E enjte, 10.10.2024, 08:14 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Kopeja me zgjebe ndjek autorin

E hene, 16.05.2022, 07:00 PM


KOPEJA ME ZGJEBE

NDJEK AUTORIN

(Satirë groteske në Tri beteja)

NGA KALOSH ÇELIKU

Koha e ngjarjes: Vitet e ndryshimeve demokratike, kur rrufjanët,“patriotët” e vonuardhe kulturofagët i prinin popullit për në liri dhe i forconin radhët e tyre në policinë letrare me kulturofagë, gjysmëanalfabetë dhe këlyshë me zgjebe për të kurdisur linçe intelektuale dhe për të krijuar afera të ndryshme në mjetet e informacionit...

Vendi i ngjarjes: Shkupi dhe Tetova. Dy kryeqendra shqiptare. Njëri i njohur me Urën e Gurit, Kalanë, Rrapin dhe ngjarjet e “Bit-Pazarit”. Ndërsa, tjetri i njohur me Sharrin Plak, Universitetin e Tetovës dhe “Arabati Baba Teqen”...

Burimet e autorit: Nëna Parti... Kafenetë e qytetit... Takimet letrare... Bufeja e Teatrit... Kuvendi i Rebelëve... Mjetet e informacionit... “Pazari i Grave”...

Heronjtë:

KALOSH ÇELIKU

CUFË DILINXHIU

TATA E MADHE

DOKTORZIU

KLIENTI I DOKTORZIUT

ZOTI MINISTËR

REBEL RRAPI

TATA E VOGËL

HADUM SOMUNI

DAUDIJA

FAQEKUQI

EDON KAÇAKU

KËLYSHI I LLAGUT

KËLYSHI I SHARRIT

KËLYSHI ME ZGJEBE dhe

TRI RROSPITË MESHKUJ

Lavdi “heronjve” të gjallë

Vite me radhë më jeni ndërsyer pas shpine, e keni ngritur njërën këmbë të ma plotësoni Dosjen, të më inspironi për vepra letrare, të ma shkruani biografinë. I lumi unë! Më keni lavdëruar e më keni sharë nëpër gazeta policore, rrugë, taverna… O Imzot, keni shpifur e çka s’keni thenë për mua: rrugaç, kurvar, sarhosh, hajdut, mashtrues, Omar Khajam shqiptar… Fatkeqësisht, deri më sot asnjëri nuk ia qëlloi se kush jam mes këtij bërlloku që ma zë frymën, që më ngulfat në Qytetin e Qyqeve…

E di se ju kam qëlluar për vdekje me shpatën e satirës, por unë s’kam faj që ju jeni këlyshë me zgjebe e unë Ujk që e njoh më së miri Veten, rrugën për në Baba Tomor. Malin e Perëndive… Tyrben, nateditë ku pihet vera me Dy shtama… Pasmesnate, lindë poezia… Dhe, bëhet dashuri me Hënën e plotë mbi ?elvjollcë me lindjen e Diellit…

Unë do ta vazhdojë luftën me penë, ndërsa ju edhe gjatë kohë me një asht në gojë dhe me një torbë taxhi përqafe, do të lihni pas meje nëpër gazetat policore…

Hi-hi-hiii…

Në vend të prologut:
RINGJALLJA E HERONJËVE

Dekori

Errësirë. Nëpër dritë të hënës mezi duken disa varre. Në mes të varreve një Rrap, nën të cilin është ulur një burrë me mjekër dhe me nje gunë të zezë deri në fund të këmbëve. Dritat ngadalë përforcohen dhe tashmë shihet qartë fytyra e tij e pështetur për trungu. Torbën e ka varë në një degë, shkopin e ka pranë dhe shfleton një libër. Dikur ngrihet, e merr torbën dhe e var në qafë. Shkopin e rrok në dorë dhe u sulet gurëve të varreve duke i thirrë në emër.

CUFË DILINXHIU: Bam... Baam... Baaam... Kush je ti? (Dikur përkulet mbi varr dhe përpiqet të lexojë emrin e mbiemrin.) Doktorziu... Ehë. Edhe ti paske vdekur para kohe. Zgjohu! Erdhi demokracia! Atdheut i duhen luftëtarë... Partive - patriotë... Popullit - heronj për t’i prirë në fitore... Liri... Bam... Baam... Baaam... Po, ndal njëherë të të shoh kush je ti tash? Edhe ti me siguri je nga ata burrat e rëndë të Atdheut. (Përkulet mbi varr.) Zoti Ministër! O, hajde zgjohu edhe ti bre burrë i Hyqymetit! Na dil zot, edhe sot si dje, nëpër fushat e Mejdanit. Atje, ku binin kokat e dhunoheshin burrat me brekë mbi pantallona për një torbë taxhi... Zgjohu, he burrë! Edhe një herë rroke mauzerrin, na prij për në liri! Po, ti?! Rebel Rrapi. Poet rebel, që pi verë nën Rrap! E ke lidhur Gjokun dhe armët i ke varur në një degë. Poezi shkruan për Miken. Luftë me Kral, luftë me Mbret! E ti ç’pret?! Bam... Baam... Baaam... Kush je ti? Edhe ti ke qenë trim mbi trima në atë kohë... Klienti i Doktorziut... Hi-hi-hiii... Vetëm mos m’u anko se ke hequr keq në komunizëm! Ë? Do të më thuash se të kanë dënuar, të kanë përzënë nga puna, të kanë kurdisur linçe intelektuale, të kanë burgosur?... Mos, pash Zotin. Mos! Aman. Zgjohu, kapi edhe ti armët, ngrite flamurin dhe prijna për liri! E di unë, mos m’u arsyeto! Ti së paku sot e ke më lehtë. Bjer në gjunjë, thithe edhe këtë Nënë Parti!... Hi-hi-hiii... Po, ti kush je?! Tata e Madhe! Edhe ti s’e ke vështirë në asnjë kohë. E heq pashterkën e kuqe kur të të teket, në mes të varreve. E dhunon cilin të duash majë çative. E di unë, se edhe mua më ke dhunuar nja dy net rresht mbi varr. Uh, përpak desh ma nxore shpirtin. Edhe pak, e do të vdisja në këtë gropë. Por, për fat, doli drita dhe u arratisa në breg të Liqenit. E ti, kush je ti tash që e ke gjumin kaq të rëndë? Hi-hi-hiii... Faqekuqi... Trim mbi trima... Miku im me të cilin i binim fyellit... I këndonim Atdheut e shkruanim poezi patriotike... I ndiqnim pelat e gomaricat nëpër livadhe... Hi-hi-hiii... Edhe ty të paskan vrarë rebelët?! Apo të erdhi dita e vdekjes?!  Nuk e di. Me siguri ke rënë dëshmor para ndonjë gomarice... Pele... Hi-hi-hiii... Edhe ty, si heronjtë e tjerë, të ka shpërblyer jeta... Hesht, po ti kush na qenke?! Tata e Vogël! Mikja e Poetit që fluturoi nga minarja e xhamisë! Në shenjë proteste, ike nga Atdheu... U arratise mes ferexheve... E ti tash kush qenke?! Daudia... Hi-hi-hiii... Daudia pa dimia... Bukuroshja e fjetur e dasmave të katundit. Vajza azgane që i binte dajres. Din-ka-ka-kanka... Din-ka-ka kanka... Në ta jap, ore djalo, si s ‘ta jap e - jooo... Hi-hi-hiii... Po, ti?! Edon Kaçaku. Ëhë, ëhë... Ti je ai kaçaku që t’u ndërsyen këlyshët nga një kazan bërlloku. Ti je ai që e nxore shkopin dhe i lidhe me zinxhirë... E ju të tjerët!? Këlyshi i Llagut, Këlyshi i Sharrit, Këlyshi me zgjebe dhe Hadum Somuni. Bam... Baam... Baaam... Zgjohuni edhe ju! Ju erdhi koha, prandaj ndërsehuni e lehni sa të doni, se ju s’dini tjetër, përveçse të lehni pas shpine. I bindeni Doktorziut që t’ju ndërsejë me gisht. Edhe ai gjatë këtyre ndryshimeve demokratike u ngrit nga varri. Po, ju?! Tri Rrospitë Meshkuj që bëni gjumë kokë më kokë? Ç’prisni ju? Zgjohuni! Erdhi dita përsëri t’i prini popullit për në liri! Dje, i pritë pesëdhjetë vjet me radhë si komunistë, sot do t’i prini si demokratë! Përpara, të gjithë pas meje për në fitore!... Bam... Baam... Baaam... Zgjohuni!...

BETEJA E PARË:
Rruga për në Baba Tomor

TATA E MADHE: (I bie dajres dhe këndon një këngë, ndërsa Tri Rrospitë Meshkuj e heqin vallen krah për krahu:)

Lumja kulla ç’ka brenda

Rri Kaloshi me shtatë femra,

Që të gjitha ia do zemra.

Por vjen Cufa e qan me lot,

O Kalosh, a po të dalin dot?

Ore Cufë, Cufë Dilinxhia,

Do probleme t’i ka alltia,

Duart larg nga gratë e mia,

Kërkon burra, burrëria.

Dhe një zë vjen që matanë,

Qajnë syzezat për jaranë,

Për Kaloshin qajnë me lot,

E kërkojnë s’e gjejnë dot.

Do të dal moj nënë të marr hakun

Do të dal në mal nga Shkupi,

Ta thërras Kalosh Kaçakun

Me pushkë n’dorë s’di ku humbi.

Për një sy e për një vetull,

Dheu i zi s’ka për t’i tretur,

S’ka ç’i tret dy miqtë e mi

I ka lindur nëna veç për jarani...

DOKTORZIU: Të lumtë, Tata e Madhe! Na e kënaqe shpirtin me këtë vjershë patriotike për Atdheun. Kësaj i thonë vjershë e jo atyre që i shkruan ai Omar Khajami shqiptar për Miken. Ai që e var armën në degë të Rrapit, pi verë e shkruan poezi... E dini çka? Atij duhet t’i mbyllet goja, t’i shahet poezia si “armik” i shtetit “përbashkët”... Nuk është ai Mbret i poetëve. Një ditë duhet ta zbresim nga froni i rebelëve...

TATA E MADHE: Të lumtë, imzot! E si t’ia hapim varrin? Një grusht dhë t’i hudhim në gropë...

DOKTORZIU: Me flijime artistike. Rrëzë Sharrit Plak do të mbajmë një orë letrare për “vëllazërim-bashkimin”. Do t’i thirrim të gjithë poetët e Oborrit... Edhe kalemxhinjtë... Edhe Tun-Batunët... Edhe Hadumët... Ti do t’i biesh dajres dhe do të lexosh një poezi patriotike, Klienti i Doktorziut do ta heqë vallen me shami, ndërsa Këlyshi i Llagut me Këlyshin e Sharrit, Këlyshin me Zgjebe dhe me Hadum Somunin do ta mbajnë isonë me lehjet e tyre nëpër kazanët e bërllokut në “Bit-Pazar”...

TATA E MADHE: Vazhdo, vazhdo!... E gjetëm rrugën për t’i vënë pusi te Rrapi...

DOKTORZIU: Patjetër, një ditë do ta zëmë te Rrapi duke pirë verë dhe duke e pritur Miken...

TATA E MADHE: Unë mendoj ta akuzojmë edhe te Nëna Parti... Ne kemi mjaft dëshmi, librat me poezi… Nuk i këndon ai Mikes, po Kosovës... E këndej pi edhe verë të kuqe... E mashtron veten dhe mendon se, nuk e dimë ne ç’është vera e kuqe... Poezia për Miken... Rrapi... Armët që i ka varur në degë... Gjokun që e ka lidhur nën hije...

DOKTORZIU: E di. E di, por një herë duhet vënë pusi. Patjetër duhet t’ia zëmë udhën. Me ne është edhe Rrospia Mashkull... Klienti i Doktorziut... Këlyshi i Llagut dhe Këlyshi i Sharrit... Hadum Somuni, dhe Këlyshi me Zgjebe.

TATA E MADHE: E kemi në dorë. Shpërblimin letrar ia dha Mikes. Tjetrin një vendasi të tij, gjuhëtar. Skandal të paparë ka bërë në letërsi…

DOKTORZIU: Megjithate, një ditë do t’i vëmë pusi. Asgjë nuk na ka lënë në duar. Ne e kemi ditur, qysh ditën kur me vota të fshehta e zgjodhëm kryetar në Tetovë, por nuk na e merrte mendja se do të jetë kaq i pamëshirshëm...

TATA E MADHE: Bashkë me Klientin e Doktorziut dhe Këlyshin e Sharrit do të provojmë t’i shkaktojmë krizë në Mbretëri...

DOKTORZIU: Rrugë e sigurt. Në gazetën antikulturore dhe antishqiptare “Tymi” e kam Faqekuqin dhe do ta botojmë në faqe të parë dhe do të krijojmë huti edhe në opinon.

TATA E MADHE: Dakord. Ja, po vjen edhe Klienti i Doktorziut, do të merremi vesh edhe për tekstin. Peticionin me nënshkrime.

KLIENTI I DOKTORZIUT: (Hyn) Mirëdita! (I fërkon duart). E paskeni shtruar si burrat...Vallë, kujt ia keni bërë sot gropën?!...

DOKTORZIU: Dihet. E bëjmë planin e luftës. Ai i “Kodrës të Diellit” na dështoi, dhe patëm mjaft viktima. Atdheu kërkon patriotë. E ne më e kemi shaluar “Kalin e Trojës”.

KLIENTI I DOKTORZIUT: Nuk bëhet kulturë me inat...

TATA E MADHE: Ai me inat e pi edhe verën... I këndon Mikes... E do Atdheun…

DOKTORZIU: Megjithatë, duhet shkaktuar krizë me veprimin patriotik të Klientit të Doktorziut në gazetat policore “Tymi” dhe “Rrena”. Në fund duhet ndërsyer edhe Këlyshin e Llagut, Këlyshin e Sharrit dhe Rrospinë Mashkull, fshehur në dimi të grave si të Lindë Markojcës, Telalles të Nënës Parti...

TATA E MADHE: E, ata për një lehje të këtillë do të kërkojnë shpërblim. Rrugës do t’i përdredhin bythët... Patjetër, duhet t’u hedhim nga një asht...

DOKTORZIU: Hajt ti, mos u mërzit për shpërblime... E kam pleqëruar mirë unë këtë punë, do t’ua hedh nga një asht...

TATA E MADHE: E mua?! Nuk do të më japësh shpërblim?! Vallë, aq shpejt i harrove simbolet e mia në vjersha... Vlerat artistike në letërsi...

DOKTORZIU: Patjetër. Ty do të të var për qafe një hajmali të madhe deri në fund të këmbëve...

TATA E MADHE: E pashterkën e kuqe?!

DOKTORZIU: Pashterkën e kuqe do t’ia japim Hadum Somunit. E di, kur ta var ai në shkop... Në majë të çatisë do të thirrë allaxhaba...

KLIENTI I DOKTORZIUT: Edhe kur të hyj në luftë... Shpatën ta rrok në dorë... Rrëzë Sharrit Plak të vras, të pres koka...

DOKTORZIU: O bini, Djemtë e Doktorziut!... Bini!... Rrokni armët që nga Sharri Plak e deri në “Bit-Pazar”!...

HADUM SOMUNI: (Hyn me një libër duke i përdredhur bythët). Do ta bëjmë Kosovë... Shqipëri të Medhe... Iliridë...

CUFË DILINXHIU: Hi-hi-hiii... (I rrotullohet duke i fërkuar duart). Me poezi patetike, këngë me çifteli... Duke i përdredhur bythët nëpër orë letrare... Me ekspozita figurative...

TATA E MADHE: (I turret Cufës pas me një libër në dorë). Dilinxhiu, kujton se unë jam Mikja e livadheve... E kam ngritur bishtin... Kullos bar, rrëzë Çukës... Plasa pas lapsit të tij kryengritës, që edhe mua të më kushtojë poezi...

CUFË DILINXHIU: Hi-hi-hiii... Unë di të shkruaj poezi... E jo ju, që i këndoni Atdheut me patetikë. Njëqind herë janë më të mira ato të mijat që ia kam kushtuar Zonjës së livadheve… Nuses, që e flijoi veten nën hijen e Lisit në mes të livadhit, për vlera artistike... Simbole... Liri…

TATA E MADHE: Dilinxhiu. E heq veten edhe si poet. E këndej, nuk la gjë të gjallë më këmbë nëpër livadhe...

HADUM SOMUNI: Ka botuar edhe një libër. Fund e krye me pëllitje patriotike...

CUFË DILINXHIU; Plasni! Ma keni inatin. Ku dini ju ç’është poezia. Arti. Flijimet artistike... Kritikë për mua ka shkruar edhe Doktorziu. Të thuash për të, se: e di ç’është poezia - po, por ka shkruar edhe për ju që s’keni haber nga arti... Vjershat plot simbole... Shpërblime letrare...

DOKTORZIU: Cufë Dilinxhiu, vërtet është poet. E kam ndër mend ta shpërblej në ndonjë konkurs letrar... E ka arritur kulminacionin... Vetëm edhe dy hapa i duhen deri në majë...

CUFË DILINXHIU: (Duke i fërkuar duart). Hi-hi-hiii... Edhe unë ty do të të shpërblej në ndonjë livadh... Edhe atë, dihet, me një shkop me kërrabë... Hadum Somuni nuk është më në modë. Pëllitjet e tij letrare janë tejkaluar moti. Koha e sotme kërkon vlera të reja, flijime artistike...

TATA E MADHE: (E merr dajren dhe këndon, ndërsa Tri Rrospitë Meshkuj heqin valle):

Ç’ka Hadum Somuni me mua

Herë sillet si burrë, herë si grua:

Kur dal te Rrapi në Shatërvan

Kokën fët kthen mënjanë.

Ç’ka Hadum Somuni me mua

Mos keq e kam hidhëruar?

Kur i këndova me trumbeta

Që i dhimbset një “tungjatjeta”.

Ç’ka Hadum Somuni me mua

Që, del e ftohet në krua.

Vallë e zemëroi çiftelia

Që, më akuzoi te Partia...

Ç’ka Hadum Somuni me mua

A e di se unë prapë e dua?!...

CUFË DILINXHIU: (U bie duarve dhe e përqafon.) Jo. Nuk merr vesh nga poezia... Arti... Tatë, nuk e dua Hadum Somunin... Unë të dua ty, oj Tata e Madhe! Me ty do ta shkruaj librin me të mirë me poezi... Gjithë qytetin do ta ngre më këmbë...

TATA E MADHE: Rren! Gjithmonë më ke gënjyer. Librin më të mirë ia ke kushtuar Mikes Liri. E di unë, me të rri gjithë ditën në livadh me laps në dorë... Nën hije të lisit rrokullis frymëzime... Vjersha plot simbole...

CUFË DILINXHIU: Jo. Librin me të bukur do ta shkruaj me ty, mbretëresha ime majë froni. Edhe atë, pasmesnate. Atëherë, kur në dhomë do bjerë tërmet e do shuhen dritat, kur Baba Shehu të ta vëndojë shtëllungën e leshit dhe të çmendet nëpër errësirë... Hu-hu-huuu...

TATA E MADHE: Hi-hi-hiii... Ç’do të thuash me këtë?! Baba Shehu je ti, ore qyqar?! Pashterkën e kuqe ti do të ma hedhësh mbi kokë... Gjithë natën do të m’i përzësh xhindët...

CUFË DILINXHIU: Jo. Jo, Baba Shehu i shëron nuset shterpë... Në Tyrbe mbi varr të Baba Shehut... Vetëm se, dihet, jo për një natë... Përzënia e xhindëve kërkon më shumë kohë... Një javë... Një muaj... Një vjet…

TATA E MADHE: Hi-hi-hiii... E ti, ku i shëron?

CUFË DILINXHIU: Unë? Hi-hi-hiii... Unë në livadhe... Tyrben e kam nën Rrap... Tri herë me radhë duhet sjellë rreth varrit të Baba Shehut që t’ua përzë magjitë...

TATA E MADHE: Hi-hi-hiii... Edhe unë jam e sëmurë... Xhindët me rrahin gjithë natën... Nuk bëj fëmijë...

CUFË DILINXHIU: Mos u bëj e marrë! Eja në vete!... E di unë, ti, e ke mbushur lëmën me fëmijë… Katundin...

TATA E MADHE: E sëmurë jam. E sëmurë. Eja këtu, m’i prish magjitë! Ngutu, m’i var për qafe hajmalitë. Oh, më mbytën xhindët... (I sulet dhe e rrëzon në mes të dhomës.)

CUFË DILINXHIU: Oh, mos! Mos, ma nxore shpirtin! O, vraponi të vdekur, se më mbytën të gjallët!...

TATA E MADHE: Qëndro! Ç’pret, nxirre armën!... Edhe ti i thua vetes burrë... Xhindët duhet përzënë me shkop...

CUFË DILINXHIU: Aman, mos! Mos, se: nëse çmendem unë, nuk ka kush të më qetësojë në livadh! E bëj gjakun deri në gjunjë... E bëj Kosovë... Shqipëri të Mdhe... Iliridë...

TATA E MADHE: Hajt, se të qetësoj unë. E rrok çiftelinë në duar dhe ia gërdis pushkën shkaut...

CUFË DILINXHIU: Mëshirë, Tata e Madhe! Mëshirë. Ti e di se unë nuk jam patriot...

TATA E MADHE: Je! Si nuk je?! Patjetër. Kujt mendon t’ia lësh këto troje?! (I rrok bythët me duar.) Këtë pasuri të tundshme?! (I kap gjinjtë me duar.) Shkaut, ë? Shkaut...

CUFË DILINXHIU: Asnjë pëllëmbë. E sidomos shkaut, kurrë! (Ngrihet më këmbë.) Ku e kam mauzerrin?... Ma sillni mauzerrin!... Shpatën e Skënderbeut... Pushkën t’ia gërdis shkaut... (E rrëzon Tatën e Madhe në mes të dhomës.)

TATA E MADHE: Oh... Oh... Oooh... Cufë, mbushe mauzerrin me fishekë! Mbushe plot!...

CUFË DILINXHIU: Cufa e ka zor sa të hyj në luftë, se: kur hyn, nuk kthehet pa fitore... Nuk i dorëzon pa luftë Cufa, jo, këto troje... As këtë pasuri të tundshme...

TATA E MADHE: Cufë, nxirre edhe shpatën e Skënderbeut!... Nxirre!... Le të marrë vesh gjithë Shkupi se Cufë Dilinxhiu hyri në “Bit-Pazar”... E pushtoi me shpatë “Pazarin e Grave”...

CUFË DILINXHIU: Edhe atë, me kalë shale...

TATA E MADHE: Oh... Oh... Ooooh... Cufë, mos i dorëzo armët, vazhdoje luftën! Këto troje nuk janë të shkaut... Kjo pasuri e tundshme... I kam ruajtur nga armiqtë për ty qe dhjetë vjet... E kam ditur se vetëm ti një ditë do t’i pushtosh me Shpatë... Oh... Oh... Ooooh...

(Frymëmarrje e thellë... Piskamë… Rrokullisje... Tërmet... Dritat ndizen e shuhen në skenë. Errësira bie në dhomë...)

BETEJA E DYTË:

Vuajtje për Atdheun

(Dritat ndizen në skenë. Në një kënd shihet Doktorziu i kërrusur mbi do libra. E shfleton njërin. Tjetrin. E merr në dorë “E përcolla Natën “... Nevrikoset... E hedh me inat...)

DOKTORZIU: Ptëhu... Ky shkrimtar ma nxori shpirtin... Ndonjërin e bëj për vete edhe me një recension... Me këtë nuk di si t’ia dal në krye. E pata lehtë me Viçin e palëpirë. Me një recension negativ e qita në kokërr të shpinës dhe tash turret pas meje, mendon se, do të me bien udhës... Me këtë rebel e kam vështirë, se nuk e qan kokën ai për recensione. Në do shkruaj mirë, në do keq, për të është njësoj. Faqekuqin e kam mik. Vërtet nuk merr erë nga letërsia, ama për çdo ditë m’i fërkon herdhet me duar. E kam shërbëtor të mirë. Pa mua nuk bën asnjë hap... Edhe zoti Ministrin e kam bërë për vete me një recension. Edhe ky nuk merr vesh nga letërsia, ama mua më duhet. Hadum Somuni, dihet, ec pas hapave të mi në letërsi. Një ditë, me siguri do të bëhet kritik me nam në Tun Batun... Këlyshët me zgjebe janë të nevojshëm në çdo kohë. Sidomos në këto çaste, kur edhe u arratisa në kabinetin e Babait të Haxhi Deputetit...

HADUM SOMUNI: (Troket në derë.) Tak... Tak... Taaak...

DOKTORZIU: Hyr!

HADUM SOMUNI: (Hyn duke i përdredhur bythët.) Mirëmbrëma, zoti Doktor...

DOKTORZIU: Hë, ore, ç’të re kemi nga Qyteti i studentëve? A e keni ende gjallë atë Doktorin që do t’u bëjë universitet shqiptarëve në mes të varreve?

HADUM SOMUNI: Po. Bile-bile, në kohë të fundit ka ngritur mjaft krye. Gjithë frerët e Universitetit i mban në duar...

DOKTORZIU: Po si nuk e rrëzuat ende nga froni?!

HADUM SOMUNI: E do populli... E duan studentët...

DOKTORZIU: Populli është kope... Universiteti nuk duhet t’i lihet atij në duar. Më mirë është t’i vihet dryni... Shqiptarët i kanë të hapura dyert në çdo universitet të Shtetit demokratik...

HADUM SOMUNI: Edhe ky yni nuk është larg për nga kokëfortësia...

DOKTORZIU: Hë, vërtet, a bisedove me shkrimtarët e Oborrit? Po me peticionin ç’u bë?...

HADUM SOMUNI: Asgjë. Peticioni na dështoi qëkur ia dhamë Këlyshit të Sharrit. E ka nënshkruar vetë, gati për të gjithë anëtarët. Pastaj, ai Rebeli, me një shkrim në gazetë, u përgjigj se nuk e ka ndër mend të japë dorëheqje...

DOKTORZIU: Atëherë, duhet vazhduar luftën! Është mirë që, përveç Këlyshit të Sharrit, t’i ndërsehet edhe Këlyshi i Llagut...

HADUM SOMUNI: Patjetër. Mirë është t’ia kurdisim edhe Tatën e Madhe... E mbështjell ajo disi në pashterkë të kuqe...

DOKTORZIU: E Kuvendin, kur e kemi?

HADUM SOMUNI: Në dhjetor. Ashtu si e lamë në Kuvendin vjetor...

DOKTORZIU: Atëherë, duhet të përgatitemi për Kuvend. Duart duhet t’i përveshim deri në bërryla. Të gjithë duhet të organizohemi për sulme. Njëherit, duhet bërë edhe presion për dorëheqje. E, nëse edhe kështu nuk ia arrijmë, atëherë do ta shkarkojmë nga froni...

HADUM SOMUNI: Është i rrezikshëm. Për çdo hap tonin merr vesh para kohe. E kemi vështirë t’i vëmë pusi pas porte...

DOKTORZIU: Kësaj radhe nuk do të shpëtojë lehtë. E kam në dorë. Këlyshët me zgjebe ia kam ndërsyer pas shpine... E ndjekin hap pas hapi...

HADUM SOMUNI: Vështirë futet ai në dorë. Vështirë. Tamam kur mendon se e ke shtrënguar në grusht, ai të rrëshqet si peshku nga dora...

DOKTORZIU: Nuk bën të dorëzohesh para kohe. Shqiptari më parë dorëzon mejdanin, pastaj armët... Ec tashti dil pas gjahut! E kemi afruar pranë Vathës dhe, hop, ia mbyllim derën...

HADUM SOMUNI: Ika. Ende sa është dritë...

DOKTORZIU: Mos ik, po shko! Për ty nuk është as dita, as nata. Ik dhe fërkoi duart... Vetëm bythët mos i përdridh nëpër Tun Batun. Art nuk bëhet duke i fërkuar duart dhe duke i përdredhur bythët...

HADUM SOMUNI: E, kur do të shkruash për librin tim me ilahi?!...

DOKTORZIU: Ec tashti! E di unë këtë punë... Edhe atij një ditë do t’i vijë radha...

HADUM SOMUNI: (E hap derën dhe del duke i përdredhur bythët nëpër oborr.) Mirupafshim!... Mirupafshim! (Edhe një herë e kthen kokën duke bërë me dorë para se ta mbyllë derën.)

DOKTORZIU: Mirupafshim! (Telefoni cingëron. E ngre kufjen.) Alo? Po. Ëhë, ti qenke, Cufë?! E di. Po ku je, ore? Moti nuk jemi parë, dil ndonjë ditë në ëmbëltoren “Lezeti”. E di. E di, ose ti ose askush tjetër nuk bën për mua luftë. Kemi një kundërshtar të rrezikshëm, por s’prish punë. Ai i ka premtuar një patrioti. Vetëm se kot e kanë, ne jemi dëshmorë. Kemi çdo gjë në duar. Edhe Nënën Parti... Edhe Shtetin... Po, po, patjetër do të korrim fitore. E di unë ku kapen ata: kinse se gjithe bota, kur i nxjerr punëtorët në pension, më nuk i aktivizon, ngase janë të paaftë për punë. Mirëpo, bota nuk ka nevojë për kuadër, kemi ne. Ja, edhe këtu kemi përparësi, se do të fitojmë vend pune. Ëhë. Ehë... E di, por unë i kam larë duart nga ai. Është i dyshimtë. Turp s’ka fare. Por edhe ti duhet të hidhesh në aksion që ta zbresim nga froni. Ëhë...Ëhë… Do ta sulmojmë nga te gjitha anët. Po qe nevoja, do ta.shpallim edhe hajdut... Spiun... Kurvar... Sarhosh... Këlyshin e Llagut e kemi me vete... Klientin e Doktorziut... Këlyshin e Sharrit... Hadum Somunin... Edhe Tatën e Madhe... Vetëm edhe ti pak të hidhesh në aksion dhe e pat froni... E di. E di... Çka, kërkon shpërblim?! Epo, dihet, edhe atë do ta marrësh së shpejti... Ti e di se nuk të kemi mbetur borxh... Suksese!... Tërt. Mërt. Tërt... (E lëshon kufjen, ngrihet dhe vesh setrën. E merr çantën dhe del në oborr. Errësirrë në skenë... Muzikë.. Ngadalë, pas disa minutash, skena ndriçohet dhe shihen disa anëtarë. Herë pas here vjen edhe ndonjë tjetër. Rebel Rrapi është i ulur pranë katedrës dhe i numëron anëtarët për kuorum.)

DAUDIJA: Hajde, të fillojmë se më iku ora!

REBEL RRAPI: Jo ende, te presim edhe pak! Nuk kemi kuorum. E rruga është rrugë...

FAQEKUQI: Mirë është të fillojmë, se kemi mjaft pika në rend të ditës!

DAUDIJA: Erdhi kush erdhi, të fillojmë! Ndonjëri ndodh të vijë ndërkohë. (Dikur hapet dera dhe hyjnë disa anëtarë.)

REBEL RRAPI: Tashti mund të fillojmë, se kemi kuorum. Së pari duhet të zgjedhim kryesi të punës. Unë propozoj që në kryesi të punës të jenë këta anëtarë: Edon Kaçaku, Tata e Vogël dhe Xhaxhi Kuqezi. A pajtoheni? (Ngrihen duart përpjetë.) Mirë. Vazhdojmë!

KËLYSHI I LLAGUT: (E merr fjalën.) Kryetari duhet të paraqesë dorëheqje. E ka privatizuar Shoqatën. Po ashtu, ka bërë edhe keqpërdorim të mjeteve mateniale... Është hajdut... Kurvar... Sarhosh... Omar Khajam shqiptar...

ZOTI MINISTËR: (E merr fjalën duke u dridhur dhe nxjerr shkumë nga goja.) Ne do t’ju shkatërrojmë me penë...

DAUDIJA: Kryetari duhet të japë dorëheqje. E ka futur Shoqatën në borxhe. E udhëheq si firmë private...

ZOTI MINISTËR: (Tinës e nxit Këlyshin e Sharrit.) Dil tashti! Dil, lexoje peticionin!...

EDON KAÇAKU: Ju lutem, mos merrni fjalë pa rend!

KËLYSHI ME ZGJEBE: (Nervozohet, del nga vendi dhe i sulet Edon Kaçakut.) E di ti se unë t’i thyej hundët! Pse nuk ma jep fjalën?!... Edhe unë jam anëtar... (E ndalin dhe e kthejnë në vend.)

REBEL RRAPI: Jo, ti nuk je anëtar. Ndoshta je, po jo këtu te ne, me siguri je në Shoqatën e Kopesë me Zgjebe...

EDON KAÇAKU: Unë në këtë atmosferë nuk mund ta vazhdoj Kuvendin. Paraqes dorëheqje. Ose ta largoni sulmuesin!

FAQEKUQI: Jo. Jo, vazhdo me mbledhjen! Koleg, dil kërkoi falje! (I drejtohet Këlyshit me Zgjebe.)

CUFË DILINXHIU: (E merr fjalën.) Shokë, për gjëra të këtilla të shkon koka! Fërt, të bie para këmbëve... E di, si të mos e kesh pasur fare në qafë...

EDON KAÇAKU: Nuk mund ta vazhdoj më mbledhjen. Ose sulmuesi të largohet, ose do ta ndërpres Kuvendin...

DAUDIJA: Jo, Edon, jo. Le të dalë sulmuesi të të kërkojë falje!...

KËLYSHI ME ZGJEBE: (Ngrihet ngadalë dhe i kërkon falje.) Më fal, Zotëri! ... Gabova…

ZOTI MINISTËR: Peticionin... Le të lexohet peticioni!... Peticioni...

KËLYSHI I SHARRIT: (Ngrihet nga vendi dhe del përpara anëtarëve dhe e lexon peticionin.) Doktorziu, Zoti Ministri, Tata e Madhe, Klienti i Doktorziut, Daudia, Faqekuqi, Këlyshi i Llagut, Këlyshi i Sharrit, Rrospia Mashkull... Hadum Somuni...

REBEL RRAPI: (E merr fjalën.) Peticionin nuk e kanë nënshkruar të gjithë ata emra që i lexoi Këlyshi i Sharrit. Shumica e nënshkrimeve janë të falsifikuara. Ndonjëri nga ata nuk është as anëtar. Pastaj, është dashur së pari t’i dorëzohet Kryesisë. Kështu siç është, sa për sy e faqe, nuk mund ta marrim parasysh në këtë Kuvend.

CUFË DILINXHIU: Unë nuk e kam nënshkruar për shkarkimin e Kryetarit...

ZOTI MINISTËR: (E nxit Tatën e Madhe.) Dil, tashti ti! Dil, thuaja të gjitha në fytyrë!

TATA E MADHE: (Ngrihet nga vendi dhe del përpara anëtarëve.) Kryetari duhet të ma japë mua edhe vulën edhe nënshkrimin! Ai nuk është hajdut, as i pandershëm, por i bën të gjitha...

KËLYSHI I LLAGUT: Kryetari edhe qesh... Ka krijuar një kierarki në Kryesi... Ai ka manipuluar me të gjithë... (Ngrihet të dalë nga Kuvendi.) Nuk dua më të jem anëtar i kësaj Shoqate!

EDON KAÇAKU: Zotëri, kthehu prapë! Ende nuk kemi përfunduar me mbledhjen. (E kthen.)

CUFË DILINXHIU: Në është ashtu, siç thoni ju, në ka manipuluar me ju, atëherë ai qenka gjeni...

TATA E VOGËL: Hi-hi-hiii... E keni... inat... ngase ka vënë rend dhe rregull në Shoqatë. E pi verën... I këndon Mikes... Pararendësi i tij nuk na la as edhe një laps kimik. Tashti i kemi të gjitha: me zyra, telefon, manifestime kulturore, libra, revistë letrare... As postin nuk ia kanë dorëzuar, por e ka pranuar me vendim të Kryesisë...

CUFË DILINXHIU: Unë jap dorëheqje...

KËLYSHI I SHARRIT: Edhe unë...

TATA E MADHE: Edhe unë..

FAQEKUQI: Kryetari duhet të pushojë, është lodhur nga puna. Mirë është të tërhiqet në rehati, nën Rrap. E pret vera... Mikja...

DOKTORZIU: Ne do të themelojmë shoqatë tjetër, jo të rebelëve, po të patriotëve melez... Nuk mund të vazhdojmë kështu e të bëjmë kulturë me inat.

REBEL RRAPI: E di si bëni ju kulturë: duke i fërkuar duart e duke i përdredhur bythët... Udhambarë në Shoqatën e Kopesë me Zgjebe! Nuk rrinë bashkë në thes mollët e shëndosha me ato të kalburat.... U vjen era... qelben...

EDON KAÇAKU: Në mesin tonë ka edhe të tillë që kanë spiunuar, që kanë burgosur e që kanë vrarë shkrimtarë... Nëse vazhdoni kështu me shpifje e etiketime, do t’i hapim letrat...

TATA E VOGEL: Akuzuesit nuk kanë të drejtë. Llafe! Të gjitha janë rrena të kulluara... Shpifje... Etiketime... Afera politiko-letrare... Edhe nga goja e Këlyshit të Llagut, edhe e atij të Sharrit... Edhe nga Tata e Madhe me pashterkë të kuqe...

REBEL RRAPI: Nga ky Kuvend kërkoj që deri në Kuvendin zgjedhor të mos pranohen dorëheqjet e dhëna! Për hir të disa këlyshëve e rrospive meshkuj, që i ngatërrohen nëpër këmbë, Shoqatën nuk mund ta lëmë në mes te rrugës.

FAQEKUQI: Unë jam që Kryesia te vazhdojë punën deri në Kuvendin zgjedhor, që do të mbahet në fund të prillit. Vetëm me një kusht: që Kryetari dhe kjo Kryesi të mos kenë më të drejtë të zgjedhen në Kryesinë e ardhshme...

EDON KAÇAKU: Atëherë të votojmë që Kryesia të vazhdojë me punë! E, sa i përket propozimit të dytë, që të mos kenë te drejtë në rizgjedhje, kjo nuk vjen parasysh. (Të gjithë i ngrenë duart.) Pra, siç shihet, të gjithë jemi për një vendim të këtillë... (Anëtarët, njëri pas tjetrit, dalin në oborr. Errësira bie në skenë... Muzikë...)

BETEJA E TRETË:

Vrapim pas shpërblimit

(Errësirë. Muzikë. Tata e Madhe i bie dajres, ndërsa nëpër skenë turren tri hije. Ngadalë, dikur ndriçohet skena. Tri Rrospitë Meshkuj turren nëpër skenë dhe i bien dajres. Dera hapet, dhe hyn Rebel Rrapi me një libër në dorë.)

REBEL RRAPI:

Ty bre kalemxhi të kam kallëzue

Nuk ta qet me u provu me mue.

Se s’ke zemër me hy në luftë

Qe pesëdhjetë vjet je tuj u tutë.

Natë e ditë të kanë vu samarë

Argat ke punu në tjetër arë.

Zotërijve tuj ua fërkue përditë

Mbylle ma gojën, he jezit!

Se t’shkoi jeta me parolla t’ndyta

E kam lapsin me dy tyta...

TATA E MADHE: I poshtri. Nuk e qan fare kokën për ne të Oborrit. Edhe me Nënën Parti nuk e ka punën mirë, as me Shtetin... Vetëm me Miken dhe verën. Rrapin, tek i cili i ka varur armët, e ka lidhur Gjokun...

DOKTORZIU: Një ditë do t’ia mbyllim gojën... Këlyshët me zgjebe ia kemi ndërsyer pas shpine... Edhë policinë letrare... Të gjitha dyert ia kemi mbyllur me dry. Edhe dritaret. I ka mbetur vetëm oxhaku. Edhe atë do t’ ia mbyllim, ndonëse e mba veten si kaçak. Në një libër me poezi na akuzon se ne, kulturofagët: ia kemi mbyllur derën... Dritaren... Fisit të kaçakëve, siç thotë ai për veten, që hyn nga oxhaku...

TATA E MADHE: E di unë, kush e stimulon për luftë... E di... Mikja... Vera...

DOKTORZIU: Miken ia përzumë në Lindje... Edhe verën do t’ia derdhim një ditë...

TATA E MADHE: E kemi kot. Ne ia përzumë, por ai e solli me poezi... E lau me verë dhe bashkë me të fluturoi nga minarja e xhamisë në qiell...

DOKTORZIU: Paskemi shpëtuar. Nuk do ta lidhë më Gjokun nën Rrap... Nuk do t’i varë më armët në degë... Nuk do t’i këndojë më Mikes...

TATA E MADHE: Oh, jo. Jo! Nuk mund të rrimë rehat... Sidomos tashti, kur është bërë edhe Profet... Na ka vënë pusi nën Rrap...

DOKTORZIU: Profet?! Jo, ore. Jo, Profet, por një bohem i harruar nën Rrap... Duke e pritur Miken t’i kthehet nga arratia...

TATA E MADHE: Po, por emri i tij kudo shtie tmerr... Natën... Ditën... Shëtit nëpër Qytet... Shkolla... Gazeta... Orë letrare... Biblioteka...

DOKTORZIU: Nesër, do t’ia ndërsej edhe Daudijen në gazetë... Rrospinë Mashkull më të dëgjuar në Qytetin e Qyqeve..

TATA E MADHE: Kot. Nuk çan fare kokë ai. Ndodh, pas Rrapit t’ia ngre këmbët në hava... Bythëkrye ta bëjë në livadh... E keni për detyrë, thotë, të merreni me mua si shkrimtar... Ju paguajnë Doktorziu... Policia letrare... Nëna Parti... Shteti...

DOKTORZIU: O Imzot! Po ai i ditka të gjitha?! E di edhe në cilin legen të palarë hamë përshesh... Pimë ujë...

TATA E MADHE: E di. Bile-bile thotë: Po të mos ishit ju, as unë nuk do të isha shkrimtar... Ju kam miq... Edhe pse më urreni... Shani... Unë ju dua... Natë e ditë i lutem Zotit... Mëshirë, jua fal mëkatet! Nuk e dinë ku e kanë kokën... këmbët... Bythën e dinë, por ç’e do kur nuk i shpie në Baba Tomor... Malin e Perëndive…

DOKTORZIU: Budallai... E paskan hallakatur librat. Nuk më duhet mua një mik i tillë që e shan Nënën Parti... Shtetin... Kopenë me Zgjebe... Rrospitë Meshkuj…

TATA E MADHE: Ne nuk e duam, po ai na do për miq... Thotë: Nuk mund ta mendoj jetën letrare pa ju si shkrimtar... Pa Rrapin tek i cili e lidh Gjokun, dhe në degët e të cilit i var armët... E pi verën... E shkruaj poezinë... E pres Miken...

DOKTORZIU: O imzot, më shpëto nga ky i çmendur! Natë për natë e shoh në ëndërr... Poezia e tij para kohe do të më shtjerë në dhé... Më turret rrugëve të qytetit nëpër “Bit-Pazar”... E kam frikë... Frikë... Frikë…

TATA E MADHE: Oh, jo. Jo, mos u tremb! Thotë: nuk meritoni ju të gjithë të hyni në poezi... Në poezi mund të hyjë vetëm Mikja... Vetëm ajo e ka derën hapur, edhe ditën edhe natën... Ju e keni të hapur, thotë, vetëm derën e halesë... Xherizin e doni ju, Rrospia Meshkuj... Xherizin...

DOKTORZIU: E si ta heqim qafe?! Ku t’i vëmë pusi?!... I përdorëm gati të gjitha metodat... Linçet intelektuale... Aferat... Policinë letrare…

TATA E MADHE: E martuam, e ndamë nga gruaja... por kot... E do Miken... Verën... Nuk na do neve... Jo...

DOKTORZIU: Megjithatë, do t’ia gjejmë ilaçin... Miken e kemi vështirë t’ia marrim nga librat... Verën... jo se jo! Kemi një rrugë tjetër: do t’i krijojmë probleme. Nuk do ta lëmë rehat... Herë pas here do t’ia marrim kohën, do t’i ngatërrohemi nëpër këmbë...

TATA E MADHE: Të lumtë!... Nuk do ta lëmë rehat në gazetat policore... Do t’ia ndërsejmë të gjithë këlyshët melezë që i kemi në Oborr... Qentë me zgjebe...

KLIENTI I DOKTORZIUT: (Hyn në derë.) Më falni... Nuk e mora me mend se jeni ende këtu në dhomë...

DOKTORZIU: Jo. Jo, hyr, ke ardhur tamam në kohë... Kemi një problem... Na është ngatërruar lëmsh... Dita - ditës i humbim pozicionet... Karrierën politike... Dje mjetet e informacionit... Sot Shoqatën... Nesër edhe kokën...

KLIENTI I DOKTORZIUT: Vështirë e ke të luftosh me këtë kaçak... Gjithë jeta më shkoi duke i fërkuar duart dhe duke dhënë dorëheqje. Dje në Shoqatë, sot në Televizion...

DOKTORZIU: Turp s’ka fare. As respekt. Vështirë e ke ta blesh me një recension... Me një sahan të palarë... Legen... E di, lehtë e ka pasur Hadumi i Tun Batunit me bythët naaaa, si palare... që e dërguam për “specializim” në Amerikë... Edhe diplomë fakulteti i dhamë në “Bit-Pazar”... Kohën e fundit punon në temën e doktoraturës: Përdredhja e bythëve në Tun Batun...

TATA E MADHE: Hadum Somuni është talent. E meriton titullin. Fundi i fundit, e ndjek rrugën tuaj të karrierës artistike... Me siguri një ditë edhe do të jetë shkollë letrare e Tun Batunit... Megjithatë, ne duhet të bëjmë edhe një luftë... E kemi situatën në dorë...

KLIENTI I DOKTORZIUT: Hë?! Na e trego shtegun!... Gardhin, ku mund të kërcejmë në Bahçe... Mollët s’ka nevojë të na i shkundësh, i shkundim vetë me të dyja duart...

TATA E MADHE: Shoqaten t’ia rrëmbejmë nga duart... Ushtarët i kemi brenda në Kalë të Trojës... Edhe mua më keni në bark të Kalit... Edhe Këlyshin e Sharrit... Edhe Këlyshin e Llagut... Edhe Hadum Somunin...

DOKTORZIU: Ka gjasa të bëjmë për vete edhe shumë kalorës të arratisur... Kapen ata për karremi edhe me një krimb... E Zoti ka dhënë me bollëk krimba...

KLIENTI I DOKTORZIUT: Nuk duhet t’i dorëzojmë armët pa luftë... Kemi edhe një rast për fitore...

DOKTORZIU: Cilin?! Edhe treni i fundit po na ikën nga stacioni... Tjetri vjen pas njëqind vjetëve...

KLIENTI I DOKTORZIUT: Shoqatën duhet ta marrim ne, e jo t’ua lëmë atyre rebelëve...

DOKTORZIU: Mirë, t’ua marrim. Po, si?!... E kanë në dorë dhe kanë filluar ta pastrojnë nga Qentë e Oborrit... Këlyshët me Zgjebe...

KLIENTI I DOKTORZIUT: Megjithatë, do të bëhemi gati një muaj përpara... Edhe Kryetarin do ta zgjedhim me kohë...

DOKTORZIU: Kam edhe një propozim: ta bojkotojmë Kuvendin... Përpara, në sulm!... O vdekje, o fitore!

TATA E MADHE: O burra, që sonte fillon lufta!... Rrotulloni telefonat. Bisedat te “Lezeti”... në çajtore... Redaksi...

DOKTORZIU: E bëj unë planin e luftës. Ju vetëm i tuboni ushtarët... Dhe prisni shenjën...

TATA E MADHE: Unë do ta bind Cufën të dalë në ballë të luftës. Erdhi koha që edhe ai më në fund ta nxjerrë shpatën... Mjaft më bëri luftë vetëm livadheve... Është koha të dalë edhe nëpër “Bit-Pazar”...

DOKTORZIU: Cufën është me rëndësi ta fusim në luftë. Po nuk duhet t’i besojmë shumë, se, po e pa Miken, merr livadhet... E neve na duhen luftëtarë...

TATA E MADHE: Mos u tremb! Këlyshi i Llagut dhe ai i Sharrit nuk dalldisen livadheve si Cufa... Janë patriotë... Turren pas Nënës Parti, si dhelpra pas herdheve të dashit... Edhe Hadum Somuni vetë është Mike, se i përdredh bythët nëpër Tun-Batun...

DOKTORZIU: Megjithatë, nuk duhet ta humbim luftën... E kemi shumë afër fitoren...

KLIENTI I DOKTORZIUT: Rebelët duhet të mbahen nën kontroll... Nuk duhet t’u jepet pushtet... Institucionet... E sidomos mjetet e informacionit...

TATA E MADHE: E mua vetëm më mashtroni se do të me punësoni në ndonjë gazetë policore. Gjithë ditën ju shkoj pas e askund t’ju bien udhës... Hë këtu e hë aty, mbeta me gishta në gojë... U lodha në këto vrapime maratonike... Brekët më ranë në fund të këmbëve...

DOKTORZIU: Shpërblimet merren pas luftës... E mbajmë ne fjalën... Premtimet... Zonjë, ne jemi komunistë të vjetër...

KLIENTI I DOKTORZIUT: Unë ju besoj, zoti Doktor... Brez pas brezi, ne jemi artistë... E kemi zanat luftën... Qimen e ndërrojmë, po jo edhe hujin...

TATA E MADHE: Hi-hi-hiiii, komunistë...

HADUM SOMUNI: (Hyn duke i përdredhur bythët.) Budallaqja. Jo komunistë, po artistë...

TATA E MADHE: Mirë de, mirë. Artistë... (Edhe ajo, si ai, i përdredh bythët.) E kemi zanat, por duhet punuar me plan. Mirë është Doktorziu të bisedojë edhe me Cufën... Fundi i fundit, le t’i hedhë një asht... E ha Cufa patjetër dhe, hop, kur ta shohësh, në breg si peshk në kokërr të shpinës... Hop, hop, kërcen mbi zall... E lëviz bishtin...

HADUM SOMUNI: Zoti Ministrin e kemi me vete... E kemi edhe Nënën Parti... Edhe pushtetin... Edhe Shtetin...

TATA E MADHE: Rebelët le t’i fërkojnë duart. Nuk u kemi ne faj, që nuk dinë t’i përdredhin bythët... Pispillosen nëpër manifestime artistike... Ta flijojnë veten në ndonjë kazan bërlloku... Nuk i do as Oborri... as Nëna Parti... as Shteti...

DOKTORZIU: Unë kam lidhje të vjetra... Që nesër do t’u bëj presion... Ndjekje në letërsi... Asnjë varg nuk do të mund të botojnë pa ditur unë si njeri i pushtetit... Oborrit... Të gjitha dyert do t’ua mbyll edhe në Shkup, edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë..

TATA E MADHE: Hesht! (Ngrihet dhe i jep zë televizorit. Dëgjohet zëri i spikeres.) “Sot në lokalet e shkollës fillore “Liria”, në “Bit-Pazar” të Shkupit, u mbajt Kuvendi zgjedhor i Shoqatës të Shkrimtarëve Shqiptar...”

DOKTORZIU: O imzot! E paskemi bojkotuar vetveten. E paskan mbajtur Kuvendin, ndërsa ne qe një muaj bëjmë plane organizimi pushtuese... E zgjodhëm edhe kryetarin... (I bie të fikët dhe rrëzohet në mes të skenës.)

HADUM SOMUNI: (Vrapon drejt derës, duke i përdredhur bythët.) Vrik, sill një kovë me ujë! Zoti Doktor, mos u bëj merak! Ne do ta themelojmë Shoqatën e Kopesë me Zgjebe...

TATA E MADHE: Ujë!... Ujë!... Ujë!... Ngutuni, se na vdiq Doktorziu!

TRI RROSPITË MESHKUJ: (Turren me një kovë ujë dhe ia hedhin në fytyrë... Doktorziu nuk lëviz nga vendi... Njëra ia merr dorën, ia vë veshin te kraharori.) Paska vdekur... (Fillojnë ta vajtojnë... Shkulin flokët.)

Oi, oiii si na vdiqe ti

Kush do na shkruajë biografi

E do të na dërgojë në polici

Oi, oi, oiii...Oi, oi, oiii...

Oi, oi, oiii... Kush do na përçajë

Natën të na vrasë e ditën të na qajë.

Oi, oi, oiii... Hapu varr

Të hyjë një patriot shqiptar...

(Errësira bie në skenë... Vajtime… Piskamë... Hoxha dëgjohet në minare...)

Në vend të epilogut:
VAJTIMI I DAUDIJES

(Dritat në fillim herë ndizen, herë shuhen. Pastaj rrinë të ndezura. Në skenë shihet Daudia, e cila vajton mbi Doktorziun. Atë e mba përkrahësh Hadum Somuni. Ajo e gervish fytyrën me thonj dhe i shkul flokët...)

DAUDIJA: Këtë mund ta bëjë vetëm Kalosh Çeliku! Personazhet e kësaj satire te “Pazari i Grave” u befasuan nga lajmi që dhanë mediat, se: në Shkup javën e kaluar qenka mbajtur Kuvendi zgjedhor i Shoqates së Shkrimtarëve Shqiptarë. Të gjithe ne, edhe unë Daudija, pra, që e kishim vendin aty, nuk morëm ftesa me kohë. Mua të shkretës, Daudijes, Rrospisë së Doktorziut, Kalosh Çeliku pa asnjëfarë burrërie e fisnikërie m’i grisi dimitë. Nuk më pyeti fare, por u kandidua edhe një herë për kryetar, me atë fytyrë groteske të ambientit letrar, Rebeli me Mjekër. Burri i botës nuk e mbajti fjalën, po ma lëshoi “Zekthin”. E unë, si Daudija pa dimia, pasi u rrokullisa në faqe të parë, bishtin në shpinë dhe hajt te shtëpia…

KALOSH ÇELIKU: E unë, moj Daudije, si kurvar, sarhosh e rebel, siç më keni shpallur ju, nuk i trembem sojit tënd të Rrospisë. Unë nuk jam mjek, po shkrimtar. Ti, moj Daudije, e ke gabuar adresën për ndihmë...

TRI RROSPITË MESHKUJ: (Në stilin e Vaso Pashë Shkodranit,

i bien dajres dhe këndojnë:)

O moj Daudi, e mjera Daudi

Kush të ka qitë me krye në hi?

Ti ke pasë kenë nji palaço i randë

Burrat e Flakës të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë mjerime e sallamadi

Me hozdomakë t’vjetër, me hozdomakë t’ri.

Flakën livadh t’babës, si ara e bashtina

Me honorare të majme, me përfitime t’mira.

Me burra trima, me gra te dlira

Ti ndër gjithë shoqet je kenë ma e mjera.

Kur kriste pushka si me shkrepë moti

Zogu i Daudijes gjithmonë i zoti.

Ka kenë për Flakë, e n’Flakë ka vdekun

E nder mbrapa kurrë s’i ka mbetun.

Kur ka lidhë besën burri i Daudisë

I ka shti dridhën gjithë Makedonisë.

Ndër lufta t’rrepta gjithkund ka ra

Me faqe t’zezë gjithmonë asht da.

Po sot, Daudi, pa m’thuej si je?

Po sikur Zylfika i rrëxuem përdhe.

Shkon bota sipri, me këmbë të shklet

E një fjalë t’ambël askush s’ta flet.

Si mal me borë, si fushë me lule

Ke pasë kenë veshun, sot je me kule,

E s’të kanë mbetun as emën, as besë

Vetë e ke shitur për faqe t’zezë…

CUFË DILINXHIU: Lufta vazhdon me penë. E ka thënë këtë Kalosh Çeliku. Ai mund ta mbajë armën pa leje, ndërsa ju të tjerët dorëzoni me kohë. Ecni përsëri, kthehuni në varre! Nuk jeni ju për 1uftë. Jo. E keni frikë Zonjën Vdekje... Frikë. E keni bartur në shpinë me vite e vite për në Baba Tomor. E kurrë nuk e shkelët Vendin e Perëndive. Atje ku shkruhet poezia, ku bëhet dashuria e ku pihet vera. Prandaj, përsëri do t’ju kthej në mesin e varreve. Ecni! Mos u shtyni si kafshë të buta! Për të gjithë ka vend. Një nga një, me radhë: Tata e Madhe, Doktorziu, zoti Ministri, Klienti i Doktorziut, Daudija, Faqekuqi, Këlyshi i Llagut, Këlyshi i Sharrit... Hadum Somuni... Këlyshi me Zgjebe... Tri Rrospitë Meshkuj...

REBEL RRAPI: E unë?! ... Edhe unë kërkoj një vend për varr...

CUFË DILINXHIU: Ti do të bësh roje. Nata është e gjatë dhe me errësirë... Huti ende turret nëpër terr... Lakuriqi... Zogu i Keq na këndon mbi çati...

KALOSH ÇELIKU: Edhe mua, si duket, më harrove?! Nuk e ke lexuar librin tim më të ri, ku kërkoj një vend për varr...

CUFË DILINXHIU: Jo. Kur hesht pushka, flet pena... Ti do ta vazhdosh luftën me penë...

TATA E VOGËL: E unë?!...

CUFË DILINXHIU: Ti do ta fusësh Kalosh Çelikun në luftë... Nga ato dy shtamat e tua do t’i japësh natën të pijë verë... Frymëzim për ta vazhduar luftën me penë…

(Nën Rrap shihet Kalosh Çeliku me Miken duke pirë verë... Në dorë e ka penën... Arma e varur në degë... Gjoku i lidhur nën hije. Dritat shuhen në skenë. Pastaj ndizen edhe një herë dhe përqëndrohen te Rrapi... Shuhen... Ndizen... Shuhen... Ndizen...)

(Fund)

Shkup, 2 prill 1999

Nga Libri: Kopeja me zgjebe ndjek Autorin (2000).



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora