Kulturë
Albert Zholi: Zija Vukaj - Rruga plot lavdi e Festivalit të Këngës për Fëmijë në Shkodër
E diele, 02.10.2022, 07:38 PM
Flet Prof. Zija Vukaj: Rruga plot lavdi e Festivalit të Këngës për Fëmijë në Shkodër
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Festivali i Këngës për Fëmijë që
zhvillohet për dekada të tëra në Shkodër qytetin e dijes dhe kulturës. Ky
Festival me jetëgjatësi të madhe ka tërhequr vëmendjen e shumë kritikëve të
artit. Prej këtij Festivali kanë dalë shumë prej këngëtarëve që sot janë me
emër Brenda dhe jashtë atdheut. Ja si shprehet Prof Zija Vukaj për këtë
Festival....
Festivali i këngës për fëmijë në
Shkodër një histori suksesi. Madje ky Festival e dallon Shkodrën nga qytetet e
tjerë në atdhe, pasi për dekada të tëra ka zhvilluar me sukses një Festival që
mbart një histori specifike.
Historia e lindjes së festivalit të
këngës për fëmijë në qytetin e Shkodrës nuk është rastësi. Zanafilla e këngës
për fëmijë është e hershme. Në larminë e këngëve që lindën në Shkodër edhe ajo
e fëmijëve kishte vendin dhe peshën e vet. Që në vitin 1911 në botimin
folklorik të titulluar "Kangë popullore gegnishte" kemi të dokumentuara
35 këngë për fëmijë që u përfshinë në ciklin "Vjersha fëmijsh e
lonjash". Përpjekjet serioze në lëvrimin e këngës për fëmijë filluan në
periudhën e viteve 1920- 1924 me kompozimin e mjaft këngëve të reja nga Martin
Gjoka dhe nxënësi i tij Prenkë Jakova. Fëmijët e kohës, Çesk Zadeja, Tish
Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Ramadan Sokoli etj., ishin pjesëtarë të
formacioneve muzikore të asaj kohe, si fanfara, formacione orkestrale dhe kore.
Në vitin 1953 Tonin Harapi do të shkruante për fëmijë veprimet muzikore "Kufitarët",
"Mësimi i pyllit" dhe "Djaloshi guximtar dhe e bukura e
dheut" (1955) me libret të Lec Fishtës dhe regji të Andrea Skanjetit.
Në Shkodër në vitin 1962 për herë të
parë në Shqipëri kompozitorët ftoheshin të ballafaqonin krijimtarinë e tyre në
një event konkurues të këngës. Me gjithë izolimin, artistët dhe artdashësit
kishin marrë vesh se në anën tjetër të Adriatikut, në një qytet të vogël kishte
lindur një festival i madh, ai i San Remos. Muzikë e ndaluar, por mjaft e
ndjekur nga shkodranët. Festivali lokal i këngës së lehtë u zhvillua më 6, 7
dhe 9 nëntor 1962. Në dhjetor të atij viti me nismën e Prenkë Jakovës u
zhvillua në Tiranë Festivali i Parë Kombëtar i këngës në Radiotelevizion.
Më 10- 11 maj të vitit 1963 forcat
krijuese të qytetit të Shkodrës organizuan festivalin lokal të këngës për
pionierë. Që atëherë Shkodra do të bëhej qyteti i Festivalit, ku do të
ballafaqoheshin përvojat krijuese dhe interpretuese të këngës për fëmijë.
A ka ndonjë motiv. Apo ndonjë
direktivë partie të asaj kohe që domosdoshmërisht të organizohej ky Festival në
Shkodër, apo thjesht ishte dëshira e organizatorëve, që lidhej me kulturën e
qytetit?
- Festivali nuk u vendos nga lart.
Ishte në logjikën e gjërave që klima e begatë, e tejngopur me kulturë të
hershme e të vonë muzikore të arrinte në konkretizimin e një klimaksi të tillë
artistik ose të institucionalizohej një realitet artistik që ekzistonte prej
rreth një shekulli. Ishte iniciativa e Tonin Daisë dhe kujdesi i veçantë i
Prenkë Jakovës, të cilët u morën edhe me detajet e përgatitjes së tij. Në dy
netët e para të festivalit u interpretuan 18 këngë nga 40 të paraqitura. Çmimi
i parë i festivalit iu dha këngës "Dy letra", të Gjon Kapedanit. Ky
ishte fillimi. Një vit më pas Tirana do të organizonte festivalin e saj, por
Shkodra do të bëhej mikpritësja e krijuesve dhe interpretuesve në nivel
kombëtar.
Një festival që ka nxjerrë talente që
më vonë u bënë këngëtarë me përmasa kombëtare cilët prej tyre do të veçonit?
Nga arena e këtij festivali zuri fill
rrugëtimi i këngëtarëve të tillë si Inva Mula, e cila shprehet: "Në
qoftëse kam sot një karrierë artistike, nuk do ta ndaja asnjëherë nga periudha
e festivaleve të këngës për fëmijë në Shkodër, ku kam hedhur hapat e para si
artiste dhe kam përjetuar emocionet e para shumë të veçanta." Ndër
emra të tjerë të spikatur që e nisën udhëtimin artistik mund të përmendim pa
kronologji, Justina Alija, Nikoleta Shoshi, Zeliha Sina, Ardit Gjebrea, David
Tukiçi, Yllka Mujo, Beatriçe Balliçi, Parashqevi Simaku, Jonida Maliqi, Rosela
Gjylbegu, Gledis Dume, Ketlin Pjalmi, Niki Mjeda etj.
Nëse kalojmë në kohë, si vijnë
kujtimet tuaja për Festivalin e parë apo ato Festivale që ju kujtohen? Si janë
përcjellë dhe si e priste Shkodra këtë event?
Ditët e festivalit ishin ditët e një
gjallërie të jetës kulturore e shpirtërore të qytetit me traditat më të
spikatura të një kulture muzikore. Krijohej një atmosferë e veçantë jo vetëm në
ambjentet e zhvillimit të eventit, por edhe në mbarë qytetin. Ditët e
festivaleve ishin të mbushura edhe me diskutime të preferencave për këngët dhe
interpretuesit. Publiku që i ndiqte ishte shumë artdashës dhe vazhdon të jetë
akoma i tillë. Kur festivali u zyrtarizua si event në vitin 1966 dhe kur
pjesëmarrja në të ishte mbarëkombëtare, vihej në pah edhe mikpritja
tradicionale e qytetit të Shkodrës ndaj pjesëmarrësve dhe familjarëve të
fëmijëve të rretheve. Këto përjetoheshin edhe si ditë feste dhe takimesh që
mbeteshin të pashlyera.
Thuhet që në monizëm kërkesa e
llogarisë për teskstet e këngëve ishte rigoroze. Duhej nivel i poezive. A
kishte ndonjë direktivë partie që patjetër në këtë Festival t'i këndoje partisë
apo Enver Hoxhës?
Natyrisht që asnjë prej arteve nuk
mund t'i shpëtonte politizimit. Regjimi donte të shfrytëzonte çdo kanal
komunikimi, qoftë edhe tekstin e një kënge për fëmijë që të emetonte
ideologjinë e vet. Kjo kishte krijuar me kohë censurën apo një lloj policie
estetike zhdanoviste. Censura dora- dorës kishte krijuar autocensurën. Kjo
kishte bërë që autorët e teksteve të mos shkelnin në dërrasën e kalbur të
injorimit të frymës së kohës. Kishte klishe dhe parafabrikate sintagmatike që
futeshin vrazhdë në mes të një strofe të bukur, si fjala vjen, parti, kooperativë, xhaxhi
Enver, duke u vendosur edhe si tituj këngësh, si "Në krahët e
partisë", "Lulet e partisë" etj. Pra nuk ishte e mundur
t'i shpëtohej politizimit, me përjashtim të rasteve kur tekstet e këngëve ishin
fabula me personazhe zoomorfe apo fitomorfe, si bubrreca, gruri, lulja etj.
- Cilët nga poetët janë dalluar në
këtë Festival?
Nga poetët dhe autorët e teksteve
mund të veçojmë emra të tillë si Robert Prennushi, Lajde Staku, Fadil Kraja,
Toni Papuçiu, Alfred Çapaliku, Xhahid Bushati, Gaqo Bushaka, Paulin Shtjefni,
Tasim Gjokutaj, Zhaneta Lazri, Adelina Mamaqi, Odise Grillo, Jorgo Papingji,
Sandër Gera, Zhuljana Jorganxhi, Adil Zeka, Agim Doçi etj.
- A ka ardhur ndonjë nga udhëheqësit
e sistemit monist në këtë Festival?
Prania e autoriteteve të sistemit
monist dhe lançimi i këtij eventi në fillimet e veta kanë qenë të zbehta, aq sa
periodiku zyrtar i kohës i kushtonte pak rreshta kësaj ngjarjeje artistike. E
vetmja gazetë që përcolli evenimentin ishte "Pionieri" e datës 22 maj
1963. Por në vazhdimin e rrugëtimit të festivalit vëmendja e autoriteteve të
sistemit, sidomos në nivel vendor është rritur dhe prania e tyre ka qenë
evidente edhe pa ardhur fizikisht. Kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit e
sistemit ishin të zhveshur nga ndjenjat estetike dhe prania e tyre ishte
thjesht ushtrim tutele. Kemi njohur syresh që e kanë dashur dhe përkrahur çdo
lëvizje artistike të qytetit. Fakti që disa kanë qenë pjesë e administratave
moniste, nuk përjashton afeksionin për qytetin e tyre të lindjes, pasi ky afeksion
nuk është monopol vetëm i disave. Pra sot është i tejkaluar tundimi t'i ndajmë
njerëzit në "ne dhe ata".
-Nëse bëjmë një krahasim me sistemin
e kaluar dhe me sot, ka diferenca në nivelin artistik?
Sipas njohësve dhe interpretuesve të
fushës, në edicionet e festivaleve deri në vitet '90 kënga për fëmijë vuajti
nga disa gjëra. Larmia e tematikave shpesh i kalonte caqet e moshës. Kënga u
përdor si mjet për formimin ideologjik të fëmijëve. Shpesh krijoheshin këngë
himne ose me tonalitete marciale. U ruajt karakteri masiv i interpretimit.
Dëshira për krijimin e formacioneve të mëdha vokale, krijoi shpesh interpretime
të paarrira.
Festivalet e viteve të fundit patën
ngritje cilësore. Lindën këngë me tekste dhe muzikë të një autori apo edhe
interpretimi i tyre nga këngëtarët krijues, kënga me play bag e deri te kënga
live e shoqëruar me orkestër. U rrit hapësira skenike me dekore të përmasave të
mëdha. Festivalet u zhvilluan në skena të mëdha e të hapura me shumë
pjesëmarrës.
Këtu dua të dal pak nga konturet e
pyetjes, duke shfrytëzuar rastin të përmend me nderim e respekt të ndjerin
Kujtim Alia, mikun e madh të të gjithë qytetarëve të Shkodrës e më gjerë, emrin
e të cilit mban sot kjo qendër kulturore. Në sajë të një përkushtimi,
profesionalizmi dhe idealizmi të këtij individi të talentuar dhe vizionar u bë
e mundur që kënga për fëmijë jo vetëm të vazhdonte të demonstrohej me
dinjitetin që krijuan të parët e mëdhenj të muzikës shkodrane e shqiptare, të
cilët i përmendëm më lart, por edhe të zhvillohej, në nivele të larta estetike
konform kohëve të reja. Nga duart e tij mjeshtërore dhe
të fisme dolën talente, që rrugëtuan gjer në sferat e epërme të artit të
këngës. Ai ishte edhe drejtues i qendrës kulturore të fëmijëve në Shkodër dhe
organizator për shume vite i "Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve"
si dhe festivalit "Bilbilat e Vegjël të Shkodrës Këndojnë". Kujtimi
drejtoi edhe Orkestrën Frymore të Qytetit të Shkodrës me të cilën organizoi
shumë evente si: "Ndërmendja" dhe fitoi shumë çmime në konkurse
Kombëtare e Ndërkombëtare.
-Sot a kujdeset shteti për këtë
Festival?
Realizimi i festivalit sot arrihet
nga projektet e Ministrisë së Kulturës e të Ministrisë së Arsimit, por peshën
më të madhe e ka Bashkia e Shkodrës. Tani që pjesëmarrja është shumë e gjerë,
sepse përfshin të gjitha trojet shqiptare, edhe volumi i punës dhe i investimit
është më i madh.
-Cilat janë problemet e këtij
Festivali sot?
Duke pasur parasysh kushtet e reja të
realizimit të një aktiviteti kaq të madh e me rëndësi kombëtare është e
kuptueshme edhe domosdoshmëria e paraqitjes dinjitoze të çdo etape të
realizimit të këtij eventi. Kjo ka krijuar vështirësi që në akomodimin e
pjesëmarrësve, sigurimin e infrastrukturës përkatëse dhe kostot e çmimeve dhe
honorareve të ndryshme. Këto çështje deri tani janë zgjidhur jo vetëm me
investimet e pushtetit, që duhet pranuar se kanë qenë të pamjaftueshme, por
edhe me ndihmën e donacioneve të ndryshme.