Mendime
Florim Zeqa: Fabrika nuk kalon, pa kaluar eskavatorët mbi trupat tonë!
E hene, 16.05.2022, 06:50 PM
Fabrika nuk kalon, pa kaluar eskavatorët mbi trupat tonë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Nën
moton “Ta mbrojmë Klinën, Lulen e Dukagjinit”, në Dollc të Klinës u mbajt
protesta mbarëqytetare kundër ndërtimit të Fabrikës së Çimentos. Emërues i
përbashkët i të gjithë oratorëve dhe pankartave të kësaj proteste ishte
mbrojtja me çdo kusht e ruajtjes së ambientit dhe ruajtjes së shëndetit të
qytetarëve.
Të fortëve të politikës
dhe oligarkëve ekonomik nuk ju intereson shëndeti i qytetarëve
Nën
rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e ambientit, Kosova është
privuar nga e drejta e eksploatimit të Lingnitit (Thëngjillit) në territorin e
Komunës së Klinës për rritjen e kapaciteteve energjetike në vend, mirëpo, kur
janë në pyetje interesat personale dhe të grupeve të caktuara të interesit për
ndërtimin e Fabrikës së Çimentos në komunën tonë, nuk po përfillet mbrojtja e ambientit
dhe as shëndeti i qytetarëve!
Qytetarë
të Klinës, bashkëvendas të dashur, pasojat e ndotjes së ambientit dhe në
veçanti pasojat në dëmtimin e shëndetit të popullatës janë shumëdimensionale,
Përveq pasojave shëndetësore dhe ambientale, pasojat do të jenë edhe ekonomike
në dëm të banorëve lokal. Ndotja e ambientit do të ulë në minimum çmimin e
pasurive të paluajtshme (shtëpive dhe pronave tokësore), pasi askush në të
ardhmen nuk do të ketë interesim të blejë shtepi apo pronë në një ambient të
ndotur me pluhur kancerogjen të çimentos.
Që
i bie se, ndërtimi i Fabrikës së Çimentos në Dollc të Klinës, përveq shëndetit
do të shkatërroj pasurinë dhe të ardhmen afatëgjate të banorëve të kësaj ane.
Pengimi
i ndërtimit të Fabrikës së Çimentos në asnjë rrethanë nuk guxon të politizohet,
për arsyen e thjeshtë, se pluhuri kancerogjen i çimentos nuk zgjedhë përkatësi
partiake, është kërcënim permanent i shëndetit të të gjithë qytetarëve.
Prandaj,
kundër ndërtimit të kësaj fabrike vrastare për popullatën, duhet të jenë
njëzëri të gjitha subjektet politike në Komunën e Klinës pa dallim, pushtet dhe
opozitë.
Në
ballë të çdo proteste duhet të jenë kryetari i Komunës së Klinës dhe kryesuesi
i Kuvendit Komunal bashkë me të gjithë asambleistët.
Një
çështje ekzistenciale sikurse që është kjo e pengimit të Fabrikës së Çimentos,
nuk guxon të delë para asnjë interes personal, e më së paku atij partiak, ngase
pushtetarët shkojnë e vijnë, por thërmiat vrastare të pluhurit kancerogjen do
t’na vrasin në heshtje çdo ditë e çdo natë.
Heshtja institucionale
sot, nesër bëhet armë vrastare e qytetarëve
Për
këtë arsye, heshtja e institucioneve komunale sot, do të kthehet nesër në armë
vrastare për qytetarët e komunës së Klinës dhe jo vetëm, pasi perimetri i
ndotjes së ambientit do të jetë shumë i gjërë dhe do t’i kalojë me shpejtësi
kufinjët komunal.
Nuk
i jepë të drejtë vetes të flas në mënyrë hipotetike, se cilat komuna do të
preken më pak apo më shumë pas Klinës nga pluhuri kancerogjen i çimentos, por
këtë do t’ua ilustroj me një shëmbull të thjeshtë. Edhe pse Shkupi është në
distancë të gjatë (mbi 24 km) largë Hanit të Elezit, Maqedonia e Veriut ushtron
presion tek organet kompetente të Bashkimit Evropian për mbylljen e Fabrikës së
Çimentos në Hanit të Elezit, për shkak se gazërat dhe pluhuri shkojnë edhe
përtej qytetit të Shkupit.
JO Fabrikës së
oligarkëve të lidhur me pushtetin!
Prandaj
institucionet e komunës së Klinës duhet të dëgjojnë dhe respektojnë zërin e
qytetarëve të shprehur në forma të ndryshme, filluar nga ankesat individuale
dhe ato të organizuara, siq janë peticionet dhe protestat mbarëpopullore në
kundërshtim të kësaj fabrike.
Objektiv
i çdo qeverisje komunale duhet të jetë lehtësimi dhe zgjidhja e problemeve të
qytetarëve, e jo rëndimi i jetës së tyre, i cili në këtë rast është pak më
tepër se kaq, është shkatërim i jetës së shumë gjeneratave.
Kryetari
aktual i Klinës si gjeolog që është me profesion i di mirë resurset natyrore të
vendit ku është planifikuar ndërtimi i Fabrikës së Çimentos mbi plantacionin e
Vishnjeve, plantacion ky, i cili dikur ka qenë krenaria e Rrafshit të
Dukagjinit, profitabil për Kosovën dhe i njohur në ish RSFJ dhe rajonin e
Ballkanit.
Pa
humbur kohë kryetari i Komunës së Klinës duhet të distancohet nga grupet e
interesit dhe ta merrë anën e qytetarëve, duke e anuluar vendimin për ndërtim
të fabrikës vrastare për qytetarët e Klinës. Në të kundërtën, ai me të gjithë
mbështetësit e tij morbid do të bëhen bashkëpjesmarrjes në shkatërrimin e
ambientit më të bukur dhe më të pastër në Kosovë dhe vrasjen e ardhmërisë së
gjeneratave të ardhshme në komunën e Klinës dhe më gjërë!
Për
të qenë e keqja akoma më e madhe, grupet e interesit përmes mediave dhe
portaleve të kontrolluara nga ana e tyre, po i dezinformojnë qytetarët kinse
për të mirat që sjellë ndërtimi i fabrikës kancerogjene në Dollc të Klinës!
Ndërtimi
i Fabrikës së Çimentos ndikon në radhë të parë në shëndetin e qytetarëve, në
ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, respektivisht në kontaminimin e produkteve
bujqësore dhe blegtorale, si dhe në të gjitha produktet e bujqëve të vyer të
kësaj ane.
Le
të gjendet një lokacion tjetër për ndërtimin e kësaj fabrike sa më largë
qytetit dhe fshatrave të Klinës, largë lumenjve dhe burimeve ujore!
Fabrika
e Çimentos e ka ndotjen më të lartë sesa 10 gurthyer së bashku!
Andaj,
me çdo kusht duhet të ndalet ndërtimi i kësaj fabrike kancerogjene për
qytetarët e Klinës dhe më gjerë, ngase nesër do të bëhet vonë. Do të jetë vonë,
kur qytetarët do të përballen me vdekjet nga sëmundjet kancerogjene, Flora dhe
Fauna do të zhduken përgjithmonë, kurse Lulekuqja do t’na mbetet vetëm një
imazh i bukur në kujtimet tona!
Protesta
e 14 Majit 2022 në kodrën e Dollcit e arriti qëllimin, duke dëshmuar
vendosmërinë qytetare për mbrojtjen me çdo kusht të jetës së tyre nga ndotja
dhe shkatërrimi në masë që kërcënon Fabrika e Çimentos. Nganjëherë shumë pak
rëndësi kanë numrat, sa ka rëndësi këmbëngulësia e qytetarëve në mbrojtjen e të
drejtave të tyre!
Nëse
sot nuk ndalet ndërtimi i fabrikës vrastare, nesër do të bëhet vonë!