Mendime
Enver Bytyçi: Përse armatoset Serbia?!
E shtune, 16.04.2022, 05:09 PM
Përse armatoset Serbia?!
Nga
Enver Bytyçi
Serbia
armatoset çdo ditë. Së fundmi ajo bleu nga Kina raketa mbrojtëse dhe
militarizimi i saj me armë ruse është një gjë e zakonshme. Natyrshëm lind
pyetja: - Pse armatoset Serbia?Dhe për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetje ka disa
variante:
1.
Kryeministri Kurti, presidenti malazez, Gjukanoviç, presidentja Osmani dhe
Xhaferoviç i Bosnjë-Hercegovinës thonë se "Serbia armatoset për të
destabilizuar pikërisht këto tri vende", përkatësisht Kosovën, Malin e Zi
dhe Bosnjë-Hercegovinën, pra rajonin.
2.
Presidenti kroat bën pyetjen retorike se nga kush kërkon të mbrohet Serbia, e
cila investon kaq shumë për militarizimin e saj?
3.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se "për ne armatosja e
Serbisë nuk përbën asnjë shqetësim, sepse kjo bëhet për vetëmbrojtje"! Pra
sipas zotit Rama, nuk është e vërtetë që Serbia përmes forcimit të buxhetit dhe
makinërisë ushtarake kërkon të destabilizojë rajonin. Madje sipas ti,j nuk
përbën shqetësim se kjo armatosje bëhet me synim që së paku ajo ta dominojë dhe
sundojë politikisht përmes forcës ushtarake rajonin tonë!
Në
fakt përceptimi se Serbia po bëhet kërcënim për paqen e sigurinë e rajonit
është logjika më e pranuar e këtij procesi. Kjo thuhet hapur në Prishtinë, në
Podgoricë e në Sarajevë. Thuhet me gjysëm zëri në Shkup dhe me zë të lartë nga
kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha. I vetmi që mendon ndryshe është Edi
Rama. Për kryeministrin shqiptar është normale fuqizimi ushtarak i një vendi, i
cili për këtë shkak dy dekada më parë shkaktoi luftëra, konflikte dhe katastrofa
humanitare me qindra mijë viktima të pafajshme.
Në
gjykimin e këtij fenomeni analiza nuk shkon vetëm në drejtim të së shkuarës së
afërt dhe historisë tragjike të krimeve kundër njerëzimit që Serbia e
Milosheviçit dhe e Aleksandër Vuçiq ka kryer në vitet e '90-ta të shekullit të
kaluar. Armatosja e Serbisë duhet parë edhe në dy dimensione të tjera:
Së
pari, ajo nuk është vend anëtar i NATO-s dhe mban lidhje strategjike me Rusinë,
Kinën dhe vende të tjera të lindjes. Madje serbët e urrejnë NATO-n po aq sa
edhe rusët. Ndërkohë vendet që e rrethojnë Serbinë janë në NATO, përjashtuar
Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës. Kosova dhe BH nuk përbëjnë asnjë rrezik për
sovranitetin e Serbisë dhe do të ishte idiotësi të mendohej se Beogradi do
harxhonte miliarda dollarë për t'u armatosur nga "frika" e këtyre dy
vendeve. Atëherë rezulton se Serbia ka frikë nga vendet anëtare të NATO-s,
përkatësisht Kroacia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Maqedonia e Veriut,
Shqipëria dhe Mali i Zi, saktësisht nga disa prej këtyre vendeve ose prej të
gjithave njëherësh! Prej këtu shkojmë të arsyetimi se ajo ka frikë nga vetë
NATO! D.m.th, sipas zotit Rama, Beogradi investon në variantin e vetëmbrojtjes
nga një aleancë, ku vendi I tij bën pjesë! Të gjithë e dinë se Rusia nuk e
kërcënon Serbinë. Përkundrazi, ajo po e armatos atë!
Duke
pranuar variantin e supozuar të kryeministrit shqiptar, ne shkojmë te arsyetimi
se Serbia e konsideron NATO-n dhe vendet anëtare të saj si vende armike. Dhe
prej këtej detyrohemi tiI themi kryeministrit Rama se "Sado që t'i
afrohesh presidentit Vuçiq nuk i shpëton dot pozicionit të Shqipërisë si vend
"armik" me Serbinë"! Ta ka lënë këtë peshqesh Sali Berisha që në
momentin që firmosi anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën Atlantike.
Së
dyti, nga analiza e mësipërme shkojmë të arsyetimi tjetër. A mundet që një vend
të asocohet në një nismë të tillë si Open Balkan, kur ai vend i trajton fqinjët
e tij si armiq, qoftë dhe potencialë?! Kësisoj del se Open Balkan dhe armatosja
e Serbisë janë dy fenomene që do të duhej të përjashtonin njëri-tjetrin. Sepse
një Open Balkan i këtij lloji është thjesht i hapur për orekset serbe.
Të
dyja këto dimensione i kuptojnë shumë mirë të gjithë liderët rajonalë. I
kuptojnë tashmë edhe në Bruuksel dhe në Uashington. I vetmi kryeministër në të
30 vendet anëtare të NATO-s është Edi Rama ai që nuk dëshiron ta shohë një
realitet si ky. Ai justifikon mos-vënien e sanksioneve kundër Rusisë nga ana e
Serbisë. E bën këtë duke ngrit në qiell aktin e votës pro-përjashtimit të
Moskës nga Komiteti i të drejtave të njeriut në OKB.
Edi
Rama arriti deri në pikën ekstreme të justifikimit të armatosjes së Serbisë me
armë moderne nga partnerët e saj lindorë. Ndërsa në parim asnjë udhëheqës i një
vendi demokratik nuk përkrah dhe nuk inkurajon armatosjen e vendeve e të
shteteve të ndryshme. Por për Edi Ramën nuk vlejnë as këto parime, kur është
fjala për t'i dalë në krah Serbisë dhe presidentit të saj Vuçiq.
E
ndërkohë kryeministri shqiptar nuk ka shqiptuar asnjë fjalë inkurajuese për
shtimin e buxhetit të Kosovës për mbrojtje, ose për rritjen e kapaciteteve
mbrojtëse të saj. Megjithëse Kosova ka njëmijë arsye më shumë sesa Serbia për
t'u armatosur. Sepse është Kosova ajo që kërcënohet nga Serbia dhe jo e
kundërta!