Kulturë
Dorian Koçi: Dera fisnike e Aranitëve
E shtune, 01.10.2022, 07:18 PM
Dera fisnike e Aranitëve
Nga
Dorian Koçi
Arianitët
qenë një familje fisnike zotërimet e së cilës shtriheshin përgjatë luginës së
Shkumbinit. Në lidhje me zotërimet e Gjergj Arianitit ka versione të
ndryshme.Në një burim të Muzakajve thuhej se Gjergj Arianit Komnen Topia ka
qenë zot i Çermenikës, i Mokrës e i Shpatit. Një burim tjetër citon se pronat
origjinale të kësaj familje ishin në në fshatrat reth e rotull Kaninës,
Gjirokastrës dhe Beratit (1506). Kjo e dhënë na vjen nga pjesa e islamizuar e
familjes Arianiti. Pas betejave të Skënderbeut pushtimi otoman u duk se ishte i
pashmangshëm. Një degë e rëndësishme e famijes u largua për në Itali kurse një
pjesë tjetër mbeti në Shqipëri. Dokumentet përmendin Mahmud bin Aranid, i cili
u bë sanxhakbej i Himarës, që shtrihej
përgjatë bregdetit të detit Jon. Duket se Mahmudi ishte djali i tretë i Gjergj
Arianitit me gruan e tij të dytë italiane.
Djali i Mahmud bin Arianitit i quajtur Ali Bej që zotëronte fshatrat
rreth Kaninës, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës u bë sanxhakbej i Vlorës në
vitin 1522. Kjo paqartësi se cilat ishin zotërimet origjinale të familjes
Arianiti vazhdon të mbetet ende e pranishme në studimet historike.
Emri
i familjes së Arianitëve haset për herë të parë në shek.XI në veprën e Gjergj
Kedrenit Përmbledhje Historish.Në burimet historike krahas mbiemrit Arianiti
kjo familje fisnike përmendet edhe me mbiemra të tjerë si Komneni, Golemi,
Topia, Shpata e Çermenika. Arianitët kishin simbolet e tyre. Stema e Arianitëve
është e kaltër me një shqiponjë të artë dykrenore, krahëhapur. Stema shoqërohet
me motivacionin: “Komino i derës së zotit Retini të Shqipërisë mbi Skuteri, zot
në anët e atij vendi, i cili u pranua dhe u bë anëtar i Këshillit të Madh,
sepse kështu iu duk me vend Sinjorisë(Venedikut) Sonë për ta nderuar dhe për ta
patur simpatizant tonin. Kjo u bë në vitin 1464”.
Barleti dhe burime të tjera dëshmojnë se Gjergj Araniti, pinolli më i shquar i kësaj familje ishte një nga krerët kryesorë, që mbështeti Skënderbeun në Kuvendin e Lezhës.Ai ishte përkrah tij edhe gjatë kryengritjes së përgjithshme anti-osmane, që ndërmorën shqiptarët nën udhëheqjen e tij.Nga Aranitët vinte Donika, e shoqja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.Aranitët sunduan në viset kyçe të Shqipërisë, në rrugët dhe luginat kryesore të Shqipërisë së mesme rrugën e Drinit, hyrjet në Shqipëri nga ana e Ohrit dhe e Dibrës etj.Në fillim të shek. XV Gjergj Arianiti ishte ndër të parët prijës vendës, që ngriti krye kundër pushtimit turk. Shkaku i kësaj kryengitje ishte fakti se Perandoria Otomane në kundërshtim me traktatin e vasalitetit filloi të vendoste spahinj nga Anatolia në tokën e familjes Arianiti dhe Gjergj Arianiti si kryezoti i familjes u dërgua tek Sulltan Murat II për tu ankuar. Sulltan Murati II refuzoi ti kthente tokat kështu që Gjergj Arianiti vendosi të fillonte rezistencën. Gjergj Arianiti, në bashkëpunim me feudalë të tjerë vendës arriti t’u bënte ballë turqve në verën e vitit 1432.Në dimrin midis viteve 1432-1433, Gjergj Arianiti theu përsëri trupat turke në luginën e lumit Shkumbin.Turqit, të komanduar nga Ali Bej Evrenozi, qenë dërguar nga vetë Sulltan Murati II. Fitorja e Shkumbinit u konsiderua në Europë si një fitore e madhe e Gjergj Arianit Komnenit.Pas kësaj fitoreje vërshuan përgëzimet nga Europa. Papa Eugjen IV, mbreti Alfons V i Napolit, perandori gjerman Sigizmund dhe Republika e Raguzës përveç urimeve, i premtuan ndihma Gjergj Arianitit. Kjo eufori nuk vazhdoi shumë, pasi në vitin 1435 forcat turke të drejtuara nga bejlerbeu Sinan Pasha e shtypën revoltën shqiptare dhe e detyruan Gjergj Arianitin të tërhiqej, duke u kthyer në vasal të sulltanit.
Emri
i Gjergj Arianitit mbijetoi dhe në muzën popullore të zonave të Librazhdit.Ai
haset në kujtesën popullore dhe me emrin Gjorg Golemi.Sipas kujtesës popullore
Gjorg Golemi ishte i lavdishëm. Gruaja e parë e Gjergj Aranitit quhej Maria,
ndërsa e dyte ishte një italiane. Mara
ishte nga dera e Muzakajve të Myzeqesë.Gjergj Araniti kishte 11 fëmijë:
8 vajza me Marën, gruan e parë dhe 3 djem me gruan e dytë, italianen. Prej tyre
njohim vetëm të dytin që quhej Kostandin.Pas vdekjes së babait të tij,
Kostandin Araniti iku 12 vjeç në Itali, ku bëri një karrierë të madhe. Në
veprën themelore për studimin e mesjetës arbëre, Breve memoria de li
discendenti de nostra casa Musachi të Gjon Muzakës, të shkruar në 1510 dhe të
botuar nga mesjetaristi dhe historiani Karl Hopf në Chroniques gréco-romaines,
Paris 1873,fq. 270–340, lexojmë se Angjelina Araniti , vajza e Gjergj Arianitit
e martuar me Despotin serb Stefan Brankoviç pati një vajzë Maria që u martua me
Boniface Paleologu III, Marquess of
Montferrat. Ata patën sëbashku dy fëmijë William IX (1486-1518), i cili u
bë Markez i Montferrat midis viteve 1494
dhe 1518, and John George (1488-1533) i cili u bë Markezi i fundit i
Montferratit, midis viteve 1530 dhe 1533. Gjurmët e Aranitëve si shikohet
shkrihen në fisnikërinë evropiane.
Tre pinjoj të Aranitasve, Moisi Golemi Komneni, Donika Kastrioti, Muzak
Araniti Golemi. Gravurat i përkasin autorit George Greblinger, në veprën e tij
“Ilustrime të vërteta të princëve turq të Kayser dhe Persian” ... Frankfurt: të
botuar nga Johann Ammon, në 1648. Në këtë vepër janë gdhendur, 47 portrete nga
THEODORE DE BRY. Botimi në gjermanisht i koleksionit të shkëlqyeshëm të
portreteve të sulltanëve osman nga Osman I (1258-1326) tek Murati III
(1546-1595) dhe figura të tjera historike si Skënderbeu, Tammas Khuli Khan dhe
Barbarossa.
Copyright
Dorian Koçi