Kulturë
Timo Mërkuri: Amerikani që solli Odise Kote
E shtune, 01.10.2022, 06:55 PM
A M E R I K A N I QË SOLLI ODISE KOTE
“Është
humbja ajo që na mëson vlerën e gjërave” - Shopenhaueri
Nga
Timo Mërkuri
Nëpërmjet shtëpisë
Botuese “TOENA” Odise Kote solli romanin “Amerikani”, një roman që të trondit si asnjë tjetër për nga
përmbajtja, aq sa edhe të mahnit për artin me të cilin është shkruar. Është një
roman tepër i veçantë, që vjen për herë të parë në letërsinë shqipe, me një
subjekt të si një dhimbje shpirt, shkruar me një stil poetik me “ngjyrë gri”,
në të cilën pikëlonë si shi e zeza e
vuajtjes, si vesë e bardha e shpresës dhe dhe si një tis mjegulle roza e
zemrës. Me këtë roman Odise Kote dëshmoi pjekurinë e tij si një shkrimtar
dinjitoz i letërsisë shqipe bashkëkohore..
I-Për nga përmbajtja
“Amerikani” i ngjason romanit “Arkipelagu Gulag” të Aleksandr Solzhenitsyn, por
me një shtrirjeje hapësinore më të madhe të vuajtjejeve fizike e shpirtërore
sepse: në qoftë se Solzhenitsyn shkruan për
vuajtjet dhe torturat e të arestuarve dhe të dënuarve në hetuesi, burgje e
kampet e punës, Odise Kote na tregon me një gjuhë artistike se: gjithë
Shaqipëria ishte thjeshtë një burg kolektiv, i krijuar nga shteti monist. Në
një farë mënyre të gjithë ishim të burgosur, pavarësisht se disa gdhiheshin
brenda telave me gjemba të kampit, ndërsa të tjerët brenda klonit të kufijve
shtetërorë. “Amerikani” është një roman që sjell një pamje të re mbi fatin,
vuajtjen dhe rezistencën e të burgosurve politikë në burg dhe jashtë tij dhe duhet lexuar patjetër, qoftë për vlerat e tij
të veçanta estetike dhe letrare, qoftë edhe si një ndjesë ndaj atyre mijra të
dënuarve të pafajshëm, për të cilët ne nuk kemi ditur të vërtetën e dënimit dhe
vuajtjeve nëpër burgjet e kampet e diktaturës. Mosdija jonë u jep ish të
dënuarve politikë një farë ngushëllimi, por neve nuk na lehtëson aspak nga
ndjenja e gabimit, sepse edhe ne i kemi quajtur “armiq”pa ditur asgjë për
“armiqësinë” e tyre. Si “armiq” na i paraqitën “drejtuesit” e tribunave, dhe
nuk e menduam se shumë shpejt në të
tillë do shndroheshin vetë ata, fqinjët, miqtë e vëllezërit tanë. Vala e
arestimeve afrohej drejt familjeve shqiptare (kryesisht) intelektuale dhe
artistësh siç u afrohet fëmijëve në ranishte vala e detit, të cilës përpiqen ti
“shpëtojnë” duke kërcyer pupthi ose duke ju larguar me vrap. Ardhja e valës së
detit dhe kërcimi apo largimi me vrap ndaj saj është një lojë fëminore që
krijon shpërthime të qeshurash, ndërkohë që ardhja e valës së arestimeve ishte
një gjëmë që fillonte me kuje e vazhdonte me vuajtje.
Ka dhe një aspekt
tjetër koha e ardhjes së këtij romani të Odise Kotes që ja lartëson vlerat. Pas
rënies së komunizmit në Shqipëri shumë krijues që kishin jetuar ferrin e
burgjeve dhe internimeve nisën të shkruanin për vuajtjet e tyre në hetuesinë,
burgjet dhe kampet e punes , madje dhe e reklamuan këtë krijimtari si lindjen e
“letërsisë së burgjeve”ose “burgologjia”, tezë dhe krijimtari që
përkohësisht tërhoqi vëmëndjen e
lexuesve. Më duhet të them se me pak përjashtime (si Visar Zhiti etj.) kjo
“rrymë” letrare “humbi” nga interesimi i lexuesve si lumi që humbet në rërën e
shkretëtirës dhe kjo, jo për faj të lexuesve, por për gabimin e autorëve. Në
shumicën e saj, kjo krijimtari ishte një lloj rrëfenje, shumë larg të qënit letërsi. ishte një të shkruar “e zeza mbi të zezë”, pa
art dhe pa finesë letrare. Në kohën që interesimi për letërsinë po “firon”,
“firon” e “letërsisë së
burgjeve” e “ndihmoi” indirekt dhe stili i ftohtë, urrejtja e tipit propogandistik me të cilën ishin shkruar, duke haruar që arti në përgjithësi dhe arti
letrar në veçanti është së pari dashuri. Kjo do të thotë që edhe kur shkruan
për kundërshtarin, sado që ta urresh
atë, frazat dhe fjalët e tyre apo për ta
duhen shkruar me art dhe finesë, që të flasin shumë më shumë se sa kuptimi
gramatikor i tyre, sepse ato janë pjesë e artit letrar dhe jo pjesë fizike e
njeriut kundërshtar.
II- “Amerikani”
i Odise Kotes është një roman që hyn denjësisht në
letërsinë shqipe dhe qëndron në rrafshin e epërm të saj, pse në të gjithë faqet
e librit, shkruhet e përjetohet artistikisht jeta në Shqipërinë e errët
moniste, por njëkohësisht ndjehet e shihet drita tej kësaj errësire. Në
ligjërimin artistik të romanit dëshmojnë vuajtjen, ndjenjat dhe mendimet personazhe të ndryshëm, ndërkohë që plagët e
trupit te të dënuarëve më shumë i ndjejmë në lexim apo në efektin psikologjik
dhe luftën për egzistencë.
Në qoftë se do na
duhej të pasqyronim zhvillimin e jetës në “botën” e romanit, kjo do realizohej
me një grup fjalësh, që na kujtojnë
përshkrimin në Bibël të krijimit të jetës në tokë sipas radhës: Kaos, Mjegull
dhe Kthjelltësi. Një kaos i vërtetë ligjshmërie, veprimesh, mendimesh e
ndjenjash përmbytin botën e Nelson Andreas qysh nga momentë që shkel në tokën
shqiptare, një mjegulle dëndur mos-orientimi e mbulon jetën e tij në kushtet e
një jetese sipas normave e parimeve socialiste pas burgut, mjegull që rëshqet
drejt shpërbërjes, për ti lënë vendin një kthjelltësie qiellor e shpirtërore,
ose më saktë një triumfi të jetës.
Përsonazhi Nelson
Andrea ardhur nga parajsa amerikane në ferrin monist, në mënyrën më të
papritur për të, si
artist, e gjen veten në disa raporte që kurrë nuk i kishte menduar se
egzistonin, dhe pikërisht e gjen veten te:
a) -raporti i artistit me diktaturën ku ai fillimisht, më shumë për shkak të mosnjohjes
së funksionimit të jetës në monizëm ndjehet
si “i rrëzuari nga anija në mes të detit” dhe po mbytet, por duke u kapur pas
artit të tij, si pas një litari, ringjitet në kuvertën e jetës.
b) -raporti i
artistit me shoqërinë, kur shoqëria shqiptare jetonte nën një ciklon propogande
të shfrenuar, pa jetë, pa vision dhe arti i vërtetë shihej si një “blasfemi”,
si një sfidë ndaj regjimit, si një ndikim i huaj, ndërsa artistët ishin dënuar,
persekutuar, u ishte hequr e drejta e ushtrimit të artit të tyre, e megjithatë
ata vijonin të krijonin artin e tyre në heshtje, larg syve të publikut.
c) -raporti i
artistit me vetveten ishte një raport sfilitës për Nelson Andren. Shpirti i tij
si artist ishte në vlim si një llavë, ndërkohë që presioni psikologjik, dhuna e
shtetit monist dhe strukturave të tij i rëndonin mbi grykën e “kraterit” të tij
shpirtëror si pllaka plumbi mbi grykën e reve radioaktive nëpër laboratorët
bërthamorë.
Personazhi Nelson
(Nelo) Andrea në njëzetëetre vjet burgim, persekutim, përgjim etj. lufton për
të ruajtur shpirtin e tij artistik e human
dhe jetën në një shoqëri që “i grabiti” dhe identitetin e tij, sepse e ndjen
që, nëse burgu apo kjo jetë që bën si një i mënjanuar ja shkërmoq
personalitetin dhe talentin nën dhunën e
përditëshme, atëherë ai zhvlerësohet si njeri, dhe ska të ardhme dinjitoze si
artist prandaj: “Lahet, ushqehet,
vesh jelekun dhe këmishën e bardhë me jaka të larta dhe zbret në kube. Kubeja
ishte kisha e tij, ajo kishë si e At Artur Liolinit atje në Boston. Kubeja dhe
interpretimi në violinë janë instrumentet që e shndrrojnë Nelo Andrean
shqiptar, një varrmihës komunaleje në Nelson Andrean amerikan”. Kjo
rezistencë intelektuale është lufta e tij, mbijetesa është fitorja,
sakrifica e tij ishin vitet e humbura, jo vetëm në burgje e kampe pune, por
gjithë vitet e qëndrimit në Shqipëri. “Nelson Andrea për herë të parë në
jetën e tij ndjeu dhimbje, dhimbje të fortë në gjoks. Më shumë se dhembje ajo
ishte keqardhje për vetveten. Kishte shpenzuar kot së koti njëzet e tre vitet e
jetës së tij në këtë vend. Kujt ia kishte falur dhe përse”?
Përfytyroni një
djalosh të rritur e selitur në bulevardet dhe sallat e koncerteve të Bostonit
të vijë në Shqipëri, prej nga ka ikur dy vjeç fëmijë dhe porsa ve këmbën në
tokën shqiptare, i vënë një thes në kokë e prangat në duar, madje pas shpinë
dhe gjendet përballë goditjes së një shteti me mentalitet dhe metoda mesjetare
të sjelljes dhe drejtimit. Realisht Nelson Andrea nuk ishte armik i Shqipërisë dhe as i pushtetit monist, madje
ai s’dinte gjë për luftën Nac. Çl. (çpunë
kam unë me luftën thotë ai me vete diku) dhe as për shtetin monist apo
luftën e klasave . Ai ishte nje shtetas amerikan që erdhi në atdheun e tij të
lindjes, Shqipëri, por erdhi në kohën e gabuar dhe me pasaportën (e gabuar)
amerikane. Ishte kjo pasaportë që e pozicionoi atë si “armik” të vendit të tij,
ishte ajo që nervozonte hetuesit,
policët dhe gardianët e burgut, madje edhe “tutorin” e tij Rako Siranin. Ajo
pasaportë i dha emërtimin “imperialist” ndaj dhe presioni psikologjik dhe dhuna
ishin goditje që i vinin njera pas tjetrës fizikut, personalitetit,
psikologjisë dhe talentit së tij me forcën e befasisë dhe pastaj me forcën e
qëllimit të tyre. Instiktivisht, për tu mbrojtur prej tyre ai u mbyll në
heshtje, si në një “koracë mbrojtëse” , e cila mirte formën më të
përshtatëshme rezistente ndaj çdo lloj
goditjeje, pa e ndjerë se kjo “formë e përshtatëshme” ishte në fakt një
përthyerje e personalitetit dhe psikologjisë të tij, si hekuri që, kur nxehet,
përthyhet edhe nga vetë pesha e tij. Përkundër portretit së disa personazheve
të “letërsisë së burgjeve” që paraqiten “heroikë” në birucat, burgjet apo
kampet e internimit e që më së shumti ngjajnë me “heronjtë” pozitivë të soc-
realizmit, (veçse në kahun e kundërt), Odise Kote te personazhi i tij paraqet
objektivisht edhe ndikimin tjetërsues të presionit të diktaturës mbi ‘të. Nelson
(Nelo) Andrea nuk u vu në shërbim të policisë dhe të hetuesisë, nuk bëri madje
as “tradhëtinë e butë” (qëndrimin
shpërfillës ndaj fatit të miqve dhe shokëve të tij), por koha e gjatë
prej njëzet e tre vjetësh nën trysninë, jo vetëm psikologjike por edhe ekonomike
e fizike, bëri që edhe ai të “ndikohej” nga fryma e kohës e “hakmarjes” e adresuar te personat shkaktarë të vuajtjeve
të tij. Është një fenomen i njohur
psikologjik: një njeri me personalitet të spikatur e kulturë të lartë, kur
detyrohet të jetojë në një ambient ku dhuna është e pranishme në gjitha poret e
jetës së shoqërisë dhe në të gjitha format, pas dhunimit, ai instiktivisht
kërkon që të largojë nga vetja ndjenjën poshtëruese të këtij dhunimi duke u
hakmarrë ndaj dhunuesit: “Andrea mori frymë thellë dhe iu drejtua
ambasadorit amerikan: Shkëlqesi! Më keni nderuar shumë sot… Por më falni …aty
në rreshtin e tretë është dikush që nuk duhej të ishte në këtë sallë, dhe as që
duhej ta kishte dëgjuar këtë muzikë! Syri i Nelson Andreas kishte pikasur në
rreshtin e tretë, tek të ftuarit, Rako Siranin”. Ai mendoi si shqiptar i
persekutuar (dhe jo si amerikan i dënuar në Shqipëri) se ishte parimisht e
drejtë që të kërkonte mos praninë e Rako Siranit , shkaktarin e vuajtjeve të
tij në atë sallon të ambasadës Amerikane ku ai, si i ftuar i veçantë bashkë me
të bijën dha një koncert recital me violinë, ndaj me siguri e ka befasuar
përgjigja e ambasadorit amerikan: “Pa probllem, pa probllem, - reagoi
shkathtësisht ambasadori…. U ngrit për kortezi nga vendi, i përshëndeti dy
violinistët, at e bijë, dhe kërkoi: Pa probllem, kjo është demokracia.
Vazhdojmë me programin më tej”. Do ti duhej për ca kohë një klimë e re, një
mënyrë e re jetese për të rigjeneruar këtë “shtypje të koracës” së tij, apo
edhe për ta flakur në harresë vetë koracën. Pasqyrimi i këtij ndikimi është
dëshmi e njohurive gjer në imtësi të psikologjisë së njeriut nga autori dhe kjo
e bën personazhin e tij shumë real.
III-Ka dhe një pamje
tjetër që e bën këtë roman një vepër të realizuar artistikisht: ai bën objekt të
trajtimit artistik shumë ngjarje historike të kohës, tradita dhe zakone tipike
të qytetit të gurtë, të fshehta që i dinin të gjithë, por që nuk i përmëndëte
askush, portrete personash të “gdhendur” si në gur etj. Të gjitha këto dukuri,
ngjarje e persona në fakt nuk janë dhënë
me synim që të evidentohen në veçanti, por shërbejnë si një “ambient” ku jeton
“historia” e trajtuar në roman. Pasqyrimi i tyre me nivel artistik nuk i ngre
ato në piedestal, por i afron si “bazorelievë” në bazamentin e monumentit
artistik të veprës.
Me artin e tij, si me
një hark violine Odise Kote ka prekur fijet më të holla dhe të padukëshme të
jetës duke na dhënë një muzikë të dhimbëshme gjer në asht në këtë roman të shkruar me një intensitet artistik, që të
krijon përshtypjen se ngjarjet nxitojnë
të përfundojnë shpejt, nxitimthi, si një
periudhë dhimbjeje, pa sqarime e hollësira të tepërta : “Sapo shputat e
këmbëve prekën tokën shqiptare, të ëndërruar prej kohësh, atë e ndalën. Pa më
të voglin shpjegim, dy burra të fuqishëm e zunë për krahësh, e rrëzuan barkas
në tokë dhe i hodhën pranga në kyçat e duarve... Më pas e ngritën si pupël,
pasi i hodhën thesin e xanës mbi kokë e hypën në Gazin 69 të degës së punëve të
brendshme”, ndërsa na paraqet brenda Gazit 69 të policisë personat që e kryen këtë veprim,: “Veç
shoferit, ishin dhe dy burra të tjerë të armatosur... Dëgjohej kohë pas kohe
një bisedë e shtruar dhe kolla e thatë e njërit prej tyre.... Tjetri ishte
hokatar. Rrëfente pa pushim histori fshati, me gracka dhelprash, pusi e
rrëshkitje burrash nga fiqiri, dredhka, rrëmbime nusesh dhe brinjarë...Të dy
pinin cigare të dredhur. Binte erë e keqe...”. Mjaftojnë keto dy vijëzime
portreti, për të njohur nivelin kulturor të policëve, por dhe për të parandjerë
zhvillimin “profesionist” të hetimit: “Kur
u kthjell disi pa se një gjatovino syskifter ishte ulur përballë. Hollak,
shufër lajthie, sikur kishte mbirë nga hija... Papritur kujtoi se ai vinte nga
skëtera. Gjatovinua syskifter e pyeti për emrin, familjen dhe arsyen; përse
kishte ardhur prej asaj Amerike në Shqipëri”. Do mjaftonte pyetja: “Pse
kishte ardhur asaj Amerike..”një formulim pyetje që e bëjnë zakonisht
njerëzit e paarsimuar të zonave rurale, miqve që bujtin nga qyteti: ç’kemi asaj
kasabaje? për tu bindur se dhe hetuesia përbëhej nga nëpunës pa qytetarinë që
kërkonte posti zyrtar. Më tej : ... e
afroi (karriken shën.im.) pranë tij dhe foli me një zë të shtrajtshëm, ...që
ngjasonte me tyrjelat e holla që futen imtësisht në vesh. “Të gjithë e kemi nga
një sekret... Të kthehemi tek ne të dy. Si thua? Heshtja tënde mund të na
kushtojë jetën të dyve. ...Një muaj më parë.... Më transferuan këtu në këtë
humbëtirë, në këtë moçal. Përse? Mos ndoshta një provë e re? Papritur u shfaqe
ti., dhuratë nga qielli apo mallkim? Ti do të jesh ose varri, ose shpëtimi im.
Le të mos i humbasim kohë njëri tjetrit.” Te këto tre rreshtat e fundit shohim portretin psikologjik të një hetuesi
sadist, që për tu ringritur në detyrë pas “ardhjes në këtë humbëtirë” kërkon
shpëtimin te kryqëzimi i “viktimës”, te thyerja, mposhtja, apo zbërthimi i tij.
Kuptohet që këta tipa janë ata që ngritën shkallare me kufoma për tu ngjitur në
karierë apo në shpëtim të vetes së tyre. “Tek kjo dhomë kanë hyrë me dhjetra
armiq të popullit. Kanë hyrë si luanë e kanë dalë si qengja. Mos e kërko fatin
e tyre. Mos e ndill. Ndjesa dhe falja janë një udhëtim i mbarë. Ndaj këtu do
zbrazesh. Do më thuash fije e për pe se kush të ka dërguar e për kë punon?”i
kërcënohet të arestuarit duke dëshmuar vulgaritetin qytetar, cekëtinë
profesionale dhe dhunën si mjetin e vetëm, jo vetëm të tij, por të një brezi
zyrtarësh policie që lemerisën gjithë popullin me vrazhdësinë shtazarake. Në
qoftë se dikush do hamendësojë për “gjatovinën syskifter”si për një rast të
veçantë, le të shohim hetuesin tjetër:“ E kishin zevëndësuar (gjatovinën) me
një shkurtabiq babaxhan, mustaqezi dhe kokë të madhe. Sytë i kishte të skuqur
dhe këmishën e mbante zbërthyer dy kopsa për të treguar gjoksin e gjerë leshtor...
dhe i pëshpëriste: Mos u tremb buçko. Pyetje rutinë. Më pas do kemi ca punë, po
do t’ja dalim. Si thua? ...Shkurtabiqi e shqepi në dru. Me ç’i erdhi
përdoresh.... Njëzet e shtatë mesnata të tjera rresht, që zgjatnin deri në agim”.
Le të shohim dhe një
skenë nga një ditë pune e të burgosurit Nelson Andrea: “Nuk ishte ngopur
plotësisht me ajër..., kur befas, m’u në fund të qafës hollake iu vërvit me
shpejtësi rrufeje kamzhiku i gjatë i Gërdhuqit. Sikur i preu damarin. Ai e
kishte përgjuar, i qe afruar tinës nga pas dhe pastaj i ishte turrur si bisha,
si bisha kur i turret presë së vet. “Imperialist, armik i popullit, qen - ishin
të uluriturat e mbushura me jargë të kapter Gërdhuqit. Kujt i bën shenjë ti,
kujt i jep sinjal? Kaq ta bësh dhëmbin. S’më ikën dot nga duart. Lëkurën do të
të rrjep” - nuk pushonin të goditurat me kamzhik dhe këpucët e rënda me
proka.... Kapter Gërdhuqi pushoi vetëm kur u lodh”. Dhe të mendosh se
Nelson Andrea në këtë prag dhune nuk ishte në ndonjë prag tentative aratisjeje,
përkundrazi ishte në një përhumbje muzikale pas stërlodhjes fizike nga puna e
rrëndë, pikërisht në momentin kur: “Nisi të fërshëllejë një melodi që si një
shpend i padukshëm, doli lehtësisht nga hapësirat e mushkrive. Sikur tingujt
mezi ç’prisnin ta shpërthenin kafazin e kraharorit e ta shtynin me duart e
padukshme shpendin, ta shtynin lart, lart, që ai të dilte prej andej dhe të
ikte pakthim, drejt qiejve. U ndje krejt pa peshë. Sikur do të fluturonte dhe
vetë”.... “Nelo Andrea doli nga zyra e komandantit të kampit Meleq
Hazënbeu më i gjakosur se sa hyri. Gjaku i shpërtheu nga të gjitha venat. E
kishte kuptuar përfundimisht se hapat për në zyrën e komandantit të kampit nuk
ishin ato që të conin tek një zyrtar shteti, por rruga që të çonte drejt e në
ferr”, atëherë sheh qartazi përballë njera tjetrës dy botë, dy kultura, dy
njerëz që “flasin në epoka të ndryshme” ndonëse janë bashkëkohës.
Artisti është më i
fortë se diktatura, më jetëgjatë se ajo, prandaj diktatura së pari godet artistët
dhe poetë, i burgos, i internon, u heq të drejtën e publikimit të artit të
tyre, sepse e di që arti, nëpër
rrugëkalimet e fshehta dhe të heshtura, ndez zjarrin e shpresës dhe mbi
mendimet si “dru të lagura nga frika”. Diktatura i vret artistët, por ajo nuk
ka fuqi të vrasë artin e tyre, pasi ky art
jeton edhe shumë dekada pas rënies së diktaturës, madje pikërisht në
këtë kohë, ky art ndrin si një kometë, e cila në vend të bishtit të zjarrtë ka
kujtimet e jetës dhe rezistencëss së
artistëve ndaj diktaturës.
Në kohën që kapterat
e burgjeve dhe kampeve ëndëronin dhe projektonin forma më “efikase” dhune ndaj
të burgosurve, ata përjetonin vizione të gjera humanizmi. Kështu, mqse atë ditë kishte përfunduar hetuesia e tij pa
ndonjë fajësi, Nelson Andrea kishte përjetuar një frymë mirësie e faljeje
kristiane: “Zoti nuk do që ca të qajnë më tepër e ca të qajnë më pak.
Fituesi le të falë. Falja nuk është kurrë frikë. Dhe i pushtuar i gjithi nga
mornica të holla mirësie, asaj dite me diell të ngrohtë, edhe kapter Gërdhuqin,
përbindëshin e pashpirt të kampit e shikonte disi me përdëllesë”, pa
menduar se me këto ndjenja ai dëshmonte “fitoren” dhe forcën e tij, sepse trimi
dhe i forti gjithmon fal, i dobëti vret.
Gjatë pushimeve në hetuesi përjetonte suksesin e tij të dikurshëm në
konkurimin: “...për një vend violinisti në orkestrën e madhe simfonike të
Bostonit. ...Fitoi. Prej gjashtë muajsh ishte njëri nga tre muzikantët e rinj
të Orkestrës”. “Ai ëndërronte shtegëtime të detajuara për shpirtin e
tij. Në vende të shenjta, të bekuara. Sepse gjithësia është brenda njeriut.
Njeriu i di destinacionet e veta. Por tani i ngjante se përbrenda tij ishte
bërë eklips, me kaq shumë terrinë, vetmi, përçudnim”, ndaj dhe rriste në
vetvete besimin se: “Një ditë do të iki nga ky ferr dhe do ti rrëfej botës
tmerret e mizoritë e tij” çka na
kujton At Zef Pllumbi dhe devizën e tij: “Rrno vetëm për me kallzue”.
IV-Jeta shqiptare e
kohës nuk linte asnjë njeri të merrte frymë lirisht dhe të realizonte dëshirat
e tij shpirtërore, ajo ishte një jetë e komanduar, e planifikuar, e kontrolluar
nga lart. Nga lart vinin tollonat ushqimore,
nga lart vinin të drejtat e studimit, që në shumicën e tyre s’kishin
asnjë qasje me pasionet e maturantëve, nga lart vinin emërimet në punë, nga
lart komandoheshin shijet e veshjes dhe të qethjes, filmat që do shiheshin e
muzika që do dëgjohej, pantallonat që do visheshin dhe stili i qethjes së
flokëve. Madje dhe dashuritë dhe martesat ishin nën suverjim, çdo dashuri apo martesë
me një vajzë apo djalë nga familje “me njollë në biografi” “njolloste”
dhëndërin ose nusen dhe familjen e tyre. Përgjithësisht ishte një jetë
monotone, me mangësi të theksuara gjer edhe te ushqimet bazë, një jetë që nuk
të frymëzonte dhe në rast se dikush do dilte jashtë kornizës të shoqërisë,
menjëherë do vihej nën suverjim.
Intelektualët dhe artistët ishin
shënjestra e parë e goditjes së vigjilencës së organeve policore. Lajmet mbi
arestime poetësh e shkrimtarësh, inxhinjerësh nafte e mjekë, heqje të drejte
botimi apo ushtrimi profesioni e botimi apo internime familjesh ishin bërë një
rutinë e përditëshme. Frika dyndej qyteteve më shpesh e më dëndur se mjegulla.
Nelson Andrea, ky
artist, pjestar i një prej orkestrave më të njohura simfonike në botë, gjëndet
papritur përballë strukturave të një shteti që hymnizonte kultin e dhunës.
Ishte shteti i diktaturës së proletariatit që “drurin” e kishte në fakt “direkun e anijes shtet” ku mbaheshin të gjitha “velat” e tij. Ndërkohë kujtojmë se
romani fillon në vitin 1967, kohë kur zhvillimi dhe përparimi i vendit kërkonte
nderimin dhe vlerësimin e intelektualëve për të drejtuar sektorët të jetës,
sepse një shoqëri që vlerëson dhe nderon artistët e intelektualët është një
shoqëri që punon për zhvillimin dhe përpraimin e saj. Mirëpo në Shqipëri, fakti që këta të rinj e të reja ishin
intelektualë i bënte ata të pabesueshëm për shtetin. Ishte në fakt koha e një
antagonizmi “de fakto” midis intelektualëve dhe nëpunësve “çerek të arsimuar” që kishin mësuar vetëm
shkrim e këndim nëpër kurset e përshpejtuara kundër analfabetizmit. Këta “çerek
të arsimuar” e ndjenin dhe e kuptonin
se përparimi dhe arsimimi i vendit do ti spostonte në vijën e dytë e të tretë
të drejtimit administrative, shtetëror dhe artistik, ndaj me arogancë,
servilizëm, spiunllëk, provokim dhe sidomos duke ushtruar dhunë psikologjike
ndaj artistëve dhe intelektualëve i rëndonin kohës së “tyre” për mos të ikur,
siç u rëndojnë balonave qeset me rërë për mos tu ngritur.
Thuhet se dhuna
fizike është “forca” të dobëtit, ku këtu përfshihen dhe të paaftit dhe “çerek
të arsimuarit”, që në këto vite quhen rëndom “analfabetë” sepse s’dinin asgjë tjetër veçse të lexonin
gazetën. Si të tillë ata kishin gjetur
mbështetje te dhuna, që e përdorin pa kursim kur ua lejonte posti zyrtar. Është
e tmerëshme dhuna që ushtrohet mbi intelektualët dhe artistët, është e
dhimbëshme, shkatëruese, sepse është e pamëshirrëshme. Kjo dhunë, veç arsyeve
të tjera mban brenda saj edhe inatin e analfabetit ndaj intelektualit, për
arsye se: vetë prania e intelektualit
dëshmon dobësinë e tyre të “fshehur”, jo në sirtarë tavoline pas së cilës ulen,
por në sirtarët e ndërgjegjes dhe kujtesës së tyre. Pse shteti u dha poste
drejtuese dhe fuqi ekzekutuese njerëzve të tillë, në vend që të vendoste në ato
vende njerëz të arsimuar është një nga arsyet që vendi ynë mbeti mbrapa në
gjithë fushat e jetës, ndërkohë që ishte
një nga faktorët që ndikuan në
rrëzimin me vonesë të komunizmit te ne.
Për të përballuar
presionin psikologjik Nelson Andrea “aratiset” nëpër kujtimet e tij të jetës
dhe dashurisë amerikane, aty ku rijeton lumturinë e “braktisur” prej tij për të
mbajtur një premtim apo amanet të babait. Këto kujtime i japin “ajër” frymarjes
së tij, por ja që “nuk jetohet vetëm duke marrë frymë, duhet ndjerë aroma e
jetës në çdo moment” (Samuel Lion). Këto kujtime i japin forcë për të rezistuar dhe i ushqejnë shpresën se
një ditë “do ikte nga ky ferr”. Këto kujtime, ku “rritej” shpresa, ishin si ca
“ishuj” të largët në mes të oqeanit të “frikës”. Aty zbriste Nelson Andrea dhe
jetonte jetën e tij. Ai bënte aty krahasimet mes dy jetëve dhe përpiqej që të
gjejë dhe në Shqipëri një copë jete amerikane, kryesisht me shokët e tij të
punës: Oto, Neri dhe Sadiku dhe më pas Lola dhe Margarita, por mëson se dhe
atje ishte i suverjuar, madje tmerohet kur i kërkojnë të denoncojë shokët e
tij. Në këto kushte, i rënë në “kurth”ai pranon në heshtje “urdhërat” e Rako
Siranit për një sërë vendimesh mbi jetën e personalitetin e tij. Pranon të “vetëquhet” nipi i tij, të
ndryshojë emrin në Nelo Andrea nga Nelson Andrea, pranon të martohet me një
vajzë shurdh-memece, viktimë e pafajëshme e fatit dhe shtetit, pranon të heqë
dorë nga profesioni i tij dhe të punësohet në skuadrën e fidanishteve dhe pas
burgimit të dytë, në atë të varrezave, pranon dhe hesht për çdo gjë që i thotë
Rako Sirani. Ai, në dukje shndrohet në një mekanizëm, që lëviz e jeton vetëm
nën kurdisjen e Rako Siranit. Veçse kjo “jetë e kurdisur” ishte për sytë e Rako Siranit dhe atyre që e
shihnin si “imperialist”, ndërsa për veten e tij, Pandorën dhe fëmijët mbrëmjeve ai mbyllej në kube dhe zbriste “parajsën
muzikore në tokë” me violinën Stradivari, atë violin që e mbrojti nga shteti si
flamurin që mbron në luftë ushtari besnik.
V- Duhet të pranojmë
se Odise Kote në rrëfimin dhe ballafaqimin e dukurive, mendimeve dhe kujtimeve
dëshmon një mjeshtëri të lartë krijimi për mënyrën e pasqyrimit dhe
kundërvënies së tyre, aq të gjalla. Kjo sepse ai e sheh dhe e shkruan letërsinë
si pjesë vazhduese të shpirtit njerëzor dhe jo si një produkt i mëndjes. Ca më tepër, në rrugëtimin e subjektit të
librit ai shënon datat e ngjarjeve si piketa kohore, si një kronikë që saktëson
ngjarjet: “Ditë e paharuar, 23 maj 1967. Avioni i linjës Vjenë - Tiranë ulet
në pistën e, rreth orës 23 e 18 minuta”,
“Në nëntor, gjashtë muaj pas arrestimit.., e zunë ethet e forta me
temperaturë të lartë” , “Kur u mbushën pesëmbëdhjetë muaj nga burgosja, ...Ishte
korrik. 9 korrik 1968.”, “Ora 2.30 minuta.Natë e ftohtë, me shi dhe erë “,
“Ishte shkurt, 14 shkurti, Shën Valentini”, “Ora 19.45 koha kur Nelo Andrea
hyri në kube”, “Në pranverë, në 27 maj 1980, në mesnatë...Nelo Andrean e
arrestuan”, ”Ora ishte e njëjtë, si e
herës së parë, 3.40 minuta. Ndjesë, 10 minuta më vonë se hera e parë” etj.
duke i dhënë edhe në formë librit një saktësi strukturore dhe korektësi kohore.
Odise Kote është një
penë e bukur letërsie, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë. Kjo ndjehet së
pari te dashuria me të cilën shkruan, dashuri me të cilën i tregon ato që
shkruan si përjetime ëndërrash. Kjo duket te bukuria artistike e ndërtimit të
fjalisë, që të ngjason me një ylber të shtrirë dhe ai nervi, oh ai nervi që i
përshkon tej e tej fjalët e ligjëratave, të bën të dridhesh si para dashurisë
së parë. Lexojeni romanin dhe përjetojeni dhe ju këtë ndjenjë. Odise Kote në fakt e dashuron letërsinë dhe
kjo është e dukëshme te ëmbëlsia dhe shpirtërimi i ligjëratave, gati si të folura me pëshpërimë,
thua se i dridhet zëri e zemra nga
emocioni si para vajzës për të cilën
ëndëron, kur flet si ”autor”, pa
tonalitet. Kjo sepse ai realisht ka
paraqitur botën e tij shpirtëore, shpirtin e tij në momente shpërthimi të “llavës
së frymëzimit”që vjen nga shpërthimi i “vullkanit të heshtur”. Thua se ai
vrapon e kërcen pas kësaj llave, rrëshqitjes të së cilës ja di drejtimin:
domosdo nëpër sokakët e Gjirokastrës.
Unë ju them se si
stilist Odise Kote është i veçantë në letërsinë shqipe, madje jo vetëm kaq, ai
e pasuron së tepërmi fjalorin letrar me fjalë dhe fraza, të cilat, ndonëse kanë
ngjyrën e “hirtë”, si gurët e kështjellave të hirtësuar nga vjetërsia e kohës,
çuditërisht në ligjëratat e vargjet e tij ato “çelin” petale plot ngjyra duke
pranveruar ambientin e hirtë dhe kuptimshmërinë e frazës. Shprehjet dhe fjalët:
“cërga të mëdha drite”, “krusmë mërzie”, “një teh kryeneç drite ”, “tejanë”. “Hollak”, “ kishte mbirë nga
hija”, “Ta dërgoj shpirtin në ferr dhe zemrën ta pjek atje në heshtje të
harresës”,. “Fol me të vdekurit, që të kuptosh të gjallët”, “Heshtja fryhej e
veshtullohej”, “egërshane”,” tejçim pëshpërime”, “Njeriu nuk ia mbath dot fatit
të tij”, “Lotët janë gjuha e heshtur e dhimbjes”, “Jazëk”, “qielli përvëlak”,”
sokakët shtrembaluqë”, “Rrokopuja dhe rrëmeti”, “popëla”,” të vjen anicirë”etj...
të cituara sa për ilustrim, flasin për
një njohuri dhe dashuri të autorit për fjalorin dhe shprehjet komunitare të
qytetit të tij, dhe lartësinë e tij artistike në përdorimin e suksesshëm të
tyre në një roman bashkëkohor. Madje mbi bazën e kësaj përvoje Odise Kote
krijon fraza që kanë formën dhe forcën e
shprehjeve të urta, rrahur në kudhrën e kohërave e që zbresin në tekst si rrufe në të
kthjellët dhe të befasojnë me dritën dhe shkrepëtimën e tyre si: “Zogjtë nuk e
ndërtojnë folenë në kafaz, që të vegjëlit e tyre të mos trashëgojnë robëri”, “Turpi
nuk të shëron. As të ndihmon të lash mëkatet”, “Rojtari heshti, u dogj
përbrenda si një perëndim”, “tradhëti që mbahej mbërthyer me njëmijë gozhdë për
të mos u shqepur”,” Qetësia që vinte nga pranimi. Nga dimensioni i pranimit të
gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit”, “Errësira nuk mund
ta dëbojë errësirën, vetëm drita mund ta bëjë diçka të tillë. As urrejtja nuk
mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm e vërteta dhe dashuria e kryejnë këtë mission”,
” Të fajësosh një gjarpër se ka dhëmbë helmues nuk është mençuri” etj.
Thuhet se për të
vlerësuar një autor, duhet të shihet fraza e nisjes së romanit, ngjyra dhe
tingulli i fjalëve. Në këtë aspekt nisja e romanit të Odise Kotes i ka ngyrën gri dhe tingullin e rëndë me disa
sekuenca lirike, kryesisht nëpër kujtimet e tij: “Nuk kishte si ta kuptonte
prej nga i vinte ajo krusmë mërzie. Gojën e kishte te mbushur me shije
hidhërimi. Në kokë i kumbonin fort tingujt e kohës së dytë të koncertit për
violinë të Bethovenit”. Kjo gri e stilit të tij, ndërsa është ngjyra
dominuese e romanit, kalon si një re e fundit
e dimrit që ikën, në qiellin pranveror që po hapet pikërisht në pasazhin
e fundit të romanit: “Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka
Nelo Andreas shqiptar, çdo grimcë e thërmijë nga trupi dhe jeta e saj, ishte
larguar përfundimisht. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan,
nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç
dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”, duke i lënë
vendin një stine të re në jetën e personazhit.
A ju kam thënë që
Odise Kote është gjirokastrit, që e do Gjirokastrën dhe ka marrë prej saj,
madje duke lexuar krijimet e tij të krijohet bindja se ai ai është krijuar nga
era e Malit të Gjerë dhe aroma e manxuranës e vasilikoit, nga gurgullima e Drinos dhe e qeshura e
vashave nëpër sokakë, nga mërmërima e plakave nëpër dasma dhe vaji i tyre nëpër ksodhe, trokëllima e
hapave djaloshare në Qafën e Pazarit dhe hieja e kështjellës si feste mbi krye
që i bën vend dritës së diellit në sytë e tyre. Më duket mua apo Odise Kote
është i dyzuar, qytetar dhe intelektual që mban strukur në një xhep të zemrës
dhe kujtesës jetën, etimologjinë dhe psikologjinë e djeshme të qytetit. Duket
sikur është arshivë, por në fakt ai është gjirokastrit i ditur dhe i talentuar.
Shumë herë, mjafton
një fjalë e tij për të dhënë një portret njeriu apo të një kohe. Fjala turke
“sakën” të cilën autori e “shpjegon” artistikisht si : “fjalë turke me
mister dhe fuqi të çuditshme. Ngrin, stepesh sa e dëgjon... përdoret
gjerësisht. Fjalë - kod, kyç. Ngjan me një prizëm ku bien gjithë lutjet,
kërkesat, dëshirat, trillet, veset, mëshira dhe të gjitha thyejnë kokën në
brinjët e mprehta, të thepisura, tehe që s’falin” , dhe për të cilën unë do
shtoja : “fjalë që tregon një urdhër për
stopimin në vend të dëshirave , nismave, ëndërrave dhe çdo mendimi të ri”, por
që dëshmon faktin se shoqëria shqiptare ishte ndalur në “mesjetën turke”dhe
psikologjia e shtetit ishte një psikologji mesjetare. Kjo fjalë tipizon edhe
vetë personazhin që e përdor aq dëndur, Rako Siranin sa që atë normalisht mund
ta quash thjesht : “shoku sakën” dhe me këtë
fjalë e ke dhënë me ngjyrat e duhura portretin e tij. Një fjalë është,
por gjeografia e kuptimshmërisë së saj kërkon një fjalor të tërë për tu treguar.
Gjuha e të folurit
komunitar sa ka bukurinë, filozofinë dhe
tingëllimën e fjalëve tipike aq ka edhe rrezikun e një fjalori uniform që
përdoret nga një libër te tjetri, nga proza në poezi. Mjeshtëria e autorit
është pikërisht mënjanimi i krijimit të një të shprehuri uniform në gjithë
krijimtarinë e tij. Të kuptojmë se: lulet që çelin në një lëndinë janë të
gjitha lule tipike lëndinash, por ato nuk janë lule njëngjyrëshe dhe as të
parcelizuara sipas ngjyrave. Aq më pak janë të njëjtat në të gjitha lëndinat. Ashtu si çupkat zgjedhin lulet që i lidhin
kurorë, për ti mbajtur në kokë në lodrat e tyre
nëpër këto lëndina, apo lulet që
i mbledhin në tufa dore dhe i marin me vete në shtëpi, ashtu dhe autori përzgjedh
fjalët dhe frazat tipike komunitare për ligjëratat dhe vargjet e tij, duke u
çfaqur gjithnjë sa origjinal aq dhe i
“shumëngjyrshëm”.
V-Me një dendësi
bërthame ku struket jeta e një peme të ardhëshme, Odise Kote përshkruan
ngjarjet e jetës së qytetit të gurtë, duke ravijëzuar doket, zakonet dhe
kulturën, humorin dhe humanizmin e banorëve të thjeshtë: “Mbledhje tek
brigadier Bariu:
-
Shokë ... nuk jemi vetëm. Kemi në krah Republikën Popullore të Kinës. Kina
është me ne.
- E
ç’na ka Kina ne? - s’u përmbajt Dikja - aq grurë sa hanë minjtë në hambar të
një anije, aq grurë do Shqipëria. Shpëtuam! Veç atyre që tha brigadier Bariu,
kam dëgjuar se Kina do të na sjellë edhe copa doku, dok more dok, dok. Dok për
pantallona. E dini ju sa e madhe është Kina?
-“Domethënë
- e prishi dedikatën e tij Oto - tani kemi aleatë edhe Valarenë dhe Kinën”...E
pra, të barazosh si “aleatë” të Shqipërisë Valarenë, një fshat i vogël në Gjirokastër me Kinën, vetëm
shurdhi nuk e dëgjon ironinë.
“Prishja( e
kishave) paraprihej nga tubimet e zgjeruara të grave e vajzave. Ato diskutonin
me zjarr ligësinë e zakoneve prapanike dhe helmin reaksionar të besimeve
fetare. Rrokopuja dhe rrëmeti nuk ndalej. Si të mos mjaftonte ky rrëzim, disa
kisha mesjetare u shndërruan menjëherë në vatra kulture. Kërcim dhe hare. Disa
të tjera u bënë hambarë të misrit dhe fasuleve”pasqyrohej “nisma e rinisë”
për prishjen e kishave dhe xhamive.
Me një muzikë : “...prej
tingujve të ç’akorduar, atyre tingujve që binin si me dhunë në veshët e njeriut
nga fillimi deri në fund, pa asnjë ndryshim, pa asnjë ndalesë. Ishte e
panatyrshme mënyra se si luanin. Ngjante se ishin nën një nxitje e shfryrje
shtazarake, të çuditshme, të panatyrshme, për ta dërguar zhurmën e tyre (për
muzikë as që bëhej fjalë), nga kreu në fund, edhe pse ishte dukshëm blasfemi,
në timpanët e qytetarëve mjeranë” shoqërohej dita festive e votimit.
Me një dendësi
kuptimore fjalësh për situatën e ankthshme: “I ngjante se kudo e vështronin
tinës, sikur i kërkonin llogari: Akoma jashtë je ti? Miqtë e tu u arrestuan. Po
ti të paskan harruar apo …”? “Moj, mos e kanë lënë gjë për pranverë? Ku
harrojnë këta!” autori jep
atmosferën qytetëse në periudhën e luftës kundër liberalizmit dhe
ndikimeve të huaja, duke arritur majat më të larta të ironisë popullore te
zbulimi i grupit armiqësor në ushtri: “Në qytet kishin nisur arrestimet...
arrestimet e asaj vjeshte.... Po arrestoheshin ushtarakë të Divizionit
Labëria.. Midis të arrestuarve, thuhej se ai që qenkish “koka” e grupit
armiqësor ishte dhe një ushtarak veterinier... Ai rriste dhe stërviste kuaj
parade. Kuajt, u tha në aktakuzën publike nuk stërviteshin sipas platformës
kineze, siç dhe ishte urdhëri, por vazhdonin me metodikën e vjetër sovjetike.
Nga ky moskuptim i qëllimshëm i direktivës, kuajt e paradës ishin nervozë dhe
nuk para mbanin vithe. Ato rrezikonin ti hidhnin hopa - me bythë përpjetë
gjeneralët e kolonelët e ushtrisë”, por menjëherë pas këtij humori të zi
vjen si një ulërimë paragrafi tjetër: “Ndaj
familjes së tij u veprua menjëherë, egërsisht. E “zhdukën” nga faqja e dheut”.
VI-Ka një personazh
romani i Odise Kotes që mund ta cilësojmë pa frikë si një ndër personazhet më
të realizuar në letërsinë shqipe bashkëkohore, ka një Rako Sirani që nuk e ka
asnjë krijim letrar. Një njeri i rëndomtë, ish punonjës i seksionit të
sekuestrimeve të floririt të tregëtarëve të periudhës së luftës, punonjës
arshive në Komitetin Ekzekutiv, pra ky Rako Sirani ju paraqit Nelson Andrean te
porta dalëse e burgut si një : “Engjëlli që e priti përjashtë”duke e
sqaruar se ishin “kushërinj të largët nga ana e nënës”. “Unë e di
ç’hoqa të rregulloja lirimin me kusht”i thotë Nelsonit si argument
përfundimtar bindës, sikur ti thoshte që “jetën ma ke borxh mua” dhe vijoi: “Ta
thashë që në fillim të kam nipçe! I njëjti gjak më solli këtu”! Për të
njohur nivelin kulturor mjafton të tregojmë se kur Nelsoni e pyeti çdo me thënë
lirim me kusht, pa të drejtë ushtrim profesioni, ai ju përgjigj: “Kusht i
vetëm i lirimit është se nuk do t’i biesh më qemanes, ja kësaj - dhe nxorri...
nga thesi i plaçkave violinën Stradivar. Të ndalohet dhe pikë. Punë e madhe!
Hahahaha” dhe kjo e qeshur tingëllon
si një e qeshur triumfi edhe ndaj shtetit. Rako Sirani ja hedh edhe shtetit të
tij, kur ja do interesi.
Misterin e ndihmës që
Rako Sirani i afron Nelson Andreas
sqarohet pa dashje nga vetë Rakua kur i thotë: “Unë do të ndihmoj jo vetëm
se të kam timin por e kam dhe detyrë shteti”. Ne që e kuptojmë se çfarë e
si qenë këto detyra shteti na mbushet
trupi me mornica. “Do shikoj mos të nxjerr dhe një pasaportë të re
shqiptare. Mbase të ndërroj dhe emrin se ky që ke, … bie erë amerikanizëm. Do
na hapësh punë. Mbiemrin mbaje siç e ke.” vijon Rako Sirani të paraqesë
platformën e tij ndaj “nipçes” duke treguar dhe
rrugën e “zbatimit”: “Mos e vrit mendjen. Ç’i qi t’ëmën! Shko vish
teshat e reja që të kam blerë se do të dalim në qytet. Dhe sakën, sakën: Gojën
me kyç”!
Rako Sirani përfaqson
ata nëpunësit e vegjël të shtetit, që pa arsim e kulturë, por me një shkathtësi
veprimi që “nxjerr dhjamë nga pleshti” ju ngjitën pushtetit siç u ngjiten disa
miza afrikane gjedhëve. Këto miza
thithin gjakun e gjedhëve për të jetuar, por në rast rreziku ato largohen me
shpejtësi prej tyre dhe zhurmojnë rreth sulmuesit, duke i paralajmëruar në këtë
mënyrë “ushqyesit“ për afrimin e “armikut”. Kjo formë bashkëjetese quhet
“simbiozë”. Shteti mbante në simbiozë
njerëz-“miza” të tilla që i thithnin “rrogën”për tu ushqyer dhe si
shpërblim këto “miza” zhurmonin rreth
njerëzve që nuk e donin shtetin. “Jam arkivist në Komitetin Ekzekutiv të
qytetit, por punoj dhe atje - dhe uli tonin kapardisës të zërit - punoj dhe në
Degën e Brendshme si shifrant. Më thërrasin herë pas here” i pohon Rako
Sirani Nelson Andreas kinse me sinqeritet, por në fakt me përllogaritje gjer në
imtësi, për ta frikësuar që të mos revoltohet ndaj tij.
Për nga niveli i inteligjencës që kishte, Rako Sirani
kryente veprime të vogëla, por duke i bërë publikisht, ky publicitet u jipte
dimensione të “mëdha” dhe e paraqiste autorin si një nismëtar kurajoz dhe besnik i partisë: ..“Si
përherë në ballë shoku Rako!
-Vota
jonë plumb për armikun. Të rrojë Partia. Të rrojë pushteti i popullit! - pas
kësaj ngrohtësie shtirakelëngëre që të sillte të vjellën në grykë, një tjetër
anëtar i komisionit u ngrit dhe i afroi një fletore - listë me emra”.
-
“...në skenë u ngjit Anusheja, marrukja rome me dekolte ekstravagante e sisët
plot, ..Në të vërtetë ishte çasti kur në dokumentar udhëheqësi nga tribuna e
fitoreve hidhte lule mbi popullin dhe marrukja Anushe tërhoqi mikrofonin e ia
nisi avazit: Këndo o bilbil, këndo /
topemadhiinënës -o …!Por atë çast, ai
(Rako Sirani) u lëshua si zhgabonja ... duke ia rrëmbyer mikrofonin nga dora.
Pastaj e përmblodhi hopa dhe e zbriti pa një pa dy përposh shkallëve”.
Janë këto veprime
publike që ja “rritin”vlerën Rako Siranit në sytë e atyre “atje lart” dhe i
japin guxim dhe shtysë për tu ngjitur “më lart”. Emërohet sekretar i komitetit të partisë për artet,
kulturën e propagandën me detyrë që e kupton si: “Jam për të mos lejuar
pinjollët e borgjezëve e pasanikëve që të hyjnë në art”. dhe më pas
emërohet në ministri.
Në qoftë se mendohet
që qëllimi i Rako Siranit në jetë është bindja politike, kariera partiake apo
administrative, ky mendim buron nga veprimet e dukshme të tij, ndërkohë që ai
si objektiv ka ...”floririn”. Duke punuar në seksionin e sekuestrimeve të
floririt tregëtarëve të pasur, në vitet e para të pas luftës ai njohu pasurinë,
forcën e pasurisë dhe synoi në jetë pikërisht këtë pasurim. Gjatë sekuestrimit
te familja e Kristaq Bukëvallës tenton të krijojë lidhje dashurore me të shoqen
e tij, për të aritur më pas te floriri i fshehur. Këtë qëllim ka edhe
organizimi prej tij i martesës së Nelo Andrea me Pandorën, vajzën shurdh-memece
të Bukëvallëve, e cila do trashëgonte pasurinë e tyre. E papritur dhe dështim
për Rako Siranin në këtë plan ishte dashuria që lindi natyrshëm mes Nelo
Andreas dhe Pandorës, para së cilës u ndje i pafuqishëm. Vajtja në Ministri i
dha mundësinë që të njihte situatat politike rajonale dhe botërore dhe kuptoi
se erdhi koha që ta braktiste “kalin” e mëparshëm. Kjo është arsyeja që u ndodh
në pritjen në ambasadën amerikane, përballë me Nelson Andrean, duke na dëshmuar
një nga arsyet e shumta pse shumë ish funksionarë e punonjës dikasteresh të
kohës së monizmit u pozicionuan djathtas në politikë, duke i shkaktuar vendit
një tranzicion të stërgjatur.
Rako Sirani është
personazhi më i realizuar, por duhet të pranojmë se personazhi më shpirtëror
është Pandora shurdh-memece që dashuroi
Nelson Andrean dhe luftoi të mbrojë dashurinë e saj. “Dashuri mes dy
njerëzve nuk matet nga numëri i fjalëve që ata shkëmbejnë mes tyre”-thotë
diku Milan Kundera. Në kët kontekst unë do kërkoja mirëkuptimin tuaj që të
shënoja pranë thënies së tij se: Dashuri nuk matet as nga numëri i puthjeve që
shkëmbejnë partnerët. Dashuria matet nga vlaga e zjarrit që ndezin në shpirtin
e njeri tjetrit, nga besimi që mbjellin e rritin në zemrën e njeri tjetrit. Dashuria
matet me ballë tërmeti që shkakton në
shpirtin e secilit afrimi i rrezikur te
njeri prej tyre. Dashuria është ëndër, është ëndër, është e vetmja ëndër që të vjen dy herë në
jetë. Dashuria është dhimbje, është dhimbje që të godet rrëshqitazi në brinjë e
të meh frymën, të mbledh stomakun sa një grusht, të arratis gjumin nga sytë e
ta vonon agimin e ditës së re. Dashuria është vetëflijim, që si një çafkë
ngrihet lart, lart, klith si në një lamtumirë e zhytet thellë në det. Nuk del
mbi valë përsëri, ndoshta është shndruar në një peshk, sepse s’duhet të
humbasë, s’duhet të vdesë kursesi. Nga mënyra se si e përshkruan Odise Kote
dashurinë e Pandorës dhe të Nelsonit ndjejmë dhe kuptojmë se është një
dashuri e përfshirë në një roman dhe jo
një roman që ka të shkruar një histori dashurie.
Në kohën që Rako
Sirani gruan e tij e quan dhe e trajton si një “shkurre”, Nelson Andrea gruan e
tij shurdh-memece nisi ta njohë e ta dojë “si gruan e tij” në kuptimin e plotë
të kësaj fjale, pasi ishin të dy nën një rrezik dhe në kushte minimale jetese.
“Do puthemi me buzët që kemi” thotë një shprehje niviciote me një kuptim
shumë më tejë se puthja e mirfilltë e dy njerëzve.
Njerëzit e vuajtur që
i bashkon fati e njohin njeri tjetrin, kur shohin se ata (njerëzit që
dashurojnë) ecin në jetë dhe prania e tyre, për arsye objektive bëhet pengesë
për një ecje të mëtejëshme, ata vetëflijohen dhe largohen nga jeta e njeriut që
duan duke e lënë të lirë në ngjitjen e tij: “..ajo... Iku ndoshta në vijën e
saj të yllësisë. Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo
Andreas shqiptar,. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit
amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar,
ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”.
Ky vetëflijim nuk
është në legjenda, këtë vetëflijim e bëjnë
vetëm ato gra që përjetojnë dhimbjen dhe dashurinë e vërtetë, si e urta
Pandorë.
VII- Romani
“Amerikani” i Odise Kotes është nga ata libra që sado të shkruash dhe të
flasësh për ‘ta, ke gjithmon diçka të re për të thënë.
Sarandë,
më shtator 2022