Mendime
Ymer Avdiu: “Festa e Abetares” në Karagaq të Pejës dhe veçimi racist i ashkalinjve që gjuhë amtare e kanë shqipen!
E merkure, 18.05.2022, 07:08 PM
“Festa e Abetares” në
Karagaq të Pejës dhe veçimi racist i ashkalinjve që gjuhë amtare e kanë
shqipen!
Nga:
Ymer Avdiu, Prishtinë
“Festa
e Abetares”, racizmi budallë,turpi dhe faqja e zezë?!
Sot
në portalet e Kosovës dhe nga aktivistë e qytetarë u shpërnda një foto nga
Karagaqi i Pejës, ku është mbajtur aktiviteti qendror për “Festën e Abetares”
tërë Kosovën, e në të cilin aktivitet paskan marrë pjesë edhe nxënës nga
Shqipëria. Por lezetin e kësaj feste, shume e rëndësishme për këta fëmijë të
klasës së parë e paska prishë, turpëruar dhe madje shkretue deri në absurd
ndarja e disa fëmijëve të komunitetit ashkali në një kënd të veçantë të sallës,
ndaras nxënësve të tjerë. Këta fëmijë gjuhë amtare e kanë shqipen dhe shkollën
e bëjnë në gjuhen shqipe. Kjo ndarje nuk ka si quhet ndryshe pos racizëm i
shkallës më të egër e më primitive të saj-segregacion.
Duke
e njohur mirë natyrën e këtyre organizimeve që bëhen ndër ne dhe psikologjinë e
organizatorëve (në shumicën e rasteve pa asnjë premisë pedagogjike e didaktike
e edukuese, që do të ishte misioni dhe karakteri i një feste të tillë, por për
qëllime revyale e sfilate dhe për tu dukur dikush në gro-plan), mund të “baj be
me 24 pleq”, se askujt nuk i ka shkuar ndër mend për pasojat që ka pasur kjo
ndarje, ky budallëk i organizatorit dhe as qe i ka shkuar ndërmend kujt se ky
është një segragacion dhe nje racizëm i turpshëm. Pra kjo pamje raciste
segregacionale është bërë nga budallëku, por ky racizëm budallë është turpi dhe
faqja e zezë për ne të gjithë pa përjashtim, është ndërgjegjja jonë e vrarë,
është gjynahu ynë i shpërfaqur në ditë me diell. Dhe, besoni se nuk ka fare
rëndësi çfarë pasqyre të ndryrë na qet, shfaq, prezanton dhe na reflekton para
botës, (pavarësisht se s’ kalon pa pasoja), krahasuar, me pasojën dhe me
mëkatin që është bërë ndaj këtyre fëmijëve dhe të gjithë fëmijëve tanë që po e
mbarojnë klasën e parë në gjithë vendin dhe njollë e marres për tërë sistemin
arsimor të Kosovës dhe ne si shoqëri. Turpi bëhet aq më i madh për ne si
shqiptarë, që nga viti 1986 e deri në fund të luftës 1999 e kemi provuar në
shpirtin dhe qenien tonë racizmin dhe segragacionin e shtetit serb. Si njeri që
gjatë asaj periudhe (1986-1999) jam angazhuar me tërë qenien time njerëzore dhe
intelektuale për të drejtën e shqiptarëve për barazi me të tjerët dhe për
shkollim të lirë, sot kur e shoh këtë fotografi segregacioni , ndjehem tepër i
turpëruar, maksimalisht i fyer dhe i thyer në shpirt. Personalisht jo vetëm se
solidarizohem me këta fëmijë, por sot jam ashkali, egjiptas, rom, boshnjak,
goran, torbesh dhe pjesëtar i çdo minoriteti të Kosovës dhe i çdo minoritari në
botë që i shkelen të drejtat njerëzore.
Ani
pse është bërë prej budallëku , nga pakujdesia dhe mungesa e sensit njerëzor në
radhë të parë dhe nga mungesa ekstreme e dijes dhe e profesionalizmit,
organizatorët duhet të përgjegjën, jo vetëm moralisht, kurse Ministria e
Arsimit…. të Kosovës do të duhej që sot të dilte me një kërkimfalje publike.
Në
krejt këtë turp, ana pozitive ishte reagimi i shpejtë, i ashpër dhe besoj i
sinqertë i njerëzëve të këtij vendi, pra i shoqërisë, i medies, i aktivistëve
dhe i qytetarëve që e shprehen në rrjetet e tyre sociale.
Besoj
dhe dua ta shoh si rast të izoluar. Personalisht kam parë raste shumë pozitive
në 3 shkolla të Prishtinës si trajtohen mirë dhe me dinjitet nxënësit e
komunitetit ashkali, të cilët jo veç se janë të integruar dhe të pranuar mirë
në klasë dhe në shkollë, por janë pjesë e të gjitha grupeve kulturore që
organizon shkolla: Janë këto shkollat fillore “Emin Duraku”, “Qamil Batalli”
dhe “Asim Vokshi” të Prishtinës e besoj se si në këto tri shkolla është edhe në
shumicën absolutet të shkollave të Kosovës.
Eshtë
koha e fundit që të gjitha manifestimet kulturore që organizohen, veçmas në
shkolla dhe për fëmijë, që ta kenë një porosi të qartë dhe jo tubime tallava e
për promovim të dikujt dhe të disave.
* Autori është gazetar dhe specialist i çështjeve arsimore.
Jeton në Prishtinë.
DRINI.US