Mendime » Radovani
Fritz Radovani: At Daniel Dajani
E diele, 10.04.2022, 06:33 PM
Nga Fritz RADOVANI:
Pjesa
Nr. 17. Zamak i Flamurit…
AT DANIEL
DAJANI S.J.
REKTOR I KOLEGJES SAVERIANE DHE I
SEMINARIT PAPNUER SHKODER
At Daniel DAJANI S.J., asht
nder Jezuitët Shqiptar që ka lanë kujtime të pashlyeshme në kujtesen e nxanësve
të Tij dhe të Popullit Shqiptar. Asht le në Blinisht me 2 Dhjetor 1906. Ka
studjue në Seminarin e njohun Papnuer të Shkodres e ma vonë në Goricia t’
Italisë. Në Kieri perfundoi filozofinë.
Në vitin 1935 asht kthye n’
Atdhe e asht emnue mësues në shkollen që kishte studjue Ai vetë. Asht kenë
shumë i përgatitun në gjuhen latinishte. Ngjarjet e vitit 1944 sollën ndryshime
edhe në Seminarin Papnuer të Shkodres, ku At Dajani u emnue Rektor i Kolegjes e
Seminarit Papnor të Shkodres, i cili në fillim të vitit 1946, u mbyll
perfundimisht mbas arrestimit Jezuitve. Dhe kujtohen të pranguem gjoja si
antarë të Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, At Dajani e At Giovani Fausti,
jezuit të pafajshem të dy, me 31 Dhjetor 1945.
Arrestimi i Rrektorit dhe i Zv.
Rrektorit Jezuitve të Shkodres, i lidhun nga vet Sigurimi i shtetit me xhakonin
Mark Çuni dhe At Gjon Shllakun OFM, ishte i urdhnuem direkt nga tirani Ever
Hoxha, i cili me këte rasë, sigurisht po zbatonte urdhnin e diktatorit Tito,
dhanë Tiranës prej ambasadorit të tij.
Të shohim edhe deponimet e
faktet e t’ akuzuemve para trupit gjykues:
At Daniel Dajani S.J.:
“Unë përsëris, nuk dij gja se
ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për
me luftue kundër Pushtetit. Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam
thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të ju nepët rasa. Nuk dij që Pader
Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste. Pohoj, se nuk jam marrë me politikë
mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë.
Jezuitët në asnji mënyrë dhe
asnjiherë, mos me u marrë me politikë.
Nuk dij se ka pasë ndonji
Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë.
Asnjiherë nuk kemi kenë kundër
çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi
pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e
komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë se asht ateist dhe se lufton
Fenë.
Persëris, se, as nuk dij se
egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.”(Dosja 1068
Arkivi Mbrendshme Tiranë)
Mark Çuni:
“Unë dhe Prof. Gjelosh Lul
Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. Fausti e Dajani nuk na kanë folë
për politikë.”
Gjergj Vat Bici:
“Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh
Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin
e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë.”
Luigj Kçira:
“At Fausti e At Dajani, nuk
dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte.”
Me datën 22 shkurt 1946, u dha
vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana,
vjen kjo përgjegje:
Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr.
6-55, dt. 26. 02. 1946,
(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):
“Aprovohet ndëshkimi me vdekje
për:
2. P. Daniel Dajani nga
Shkodra,
Gjykata e Qarkut të Shkodrës
urdhëroi dënimin me vdekje, me pushkatim, të shtatë të arrestuarve. Më 2 mars
mbërriti miratimi për ekzekutimin e tyre, firmosur nga vetë diktatori Ever
Hoxha, dhe dy ditë më vonë, më daten 4 mars 1946, ata u ekzekutuan pranë
varrezave të Rrëmajit në Shkodër.
2. Patër
Danjel Dajani tha para pushkatimit: “I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma
mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), Pader Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.”
***
Populli i Shkodres ka tregue
gjithnjë një nderim e vlerësim për Atë Daniel Dajanin S.J., nga Blinishti,
jezuit i madh dhe i thjeshtë, njëni nga martirët e mëdhaj të Kishës katolike të
Shqipnisë së Martirizueme.
At Daniel
Dajani u pushkatue tue tregue Atdhedashuninë e Tij në mbrojtje të Fesë Katolike
në Shqipni, pikrisht atëherë, kur shpata e komunizmit ateist ishte ma e
pamëshirshme se kurr kunder Klerit Katolik Shqiptar.
At Daniel Dajani S.J., do të mbesin i
pashlyeshem e shembull i nderuem i
meshtarëve të kësaj treve, bijve të denjë të Zadrimës, që dhane jeten per Fe e
Atdhe në Shqipni. Ai shpesh do të kujtonte me shumë mall ceremoninë aq të bukur
të krezmimit të vet, ku mori pjesë Imzot Vinçenc Prennushi, të cilin populli i
Zadrimës, e nderoi shumë në ditën e shkumjes së tij, e rrugën që eci në kambë
deri te famullia e Zadrimës, ia shtroi me lule. Këte pritje kaq të përzemert
dhe të paharrueshme, shkrimtari Imz. Vinçenc Prennushi do ta përjetësojnë me librin
e bukur poetik, "Gjeth’ e lule".
At Daniel Dajani thotë Meshën e parë në fshatin e
tij, në atë vend për të cilin ruente aq shumë kujtime. Ndër njerëzit ma të dashtun
të Dajanit, Meshën e tij të parë do ta ndiqte me zemër që i dridhej Nana e Tij
e vuejtun, Ajo grue aq fisnike që do t'i rrjedhnin lotët rrëkaj përfaqe.
Për aftësi shkencore Jezuitët e emnojnë At
Danielin profesor në Kolegjin Saverian, një gja kjo jo e zakontë për atë kohë.
Ai do të jepje mësim në atë shkollë me aq tradita shumë të vjetra, pranë atyne
profesorave-dijetarë, që për një student të rij si At Danieli, në një moshë
relativisht të re, nuk ishte gja e vogël. At Daniel Dajani e meritonte këtë
vlersim. Ai dha për shumë vite landë të rëndësishme, si: Gjuhë shqipe, latinisht,
filozofi etj. Kryesisht, ishte shumë i talentuem në matematikë dhe veçohej në
oratori.
Shkolla e vjeter e Jezuitve të Shkodres ishte
vatër të rëndësishme dijet dhe shumë e njohun edhe n’ Europë. At Danieli
mërrijti vetem me zotsi të bahet Rektor i Seminarit Papnor të Shkodres. Kjo
ishte dishka aq e madhe sa edhe sot, edhe pse kanë kalue shumë vite, në
kujtimet e atyne studentave që e njohën për së afërmi, mbetet e Perjetëshme
figura e Nderueme e At Daniel Dajanit, At Danieli ishte jo vetem një profesor i
dijtun dhe shumë i dashtun, aqsa i matun dhe gojambël e terhjekës, në ambjentet
shkollore e shoqnore.
At Daniel Dajani ishte njeri i mrekullueshëm në
të gjitha drejtimet.
At Dajani nuk ishte vetëm profesor dhe edukator i
zoti dhe i nderuem, po Ai ishte edhe dijetar i shquem dhe i saktë nder studimet
e Tija. Për disa vite At Danieli drejtoi revistën "Lajmëtari i Zemrës së
Jezu Krishtit", një revistë që kishte ba emën në atë kohë dhe ishte mjaft
e perhapun edhe n’ Europë.
Në periudhën që At Dajani drejtonte revista u
ngrit në një shkallë edhe ma të naltë, tue plotsue dhe zgjanue revistat me
rubrika të reja edhe shumë ma interesante dhe të pelqyeshme per lexuesit e
shumtë kryesisht në Shkoder.
Sigurisht kjo veti e njoftun tek At Daniel
Dajani, tue kenë edhe Shqiptar me shumë veti Shpirtnore e qytetare të
lakmueshme, nuk mund të kalohej pa ra në sy të injorantave vrastarë të sistemit
porsa vendosun diktatorial.
Interesimi i vetë diktatorit tiran e vrastar i
plotson të gjitha të mësheftat e atij sistemi gjakatar e shkatrrues i
gjithshkafes së mirë Europjane. Kjo per fatin e keq të Popullit Shqiptar, sot
asht edhe e trashigueshme nga pasuesit.
Mbetet vetem me hjellë mbas Murit Vorreve të
Rrëmajit, një tubë me lule!
I perjetshem kjoftë kujtimi Yt o, Zamak i
Pafajshëm: At Daniel Dajani!
Melbourne, 9 Prill 2022.