E premte, 26.04.2024, 09:22 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Imzot Nikoll Deda

E merkure, 13.04.2022, 07:39 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr. 18. Zamak i Flamurit…

IMZOT  NIKOLL  DEDA

Imzot Nikoll Deda u arrestua më 13 dhjetor 1946.

Gjatë kohës që ishte në hetuesi, i çuen në dhomë një të arrestuem ato ditë.

Mbas pak minutash ky e shikoi personin e lidhun me litar per shpatullash e të varun në tra dhe e pyeti: Po kush je ti bre Burrë? – I varuni edhe pse e njifte mirë ju pergjegj: Kam pasë kenë Dom Nikoll Deda!

Ai uli kryet e u zhyt nder mendime... Mbrenda një kohe të shkurtë Ai ishte ba që nuk njifej fare. Kishte ndryshue krejtësisht nga torturat. Kështu ishin ndryshue pothuej të gjithë të torturuemit e hetuesisë së Burgut Kishës.

Në Janarin e 1948, mbas një viti tortura Imz. Deda u sjell para gjyqit.

Kryetar Kapiten i I-rë Misto Bllaci, Anëtar N/Toger Anastas Koroveshi, anëtar N/Toger Xhemal Bejtja, duke qenë gati prokurori Kapiten Namik Qemali dhe sekretari i Gjykatës Shaban Qamil Dautaj.

Me 2 Janar 1948 u suallën të pandehurit nga burgu. U pyet identiteti i tyre dhe thanë se quhën:

2. Don Nikoll Zef Deda, i biri i Zefit dhe i Agës, vjeç 58, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë, famullitar, ka vëllaun në burg, një vëlla të ekzekutuar, lindur në Shkodër dhe banues në Hajmel, i rreshtuar me datën 13 tetor 1946.

U pyet i pandehuri Don Nikoll Deda dhe tha: Në atë formë që asht trajtue akuza nuk asht e vërtetë. Nuk asht asgja e vërtetë, qysh në 1930 jam kenë famullitar në Hajmel. Meshtar jam qysh në vitin 1914., kleri ka marrë subvencione nga Austria, nga Zogu dhe Italia, unë kam marrë nga Zogu, por spijun nuk kam qenë por zogist kam qenë.

Nuk kam qenë agjent i imperializmit jugosllav dhe as kam punuar për ardhjen e fashizmit. Me Zogun më mori rryma se desht me më zanë Mustafa Kruja, Kur u ba lëvizja e Dukagjinit organizator ishte Don Loro Caka. Ardhjen e fashizmit e kam quejt si akrobaci të Musolinit dhe m’u duk i keq, në karabinjeri shkoja se hajnat filluan me vjellë famullitë.

Unë nuk dij se ka punuar për fashizmin kleri katolik. 30 e sa armë i janë dhanë popullit për me i përdorë kundër hajnave, por jo kundër Lëvizjes N.Çl. Armët ia kam dorëzue Bib Rrokut, më kanë ardhë në qelë oficera gjerman e italian, por i kam pritë e përcjellë si shqiptar. Kam takue Padër Antonin në Regjencë për sulmin që më bëri Myslim Bejgora me kosovarë. Padër Antoni nuk dij në se ka qenë kriminel i popullit. Pëlqimi i Padër Antonit për në Regjencë ka ardhur nga Selia Shenjte dhe eprorët e tij, me ndërmjetësinë e Gjermanit dhe të Mehdi Frashërit.

Mbas çlirimit takime përsonale nuk kam bërë me njeri, nuk kam kenë fashist këmishzi. Kam kenë shumë herë tek Pjetër Deda, i cili asht arratisë. Kam qenë dy herë në mbledhje, ka qenë Simon Darragjati, Karlo Pistulli dhe ca Vukatanas, e Pjetri fliste me i ra burgut e me nxjerrë të burgosunit. Në mbledhjen e dytë që asht ba në shtëpinë e Cin Serreqit kanë ndodhur Gjoni e Cin Serreqi, Caf Dragusha, Guljelm Suma, dhe do elementa të tjerë që nuk i njoha. Unë kam marrë pjesë rastësisht në këto mbledhje mbasi shkova në shtëpi të Pjetrit dhe, familja më tha se asht tek Cin Serreqi dhe kështu shkova fill atje, nuk dij për sektor pune dhe për të arratisur. Për sulmin e 9 shtatorit nuk kam bisedue as kam qenë i deleguem nga kleri për të marrë pjesë ndër këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë qenë në mbledhje. Unë nuk e dija se asht formuar demokristjania dhe kam shkue vetë tek Pjetri e Cini, pa më thirrë njeri. Unë këto mbledhje i quaja  fantazira dhe se janë me rrezik se nuk bahët kurrgja, nuk ma priste mendja. Nuk lajmërova qeverinë se nuk kam qenë hafieja e kurrkujt, se mejtova se nuk bëhët gjë. Për përpjekjen e 9 shtatorit nuk kam dijt kurrgja, por kur u ba e mora vesh se e kish bërë Kazazi. Unë veprimtarinë teme nuk e quaj  trathti, nuk kam qenë armik i popullit, as vegël e të huajt.

Pretenca e Prokurorit: 8 janar 1946, ditë e enjte, në ora  9.00 para dreke u sollën të pandehurit nga burgu, u formua trupi gjykues si më parë duke qenë gati: Prokurori Kapiten Namik Qemali dhe sekretari Shaban Dautaj. Prokurori bëri pretencën me shkrim dhe përfundimisht kërkoi që të pandehurit të cilësohën fajtor si mbas nenit 2, 3 të pikës 1, 2, 7, 8, 14, të ligjës Nr. 372, dhe në bazë të  nenit 4 po të kësaj ligje kërkoi dënimin e të pandehurve si vijon:

Për  Monsinjor Frano Gjinin, Don Nikoll Dedën,  Padër Mati Prennushin  dhe  Don Tom  Lacën,  me vdekje.

I pandehuri Don Nikoll Deda tha: Më duket mue ndëshkimi i prokurorit i rëndë, përveç mbledhjes rastësisht tek Pjetër Deda e Cin Serreqi tjetër nuk kam bërë, thashë këto kanë qenë të rastit. Subvencionët i kam marrë me titullin “Ndihmë”. Pregatitja e terrenit për ardhjen e Italisë nga unë ose nga kleri nuk është e vërtetë, as për fashistizimin e popullit.

Unë kam shkue me lyp ndihma për ngritjen e Kishës. Nuk kam qenë i lidhur me gjermanë, por u kam dhënë bukë e streh njerëzve të Lëvizjës N.Çl., por edhe gjermanëve për hospitalitet si shqiptar. Unë nuk e konsideroj vetën fajtor. Rroftë Shqipëria. Me dashtë Zotin mbi gjithshka dhe shokun si vedin.

Gjykata Vendosi dënimin e tyre si vijon:

3. DON NIKOLL ZEF DEDA, nga Shkodra, ME VDEKJE, me humbje të drejtave civile e politike të përherëshme, si dhe konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtëshme dhe të paluajtëshme.

Ky vendim është i  p r e m ë.

Tiranë më 6 mars 1948.

KRYESEKRETARI: d.v. ANTARI: d.v.  ANTARI: d.v. KRYETARI: d.v.” (vetëm firmat)

3. DON  NIKOLL ZEF  DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!

P. Kryetar i Gjykatës

67 Rregj./1948                         Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”

Nga kujtimet e zj. Lili Zef Prela (Ndoci):

Lili Prela Ndoci, vajza e madhe e Zefit, kujton: “Edhe pse baba ishte dënuar me vdekje, atë vazhdonin ta torturonin. Duke mos i duruar dot më torturat, një natë përpara se ta ekzekutonin, ai i tha shokut të qelisë Z. Pikolinit: “A thue e kam fatin me u pushkatue dhe unë me ato burra që do të vriten nesër”? Dhe lutja e tij u bë realitet. Të nesërmen me 11 mars të vitit 1948, ai u pushkatua së bashku me 15 burra që ishin të dënuar me vdekje dhe mbaheshin të izoluar aty në Burgun e Fretënve. Unë asokohe isha shumë e vogë, por kam dëgjuar nga njerzit e familjes, se baba, Zefi, atë natë përpara se ta merrnin për ta ekzekutuar, ju lut policit Sulejman Merxhani që t’i dërgonte nanës dy tre copa letre në shenjë amaneti. Ato letra ai i shkroi pak para se ta merrnin zvarrë për ta çuar para pushkatimit, me një fije shkrepse të djegur të cilën e ka ngjyer në gjakun e tij që i rridhte ende nga torturat. Aty shkruhet: “Nanë, Unë po nisem për në Lumni të Parrajzës. Qindroni dhe ma bani hallall. Zefi.” Polici e mbajti fjalën dhe letrat e babës ai i solli në shtëpi. Disa muaj pas pushkatimit të babës, lindi motra, por në shtëpinë tonë nuk ndihej asgjë.”

Fatkeqsi që pak njerëz kanë ruejtë kujtime aq me vlerë nga vuejtjet e Tyne!

Po, sa kujtime të këtilla ruhen në familjet e Nderueme Shqiptare?

Nderim per Herojt tonë që dhanë jeten per Atdhe, Fe e Perparim!

Melbourne….



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora