Kulturë
Remzije Jashar Zekolli: Poema 'Prushi i Bukurisë' - magji e artit poetik
E diele, 04.09.2022, 05:57 PM
POEMA PRUSHI I BUKURISË – MAGJI E ARTIT POETIK
Anton
Nikë Berisha: “Prushi i Bukurisë”. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Botimi
i dytë i plotësuar, Gjilan 2018
Nga
Remzije Jashar Zekolli
Autori i shumë
veprave letrare e shkencore, Anton Nikë Berisha, në vitin 2018 i dhuroi
lexuesit botimin e dytë të plotësuar të poemës “Prushi i Bukurisë. Përsiatje
poetike për artin e fjalës[1]”.
Poemës i paraprin
një parathënie shkruar nga shkrimtari i njohur italian, Dante Maffia, me
titullin “Vepër me përmbajtje të fuqishme e me identitet të shquar”.
Si mendim prijës
për këtë vepër poetike autori ka vënë atë të Gjergj Fishtës për poezinë, ndërsa
në “Shënimin paraprak” sjell mendimin e Jeronim De Radës për të bukurën dhe
rëndësinë e saj.
Teksti i poemës
është shtjelluar në katërmbëdhjetë pjesë, ndërsa në vijim janë botuar punime të
disa shkrimtarëve të njohur shqiptarë dhe italianë për poemën dhe vlerat e saj,
si: Xhyzepe Naploletano, Sergoi Paolo Foresta. Albana Alia, Alessanndro Gaudio,
Sabit Rrustemi, Flavio Nimpo, Vincenzo Bruno dhe Prend Buzhala.
Njëri nga vlerësuesit
e kësaj poeme më plot të drejtë ka theksuar se ajo është një shtegtim mahnitës
në dhuntitë e mendjes, duke pasur parasysh fakti se lexuesi shtegton duke u
mahnitur me magjinë e vargjeve të poemës, e cila është një mozaik i të
shprehurit poetik për artin e fjalës. Poeti beson në të bukurën dhe në ndikimin
që mund të bëjë arti i fjalës. Në Shënimin paraprak autori thekson mes të
tjerash: Mund të thuhet se në të gjitha kohët letërsia shprehu qenësinë dhe
misterin e ndikimit të saj, që vështirë shprehet mirëfilli me fjalë. Gjuha
–fjala, përmes së cilës krijohet-shprehet e bukura, bënë thelbin e letërsisë.
Përmasa e magjisë poetike
Pjesë e librit
“Prushi i Bukurisë” janë mendimet e dy kolosëve të letërsisë sonë, atë Gjergj
Fishtës (nga shkrimi i tij “A janë të zot shqyptarët me u mbajt shtet n’veti”,
të botuar në revistën “Hylli i Dritës”, n. 3 në Shkodër 1913) dhe Jeronim De
Radës (marrë nga vepra e tij “Parime të estetikës”, botuar në 1861).
Në poemën “Prushi
i Bukurisë” na shpërfaqet një ngjashmëri me mendimin e atë Gjergj Fishtës për
poezinë: E per me i dhânë edhè mâa fuqië fjalës, lshon zânin(kanga), e zânin e
pëlqen me tingullim t’veglave t’kumueshme (muzika), e per me dishmue edhè mâa
plotnisht gzimin e shpirtit, nkcim i shndrron kâmët mas t’rames s’kangës e
t’muzikës (vallja). E kshtû leen Poezia. Mirëpo, në veprën e vet Berisha i jep
ngjyrim dhe thellësi asaj që e shpreh përmes një gjuhe poetike të zgjedhur,
duke theksuar dhe fuqinë magjike të artit në një përmasë të madhe:
Sa edhe këngën e shpendëve e bënë të tyre
Bukurinë e kaltërsisë dhe të fluturimit,
Edhe mendimi i
Jeronim De Radës: E bukura, kjo pjesë e ndritur shpirtërore na ishte dhënë ta
mbështesim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë të jep fruta të jap lule […] Kultivimi i
bukurisë paraqitet si kërkesa e domosdoshme, më e lartë se çdo vepër arti, dhe
ka një peshë të madhe për të mirën ose të keqen në jetën e njeriut, ndërlidhet
me vetë natyrën e tekstit të “Prushit të Bukurisë” dhe me mënyrën e krijimit të
së bukurës.
Në tekstin e
poemës është futur dhe rëndësia dhe simbolika e veprimit të bijës së madhe të
kombit tonë, Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, e cila u flijua për njerëzit më
të varfër, duke dëshmuar një dashuri të pazakonshme për njeriun, pa marrë
parasysh prejardhjen, racën dhe përkatësinë fetare.
Je dëshmi e qenësisë së heshtjes
Të lutjes së Agnjeze Bojaxhiut-
Që bota e quajti Nëna Tereze-
Kur i lutej Hyjit t’ia dhuronte hirin
Për t’i dashur njerëzit me dashurinë e Tij.
Në këtë poemë
autori përmend rëndësinë e Fjalës, që shpërfaqet dhe në Bibël, më konkretisht
në Ungjillin e Gjonit, ku thuhet: Në fillim ishte Fjala- e Fjala ishte me
Hyjin. E Fjala ishte Hyji….Prej saj u bë gjithçka.
Nga Fjala e
krijuar nga Zoti u krijua jeta, vdekja dhe gjithçka tjetër. Në Kuran Fjalën e
hasim qysh në fillet e tij: Lexo me emrin e Zotit tënd i cili krijoi. Fjalën e
ka bekuar Zoti, dhe ajo është krijuar nga hiri i tij.
Pikërisht kjo
Fjalë kur është poetike bëhet edhe më e vlefshme, siç dëshmohet nga teksti i
poemës “Prushi i Bukurisë”.
Folja “Je” mbisundon hapësirën në poemë
Folja “Je” zë një
hapësirë të dukshme në këtë poemë. Ajo na shpërfaqet herë në fillim të vargut
herë në brendësi të tij. Vetë fakti që folja jam në tekst paraqitet në kohën e
tashme flet se ajo do të jetë çdo herë deri në pafundësinë e jetës.
Je prush i heshtur që i ngroh
Pejzat e shpirtit që përherë gjakojnë
plimin e rrezeve në fillesë të agut,
kur vesa e mëngjesit edhe bimësia
zgjohen nga gjumi dhe nga ëndrrat
për t’u njësuar në ujëvarën e dritësimit.
Prushi nënkupton
vazhdimësi, pambarim; ai në heshtje i ngroh damarët e zemrës që shprehin
dëshirën e flaktë për të bukurën. Pra, Fjalia lartësohet edhe në kaltërsinë e
kreshtave.
Je jehu i zërit të shqiponjave
Që foletë i bëjnë në maja lisash
Për t’i lindur e rritur me dashuri të vegjlit.
Arti, e bukura dhe
bukuria i prapësojnë të këqijat në jetën e njeriut dhe shkaktojnë prehje
shpirtërore.
Je ilaçi që i prapëson të këqijat
Kur dhembjet përdhëmbëzohen ndjeshëm
Dhe me pahir synojnë të na gjunjëzojnë
Përball vetes dhe përballë të tjerëve.
Fjala është ilaç
që shëron plagët, qoftë kur ia themi dikujt, qoftë kur na e thotë dikush. Ajo
nuk di për hapësirë dhe për kohë; është e gjithmonshme.
Kështu ishe e kështu do të jesh-Mbretëreshe
Deri në pafundësi të kohëve.
Fjala është
mbretëri në letrën e bardh, kam shkruar në një nga poezitë e mia. Fjala do ta
sundojë botën deri sa të ekzistojë njerëzimi.
Në tekstin e kësaj
poeme lexuesi sikur ndien një lloj dialogu, ku trekëndëshi autori, teksti e
lexuesi gërshetohen. Në këtë mënyrë lexuesi hyn në magjinë e të bukurës të
shprehur përmes vargjeve të hartuar me një mjeshtri të rrallë.
E madhërishmja dhe Fjala poetike
Poema “ Prushi i
bukurisë” është vepë poetike, ku e gjitha i kushtohet Fjalës, e cila është
himni i të bukurës. Figuracioni brenda poemës na bën ta admirojmë më shumë
artin e fjalës së shkruar. Prushi ka simbolikën edhe të vazhdimësisë së jetës,
ku pas flakës prushi mbetet, por nuk shuhet, ngërthen ringjalljen e jetës.
Përtej harrimit e pate djepin-Bukuri
Kur njerëzit zunë dhe i përfituan Fjalët
i vunë njërën pranë tjetrës, i ballafaquan
me përkushtim e dije dhe i qëndisën
me aftësinë e mendjes, me ngrohtësinë e zemrës
dhe i përshkuan me dufin e frymësisë.
Vargjet e
lartcekura dëshmojnë për një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë të simbolikës
dhe të figuracionit të tekstit të pasur të veprës. Edhe atëherë kur mendon
dikush se Fjala është e harruar, djepi është ai që e rrit dhe lartësoi; ajo
është çelës i zbulimit të fshehtësive. Fjala, arti dhe bukura kanë cilësinë e
prushit, që nuk fiket, por na dhuron ndjenjën e fuqishme për të bukurën; na
dhuron pamje mahnitës netëve, po dhe në përfytyrimet tona.
E tërë poema është
shprehur në vetën e dytë njëjës duke i paraprirë disa vargjeve me foljen je e
cila është thelbi dhe udhërrëfyesja e poemës.
Akrostiku mahnitës i poemës
Një përmbyllje
mahnitëse të poemës “Prushi i Bukurisë” e bënë akrostiku me vargjet e para të
katërmbëdhjetë njësive tekstore. Fjala e bukur ta shuan etjen, të sjellë
pasurim dhe prehje shpirtërore. Njeriu ka e do të ketë nevojë për fjalën
poetike si sot ashtu edhe nesër, deri në përjetësi.
Udhërrëfyese je që bukurinë e mbëlton.
Fjala është
dhuratë, udhërrëfyese që rrezaton magji, dashuri dhe mirësi. Kjo poemë na fut
natyrshëm në magjinë a artit poetik dhe si e tillë lexohet dhe përjetohet
thellësisht.
Vushtrri, korrik 2022
[1] Botimi i parë dygjuhësorë Anton
Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il
fulgore della bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola. Traduzione
in italiano Albana Alia. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2014.