Mendime
Florim Zeqa: ‘Qeveria nën hije’ apo PDK nën hijen e dështimeve të mëdha!
E hene, 23.05.2022, 06:09 PM
‘Qeveria nën hije’ apo PDK nën hijen e dështimeve të mëdha!
Shkruan:
Florim Zeqa
Edhe
pse ishte paralajmëuar se do të ndodhë në muajin shkurt, ‘Qeveria nën hije’ e
PDK-së erdhi në pjesën e dytë të muajit Maj. Një kujtesë e shkurtër për
gjeneratat e reja: veprim të ngjashëm, ky subjekt politik e kishte bërë edhe në
vitet 2005-2007 gjersa ishte opozitë nën drejtimin e Hashim Thaçit.
Shkoi Rugova n’përjetësi,
erdh Hashimi n’Qeveri
Atë
kohë, Qeveria e Kosovës drejtohej nga Bajram Kosumi, ndërsa PDK nën udhëheqjen
e Hashim Thaçit kishte krijuar modelin e “qeverisjes në hije” i cili përbëhej
nga 14 departamente, dy prej të cilave drejtoheshin nga shoqëria civile.
Ideja
për krijimin e këtij kabineti ishte hedhur nga udhëheqësi i opozitës, Hashim
Thaçi, i cili ishte i pakënaqur jo me përbërjen e qeverisë Kosumi dhe punën e
saj, por me LDK-në në qeverisje.
Pas
shkuarjes në amshim të presidentit Ibrahim Rugova (21 Janar 2006),në vitin
2007, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare ku PDK mori 34 për qind të
votave dhe Thaçi u bë kryeministër.
Në
janar të vitit 2008, ky i fundit e mori edhe zyrtarisht detyrën e tij të re,
ndërsa më 17 shkurt të po atij viti, shpalli pavarësinë e cunguar të Kosovës pa
sovranitet të plotë dhe pa simbole kombëtare.
Jam
thellësisht i bindur se, sikur të mos ndodhte vdekja e parakohshme e liderit
historik të LDK-së dhe e shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi, LDK do të ishte
zonjë e parë e skenës politike dhe PDK-ja ende do të ishte duke mrizuar me
‘Qeverinë e parë nën hije’.
PDK nën hijen e
dështimeve të mëdha
Pra,
krijimi i një ‘Qeverie nën hije’ nga ana e PDK-së, përveqse nuk është risi, nuk
paraqet as garanci për opozitarizëm të fuqishëm, e aq më pak për kthim në
qeverisjen e vendit. Në fakt kalkulimet e PDK-së përmes ‘Qeverisë nën hije’
janë për poena politik, pa ndryshuar asgjë në mentalitetin e saj qeverisës, me
të njëjtin kurs të opozitarizmit të para 17 viteve më parë!
Një
‘Qeveri nën hije’ e udhëhequr nga një parti që ka udhëhequr shtetin një kohë të
gjatë (për mbi 10 vite) pa i sjellë të mira vendit, vështirë se do të krijojë
kredibilitet për qytetarët.
Për
më pak se kaq, PDK me këtë strategji të tejkaluar, nuk do të jetë alternativë
që e mposhtë në zgjedhje Lëvizjen Vetëvendosje!
Ajo
që mund t’i sjellë PDK-së ‘Qeveria nën hije’ është përafrimi me LVV-në si
filialë e saj. Bashkëqeverisja PDK-së me LVV-në për aq sa do ta forconte, do ta
dobësonte pozicionin e saj si parti serioze politike.
Vazhdimi
i qeverisjes së LVV-së dhe rimarrja e pushtetit nga ana e PDK-së varen nga
reformimi dhe stabiliteti politik i LDK-së!
Ndarjet e LDK-së i
sollen në pushtet PDK-në dhe LVV-në
Sikurse
ndarja e parë e LDK-së e vitit 2006-të, që e solli në pushtet PDK-në, ashtu
edhe ndarja e dytë e vitit 2021 e solli në pushtet LVV-në! Pa dashur të ndalem
në shkaqet dhe detajet e ndarjeve fatkeqe të LDK-së (të njohura për opinionin),
të dy rastet ishin investime nga jasht dhe tradhëti nga brenda.
Mbetët
të shihet, se a do të jetë në gjendje kryetari i ri i LDK-së që të rekuperoj
pasojat e ndarjes së fundit, e cila e shtriu për tokë LDK-në dhe fuqizojë
Lëvizjen Vetëvendosje.
Dihet
mirëfilli se ngritja e LVV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 nuk erdhi si
produkt i votave të elektoratit të saj, por nga votat e elektoratit të
pakënaqur dhe të mashtruar të LDK-së!
Mirëpo,
më shumë sesa ndarjet, LDK-në e dëmtuan qeverisjet me rivalët politik, në veçanti
me PDK-në, nga e cila u shfrytëzua katërçipërisht, jo si partner, por si
patericë e saj!
Modelet evropiane të
qeverisë nën hije, modele të gabuara për Kosovën
Qeveria
nën hije, në praktikën evropiane, zë një vend të rëndësishëm si model
alternativë ndaj qeverisjes së shumicës politike. Në parlamentarizmin e
Britanisë së Madhe, qeveria nën hije është praktikë e përhershme për shkak të
sistemit politik i cili është i ndërtuar mbi dy parti të mëdha. Në fushëbetejën
politike angleze, partia opozitare vazhdimisht ofron alterantiva qeverisëse
ndaj politikave publike të prezantuara nga ekzekutivi britanik. Përtej
praktikës angleze, modeli i qeverisë nën hije është i pranishëm edhe në
Gjermani, Francë e vende të tjera evropiane.
Mirëpo
në Kosovën e fragmentizuar në shumë parti të vogla politike, modeli i
qeverisjeve nën hije nuk shkon për shtati për disa arsye: të shkallës së ulët
të zhvillimit ekonomik, pabarazisë sociale, kulturës politike dhe nivelit të
vetëdijes qytetare.
18.05.2022