Speciale
Albert Zholi: 2 Korrik 1990, historia e rrallë shqiptare, shqyhen dyert e ambasadave në Tiranë
E merkure, 06.07.2022, 07:40 PM
Mbi muret e përfaqësive diplomatike në Tiranë me thirrjet “Liri-Demokraci!” kaluan 4795 qytetarë.
2 Korrik 1990, historia
e rrallë shqiptare, shqyhen dyert e ambasadave në Tiranë
Pushkatimi i
Çausheskut, lëvizjet e Ramiz Alisë dhe historia e Shqipërisë totalitare
Mbi muret e ambasadave
në Tiranë kaluan plot 4795 vetë
Nga
Albert Z. ZHOLI
·Pushkatimi pa gjyq i
Çausheskut në Rumani, tronditi hierarkinë puniste shqiptare.
·Lëvizjet e R. Alisë
drejt Evropës e Amerikës ishin tejet të vonuara
·Vendet më të preferuara
Gjermania ku shkuan 3163 vetë dhe, në Itali 816
Dhjetëvjeçari
i fundit, 1980-1990, ishte për Shqipërinë totalitare një kohë kur socializmi
enverian nisi të hajë vetveten. Në përgjithësi, pas prishjes së marrëdhënieve
ekonomike-politike me Kinën e largët “peshqeshet” e kongreseve zhurmëmëdha për
mbështetje të plotë në forcat e veta nisën të zvogëloheshin frikshëm. Në vend
të hidrocentraleve gjigante mbi lumin Drin të ndërtuara më kredi kineze, në
vend të uzinave që duhej të bënin gjithçka për ekonominë të centralizuar. Në të
vërtetë, siç po shihet sot, eksperimentet e parimit të mbështetjes në forcat
tona, siç quhej, ishin fillimi i fundit të sistemit të socializmit
njëpartiak. Po shuheshin ngadalë entuziazmi dhe patriotizmi partiak,
po humbiste në terrin e harresës vetë figura e Enver Hoxhës, dhe kjo për
shkakun e vetëm, sepse shqiptarët po varfëroheshin me shpejtësi. Tentativat për
komunistizimin e jetës shqiptare parakohe, siç ishin kooperativat e tipit të
lartë, tufëzimi i bagëtive, centralizimi i skajshëm i gjithë ekonomisë, e shuan
interesin e njerëzve për të punuar, sikundër shuan mirëqenien e arritur.
Historira se si ishim në vitet ’40 dhe si jemi sot, nuk pinin më ujë, sidomos
në brezin e ri, i cili nuk e njihte fare periudhën e paraçlirimit, por as atë
të viteve ’50-60. Depërtimi i pamjeve televizive të huaja, sidomos televizioni
italian, liberalizimi i letërsisë dhe artit, politika mikro gorbaçoviane e
Ramiz Alisë, pas vdekjes së Enver Hoxhës, krijuan pështjellimet e para
ideologjike. U shtuan arratisjet, sidomos në Greqi, u prishën ekuilibrat e
edukatës komuniste, u ra vlera të ashtuquajturave organizata të masave, madje,
vetë Partia e Punës, më imponuesja organizatë në jetën e shqiptarëve, nisi të
neglizhohej. Kjo histori rënieje, ndonëse në përmasa e forma të tjera, po
ndodhte pothuajse në të gjithë lindjen totalitare. Nuk po e përdor termin
“lindjen komuniste”, sepse komunizmi nuk u arrit kurrë të vendosej në ato
vende. Bënte përjashtim në këtë “perandori” ideologjike Kina, e cila qysh në
fund të viteve ’70, u hapi dyert kapitalit të huaj dhe krijoi një
proces ekonomik të tillë, që i lejoi vendit më të madh të botës një
zhvillim të shpejtë. Kjo lëvizje, e cila u kritikua ashpër nga stafi i
komunistëve në Tiranë, i dha mundësi Kinës, jo vetëm të ecte përpara, por të
mos binte kështjella e saj, edhe sot, dhjetë vjet pas shkatërrimit të
komunistëve fanatikë evropian-lindorë.
Historia
e rrallë e Shqipërisë komuniste
Historia
e Shqipërisë totalitare, është një kapitull i gjatë, i cili do të kërkojë shumë
vëllime për historinë moderne të Shqipërisë. Por autori i këtyre rreshtave,
duke kaluar përmes atyre viteve dhe rrjedhojave të tmerrshme që ndodhën më pas,
nuk mund të mos nënvizojë faktin se, shkulja masive e trungut të shqiptarëve,
ishte me njëfarë mënyre diferenca ekonomike me atë botë, e cila gjendej shumë
pranë nesh, por për kushte të tjera historike, politike dhe ekonomike, kishte
krijuar një mirëqenie disa herë më të madhe. Por nuk do të thoshim gjithçka në
qoftë se këtë fatkeqësi kombëtare, siç e quajmë sot, do t’ia faturonim vetëm
sistemit e formave evasive ekonomike të tij. Ekzistonin dy botë, të ndara qartë
ekonomikisht e politikisht, dy rajone me civilizime historike të ndryshme, me
forma konkrete armiqësore ndaj njëra-tjetrës dhe shpenzime kolosale për ta
mundur sho-shoqin. Në kohën kur Enver Hoxha synonte të mbillte fushave e maleve
të Shqipërisë qindra e mijëra bunkerë të cilat, siç thoshte ish kryeministri M.
Shehu, vërtet kushtojnë një grusht flori, por shmangin lumenj gjaku, vendi më i
pasur i botës SHBA synonte të ndërtonin sistemin e ‘Luftës së Yjeve”, i cili do
të kostonte triliona dollarë. Jo më kot vendet më të varfra të Evropës së
shekullit të kaluar ranë nën ndikimin komunist. Rusia e para, një shtet kolosal
ku u ruajt bujkrobëria deri në prag të revolucioneve; pastaj Polonia e kaluar
dorë më dorë të imperatorëve evropianë, Çekia e Hungaria si skaje të
perandorisë së madhe austriake, Rumania, Serbia, Bullgaria, si periferi dhe
prapambetje të trashëguara nga otomanizmi shekullor, Shqipëria….më tragjikja e
Ballkanit! Bëri përjashtim vetëm Greqia.
Mbyllja
nga bota dhe presioni ekonomik e politik ndërkombëtar
Shqipëria
bëri vërtetë hapa të rëndësishëm ekonomik në tri dhjetëvjeçarët e parë të
pasluftës, por trashëgimia kulturore, superstruktura e shtetit, mbyllja nga
bota, liria e kufizuar e iniciativës së individit, por edhe presioni ekonomik e
politik ndërkombëtar, e bën atë plagën e Evropës. Pastaj ajo rezistoi edhe pak.
Pushkatimi pa gjyq i Çausheskut në Rumani, tronditi hierarkinë puniste
shqiptare. Lëvizjet e R. Alisë drejt Evropës e Amerikës ishin tejet të vonuara.
Tanimë fitimtari perëndimor ishte bërë i pamëshirshëm. Ai nuk falte më. Të
gjitha strukturat e shërbimeve të fshehta, të gjitha marrëveshjet ekonomike
formale, të gjitha segmentet shoqërore të quajtura “të deklasuara”, u nisën të
lëviznin sipas kaheve të tilla që duhet të çonin në eliminimin e sistemit të
socializmit totalitar. Në këtë plan të përgjithshëm perëndimor ishte edhe vetë
dyndja drejt ambasadave. Historia e ambasadave është quajtur veç formale, dhe
thjeshtë një zemërim i popullit shqiptar, veçanërisht i rinisë, për të thyer
kornizat e diktaturës. Në pamje të parë kështu duhej të ishte. Por le të
qëndrojmë pak më gjatë në këtë dritare të fillimit të emigracionit masiv, për
të kuptuar të vërtetat. Dihet nga të gjithë se më 12 dhjetor 1985 ora 11
gjashtë vetë të familjes Popaj, (katër motra dhe dy vëllezër) hynë në ambasadën
italiane në Tiranë, nga rruga Labinoti, duke i thënë policit se ishin turistë
italianë. Kjo ngjarje tronditi qysh në fillim opinionin shqiptar dhe themelet e
“pathyeshmërisë” së sistemit totalitar. Tani më jo duke prerë telat me korent
të gardhit kufitar me Greqinë, as duke rrezikuar mbytjen në kanalin e Korfuzit,
por ashtu thjeshtë. Përmbi kangjella dhe…ja në një botë tjetër. Duke qenë fare
pranë Qytetit Studenti ngjarja e Popajve pati efekte të mëdha psikologjike mbi
kategorinë më të pritur për liberalizëm. Shteti italian e pranoi sfidën
.Shqipëria zyrtare e rrethoi ambasadën italiane me roje të shumëfishuara dhe me
një shërbim që i kostonte qimet e kokës. U vunë në lëvizje shtete, organizata
ndërkombëtare që mbronin të drejtat e njeriut, u bënë deklarata deri në Kombet
e Bashkuara. Kokëfortësia e qeverisë shqiptare arriti deri atje, sa tanimë kontrollohej
çdo gjë që dilte e hynte në ambasadën italiane. Edhe kutitë e mallrave nuk
duhet të ishin më të mëdha se 50X50 cm. Marëdhëniet ndërshtetërore me fqinjin
më të afërt të periudhës pas kineze u bënë të akullta. Fundi…dihet. Presioni
ndërkombëtar fitoi. Ishte padyshim një matje pulsi për ngjarjet e ardhshme.
Kështu ndodhi që më dy korrik 1990 pothuajse të gjitha ambasadat e huaja në
Tiranë të çelnin dyert e tyre për ata që donin të iknin nga Shqipëria.
Ambasadori
gjerman mori në mbrojtje të “plagosurit”
Si
mund të flakej brenda një nate frika gati dyzetë e pesëvjeçare se arratisja
ishte tradhti, dhe tradhtia ishte një jetë e mjeruar edhe për ata që mbeteshin
pas? Dihet konstitucioni ndërkombëtar i territoreve të ambasadave. Ato janë
shtete brenda shteteve dhe cënimi i territoreve të tyre konsiderohet si cënim
kufijsh. Por për çudi asnjë ambasador i akredituar në Tiranë, të cilit i qe
“dhunuar” territori kombëtar nuk bëri ankesë pranë qeverisë shqiptare për
marrjen e masave në mbrojtje të ambasadave. Përkundrazi. Ambasadori gjerman
mori në mbrojtje të “plagosurit” rebelë, pa pranuar që ata t’i dorëzoheshin
drejtësisë shqiptare. Ditët e ambasadave gjithashtu do të kërkojnë analiza më
të thella me zbulim dokumentesh të fshehta. Por ngjarjet që pasuan më pas,
sidomos skenat e ngjashme si në Kubë, etj…tregonin se skenat e ambasadave,
(dikush preferoi të prishte dhe murin e jashtëm dhe me një ‘Skodë” të vjetër të
fuste me dhjetëra veta brenda). Pavarësisht se nga mjetet qeveritare shqiptare
të asaj kohe, këto u quajtën mësymje të ”bandave huligane”, në të vërtetë,
sasia e madhe e njerëzve që hynë në ambasadat e huaja atë korrik të vitit 1900
ishte e tillë, që ky term komunist binte vetiu.
Ne
nuk dimë akoma se kush ishin organizatorët, apo nismëtarët, siç thuhet rëndom.
Ato
ditë në ambasadat e ndryshme hynë e dolën së andejmi të mposhtur nga lotët e
nënave nëpër kangjellat e ambasadave), 4795 vetë. Nga këta për në Gjermani
shkuan 3163 vetë, në Itali 816, në Francë 549, për në Turqi 77, për në Poloni
52, për në Çekosllovaki 51, për në Jugosllavi 6, për në Egjipt 6, për në
Bullgari 5 etj. Më pas shumë prej tyre, sidomos atë të vendeve lindore, do të
mërgonin drejt SHBA, Kanadasë, Australisë e gjetkë. Të dhënat e fundit tregojnë
se shqiptarët kanë mbërritur edhe në Iran, Zelandën e re, e Argjentinë. Ajo që
bie në sy, është numri relativisht i vogël i atyre që hynë në ambasadën greke.
Çfarë ka penguar vallë atë kohë për ta injoruar një vend të TPE si fqinji ynë
jugor e të preferohej më tepër Polonia, Çekosllovakia e Hungaria? Mos vallë në
vallen e ambasadave u përfshinë më shumë qytetarë nga Shqipëria e Mesme dhe
Veriu i vendit, të cilët, tradicionalisht, nuk i shihnin grekët si mikpritës?
Këto raporte do të përmbyseshin më pas për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare…
Ambasadat
në Tiranë
Në
Tiranë, në vitin 1990 ishin të vendosura vetëm 17 përfaqësi diplomatike, 4
përfaqësi tregtare, si dhe 5 rezidenca e 4 pallate banimi, por vetëm 3 prej
tyre ishin ambasada perëndimore: RFGJ-ja, Italia, Franca, Greqia, Jugosllavia,
Çekosllovakia, Rumania, Turqia, Polonia, RDGJ-ja, Hungaria, Bullgaria,
Vietnami, Kuba, Kina, Koreja e Veriut, Algjeria, Ambasadori arab. Pasi
popullsia u dynd në ambasada të huaja dhe regjimi nuk mund ta përballonte
fluksin, ato u lanë hapur për disa ditë. Lëshimi i situatës ndodhi për pak
ditë, aq sa mund të krijonte mbushjen e menjëhershme të hapësirave të
ambasadave. Pas dyndjes në ambasadat e huaja, në bisedim me të dërguarin
e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, regjimi u detyrua të lejonte grupin e
madh të personave të dilte jashtë shtetit me statusin e kërkuesit të strehimit
politik. Nëse zgjateshin ditët më shumë, të mund të kishim shpërthim epidemish,
vdekje të më të dobëtëve, vdekje fëmijësh, etj. Nëse këto do ndodhnin, regjimi
nuk kishte ku ta çonte revoltën e pallogaritshme që mund të shpërthente. Për
pasojë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nën direktivat e Ramiz Alisë, nxori
dekretin përkatës, që normonte rregullimin e kësaj gjendjeje. Në zemër të
Tiranës ishin afërsisht 5 mijë persona që dashje pa dashje mund të bënin figurë
publike qoftë edhe me largim pasiv. Po për të shmangur çdo problem, regjimi
përgatiti largimin e tyre në orët e vona të natës. Dhjetëra autobusë me në krye
e në fund makina të policisë, i ngjanin një kortezhi mortor. Askush nga ata që
ishin brenda atyre autobusëve, në zymtësinë e asaj mbrëmje korriku, priste me
ankth fundin e kësaj historie. Qëndrimi në ambasada zgjati 11 ditë për ata që
hynë në datën 2 korrik e diçka më pak për të tjerët që hynë ditët në vijim. Pas
bisedimesh midis përfaqësuesve të regjimit dhe të dërguarit të sekretarit të
përgjithshëm të OKB-së, u vendos largimi i tyre, i pjesës më antikomuniste të
vendit, në shtetet perëndimore.
Reis
Malile thërret ambasadorët
Konkretisht,
më 2 Korrik 1990, paradite, Reiz Malile ka thirrur ambasadorët për t’i vënë në
dijeni se shtetasit shqiptarë do të ishin të lirë të venin në ambasadë për të
marrë viza. Në fakt, ky vendim do të ulte tensionet dhe do të plotësonte, sipas
rregullave nga vetë ambasadat, dëshirat dhe kërkesat e shumë shtetasve, që
kishin tendenca për të ikur. Në zbatim të këtij vendimi, kuadrot dhe shërbimet
tona ishin porositur që më 3 korrik hyrja për viza në ambasada të bëhej
normalisht, nga dera. Por, rreth orës l9.30 të kësaj dite (2 Korrik), një
automjet i rëndë me 34 persona, çau murin rrethues nga mbrapa ambasadës
gjermane dhe, duke rrezikuar edhe jetën e policit, hyri brenda. Ndërkohë, në
ballkonet e ambasadës dhe deri te muri i rrëzuar, kishin dalë punonjës të asaj
ambasade, të cilët i ftonin me dorë turmat e njerëzve në periferi, për të hyrë
në territorin e saj. Të njëjtën gjë bënin edhe punonjësit e ambasadës greke. Në
këto rrethana, në drejtim të këtyre ambasadave, nxitimthi u sulën turma të
organizuara. Jo më pak se 6000-8000 veta të irrituar, duke sulmuar me gurë
drejt policisë, po afroheshin drejt hyrjes së ambasadës greke,
Cilët
ishin të interesuar për 2 Korrikun
Për 2 Korrikun ishin të interesuar mjaft segmente, jashtë dhe brenda vendit. Kishte
nga ata që kërkonin përmbysjen e regjimit dhe që kishin qenë beniaminë të
njohur të partisë-shtet, të cilët me intuitën e tyre po e shikonin se atij
shteti “po i binin patkonjtë dhe tashmë donin të përvetësonin flamurin e
antikomunizmit, duke harruar se kishin qenë komunistët më sektarë e ndër më të
privilegjuarit. Për 2 Korrikun ishte e interesuar, veçanërisht, UDB-ja
jugosllave, e cila si gjithmonë, kur acarohej situata në Kosovë, kurdiste
ngjarje dhe incidente në Shqipëri. 2 Korriku i Kaçanikut, jo rastësisht
koincidonte me 2 Korrikun e ambasadave në Tiranë. Të gjitha segmentet e
interesuara, duke ditur se ambasadat janë pikat më të nxehta dhe krijimi i
incidenteve ndaj tyre, krijon situata ndërshtetërore nga më të rëndat, sa për
përputhje interesash aq edhe për llogari të veta, u bënë nxitësit kryesorë për
dyndjen drejt ambasadave. Ngjarja e 2 Korrikut 1990, megjithëse mori karakter
kombëtar e ndërkombëtar, nuk u analizua as nga sektorët përkatës të Ministrisë
së Punëve të Brendshme dhe as nga Drejtoria e Policisë, që mbajti barrën
kryesore për parandalimin e pasojave të paparashikuara. Pra, nuk u bë. Pse?
Vështirë është që të gjesh psenë e saj. Por, analiza profesionale e asaj
ngjarjeje do të evidentonte shkaqet e vërteta, të cilat do të shërbenin jo
vetëm për përvojën e policisë, por edhe për pasqyrimin me objektivitet të së
vërtetës para opinionit që të mos u linte shteg dashakeqëve të keqinterpretonin
dhe të disinformonin brenda dhe jashtë vendit.
Sidoqoftë
kishte rënë një Mur i ri i Berlinit…Më pas do të shkuleshin me egërsi gjithfarë
telash me gjemba dhe klonet elektrike të vendosura midis kufirit shqiptaro-grek.
Përse ndodhi kështu?