Kulturë
Dorian Koçi: Imazhi i Arbërisë Mesjetare në Evropë
E diele, 04.09.2022, 07:42 PM
Imazhi i Arbërisë Mesjetare në Evropë
Nga
Dorian Koçi
Betejat ushtarake të Gjergj Kastriot-Skënderbeut
kundër osmanëve ndikuan në imazhin e
Arbërisë dhe arbërëve në Evropë. Ilustruesi i “Historisë së Skënderbeut” të
Marin Barletit, botimit të dytë në gjermanisht
është miniaturisti dhe piktori gjerman Jost Amman, (1539-1591). Gravura
më e rëndësishme e Jost Ammanit në këtë botim
të vitit 1578 të Frankfurtit është ilustrimi i një beteje të osmanëve në
muret e Krujës. Në një nga këtë gravurë kemi pasqyrimin e qytetit të Krujës si
një qytet mesjetar europian ku në sfond dallohen disa kisha, arkitektura
antike, tempuj me kolonada, ndërtesa monumentale me harqe dhe stil gotik, muret
me kontraforte, porta e madhe e hyrjes, në pjesën kulmore të kompozimit
gravuror mbi një tjetër kullë të rrumbullakët ngrihet pak i anuar në shtizë një
flamur i madh me shqiponjën dykrenare, flamuri heraldik i Skënderbeut.[1] Jost
Amman nuk ka qenë në Arbëri por nëpërmjet imagjinatës së vet përmes leximit të
veprës së Barletit pikturon një qytet të tipologjisë europiane të kohës. Ky vizatim
i Amman nën ndikimin e frymës humaniste përforcon një proces historik më të
hershëm që kishte filluar në territoret e Arbërit. Në brigjet e Adriatikut
lindor evolojnë qendrat urbane në qytete republika të cilat do të kenë një
tregti të zhvilluar por dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen
e qyteteve dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të
tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe
një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi
kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më
të shquar. Po kështu familjet fisnike ballkanase fillojnë të mbajnë anale dhe
kur botohen veprat e tyre më vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje
fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me
trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme
në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i
identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në
afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu
idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që
ushqehet rrugës dhe me mite të rinj.