Mendime
Florim Zeqa: Kosova mes shpreses dhe zhgënjimit!
E diele, 22.05.2022, 10:36 AM
Kosova mes shpreses dhe zhgënjimit!
Shkruan:
Florim Zeqa
Ne
që jemi mësuar të ngremë shampanjë dhe të festojmë disa herë për liberalizimin
e vizave, gati sa nuk festuam në ditën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në
Këshillin e Evropës, me ç’rast shumica e qytetarëve këtë e ngatërruan me
aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian!
Çka në të vërtetë është
Këshilli i Evropës?!
Këshilli
i Evropës është një nga organizatat më të vjetra ndërkombëtare për të drejtat e
njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të
Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe
minoritetet në vendet anëtare.
Këshilli
i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949
për të arritjen e bashkimit në mes vendeve anëtare mbi bazën e traditave të
tyre të përbashkëta dhe lirisë politike. Qëllimi i Këshillit të Evropës është
të arrijë një unitet dhe barazi më të madhe mes anëtarëve të tij. Ideologët e
parë dhe më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert
Shuman, Konrad Adenauer, etj.
Kjo
organizatë numëron 47 shtete anëtare, mbulon përafërsisht 820 milionë njerëz
dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë euro. Këshilli i Evropës
është një vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara.
Ndryshe
nga BE, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje detyruese, por ka fuqinë për
të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare të përzgjedhura e të arritura nga shtetet
evropiane për tema të ndryshme. Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane
për të Drejtat e Njeriut.
Anëtarësimi në KE, çelës
edhe për liberalizimin e vizave
Bazuar
në përshkrimin e mësipërm, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë
prestigjioze me traditë 73 vjeçare do të jetë me interes dhe shpresëdhënës në
rrugën e mëtutjeshme të anëtarësimit të shtetit tonë edhe në organizatat e
tjera ndërkombëtare në të cilat aspiron dhe e meriton shteti i Kosovës, si në:
BE, OKB, OSBE, UNESCO, INTERPOL, etj.
Sikurse
për të arriturat, ashtu edhe për mangësitë në dështimet e shtetit të Kosovës,
meritore dhe fajtore nuk është vetëm një parti politike, por e tërë skena
politike kosovare në përgjithësi dhe pa dallim pushtet dhe opozitë!
Urojmë
që pas aplikimeve të dështuara në UNESCO dhe INTERPOL, aplikimi në Këshillin Evropian
të jetë çelës për anëtarësim edhe në organizatat e sipërpermendura dhe një
ogurë i mirë për liberalizim të vizave për qytetarët e getoizuar kosovarë.
Pritjet e gjata të
Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare
Nisur
nga procedurat ligjore dhe ato byrokratike të institucioneve të Bashkimit
Evropian, Kosovës pas aplikmit për anëtarësim, i duhet një kohë e gjatë derisa
të shqyrtohet dhe votohet kërkesa për pranimin në Këshillin e Evropës, për të
cilën kërkohet votim unanim i shteteve anëtare për pranimin e Kosovës si pjesë
përbërëse e këtij unioni!
Kërkesa
e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë duhet të kalojë nëpër disa filtra:
Sekretari i Përgjithshëm, Komiteti i Ministrave, Asambleja Parlamentare,
Kongresi i Këshillit të Evropës, Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut dhe
Konferenca e organizatave ndërkombëtare jo-qeveritare, etj!
Na
mbetet të shpresojmë që kjo të ndodhë edhe më herët, por jo më largë se në
pranverën e vitit të ardhshëm. Megjithatë, do të ishte fat i mirë për Kosovën
që kjo të ndodhë brenda mandatit të kësaj qeverie. Derisa të vjen përgjigja nga
Këshilli Evropian, Kosova mbetet mes shpresës dhe zhgënjimit të madh.
20.05.2022