E shtune, 05.10.2024, 10:25 PM (GMT+1)

Speciale

Nuhi Veselaj: Nga Jetëshkrimi (1)

E enjte, 30.06.2022, 09:50 PM


Nuhi Veselaj

NGA JETËSHKRIMI

-PËRJETIME NGA QENDRA SHKOLLORE TEKNIKE (1)

Prishtinë (1966 – 1992)

PËRSHKRIM I PËRJETIMEVE NË E PËR QSHT “19 NËNTORI” TË PRISHTINËS

Parasqarim

Tema: Përshkrim i përjetimeve në e për QSHT “19 Nëntori” të Prishtinës për afro 30 vjet (1966-1992) është shtjelluar në dy krerë:

a) Punësimi sikaçakçe dhe veprimtari me mish e shpirt në të mirë të mësim-arsimimit në këtë Qendër për shtatë vite shkollore 1966/67 – 1972/73 dhe

b) Përjashtimi dhe masat diskriminuese allaudboristiqe, shkelje fragrante e ligjshmërisë dhe të drejtave të njeriut.

I. Punësimi SIKAÇAKÇE DHE VEPRIMTARI misheshpirtE

për shtatë vite (1966-1972)

Hyrje

Ç’është e vërteta, edhe pse vetëm disa muaj pas rënies së Rankoviçit, më shkonte mendja se mos do të kem pengesa përshtatshmërie politike për punësim në Qendrën shkollore teknike “19 Nëntori” të Prishtinës ku konkurrova në fillim të vitit shkollor 1966/67 për dy arsye:

e para, pse Ekonomikja kalonte me seli në periferi, andej nga Fushë-Kosova, kurse Teknikja ishte më afër shtëpisë, ku duhet të kisha përkujdesje të domosdoshme ndaj familjes, ngase bashkëshortja, e cila pasi e pate lindur djalin, pati rënë në një kome mbi 7 mujore, nga e cila fatlumnisht u zgjua, pa pasoja, por ende i duhej përkujdesje dhe

e dyta, ndërsa në Ferizaj, evidentohesha si i papunë, ku më duhej pritur viza e mëshirës (!), pasi isha i përjashtuar nga arsimi për papërshtatshmëri moralopolitike, mirëpo në Shkollën e mesme ekonomike të Prishtinës, para dy vitesh isha punësuar sikaçakçe si arsimtar-student, por që së andejmi pas pak muajsh e lidha stazhin i pajisur me fakultet të kryer.

Sidoqoftë, tash me fakultetin e kryer të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe me përvojë pune afro 10 vjeçare, kushtet e konkursit i plotësoja, mirëpo, meqë kisha dyshime se organet e larta politike shtetërore, kur t’i binë në fije, zor se do të më rehabilitonin, jo vetëm si një ish i burgosur politik për ta, edhe pse nuk isha dënuar me burg të rëndë kundër popullit dhe shtetit, po me burg të lehtë (KZ cl. 279 st. 1), i cili ndërkohë judiko-zyrtarisht është shlyer, por megjithatë organet e sigurimit, sidomos kundër shqiptarëve kur donin punonin jashtëligjshëm. Është e vërtetë që deri tani pesë here më kishin refuzuar punësim normal në shkolla, por unë gjendesha me ndërrim terreni, prandaj doja të shpresoja se tash pas brioneve nuk do të pësoj, por megjithatë, duhet të isha i kujdesshëm, sepse isha i vetëdishëm se edhe pas kësaj rënieje të hegjemonizmit serb, gardianët e titorankoviçizmit e kishin regjimin në dorë, sepse sistemi i pushtetit, sidomos servilët e poltronopartiashët edhe shqiptarë shumica ishin të njëjtë dhe në pozita kyçe, të cilët meritën për një kthesë të tillë në të mire të shqiptarëve e shfrytëzonin si meritë të tyre që në të vërtetë nuk ishte. Gjithsesi duhet të kisha kujdes pasi e dija që drejtori i kësaj Qendre shkollore Dushan Pavlloviq, ishte një ish-udbash malazez, por siç me pati thënë ish zëvendësi i tij në këtë Qendër prof. Ahmet Mumxhiu, që kishte përkrahje nga Veli Deva, tashti as ai dhe askush nuk mund të më pengojnë. Po sidoqoftë, tashti, vërtet duhej të isha i kujdeshëm në veprime, po jo të mos e shfrytëzoja këtë ndërrim situate në të mirë të shqiptarësisë, siç isha betuar të veproja sa isha në shkollën normale ë Gjakovës, bile sipas devizës “hidhe gurin e fshihe dorën”.

Sido që mund të ndodhi, pasi u pranova në këtë Qendër, sa kam ditur ta hedh gurin me vend e sa jo, dhe sa dita me fshehë dorën e sa jo, sipas nevojës, përkatësisht sa veprova me sukses në këtë luftë sikaçakçe e sa jo, po e shtjellojmë në tri pjesë të këtij kreu:

a) Nga veprimtaria e gjallë sipas viteve 1955-1972.

b) Përmbajtja e fletushkës Flaka e nëntorit/Buktinja novembra dhe

c) Kërkesa dhe takimi problematik me Dushko Ristiqin.

1. Nga veprmtaria E GJALLË GJATË viteve shkollore 1966/67 - 1972/73

Sqarim: Çdo vit shkollor është shfrytëzuar si titull.

1) Viti shkollor 1966/67

Vërtet drejtori që në takimin e parë në Këshillit të arsimtarëve, na u paraqit zyrtarisht siç pritej: si burrë malazez me fomim serbojugosllav me përvojë të një zyrtari serioz, me stabilitet e sinakri të pritshme.. Pasi na përshëndeti, na njoftoj se, duke pasur parasysh mundësinë buxhetore të Komunës së Prishtinës si dhe barabarësinë e gjuhëve mësimore serbokroatisht e shqip, i mëshoi arsyetimit{

Edhe këtë vit shkollor do të propozojmë që plani i pranim-regjistrimit do të bëhet përafërsisht i njëjtë në të dyja gjuhët mësimore, sepse në Prishtinë në gjuhën mësimore serbokroate (shtetërore) nuk gravitojnë vetëm serbët e malazezët, por edhe të tjerë, si: kroatë, boshnjakë, romë e turq, madje edhe shqiptarë të ardhur nga oto vise ku nuk ka funksionuar shkollë më mësim në gjuhën shqipe.

Pasi heshtën të gjithë dhe pasi zoti Mumxhiu kishte kaluar në fakultet, unë reagova, jo pse desha, po disi u detyrova nga thirrja e brendshme dhe kështu që në fillim u ballafaqova me mendimin finok të drejtorit rreth barazisë së numrit të paraleleve. Në reagimin tim theksova se sipas Smajl Bajrës (një udhëheqës i lartë aktual) i cili në gazetën Komunist vërtet pati theksuar se problem te ne është mosmundësia e shkollimit të shqiptarëve në shkollat e mesme profesionale në gjuhën amtare, siç është edhe kjo Qendër shkollore, e cila nuk përfaqëson vetëm qytetin e Prishtinës po Kosovën, në veçanti kombësinë shqiptare, andaj duhet shtuar numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Ndërsa, sa i përket buxhetit dhe kuadrit, nëse politika ka mirëkuptim nuk do të ketë problem, sidomos tash kur ka fillue me funksionue edhe Fakulteti teknik në gjuhën shqipe.

Drejtori nuk kundërshtoi dhe mos me zgjatë në emër të Pleqësisë së Qendrës u dërgua propozimi ynë dhe kështu pothuaj u dyfishua pranimi i numrit të nxënësve të rinj me mësim në gjuhën shqipe.

Në të vërtetë, që në fillim veç respektit njerëzor ndaj drejtorit asnjë rezervë ndaj tij nuk kam vërejtur. Përkundrazi, ai që në fillim vërejti përvojën time metodiko-psiko-pedagogjike në procesin mësimor, qoftë rreth hartimit të planit të punës së aktivit të gjuhëtarëve (të gjuhës amëtare dhe të gjuhëve të huaja që jepeshin në shkollë), qoftë si ndihmë mësimdhënësve pa përvojë. Madje, sugjerova se si duhet hartuar planit i Këshillit të arsimtarëve dhe ai i Pleqësisë, për çka më falenderoi dhe më avancoi anëtar të Pleqësisë, ku dhashë kontributin tim rreth plotësimit të kuadrit e në veçanti për nismën rreth harmonizimit të planit të punës së Pleqësisë me atë të Këshillit të arsimtarëve dhe mbledhjes së Këshillit të prindërve, Në veçanti u zotova, për çka u befasua, se mund të kontribuoj konkretisht rreth përgatitjes së ndonjë programi solemn me nxënës serbë e shqiptarë me rastin e ndonjë solemniteti shkollor e shtetëror. Këto nuk ishin vetëm fjalë, sepse mua, vërtet, këto punë më shkonin, e si rrjedhojë konkretisht përgatita suksesshëm një program modest solemn recital për 19 Nëntorin, Ditën e shkollës e të Çlirimit të Prishtinës, që u dha për nxënës dhe për mbledhje e përgjithshme të prindërve, ku kishte dhe musafirë të ftuar.

Sido që të ketë ndodhur, nuk e fsheh, pasi kisha në dokumenta punësimi një Uverenje (Vërtetimin që nuk isha i dënuar) ne osudjivan je, lëshuar nga nga SUP Kriminalisticki otsek – Prizren, br. O3-1/167-63m dt. 5.2.1963, në emër Veseljaj Nuhi, lindur më 1933 në fshatin Reçan  srez AKMO NR Srbija, pa shënuar rrethin as Suharekë as Prizren (si me pasë porositur për manipulim), atëherë unë, duke pasur parasysh këtë mbështetje, pak si për mahi, para Kërstes (siriniqas) e Halil Rendës (goran) isha prezentuar si zemljak nga Reçani pa përmendur Suharekën që lëja me nënkuptue se jam torbesh nga Reçani i Prizrenit që e ilustroja me ndonjë fjalë nashke e gorançe, gjoja isha një bashkëvendas i Ilaz Kurteshit, po që kisha ndjekur shkollën shqipe dhe e mbaja veten shqiptar si edhe Ilaz Kurteshi.

Në gjysmëvjetorin e dytë, ndodhi Konsulta gjuhësore e Prishtinës, ku u pranua gjuha letrare e njëzuar nga Shqipëria. Meqë unë, në të vërtetë si i degës, kisha parapërgatitje të asaj gjuhe (drejtshkrimi e drejtshqiptimi) dhe kisha pasur sadopak edhe përvojë përkthimi nga serbokroatishtja në shqipe, më fort ndjeja si zotim moral që të ndihmoja kolegët më të rinj, por edhe ata të lëndëve të tjera. Më kujtohet që për këtë çështje kam biseduar edhe me drejtorin, i cili kishte njohuri për shqipen, të cilën e fliste konsiderueshëm.

Nga fundi i atij viti shkollor nga një grup arsimtarësh me drejtorin në krye u organizua një vizitë njëditore Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë): Patrikanën e Pejës, Kishën e Deçanit dhe përciptas në Prizren Bogosllovinë, monumente këto që më lanë përshtypje impresive, për të cilat shpreha admirim jo vetëm në bisedë me drejtorin, por në Nashec edhe me vjehrrin (babën e gruas së tij), siç m’u prezentue, me profesion pop, tash pa uniformë (!), i cili fliste shumë mirë shqip. Gjatë bisedës përmendëm Kishën e Korishit, përkatësisht të Kabashit që ka një histori të dhimbshme që dikur adhurohej nga ai popull shqipfolës sa ishte ortodokse, por që sipas tij edhe torbeshët e krejt Podrimja kanë qenë ortodoksë. Meqë kisha njohuri nga kultura serbe, pansllaviste më kujtohet që para se të ndahemi recitova pak si me sherr: Od VladiVostoka do Jadrana shiri raste slavna grana ( Adaptimi shqip: Nga Vladivostoku n’ Adriatik rritet shtrihet slavi mik!).

2) Viti shkollor 1967/68

Edhe gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 1967/68 mund të karakterizohet si vit normal sa i përket regjistrimit të paraleleve të reja si dhe njëherazi krahas hapjes së bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri. Madje u shtruan edhe edhe disa favore të veçanta kombëtare për shqiptarët në Jugosllavi. Veç tjerash u fol se udhëheqësit tanë kanë kërkuar lejimin e flamurit kombëtar. Mirëpo, ndërsa pritej leja rreth formës me ndonjë shtesë a ku ta di, njerëzit morën guxim me e përdorë flamurin kuqezi edhe haptas pa ose me ndonjë shtesë si në Shqipëri.

U çue shumë pluhur, siç e kuptoja unë, për një dasmë në Gjakove që e kishte përdor flamurin pa pritur zgjidhjen me sistem, po ashtu mesa u informova edhe në Suharekë në Odën e Haki Kuçit ishte kremtua flamuri nga disa burra. Kjo lëvizje sapo e ringjallur nuk manifestohej vetëm me flamur, por edhe në mënyra të tjera sidomos me distingtiva shqiponje dykrenëshe me yll e pa yll, si dhe me ndonjë libër të vjetër apo të rinj që ende konsiderhej i ndaluar. Kjo ishte vërejtur edhe nga drejtori. Unë vazhdoja me përgatitjen e recitalit me nxënës shqiptarë e serbë, me rastin e festave të nëntorit. Ia ofrova tekstet, drejtorit, Në shqipe kishte vargje edhe të Kadaresë, por edhe të shtuara guximtarisht prej meje. Kërkoja shembuj karakteristikë sibombastik edhe nga pala serbe për nxënësit recitues serbë. Me vetinisiativë përzgjodha disa vargje të Vladimir Nazorit, Njegoshit, Shantiqit, Zmajit dhe me ndonjë slogan politik të udhëheqësve jugosllavë dhe kështu e plotësova recitalin.

Ndërkohë, nuk di si rrodhi një bisedë me drejtorin rreth pamjes së flamujve, ai jugosllav me tringjyrshin francez po ai i popujve të Ballkanit me shqiponjë dykrenëshe, ndërsa ai shqiptar i Skenderbeut kuq e zi. Më kujtohet që ia parasprita flamuri shqiptar ashtu si ka mbetur ngjyra në kapuçin malazez?! Po kur i përmenda faktin (që kinse nuk kuptoja) pse vajzat serbe të gjimnazit Ivo Lola Ribar po vishen kuq e zi, atij vetëm i shkoi buza në gaz, mbase për naivitetin tim torbesh, më tha se ashtu qenka moda. Dhe vërtet këtë e pritja prej tij…

Më kujtohet që kur u dha recitali, kur u përmend trengjyrëshi jugosllav/Trobojni barjak:  Flamur, smbol i lirisë së kombëve dhe kombësive (!) nuk pati reagime, ndërsa kur u përmend Skënderbeu e Kruja duartrokitjet ishin shumë frenetike vetëm nga njëra palë. Kjo vrau jo mire te pala tjetër! Pa marrë parasysh këtë siprovokim drejtori më falenderoi për punën rreth recitalit e shfaqjes përgjithësisht të suksesshme.

Në gjysmëvjetorin e dytë, vërtet ishte kohë që vazhdoi të flitej i edhe më haptazi deri edhe në klasë për më shumë liri, për histori shqiptare (Isa Buletini), për Skënderbeun, deri për Demaçin… Madje organizimi i Konferencës kushtuar Lidhjes shqiptare të Prizrenit, ku morën pjesë edhe dhe studiues nga Shqipëria e më gjerë. Në mënyrë të veçantë zgjoi interes shikimi i filmit Skënderbeu me nxënësit, në mënyrë të organizuar që drejtori më angazhoi të parashoqëroja me disa fjalë që mos të ketë keqkuptim, vërtet ishin ngjarje me jehonë epokale lirie për kohën për ne. Unë kur m’u dha rasti e theksova sistemin jugosllav në vendin tonë multinacional vetëqeverisës, i cili po na mundëson që ne mos të harrojmë historinë e përbashkët të popujve tanë etj.

Në këtë gjysmëvjetor për mbarëvajtje veprimi ka ndikuar shumë edhe ardhja e Engjëll Rodiqit zëvendësdrejtor i Qendrës shkollore. Politika vërtet ecte në të mirë të shqiptarëve, por pa cenuar të drejtat e serbëve. Engjëllit ia di për nder që përkrahte aktivitetin tonë. Si për vete i siguronte letërthirrjet apo biletat, qoftë për Konfrencën për Lidhjen e Prizrenit, qoftë edhe për Ansamblin e këngëve dhe valleve nga Shqipëria etj.

Sidoqoftë, më kujtohet, edhe pse për mbrëmjen e maturantëve kisha përgatitur fjalë-fjalim përshëndetës, me shprehje të zgjedhura në të dyja gjuhët, përshëndetjet i bënë përfaqësuesit e nxënësve dhe drejtori e zëvendësi.

Ndërkohë, para e sidomos gjatë pushimit veror vazhduan të njëjtat procese lidhur me raportet Kosovë-Shqipëri, prandaj unë pata rast me i ndëgjue disa tema e ligjërata po edhe me kontaktue me letrarë e studiues nga Shqipëria.

3) Viti shkollor 1968/69

Edhe sapo filloi viti shkollor ‘68/69, u shpeshtuan kontaktet e ndërsjella kultruro-arsimore Kosovë-Shqipëri. Nuk do mend, përvjetori i Lidhjes së Prizrenit, Përvjetori i Skënderneut (filmi), Radio Tirana e Radio-Kukësi me këngët dhe emisionet speciale të angazhuara, ishin pothuaj të pranishme te çdo qytetar yni e sidomos tek rinia e intelektualët tanë. Këto ngjarje nuk ishin vetëm dritare, por edhe dyer të hapura e hapësirë e një arene imagjinare, ku Shqipëria socialiste me propagandën e saj përfutej e pakulluar në familjet e shqiptarëve në Jugosllavi e sidomos te rinia shkollore e studentore, madje edhe tek disa të moshuar adoleshentë në politikë si edhe unë. Po kjo vërehej mjaft dukshëm në shkollën tonë. Pala serbe që ishte mësuar me eprani ndaj shqiptarëve shihej paksa e demoralizuar. Udhëheqësit e saj nuk e kishin lehtë, po nuk e kishin lehtë as fadilistët tanë të ngadalsonin ose të mbanin nën kontrollë disa dukuri që dilnin paksa sitejkalime kombëtariste. Megjithatë, kishte kërkesa që shqiptarët të përfitonin dhe më shumë të drejta legjitime kushtetutare në kuadër të Federatës, që mos të vareshin për gjithçka nga Republika e Serbisë. Në këtë situatë, ne arsimtarët shqiptarë, sidomos ne të gjuhës shqipe kishim më shumë liri, por dhe përgjegjësi, prandaj kam pasur kujdes mos me teprue me atdhetarizëm falls folklorik, në mënyrë që përjetimet te nxënësit mos të kalonin në mostolerim në marrëdhënie ndërnacionale, sidomos në shkollën tone, assesi mos të shfaqej ndonjë mostolerancë a siurrejtje ndaj serbëve, sepse e dija se po ndodhi ndonjë një përshoshje sado e vogël, heqja e pluhurit dhe të kokrrave boshe, lidhur me këtë, do të zbulohej etiketimi ekzistues i amulluar ndaj meje.

Në të vërtetë, drejtori, sipas detyrës që kishte, ndoshta edhe i shtyrë nga jashtë, me të drejtë e kishte alarmuar situatën politike si shqetësuese, ngase kishte vërejtur që edhe në shkollën tonë në krahasim me të kaluaren shprehej njëfarë euforie te pala shqiptare dhe joentiziazmi paksa si reaksion nga pala tjetër mbetur pakicë në shkollë sa i përket numrit të nxnësve serbë në krahasaim të atyre me mësim në gjuhën shqipe, por edhe për faktin se vërehej ndonjë shpërngulje të serbëve. Flitej që politikanët po kërkojnë ndonjë eksces politik që shkolla jonë të hallakatet, sepse po shprehen foklorizma dhe kështu të gjejnë vjegë shkasi për me i ridhënë forcë-flake propagandës për sforcim vëllaznim bashkimi, duke i përjashtuar të papërshtatshmit (metodë partiako-ushtarake). Në këtë vazhdë u mbajt një takim, arsimtarë e nxënës aktivistë të organizuar, ku morën pjesë, veç tjerëve edhe kryetari i komunës Jovo Peqenoviq e sekretari i Komitetit komunal të LKJ Mahmut Bakalli, me disa udhëheqës të tjerë të lartë që nuk i njihja. Më kujtohet që Jova, në fjalën e tij, pa e përmendur Kosovën, u shpreh që nuk duhet kërkuar liri e të drejta si shumicë ndaj pakicës, sepse dihet, sipas tij, se kush është shumicë e kush pakicë në Serbi, por të gjithë duhet të gëzojnë lirinë që u takon. Po ashtu edhe Mahmuti, dha me kuptue që gjithsesi Kosova mbetet e ndërlidhur me të drejtat e serbëve në kuadër të Republikës së Serbisë e Jugosllavisë. Natyrisht, foli për të drejta që po i ofrohen edhe të rinjve shqiptarë e serbë, por gjithsesi duhet të ruhet si sytë e ballit vëllaznim-bashkimi, siç na mëson shoku Tito…

Për çudi në këtë kontekst lirie një nxënës yni, mesa më kujtohet me mbiemrin Pireva, zbuloi nismën se disa të rinj (shqiptarë) kishin ndërmend të shprehnin kënaqësinë me një marshim nga Shkolla normale (Gërmia) deri në qytet. Unë reagova që të rinjtë tanë nuk duhet të imitonin të huajt, si ngjau në Kroaci e jashtë, por entuziazmin për lirinë pasbrioniane duhet ta shprehim në mësim, të veprojmë sipas mësimeve të udhëheqësve tanë dhe vazhdova:

Mesa e kuptova shoku kryetar Jova tha se nuk duhet abuzuar me shumicë e pakicë edhe në shkollën tonë, po për të gjitha duhet pasur mirëkuptim. Gjithashtu edhe shoku Mahmut Bakalli, me atë që e tha, si e ka shprehur edhe në një vend tjetër. Te ne assesi nuk duhet të lejohet ndarje si në Nikozi. Andaj në këtë aspekt unë do të përmend nja dy raste konkrete që ne si mësues e edukues brezash, serbë e shqiptarë, kemi për detyrë të kemi qasje të duhur dhe të veprojmë në frymë mirëkuptimi.

E para, marr shembullin e Simonidës (pikturë në Kishën e Graçanicës), ku qëndrojnë vargjet e Milan Rakiqit prej shekullit të kaluar se gjoja asaj ikone arbanasi nëpër terr ia paska gërryer sytë me hanxharm, gjë që nuk është e vërtetë, po atë e kanë bërë hallexhinjtë e padijshëm ortodoksë të assaj kohe, që e kanë përdor atë pluhur si ilaç për shërim të syve të tyre të sëmurë), por nuk iu ka dhimsur as kujdestarit që kishte inatin pse ajo ikona-proncshë bukuroshe, pasi i ka vdekur burri (mbreti) ka ikur gjetiu… Pra le të dihet se shqiptari atëherënag Rakiqi me tendencë akuzohet pa të drejtë, dhe

E dyta, po marr shembull shkrimtarin shqiptar Klosi që si komediograf e kemi në plan-program, po –vazhdova - nga Klosi (pa përmendur emër) kemi edhe vargje kushtuar Kosovës së robnume të shkruara para LNÇl, kur Kosova, në kohën e Kralevinës vërtet ishte e robëruar, ku veç tjerash ndeshen edhe këto vargje:

E çka do që të la Turqia/ ta ka kthye 7 fish Serbia…

Prandaj detyra jonë mësimore e edukative është që ta themi të vërtetën. Pas Çlirimit ne nuk jemi nën regjim të Kralevinës po jemi të lire në Jugoslavinë e Titos, ku vetë komunistët serbë luftuan atë regjim shtypës shqiptarofobë.. Pra jemi në Serbinë e vëllaznim bashkimit, ku Kosova, kosovarët, po i gëzojnë e do t’i gëzojmë gjithnjë e më tepër të drejtat kombëtare e vetëqeverisëse bashkë me sivëllazerit e kombëve e kombësive të tjera. .. Së këndejmi duhet përkrahur e vërteta që bashkon kombet.

Këto dy raste si duket mjaftuan për të kuptuar delikatësinë që kishim aktualisht ne në punën tonë mësimore-edukative ndaj brezit të rinj, ku duhej ngulitur patriotizmit socialist humanist jugosllav. Prandaj, si duket politikanët e pëlqyen diskutimin. Shikuan njeri tjetrin dhe kështu shkolla jonë që ishte e etiketuar si fort problemore, shpëtoi nga shënjestrimi, siç e kishte alarmuar drejtori me disa shokë të Partisë nga jashtë. Vërtet kishte sugjerime për tollovi që ishin në përputhje me kërkesën e Akademisë serbe të shkencave. Sidoqoftë, me drejtorin dhe me të gjithë aktivistët kolegë serbë e përgjithësisht kam pasur raporte, si të thuash, mëse normale, por aq më tepër me disa nga fadilistët tanë që kishin kujdes mos ta humbnin besimin e karrierat, siç i kishin, prandaj insistonin që situata mos me dalë jashtë kontrollit.

Gjithsesi para Festës së Flamurit, 28 Nëndorit flitej shumë. Edhe ne gjenin rast që në orë të mësimit e në ndonjë bisedë të komentonim jo vetëm domethënien e vargut të parë të himnit tone kombëtar: “Rreth flamurit të përbaskuar” por edhe për pjesë të tjera që i dinim përmendësh, të cilat edhe i modifikonim paksa, si:

Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombet shuhen mbi këtë dhe

Po Shqiptaria do të rrojë

N‘se për të luftojmë ne!

Me thënë të drejtën, e kisha të njohur lajmin se do të bëhet një demonstrate, por për hollësi nuk doja të dija (!). Demonstrata vyen për jashtë me njollosë Jugosllavinë e Titos, pse nuk hapej drejt demokracisë perëndimorer siç, kërkohej me demonstraten në Kroaci, por demonstrata jonë këtu bënte me njohë botën se populli shqiptar është një realitet jo sllav në Jugosllavi, është një populli, i cili kërkon autonomi më të madhe republikë ose bashkim me Shqipri. Ideali im ishte vetëm bashkimi, por Shqipëria socialiste e vetmuar sa mund të jetë e zoja me shfrytëzue jehonën e një demonstrate të tillë në botë, përndtryshe, druaja që Serbia (me Jugosllavi) do të dijë më mire me shfrytëzue për hesape të veta, kundër fadilistëve, kundër afrimit me Shqipri. Megjithatë, më 27 nëntor nuk mujta me durue pa u duk pas dreke në shkollë, edhe pse nuk kisha mësim.Vërejta që mungonte një arsimtare e gjuhës shqipe Fetie Lepaja -Fetiu. Për mos me krijue nxënësit zhurmë e tollovi, vendosa me zëvendësue. Sigurisht, improvizova me qëllim temën: Poezia e atdhedashurisë, duke e specifikuar në tri lloje: në poezi ose këngë patriotike historike, patriotike nostalgjike dhe aktuale patriotike, duke ilustruar me shembuj konkretë më karakteristikë që i dija përmendësh. E di se të gjithë më dëgjonin me vemendje syevesh. Edhe sot i kujtoj ata sy depërtues plot përjetim, vargje të tilla që mbase kishin mundësi t’i ndëgjonin kaq me emocion për të parën herë…

Edhe pasi përfundoi ora qëndrova edhe pak kohë në shkollë derisa sa u alarmua se filloi njëfarë përziemje. Demonstrata filloi nga studentët tanë. Nga rinia. Kuptohet me studentët u bashkuan edhe disa qytetetarë e më shumë nxënës, të shkollave të mesme edhe të shkollës sonë, sigurisht ndër ta edhe ata të asaj klase, të cilët pak më parë i ngroha me vargje atdhetarie.

Pra ndodhi, ajo që ndodhi. Ndodhi një punë e madhe shumë, me përmasë historike. Unë demonstrantët i prita në Qendër. Para teatrit. Vura re që në krye printe edhe dikush i kamufluar, sipas mendimit tim. Gjithashtu, vura re se tërë turma incizohej, madje jo vetëm ata, por edhe ne, edhe fytyrat tona që rastësisht qëndronim anash, jashtë rruge. Duke parë këtë, me qëllim reagova me emocione (gjoja i zhgënjyer): To nije dobro. Ne mogu da ih gledam (Kjo nuk është mirë. Nuk mund t’i shikoj). Nëse ekzistojnë incizimet kjo mund të vërtetohet.

Dhe menjëhrë, gjoja i mllefosur, u nisa për shpi. Afër shpisë takova dikënd të lagjes, e dija se cili ishte. Edhe këtij i fola keq për ngjarjen, domonstrantët e demostratën e axhamijve, që na bënë shumë keq, sa ishim duke ecur mirë…

Brenda në shtëpi nuk mund ta ndalja gëzimin, por edhe shqetësimin mos po i dëmtojnë demonstrantët, ndërsa sa për burgje e maltretime nuk më dhimbsej askush. Ajo do të ishte kalitje. Aqë lehtë nuk hyhet në histori. Më vonë erdhi edhe djali i vëllait Abdyli, nxënës i klasës IV, ku e kisha kujdestarinë. Ai me setrën time veshur kishte dale në demonstratë. E përqafova. I thashë është bërë një vepër historike, ku paska marrë pjesë edhe setra ime… Pasi puna ishte kryer, e porosita që tashti për nxënësit duhet qetësi, entuziazëm vetëm në mësim dhe porosita këtë t’ua përcjellë shokëve të besueshëm e dikuj tjetër t’u thotë se e kam ndëshkuar pse ka dalë në demostratë, ngase unë isha kundër.

Të nesërmen shkolla ishte mbushur me politikanë e të panjohur. Vura re se të shqetësuara ishin edhe disa gra udhëqësish, nëna të nxënësve tanë. I përshëndeta. U thashë, Mos u shqetësoni nxënësit tanë nuk besoj se janë përzie. Shumë nga të pranishmit nuk i njihja. Drejtor Pavloviqin as që e pashë. Engjëll Rodiqi, ish-zëvendësdrejtor, më tha se Sahit Zatriqi e paska informuar se një nxënës yni qenka vra. I thashë a je i zoti me i përgatit kurorë, më tha:

- Jo, assesi, është rreptësisht e ndaluar!

- Atëherë, mos i thuaj kujt që më ke tregua. Ai vazhdoi:

- Çështja është si t’i futim nxënësit nëpër klasa.

-Nxënësit po se po nëpër mësojtore, po më së pari arsimtarët t’i fusim në sallë dhe të thuhet që orët duhet që të mbahen rregullisht sipas orarit.

Kështu nuk di pse mora përsipër rolin e zjarrfikësit pa qenë i autorizuar nga askush, pos nga ndërgjegjja ime mos me prishë procesin mësimor në shkollën tonë. Shumica e të pranishmëve hynë në sallë. Nuk di pse drejtori nuk ishte present. Fola:

Nxënësit nuk besoj se janë bartësit e demonstratës. Po nëse dikush është mashtruar ne kemi për detyrë me i gjykue dhe em gjykue demonantratën. Mendoj që secili duhet të shkojë ta mbajë orën sipas orarit, ndërsa unë me disa kolegë serbë do të shkojmë në klasat e nalta, mësojtore më mësojtore, t’i gjykojmë, ta gjykojmë (da osudimo!)

Dhe vërtet me insisimin tonë sipas rregullit nxënësit u futën nëpër dhomat e mësimit dhe arsimtarët filluan të mbanin orët. Dhe pa humbur kohë unë bashkë me tre-katër kolegë serbë partiashë (të Serbisë) u nisëm me hy nëpër klasa, Na u bashkangjit edhe partiashi ynë, Jusuf Venhari, arsimtar i matematikës, të cilit i droja se mos po më zbulon. Ishte 28 nëntori, por ai më doli edhe më i mire, më i gjindshëm se unë. Në çdo klasë unë filloja:

Mbrëmë ka ngjarë diçka e pamirë në qytet.Ka pasë arrestime. Ne e gjykojmë. Jemi me shokë që duam të vërtetojmë se nxënësit tanë janëpër vëllaznim bashkim e barabarësi, Ëahtë apo jo?, ju përgjigjuni me një PO të forte. Ne ju kemi mësuar e edukua. E dimë si na mëson e drejton Shoku Tito e LKJ. -Po.  –Po pra, Na e gjykojmë çdo të keqe. Kështu edhe dëgjohej përgjigjja PO ose JO.

Jusufi si temperament që ishte nuk e linte me kaq, Ai i emocionuar, me zë të lartë filloi me i kritikue disa vese të shoqnisë sonë si p.sh.

-Qysh bëhet që ndër ne ende ka familje që hanë në sofër, në një sahan. Nuk i çojnë çikat në shkollë? Duhet t’i gjykojmë…. Jo më ashtu! …

Unë e ndëpreja së bashkë me nxënës: ”Po” “ashtu është! - Kështu linin përshtypje se vërtet e gjykonim demostratën e demonstruesit. Në fund u thosha: Urime festa! Çesitamo praznik!

Urimi, prej shokëve që më shoqëronin kuptohej 29 Nëndori, kremte e Jugosllavisë socialiste, ndërsa prej meje që e shqiptoja me ëmbëlsi, pa sherr (!), kuptohej cila kremte ishte për urim, apo jo?!

Kështu ua mbushëm mendjen kolegëve e opinionuit për lojalitetin tone e të nxënësve tanë ndaj qeverisë, Serbisë e Jugosllavisë.

Kjo pati jehonë. Ne edhe në takime të tjera zyrtare dënonim me fjalë të padisplinuarit, kushdo qoftë ai, nxënës, student apo arsimtar, që veprojnë jashtë sistemit. Kështu faktonim që këtë gjykim e kemi bërë që ditën e parë pas ngjarjes, prandaj tani nuk kishte nevojë të përsëdytnim e përsëritnim, te nxënësit, madje as në mbledhje të kolektivit në parti e sindikat, siç kërkonte drejtori. Ai në të vërtetë insistonte analizim-trajtimin e incizimeve të Milicisë. Unë këmbëngulja që ne si edukatorë e kemi krye detyrën si duhet, ndërsa tash le të harrohet ajo e pamirë sa më para. Procesi i mësimit duhet të ecën në mënyë sa më të qetë. Pushteti, le ta kryejë punën e vet. Ne do të jemi në dispozicion të pushtetit e të Partisë.

4) Viti shkollor 1969/70

Si duket qëndrimi ynë përputhej me atë që donin fadilistët në pushtet, prandaj pa dijen time, u çudita, kur m’u kumtue se në lagje më kishin pranua anëtar të LKJ-së. Heshta. E pranova si ngarkesë dhe obligim që edhe më me sukses do të mundem me u konfrontue me drejtorin e kushdo qoftë përkrahës i tij. Kështu drejtori pas disa mbledhjeve të pasukseshme pasi nuk mundi me realizue shprushjen e zjarrit, zgjodhi rrugën më të mençur, me të lehtë dha dorëheqje dhe menjëherë u punësua në Komunë. Mirëpo Komiteti e Komuna donin ta kthenin, natyrisht më me shumë kompetenca, për spastrimin e kolektivit nga demonstrantët dhe jo vetëm nga ata. U caktua një takim i përbashkët, në njërën anë komitet e komunë, në anën tjetër kolektivi i Qendrës shkollore. Sigurisht kuadrot ishin të zgjedhur nga të dyja palët. Me një fjalë, kërkohej që më fort të ketë qetësi nga pala serbe se nga ajo shqiptare. U pa se donin ta rikthenin drejtorin, i cili dihej se çfarë kërkonte. Unë si anëtar i ri i LKJ, kisha pëgatitur diskutimin kundër, mbaha në tavolinë, një koment-analizë të javores kroate Vjesnik u srijedu dhe mbaja në dorë një fletë të parapërgatitur me 20 pika, Dhe kur më erdhi radha për diskutim, duke e çu në ajr fletën, tregova se kam  mbi 20 vërejtje e kritika konkrete për sjelljen dhe udhëheqjen, duke filluar nga dyshimet që dejtori ka qenë i implikuar në manipulime korruptive financiare që në kohën kur shkolla e re ishte në ndërtim e sipër për çka lypset gjurmuar e më pastaj kam vërejtje vijuese deri nga aktualiteti, si nga fusha pedagogjike e politike, në raporte ndërnjerëzore e ndërnacionale. Po filloi me shembuj konkretë…

Ish drejtori Pavlloviq, më shikoi me habi dhe kishte të drejtë, më ndërpreu, me fjalët:

-Pasi i pask, ky 20 vërejtje, këtu janë mbi 150 të punësuar secili mund të ketë kushedi sa, ndërsa unë nuk kam pasur mundësi me shënue vërejtje për secilin, prandaj po shihet se këtu nuk ka arsye kthimi im...

Kështu u ndërpre mbledhja, pa u dëgjuar diskutimi im. U ndërpre, duke e falenderuar zgjidhjen mençurake që bëri vetë Dushan Pavloviqi, i cili shpëtoi veten, nga telashet e reja të Qendrës dhe më shpëtoi mua nga një paraqitje të tillë kundër që disa pika ishin jo të argumentuara  bindshëm. Kështu veprova kundër tij me tepri për të shpëtuar shkollën dhe disa kolegë të rinj e nxënës që ishin pjesëmarrës të demonstratës.

Ishim para përfundimit të gjysmëvjetorit të parë 1969. Edhe për një kohë mbetëm pa drejtor e zëvendës, pasi edhe Engjëll Rodiqi, më parë kishte kaluar në fakultet. Nuk di pse Komuna as Komiteti nuk dërguan ndonjë person mbikëqyrës bile përkohësisht, por si duhet ia besuan drejtimin organeve vetëqeverisëse të Qendrës. Atëherë në këtë vakuum me sugjerim të organeve të organizatave politiko-shoqërore vetëqeverisëse në një mbledhje të kolektivit u propozua dhe u zgjodh sipas sugjeriomit tim, përkohësisht si ushtrues detyre drejtor i Qendrës, një profesore serbe, ndërsa për zv-drejtor, një koleg i moshuar yni, Shaban Vata, më propozoi mua. Kolektivi më pranoi njëzëri. Nuk pata kohë as me refuzua as me shprehë falenderim. Edhe refuzimi edhe miratimi kërkonin arsyetim bindës. Përndryshe kuptohej ikje nga përgjegjësia që do të thotë që kritikat ndaj drejtorit që bëra me aq guxim e përgjegjësi nuk ishin argumentuese. Në të vërtetë, motivi kryesor i heshtjes sime ishte se me largimin e drejtorit shpëtonim nga hapja e çështjes së rishikimit të fotografive nga demonstrata që ende ishte temë e nxehtë. Me një zgjidhje të tillë, me moskthimin e ishdrejtorit shpëtonim. Kolektivin e mbanin larg nga duartë e UDB, të komitetit e SPB e policisë që, për mendimin tonë, do të shkaktonte dëm shumë të madh për mbarëvajtjen e konsolidimin e procesit mësimor. Së këndejmi, edhe raporti me palën serbe do të acarohej, nëse diheshin aktorët qe do të etiketoheshin, sepse atëherë në ato kushte ka qenë e pamundshme të mbroheshin, të mos i largonim disa arsimtarë.

(vijon)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora