Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Pse sllavëve u konvenon përkatësia myslimane e shqiptarëve?
E hene, 20.06.2022, 07:45 PM
PSE SLLAVËVE U KONVENON PËRKATËSIA MYSLIMANE E SHQIPTARËVE?
E
përgatiti Fahri Xharra
Falsifikuesit
sllavë të historisë së shqiptarëve kanë treguar zell të pakursyer për t’i
paraqitur të gjithë shqiptarët e Maqedonisë si myslimanë, argument ky, që,
sipas tyre e redukton edhe kohëzgjatjen e autoktonisë shqiptare në këto troje.
Nëse, sipas tyre, shqiptarët e këtushëm janë vetëm myslimanë, atëherë ky
argument, po sipas tyre, është shumë i kollajshëm për të dëshmuar se gjoja ata
(shqiptarët) kanë ardhur këtu bashkë me religjionin e tyre myslimanë. Po del
se, çdo ushtar osmanli nën sqetull paska sjëllë me vete nga 2-3 shqiptarë dhe i
kanë hedhur si fara e hithit nëpër shkurret e malet e këtushme.
Por,
ç’t’i bëjmë shkrimtarit Mateja Matevskit, i cili botërisht dhe vullnetarisht
prishi skemat dhe tezat sllave për përkatësinë totale myslimane të shqiptarëve?
Ose, a mund ta përfytyroni situatën sikur Mateja të mos ishte kthyer fare te
rrënjët e të parëve? Sigurisht, pas vdekjes, tapinë e përkatësisë së tij
kombëtare do ta mbanin vetëm falsifikuesit sllav të historisë sonë kombëtare.
Prandaj, akti i kthimit të tij tek trungu kombëtar, nuk është aspak individual.
Përkundrazi, ky akt, shpëton nga djegia politike e një kauze të mohuar
kombëtare dhe futjen e saj në rrjedhat normale të valorizimit historik e
kombëtar.
Përpjekjet e pasuksesshme maqedonase për të denigruar dhe deformuar kompaktësinë etniko-fetare të shqiptarëve, janë vërejtur në forma e variante të ndryshme, por kulminacioni ishte me Enciklopedinë Maqedonase, e cila pretendonte se po e thoshte të vërtetën për karakterin ardhacak të prezencës shqiptare në Maqedoni. Dhe jo vetëm kaq. Të gjithë ata që kanë njohuri nga historia fetare e 2-3 shekujve të fundit (të këtyre trojeve), nuk e kanë vështirë të hetojnë lidhshmërinë e daljes në dritë të Enciklopedisë problematike të ASHAM dhe djegies së manastirit të Shën Mbigurit (versioni sllav: Sv. Jovan Bigorski), që ndodhi para 3 vjetëve.
KUR DO TË ZGJOHET NGA
GJUMI KISHA AUTOQEFALE SHQIPTARE?
Argumentet
që na japin të drejtë të ndërlidhim daljen e Enciklopedisë Maqedonase dhe
djegien e manastirit të Shën Mbigurit, janë të shumta, por ne do t’i radhisim
vetëm disa:
E
para, komuniteti ortodoks shqiptar në Maqedoni, asnjëherë nuk ka dalë në dritën
e vërtetë të identifikimit të interesave e nevojave që i ka, falë politikës
asimiluese të konjukturave shtetërore të Beogradit e Shkupit.
E
dyta, autoktonia shqiptare në Maqedoni, gabimisht është trajtuar nga studiuesit
sllavë, vetëm si segment nacional i shqiptarëve myslimanë, pa dhënë asnjëherë
sqarime se çka ndodhi me vazhdimësinë territoriale e etnike të ortodoksëve
shqiptarë në Maqedoni.
E
treta, nëse në Maqedoni ka ekzistuar dhe ekziston një komunitet ortodoks
shqiptar, atëherë shtrohet pyetja, se ku i kanë zbatuar faljet dhe ritet e tyre
fetare, pjesëtarët e këtij komuniteti.
E
katërta, për autorët e Enciklopedisë Maqedonase, por edhe për të gjithë
shpifësit e pafytyrë, që abuzojnë me të vërtetën shkencore, do të ishte
vdekjeprurëse kundër-argumenti shqiptar përmes dokumenteve dhe freskave (tashmë
të zhdukura) në manastirin e Shën Mbigurit, prandaj dikujt iu kujtua ta zhbëjë
këtë kundë-argument, duke ia vënë zjarrin manastirit në fjalë.
Djegia
e Manastirit të Shën Mbigurit është një krim i rëndë kulturor e fetar, që i
është bërë trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve. Memoria historike e
shqiptarëve të Rekës është ngushtë e lidhur me këtë manastir dhe të gjithë ata
që nuk duan të dinë për vazhdimësinë etnike e fetare të këtyre njerëzve, të
kësaj treve, punën e parë që do ta bënin do të ishte zhbërja e këtij manastiri.
Lëndimi shpirtëror, që u bëhet shqiptarëve me këtë krim, tejkalon dhimbjen dhe
vetëdijen e fjetur të atyre njerëzve, që me shekuj pëshpëritën ninulla dhe
shuguruan fëmijë në gjuhën e tyre amtare-shqipe. Pleqtë ortodoks të Rekës, të
cilët shumë pak dinë të llafosin maqedonisht, e kanë të pamundur të mos
pikëllohen, kur mbi manastirin e tyre, dora e një piromani zhduki një pjesë të
kujtimeve të tyre, një pjesë të dëshmive të tyre dhe një pjesë të krenarisë s
tyre.
Vetëm
ata që i frikësohen të ardhmes, mund të ngrenë dorë mbi të kaluarën. Prandaj,
ky nuk është vetëm një rast observimi kriminalistik, por më tepër se kaq, është
një alarm për politikën anemike shqiptare, por edhe për të përgjumurën – Kishën
Autoqefale Shqiptare, tek të cilët, bie theksi i përgjegjësisë konkrete morale
e institucionale për të problematizuar këtë krim.
KUJTESA
E SHQIPTARËVE ORTODOKS TË REKËS NUK MUND TË RETUSHOHET: Pasardhësit e tanishëm
të Josif Bagerit, as s’kanë rënë nga qielli, as faljet e tyre nuk i kanë bërë
në ndonjë xhami të fshatit. Argumenti i shkokordhaft sllav për gjoja
ardhacakërinë e shqiptarëve në këto troje, nxjerr në pah frikën nga hija e tyre
për të pi ujë në pusin e shkretëtirës. Vuajtja në shkretëtirën e mendjes së
mbyllur shkakton fatamorganën e cila nuk ngeli edhe pa pasoja: djegien e
Manastirit të Shën Mbigurit, aty ku edhe ka ngelur hiri dhe bloza e dokumenteve
të djegura, që është vështirë të kompensohen për të retushuar një histori të
shpifur për realitetin etnik të këtyre hapësirave. Megjithatë, ajo që nuk mund
të retushohet është kujtesa e shqiptarëve ortodoksëve të Rekës, të cilët edhe
pas djegies së manastirit të tyre, do ta mbajnë thellë në kujtesë historinë e
tyre josllave. Do ta kujtojnë Josif Bagerin dhe aksiomën e tij se pa një
bashkim shpirtëror nuk mund të arrihet edhe bashkimi fizik. Mirëpo ky proces,
sipas tij, nuk është aspak mekanik, por kërkon sakrifica dhe mbi të gjitha
harmoni brendakombëtare. I lindur dhe rritur në një gjeografi të vështirë
kombëtare, Josif Bageri e ndiente më shumë se kushdo tjetër rrezikun e
përçarjes, andaj ai me ngulm apelonte që “Njësia bon forcing, Dhe bashkimi ka
fuqin! Cili komb kta i ka: Kurri s’vritet vllai me vlla…” (1908).
Josif
Bageri tingëllon edhe sot aktual me porositë e tij. Nderimi më i madh që mund
t’i bëhet atij aktualisht është rikthimi i identitetit të gjithë atyre që në
periudhën e komunizmit harruan amanetin e bashkëkombësit të tij nga Nestrova dhe
e gjithë Reka, për ta ruajtur dhe kultivuar me xhelozi gjuhën dhe përkatësinë
kombëtare shqiptare.
Mateja
Matevski, erdhi, dhe mirë bëri që erdhi, por kur do të vijnë të tjerët, që
ngjashëm si ai me dekada fshehën identitetin e tyre të vërtetë. A mjaftojnë
vetëm aktet individuale, apo është i nevojshëm një proces më kompleks dhe më i
guximshëm i korrigjimit të një lajthitjeje të madhe që ndodhi me bekimin e
shtetit dhe të politikës.
(Miqesisht nga Enver
Vela)