Mendime
Sami Islami: Pse ezani me altoparlantë?
E enjte, 04.05.2023, 07:59 PM
PSE EZANI ME ALTOPARLANTË?
Nga
Sami ISLAMI
Feja
islame është fe e pareformuar ende. Ka mbetur
ajo siç ka qenë në gjenezën e saj! Nuk është si
feja katolike e ortodokse psh.,
që me Martin Luterin ka pësuar
ndryshime të mëdha. Deri
atëherë edhe kjo fe ka
qenë radikale (ashtu siç është
sot feja islame). Feja islame
pra, si e tillë s’ka ndryshuar
fare as përsa i takon ritualit, as kodit
familjar, as atij shoqëror. Me
një fjalë gjithçka ka mbetur
e njejtë si në kohën e para 12-13
shekujve!
Edhe ezani, si një ritual i kësaj feje, ka mbetur
njësoj në strukturë. Por jo edhe në paraqitje! Bile vetëm këtu mund të themi se ka një ndryshim! Dhe ndryshimi është se, që nga
gjeneza, e deri para disa vjetësh
ezani është thirrë drejtpërdrejt nga
hoxhallarët, të cilët është dashur të hipin vetë në minare, kurse tash krejt kjo punë po bëhet me
altoparlantë!
Në
këto vjetët e fundit, pra, nuk ka xhami
në territoret shqiptare, në
Shqipëri, në Kosovë, e as në Maqedoni, e në
trevat tjera, të mos jenë të
pajisura me altoparlantë! Ezani
incizohet në disk, caktohet dikush për
ta "lëshu" aparatin dhe puna u kry!
Atje lart, në minare, vehen
altoparlantë të mëdhej, që mund të prodhojnë
zëra me amplituada shurdhuese!
Më rastisi
të përjetoj një situatë
shumë të pakëndshme në
vendlindjen time, ku xhamia gjendet fare pranë
shtëpisë. Ishte ditë e nxehtë vere. Tek
vëllau kishin ardhur mysafirë. Kishte edhe fëmijë në
djep. Nga se brenda ishte shumë
vapë, të gjithë kishim dalë në
kopsht. Deri sa fëmija flente qetë
në djep, papritmas erdhi një bubullimë
zëri nga minarja, sikur të kishte ra
rrufeja! Thashë mos u ça qielli! Fëmija që po flente në djep e pësoi më së keqi! U tremb, u zgjua lemeritshëm dhe ia nisi vajit,
sa u dasht edhe një orë tjetër që
nana e vet ta qetësonte!
Një
rast tjetër. Më rastisi të gjendem në Shkodër në mesditë, kur u thirr ezani
(edhe këtu me altoparlant). Por ajo më e çuditshmja ndodhi më pastaj. Krejt
rituali i faljes në xhami, transmetohej nëpërmes të altoparlantit dëgjohej edhe
jashtë xhamisë! E pyes një shkodran pse edhe ritet fetare të xhamisë dëgjohen
edhe në rrugë? Ai m'u përgjigj se kështu e kemi çdo herë kur ka falje brenda në
xhami! Jemi ankuar në bashki por ajo
s'ka marrë kurrfarë masash për ndalimin e kësaj dukurie.
Si
mund të shpjegohet kjo, nga ana fetare,
pa të mos flasim për atë humane, se
humaniteti u pa!? A e lejon feja që me
thirrjen e ezanit me altoparlantë
shurdhues t’i tranosh fëmijët në gjumë, por
edhe njerëzit e tjerë, gjithashtu? A është kjo sipas kodit fetar
gjë e mirë, apo mëkat, se mos të flasim
për ligje, nga se ato mungojnë tek ne!?
Si shpjegohet kjo nga autoritet e fesë
islame? A duhet dikush të marrë përgjegjësi për këtë? Më
intereson të di si e arsyeton këtë kreu i BIK- ut në Kosovë, por edhe në Shqipëri ?
Nëpër qytete, për ndryshim nga fshatrat, ka shumë xhami dhe po aq minare. Dhe, në çdo
vakt, kur thirret ezani,
hallakama nga altoparlantët ushton
gjithandej! Kjo duket më së miri
në kohën e ramazanit, edhe pse raste të tilla ka gjatë gjithë
vjetit. Dhe, kur xhamiat janë afër njëra-tjetrës, si në Prishtinë ose Prizren, në ato momente
duket sikur xhamitë
bëjnë gara, duke e
sfiduar njëra-tjetrën se kush e
ka altoparlantin më të fortë! Ezanet dalin me zëra të ndryshëm, disa pak më të trashë, disa pak më të
hollë…Disa ia nisin pak më heret , disa
pak sekonda më vonë! Thjesht , për disa minuta, deri sa thirret ezani,
njeriu e dëgjon “orkestrën” më të
çuditshme në botë! Truri të vlon
prej CD-ve të
ardhurta, ku ta dish, prej Arabisë a Turqisë!
Por
kështu nuk është në të
gjitha trevat shqiptare
të besimit islam. Në Maqedoni,
p.sh. situata është pak më ndryshe. Edhe
pse edhe atje ezani thirret me altoparlantë dhe ka plot xhami, shteti
maqedon ka sjellë ligjin për amplitudat
e lejuara! Atje nuk mundet
asnjë xhami t’ia “lëshojë” zërin altoparlanteve sa të duan vetë, si në Kosovë dhe
Shqipëri! Se, po qe se ndodh kjo
Bashkësia Islame atje do të përgjigjet për thyerje të ligjit.
Në të gjitha
shtetet e Evropës, ku , sipas disa hoxhallarëve shqiptarë, për të cilët, atje,
liria fetare është më e madhe se
në Kosovë e Shqipëri, le ta dinë se ezani nuk dëgjohet
fare! Unë jetoj më shumë se çerek shekulli në
Angli, por kurrë s’më ka ra të dëgjoj ezan në ndonjerën prej xhamive! Po kështu është, me sa informacione që kam , edhe në Zvicër, Gjermani!
Me
ligj të gjithë kanë të
drejtë të mbajnë fenë e tyre, u muar vesh, edhe myslimanët, por pa i penguar qytetarët e tjerë me përcaktime
të tjera fetare , ose edhe
ateistë. Në botën e qytetëruar funksionon ligji, e jo si tek ne anarkia.
Një ligj i tillë duhet të nxjerret edhe në
Kosovë e në Shqipëri! Sepse vërtetë kjo që po ndodh me ezanin tek ne i ka kapërcy
caqet ligjore dhe humanitare, sa ka arritur deri
në absurditet! Autoritetet shetërore duhet ta nxjerrin ligjin për amplitudat
e lejuara dhe atë sa më
shpejt që është e mundur ! Kjo çka po
ndodh tek ne nuk bën të
merret si liri
fetare! Kjo është anarki fetare (në mungesë të ligjit ,
kuptohet)! Ky lloj ezani nuk është asgjë
tjetër, pos provokim i haptë kundër të
gjithë atyre që nuk i përkasin
fesë islame, apo është provokim edhe
kundër të gjithë
ateistëve! Në të njejtën kohë ky
fenomen reflekton imazh jo të drejtë (
se ne nuk jemi shtete fetare) dhe jo të
mirë në
sytë e turistëve të huaj! Kosova
e Shqipëria me kushtetutë janë shtete laike. Nuk janë shtete fetare. Shetet tona
duhet të ndjekin rrugën
e shteteve evropiane, ku komunitet fetare
nuk mund të veprojnë jashtë
ligjit!
E,
çfarë do
të ndodhë në të ardhmen, mbetet
të shihet!