Kulturë
Dorian Koçi: Testamenti i Ali Podrimes
E enjte, 01.09.2022, 08:05 PM
Testamenti i Ali Podrimes
Nga
Dorian Koçi
Një
nga botimet më të hershme të poetit Ali Podrimja në Shqipëri ishin disa poezi
të tij një përmbledhje poetike të poetëve kosovarë “E di një fjalë prej guri”
në vitin 1971 Përmbledhja poetike ishte një antologji e poetëve më të mirë
kosovarë duke filluar nga Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti etj. që sillnin
një aromë të re modernizmi në poezinë shqipe që dhe vetë po përjetonte një
periudhë të tillë por që shumë shpejt do të ndryshonte dhe do ngurtësohej nën
presionet e artit të Realizmit Socialist. Titulli i përmbledhjes qe zgjedhur
nga një poezi e Azem Shkrelit, por e gjithë përmbledhja shprehte forcën
përfaqësuese të poezisë dhe artit të tyre. Hierarkia e artistike dhe e vlerave
është e çuditshme, sepse sa herë që kërkon të imponohesh vjen një moment që
koha të zhvlerëson dhe të jep vendin e merituar si ndodhi me plot bardë të
Realizmit Socialist në Shqipëri që sot kanë mbetur vetëm si shkrues të
zakonshëm në historinë e letërsisë, kurse arti i vërtetë përmes poemave të
Podrimes i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqipe.
Kosova në këtë përmbledhje poetike rrugëtonte drejt Shqipërisë , në nivel
artistik përmes vargjeve të poetëve të saj si e gurtë, e ashpër dhe e vuajtur
sepse të tilla ishin dhe vuajtjet e saj në përpjekjet për të formësuar dhe
ruajtur identitetin e veçantë mes federalizmit të sllavëve të jugut. Përmes
dhimbjes dhe pikëllimit shekullor të ndarjes me forcë nga trungu amë, vargjet e
poetëve të saj ishin sa vargje për bukurinë krenare të viseve shqiptare po aq
dhe vajtime për fatin e shqiptarit modern kosovar të ngujuar mes dy ideologjive
kinse të afërta bazuar në internacionalizimin proletar por që në thelb po i
bluanin identitetin e shqiptarit të Kosovës si dy mokra mulliri.
Filozofi
i lashtë Platoni në veprën e tij “Republika”, një traktat filozofik për mënyrën
sesi duhet ndërtuar shteti i përjashtoi poetët nga të gjitha funksionet
drejtuese duke pretenduar se me artin e tyre dobësojnë shpirtin luftarak të
qytetarëve, një gjykim që në fakt ka rezultuar të jetë një nga më të gabuarat e
tij pasi imagjinoni se çdo të ishte arti antik grek pa epopetë homerike të
Iliadës dhe Odiseut, art që për shumë shekuj u bë një art frymëzues i
ringjalljes shpirtërore të Evropës. Po kështu ringjallja shpirtërore e Kosovës
shumë më shpejt se demonstratat dhe lëvizjet e armatosura për pavarësi erdhën
përmes vargjeve të poetëve të saj ku mes tyre shquante poezia e Podrimes “Unë
biri yt Kosovë”. Vargjet e tij do të ishin gjithmonë në gëzimet dhe pikëllimet
e popullit të vet martir si një libër i hapur për cilindo që dëshironte të
njihte Kosovën. Podrimja ishte natyrë e heshtur, larg fanfarave dhe dritave që
poetët diletantë shpesh herë na mërzisin dhe bombardojnë nëpërmjet medieve por
arti i tij ishte i madh dhe merrte akoma më tepër jetë nëpërmjet zërit të butë
dhe meliodoz të tij. I gjithë brezi im i mësuar me një fotografi bardhë e zi të
zmadhuar të gazetës “Drita” të fundit të viteve 80 , fotografi që sipas të
gjithave gjasave ishte zmadhuar sipas klisheve të artit socialist për të
treguar se poeti është impozant dhe në jetën e tij private, u shtang në vitet
90 kur e pa për herë të parë poetin e famshëm me trupin e pakët dhe sytë e
drojtuar por me fjalën zjarr. Tek Podrimja dukej sikur qëllimisht fjala shqip
kish zgjedhur një njeri me trup të pakët për të mos trembur njeri sepse kumtet
shqiptare të fund shekullit të XX ishin të tilla që nuk mund të linin asnjë
njeri të civilizuar pa u prekur.
Fjala
shqip kish dy dekada që përmes artit të Podrimes fluturonte në qiejt evropianë
për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël që vuante nën një
regjim kolonial në fund të shekullit të dritës dhe në mes të Evropës. Shuarja e
tij, sepse të lashtët gjithmonë kanë besuar se poetët janë yje që shuhen dhe
fill pas tyre kombi ashtu si fëmijët mund të thotë një dëshirë, mund të kumtojë
atë që ai kish kënduar që në 1981 për Parisin se mbrapa do i lëmë pas shpine
netët ballkanike, vallet , këngët , baladat dhe vetëm fyellin do marrim ti biem
sa herë që do na rrokë malli . Rrugëtimi i kombit të tij për në Evropë pat
filluar që herët nga poezia e tij me trajektoren moderne të përcaktuar qartë se
pas do i lëmë mëritë ballkanike por kurrë s’do harrojmë identitetin tonë
nëpërmjet melodive tona të luajtura me fyell që për shqiptarët është instrument
magjik i vetëvendosjes së tyre, sigurisht jo “Fyelli Magjik” i Moxartit por ai
i melodive ilire dhe këngëve të Naimit.
Lamtumirë
poeti ynë që sa ishe gjallë na i kumtove të gjitha e tash e tutje sa herë duam
të njohim vetveten do rikthemi sërish te arti yt sepse aty do gjejmë vetveten
dhe të ardhmen. Në lajmin e fundit nga Podrimja u tha se shkaku i vdekjes ishte
dehidratimi, por unë s’besoj se poetët vdesin nga mungesa e ujit sepse ata janë
det fjalësh ku mund të lundrojë një komb i tërë, por poetët vdesin nga ëndrrat
e paralizuara dhe për këtë gjë nëse duam ta nderojmë deri në çastin e fundit le
ta bëjmë Shqipërinë e Kosovën se ky është amaneti i tij ashtu si kanë qenë
amanetet e poetëve tanë që nga Naimi e Fishta e me radhë.