për nga moderniteti. Përkundrazi, pozita
e sheh modernitetin te kullat, pa i hedhur sytë asnjeherë se si është “nëntoka”
e amortizuar apo e munguar e Tiranës. Kullëzimi
i qyteteve mund të ishte emblema e saj elektorale.
Eleganca
e përformancës qeveritare, me lopata të hijshme në duar, duket pa asnjë lidhje
me vinçat, fadromat dhe tritolin që kanë shembur investime të mëdha si “Prestig
Resort” në Adriatik, a thua se objekti kishte mbirë brenda një natë dhe shteti
nuk kishte qenë aty më parë. Kjo është një faturë për shqiptarët, votuesit e
majtë dhe të djathtë, ashtu si disa fatura të tjera, për të cilat kandidatët e
sotëm për kryetar bashkie mund të thonë nuk është puna jonë por e qeverisë, kur
të vijnë zgjedhjet e përgjitshme, ia plasni asaj në fytyrë. Por nuk është
kështu, janë dy pushtete që bashkëveprojnë për zhvillimin e vendit, nganjëherë
dhe për mbrapsht. Si të mos mjaftojnë shembjet, që nga ajo e Teatrit, për të
cilat duhet mbajtur përgjegjësi në radhë të parë nga kryetari i Bashkisë së
Tiranës, shefi i mazhorancës, nga pozita e Kryeministrit, kapërcen kompetencat
ligjore dhe vë veton, duke i paralajmëruar votuesit, se nëse nuk jeni me ne, nuk
keni investime?! Qytetari me të drejtë shqetësohet: more a thua, përpos taksave
lokale, që mbledhin bashkitë me “forcat e veta”, të tjerat i paska në dorë
qeveria? Apo Kryeministri nuk do t’ia dijë për “kryepleqtë” e provincës, sipas
motos së vjetër vetë shkruaj e vetë vulos!? Përndryshe, si mund t’i thuhet
votuesit të Shqipërisë europiane, si të jetë një tribu, se votën tënde e kam
unë në dorë, pasi nëse ti don ujë, drita, kanalizime, rrugë dhe shërbime të
tjera, hidhe votën këndej nga ne!...
Së
fundi, të gjitha gjerat mund t’i hajë politika në fushatë elektorale, por që
pozita t’i bëjë gjyqin opozitës, ta marrë nëpër gojë, t’i hakërrehet, kjo më të
vërtetë që është e pakuptimtë. Të ishte opozita kështu e ashtu, po. Të ishte ky
e të mos ishte ai në krye të saj! Ti si pushtet duhet të japësh llogari për
lekët e keqmenaxhuara, se opozita nuk firmos as buxhet, as tendera, as
investime, edhe të dojë nuk mund të korruptohet! Ishte qesherake të dëgjoje
kryebashkiakun e kryeqytetit, prej tetë vitesh, t’i kërkonte llogari opozitës,
për punët e pabëra sipas tij gjatë mandatit 2011 - 2015, kur kishte qenë ajo në
drejtimin e Bashkisë!?...
Kjo
është tallavaja e përditshme e fushatës.