Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Argatë për një përdorim
E premte, 15.04.2022, 09:39 AM
ARGATË PËR NJË PËRDORIM
(Barcoleta)
NGA KALOSH ÇELIKU
(UJI QË NUK ECË
NUK PIHET)
Im Atë, shpesh e përsëriste një urti
popullore: uji që nuk ecë, nuk pihet... Dhe, unë i biri i tij sot bëj një
krahasim me partitë politike shqiptare. Imzot, janë si uji që nuk ecin. Vite me
radhë janë hurdha, ku notojnë të njëjtit individë. E mirreni me mend, çka mund
të jetojnë në hurdha. Gjithëçka, lloj-lloj gjallëresash, përveç peshqve.
Hurdhat tona janë mbushur me
gjarpërinj... Bretkosa... Mushkonja... Grerëza... Bumballa... E hanë njëri -
tjetrin për të mbijetuar në hurdhë. Zvarriten nëpër kënetë... Shumësohen...
Herë pas here dalin në breg, diell... Rreziten... I kërcejnë njëri tjetrit në
shpinë... U pëlqen uji që nuk ecë, nuk pihet... Kallamishtet... Bërlloku...
Xhirizi... Barishtet... Vendi, ku gjallërojnë dhe fshihen vite me radhë...
Luftojnë... Humbin... Cofin...
Përditë themelojnë parti politike...
Dalin në zgjedhje lokale dhe parlamentare... E fitojnë pushtetin... I ngrejnë
gishtat në Parlament për barazi dhe të drejta kombëtare... E sjellin ligjin për
flamurin kuqezi... Gjuhën shqipe... E realizojnë marrëveshjen kornizë të
Hurdhës... I dalin zot arsimit... Kulturës... Popullit... E kanë televizorin e
vet të Hurdhës... Radion... Gazetat e pavarura... I hapin dritaren...
Fotografohen... Dhe, këndojnë për liri: guak. Guak. Guak... E thirrin
Lejlekun... Haxhibekun tonë, që ia thotë mbi oxhak... Lisa... Ka-ka-kaaa... ta
pastrojë Hurdhën... Gjuetarin, që me çifte në dorë i turret pas një pate të
egër...
E im Atë shpesh thoshte: uji që nuk
ecë nuk pihet...
(E KAPËRCEVA ZALLIN DHE TA
SHKËRDHEVSHA KALIN)
Partitë Politike Shqiptare gjatë
zgjedhjeve parlamentare i skuqën dhe i kaltërsuan qytetetet dhe katundet me
flamuj partiak e kombëtar, qafë për qafe me flamurin diell me rreze. I “ fituan
“ zgjedhjet, dhe pasi hynë në “pushtet“ e lanë shqiponjën dykrenare të kalbet
nëpër bandere.
“Zekthi” para Vitit të Ri, kur i pa
flmujt kuqezi ende të varur nëpër shtylla, tha me vete: Epo, kështu është kur
partitë politike shqiptare i keqpërdorin simbolet kombëtare për ta dalldisur
dhe mashtruar popullin. E pasi e morën “pushtetin“, dihet: gjithë jatën kanë
qenë argatë të partive politike “maqedonse”, e harruan popullin dhe flamurin
kombëtar të varur nëpër shtylla.
E populli shqiptar, e ka një fjalë të
urtë popullore: “E kapërceva zallin dhe ta shkërdhevsha kalin…“
(“SHQIPTARI NDERSHËM”
NË DEMOKRACI)
Në kohën e komunizmit, në periudhën
famëkeqe për shqiptarët, kishim spiunë… Patriotë… “Shqiptarë të ndershëm”… Dhe,
“armiqë” të shtetit “përbashkët”…
Tashti në Demokraci kemi vetëm
patriotë. E mua, më ka marrë malli për spiunë… Shqiptarë të ndershëm… Jo, se
tashti nuk i kemi prezentë në shoqëri… Parti politike… Institucione të shtetit
“përbashkët”… Drejtori të manifestimeve kulturore… Mjete të informacionit… I
kemi, si nuk i kemi… Edhe atë, me shumicë e pakicë… Po, tashti të gjithë e kanë
vënë maskën e patriotit. Shkurt, gjatë ndryshimeve demokratike u shndërruan në
kamelonë. E kanë ndërruar ngjyrën, po jo edhe veprimet patriotike… Hujin e
vjetër legjendar…
Përditë i sheh nëpër mitingjet e
partive politike… Zbulimin e përmendoreve të dëshmorëve të Luftës… Emisione
dokumentare të dramatizuar në MTV, që për nga patriotizmi e kalojnë edhe
Skënderbeun, Ismail Qemalin, Bajram Currin, Kalosh Zajazin, Fan Nolin, Sulltanë
Qafën, Hasan Prishtinën, Azem e Shotë Galicën, Adem Jasharin…
Krekosen, luajnë role të të
përndjekurve e burgosurve politikë, aq shumë të përvuajtur në kohën e
komunizmit si gazetarë, redaktorë e profesorë universiteti… Lotët u shkojnë
rrëke, sa që edhe ne që i kemi njohur në atë kohë e i njohim sot, na dhimben si
“viktima’ të komunizmit… Ndonjërin, edhe me ndonjë libër kuqezi, ku u këndon
prijësve të UÇK-së… Komandantëve të luftës duke i radhitur njëri pas tjetrit me
vargjet antologjike:
“Të gjitha këta trima shqipëtarë
hynë në histori,
e dhanë jetën për liri…
E ngrejnë zërin për liri… Flamurin
kuqezi… Gjuhë shqipe… Kosovë… Shqypni… E vrasin dhe e presin shkaun… Mezi i
zbresim nga binat… Emisionet televizive… Faqet e gazetave… Jetën e japin për
liri…
Dhe, të nesërmen nga ky zjarr i ndezur
nga “patriotët” e këtij soji, këngëtari popullor i Tun Batunit e bënë çiftelinë
copë-copë… Tym e falakë nxjerrë nga goja… E ka nxjerrë shpatën e Skënderbeut
nga brezi… Topat e Mic Sokolit për liri…
(“ZEKTHI - SPIUN“)
Personazhet e “Zekthit” me bishtin në
shpinë, nuk dinin se si të mbrohen nga thumbat para popullit dhe e përhapën
nëpër Qytet, se: “Zekthi është spiun“. U zë pusi në kafene Patriotëve të
vonuar, Rrospive Meshkuj, Rrugaçëve kuqezi, Deputetëve të popullit, Kryetarëve
të partive politike “demokratike “…
Një patriot i Vonuar që e ndiqte
“Zekthin” këmba - këmbës si hije, shkoi aq larg sa që kudo trumbetonte se,
“Zekthi është spiun“. E, nga ana tjetër interesoheshte se ku i gjen Zekthi
gjithë ato para që të bëj qejfe nëpër taverna me gratë besnike: vishet bukur,
të ketë xhip kabriolet “korando“ dhe të shëtis me Gratë e veta besnike.
“Zekthi”, kur i dëgjonte këto
trumbetime të këtij Patrioti të Vonuar qeshej dhe u përgjigjej kurreshtarëve:
mua më prinë Tri Meleqe për në Baba Tomorr…
Një ditë nga këto trumbetime u bë
kurreshtare edhe Mikja Di.
·
Mirë, ore Zekthi, kush të financon ty? “Zekthi”,
buzëqeshi.
·
Gruaja, dhe një Hoxhë…
·
Ma jep mua njërin!... Ndash Gruan… Ndash Hoxhën…
·
Jo. U përgjegjë plumb “Zekthi”. Ty po ta jap Cufë
Dilinxhiun…
·
Jo, nuk e dua Cufë Dilinxhiun, ma jep Gruan ose
Hoxhën!...
·
E do, se do: merre Cufë Dilinxhiun! Ngase, ma kujtove një
histori të Babait.
Im Atë ma rrëfeu para disa viteve, në
kohën e komunizmit. Në katund, UDBA e atëhershme e përhapi se është spiun Miti.
Dhe, të gjithë ne katundarët i iknim Mitit. Nuk folnim para tij, e injoronim si
spiun.
Dhe, në fund, e dini kush kishte qenë
spiuni?! Jo, Miti. Po, “patrioti“ më i madh i katundit, të cilit ne i ishim
rrëfyer pa frikë…
(ARGATË PËR NJË PËRDORIM)
Një mik shkrimtar, pasi u shpallën
rezultatet e konkursit për botime nga Ministria e Kulturës për vitin 2022, i
tha Kalosh Çelikut:
- E pe, se sa i fortë është Këlyshi me
zgjebe i Nënës Parti me “vëllezërit” e Njerkës?! E lanë LSHSHM -së pa
Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkomëtar: TAKIME NËN RRAP (XXVII),
pa revistën letrare STILI 97 (viti: XXV, 60 numra), pa asnjë libër…
Edhe, SHGB “ASDRENI“ e kapi zjarri,
dhunshëm e fshinë nga Regjistri Qëndror i RMV…
- Punemadhe. U përgjigjë shkrimtari.
Edhe deri më tani ato aktivitete kulturore i ka ndihmuar im Atë. Dhe, me siguri
do t’i ndihmojë edhe në të ardhmen…Vetëm se, ata janë këlyshë partiak me
zgjebe, vetëm për një përdorim. E unë, kaçak edhe përtej varrit.
Dhe, përderisa ata janë argatë me afate
të skaduara përdorimi në Qeveri… Ministri, e kanë Nënën Parti, “vëllezërit” e
Njerkës, pushtetin dhe paratë, unë jam Ujk në letërsi… E kam verën…Gratë
besnike…Dhe, penën…