Kulturë
Driton Gashi: Një pasurim i kujtesës sonë kolektive
E premte, 02.09.2022, 07:39 PM
Një pasurim i kujtesës sonë kolektive
Nga
Driton Gashi
„Njerëzit
në Kosovë janë shumë të dashur, mikpritës dhe kanë shumë aftësi komunikimi. Më
vjen keq kur lajmet nga Kosova në të shumtën e rasteve kanë një konotacion
negativ“- pohon me mirësjellje Mechthild Henneke, gazetare dhe autore gjermane.
Vitin e kaluar ajo botoi romanin e parë me titull „Ach, mein Kosovo“ (Ah,
Kosova ime) në Gjermani, i cili tematizon luftën në Kosovë gjatë periudhës
1998-1999.
Bazuar
në ngjarje të vërteta, por edhe me elemente letrare trillimi, autorja ka
zgjedhur si personazh kryesor një shqiptar nga Kosova, i cili në fillim të
viteve nëntëdhjetë emigron në Gjermani dhe me gjithë sfidat dhe vështirësitë që
ndeshet, ia del mbanë të integrohet mirë dhe të fillojë studimet e mjekësisë.
Duke e përcjellur me shumë mall nga larg situatën e rëndë në atdheun e tij
Kosovën, duke u brengosur për fatin e familjes dhe kombit të tij, duke mos e
duruar më dhunën, varfërinë, përjashtimin nga jeta sociale, kulturore,
arsimore, diskriminimin dhe padrejtësitë nga pushtuesi serb, ai vendos që me
disa shokë t'i bashkangjitet forcave luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës.
-
Çfarë i nxit njerëzit të lënë rehatinë dhe mirëqenien në një vend shumë të
sigurtë e të pasur si Gjermania, për t'ju bashkangjitur një lufte çlirimtare në
një vend tjetër?
-
Cilat janë sfidat, me të cilat ata do të ballafaqohen gjatë luftës?
-
Sa është e fortë ndjenja e atdhedashurisë, sidomos kur nuk je në vendin tënd
dhe ai është në rrezik?
-
Sa ka ndikuar jeta në Gjermani në zhvillimin e personalitetit të personazhit
kryesor në roman?
-
Çfarë do të thotë të jetosh me dy kultura, me çfarë privilegjesh e keqkuptimesh
ndeshesh çdo ditë në raport me të tjerët?
Këto
e shumë pyetje të tjera autorja Henneke i shtjellon dhe i analizon me një sy
shumë të çiltër dhe studjues, me shembuj konkretë e me një gjuhë të pasur dhe
të kuptueshme. Duke shkruar me një qasje dashamirëse ndaj veçorive dhe fatit të
shqiptarëve të Kosovës, autorja i sqaron edhe ndodhitë dhe rrethanat historike,
të cilat si rrjedhojë kishin luftën e hapur në Kosovë.
Personazhi
kryesor vjen në Kosovë për të luftuar, por duke e parë nevojën dhe mangësinë e
furnizimit mjekësor dhe me përvojën e tij si infermier dhe student i mjekësisë
në Gjermani, ai fillon t'i trajtojë të plagosurit në luftë. Me ndihmën e dy
infermiereve ai kujdeset për raste edhe më të komplikuara mjekësore, të gjitha
këto në kushte shumë të rënda dhe të papërshtatshme lufte dhe me mëdyshjen dhe
pasigurinë e vazhdueshme, se a do mjaftojnë njohuritë dhe aftësitë e tija për
të marrë aq shumë përgjegjësi për shumë jetë njerëzish.
Vrasja
e shumë bashkëluftëtarëve dhe civilëve nga ushtarët dhe paramilitarët serbë,
ballafaqimi me njerëz të masakruar në shtëpi të tyre, vdekja e të plagosurve
nga pamundësia për trajtim më të mirë, mangësia e ushqimit, rreziku permanent
për t'u vrarë e shumë sfida tjera, protagonistin e romanit tonë e mundojnë
shumë emocionalisht e fizikisht. Edhe pas ndërhyrjes së trupave ajrore të
NATO-s dhe pas përfundimit të luftës, ai akoma nuk mund të shpreh gëzimin e
tij, duke i kujtuar viktimat e shumta, njerëzit e zhdukur, shkatërrimet e
papara si dhe pasigurinë politike, me të cilën Kosova do ballafaqohet edhe në
vitet në vijim.
„Ah,
Kosova ime“ hyn padyshim në radhën e atyre librave, të cilat që nga faqja e
parë të bëjnë për vete, të prekin aq shumë në emocion, sa që nuk ke më gjasa ta
lësh mënjanë e mos ta lexosh gjer në fund. Të rikthen në një periudhë kohore jo
aq të largët, e cila për ne shqiptarët është e mbushur me aq shumë dhimbje,
mall, frikë, por në anën tjetër edhe krenari për sakrificën e luftëtarëve tanë,
për atdhedashurinë si motiv kryesor, për lirinë si dhe për dashurinë dhe
solidaritetin ndaj njëri-tjetrit.
Autorja
Henneke ka jetuar dhe punuar në Kosovën e pasluftës, e ka mësuar gjuhën shqipe
dhe ka gjetur shumë miq atje, me të cilët edhe sot i ruan kontaktet. Librin e
saj e ka shumë për zemër, ashtu si edhe Kosovën. Kjo dashuri bie në sy që në
faqet e para, ku nga përshkrimet dhe hulumtimet shumë të detajuara për Kosovën,
kulturën e jetën shoqërore atje, vërehet se autorja me këtë libër ka për qëllim
informimin e drejtë të lexuesit gjerman për atë se çka ka ndodhur në Kosovë.
Për sensibilizimin e tij për këtë çështje, duke pasur parasysh disa fushata
mediale propagandistike, të cilat e shtrembërojnë të vërtetën dhe shqiptarët e Kosovës
i paraqesin si agresorë.
Librin
ju rekomandoj natyrisht lexuesve gjermanë, edhe atyre që shumë pak kanë
informata për Kosovën. Të gjitha do i gjejnë aty dhe të përmbledhura
mjeshtërisht. Edhe bashkatdhetarëve tanë në vendet gjermanishtfolëse do ju sugjeroja
ta lexojnë këtë rrëfim më ndryshe për luftën në Kosovë ose t'ju dhurojnë atë
fëmijëve të tyre dhe miqve gjermanë. Lexuesit shqiptarë, të cilët nuk e
zotërojnë gjermanishten, nuk do lihen në harresë dhe atyre do u jepet mundësia
ta lexojnë librin e përkthyer në gjuhën shqipe. Ai do botohet në Kosovë në
fillim të vitit 2023.
Për
të gjithë leximi i këtij libri do ishte një përjetim i veçantë, një pasurim i
kujtesës sonë kolektive, për të na rikthyer në mend se ku ishim, ku jemi e
cilat janë synimet tona për të ardhmen. Por edhe një apel për paqë, për më
shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit, për më shumë ndjeshmëri ndaj virtyteve tona
si komb liridashës.
Autores
Mechthild Henneke i uroj nga zemra shëndet dhe shumë suksese me romanin si dhe
me veprat tjera, që padyshim do vijnë së shpejti!
Mechthild Henneke
„Ach, mein Kosovo“
PalmArtPress
Berlin, 2021
380 faqe
ISBN-13: 978-3962580964
Çmimi: 25.00 euro