Mendime
Florim Zeqa: Pa nivelizim të pagave, pakoja sociale diskriminuese për qytetarët!
E premte, 15.04.2022, 05:40 PM
Pa nivelizim të pagave, pakoja sociale diskriminuese për qytetarët!
Shkruan:
Florim Zeqa
Ditë
më parë një mbështetës i qeverisë aktuale, më kërkoj ta bëjë një shkrim në
mbështetje të Albin Kurit për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në
Kosovë. Përgjigja ime ishte e shkurtër dhe e thjeshtë; “ashtu siq e kam
mbështetur moslejimin e referendumit, e mbështes edhe moslejimin e zgjedhjeve,
bashkë me pasojat”!
Veprimet populliste nuk
e ndihmojnë të ardhmen e shtetit
Vendimi
i fundit i qeverisë për ndarjen e “100 eurove për të gjithë”, pa u konsultuar
me akterët e tjerë politik dhe profesional, me përfaqësuesit e punëtorëve
(sindikalistët) dhe pronarët e firmave private, është pak më tepër se
popullizëm, është autoritarizëm i llojit të vet!
Masat
ekonomike të qeverisë për “zbutjen” e krizës ekonomike, përkatësisht ndarja në
mënyrë lineare e 100 eurove pa kategorizim dhe pa nivelizim të pagave paraqet diskriminim
të pastër social. Për shkak se 100 euro nuk e kanë të njëjtën vlerë për rastet
sociale dhe për ata që marrin paga deri në 1 mijë euro.
I
vetmi “kategorizim” në rastin e ndarjes së 100 eurove është deri në 1 mijë
euro! Në këtë rast, kjo është pozitive, por jo e mjaftueshme, për shkak se nuk
është e ndershme, e njëjtë dhe e dinjitetshme ndarja e 100 eurove për
pensionistët dhe rastet sociale me ata që marrin rrogë deri në 999 euro!
Në
anën tjetër, kjo ndarje e mjeteve financiare vetëm për një muaj dhe pa
nivelizim pagash, e ka efektin e vogël social, për shkak se nuk mund të blihet
paqja sociale në vend me 100 euro dhe atë vetëm për një muaj të vetëm.
Veprimi
tjetër i pa matur i qeverisë, është ai përcaktimit të njëanshëm të pagës
minimale pa e përcaktuar “tavanin” e pagës më të lartë në vend, e cila e
shpërfaqë trajtimin diskriminues të qytetarëve të vendit.
Barazimi në ndihmë
sociale, veprim i pamatur i qeverisë
Në
asnjë rrethanë, paga më e lartë në sektorin publik dhe privat nuk guxon ta
kalojë dyfishin e pagës minimale, kurse në vendin e paradokseve të quajtur
Kosovë, deputetët dhe ministrat e marrin gjashtëfishin e pagës minimale, e të
mos flasim për pozitat e nivelit më të lartë në vend të cilët e kalojnë
dhjetëfishin e pagës minimale!
Prandaj,
barazimi me ndihmë sociale i shtresave më të varfëra me shtresat më të pasura
të shoqërisë paraqet pabarazi dhe diskriminim të skajshëm qytetar. Zbutja e
varfërisë do të ndodhte me ndarjen e 100 milion eurove vetëm për shtresat e
rrezikuara në proporcion me numrin e anëtarëve të familjes dhe kushtet e tyre
momentale, kritere këto të aplikueshme në të gjitha shtetet e Bashkimit
Europian.
Tendenca
për blerjen e paqes sociale në këtë mënyrë, jo vetëm që nuk e zbutë aspak
varfërinë, i ushqen iluzionet tek shtresat e hipnotizuara, por jo tek të gjithë
qytetarët e vendit.
Për
arsye se një ndihmë mujore sado e madhe që të jetë, është e pamjaftueshme në
përballimin e ngritjes permanente të çmimeve!
Vetëm
ngritja dhe nivelizimi i pagave do të ndikonte në zbutjen e varfërisë dhe
arritjen e barazisë qytetare. Për aq kohë sa të vazhdojë lufta në Ukrainë, do
të ketë ngritje të çmimeve dhe pasiguri globale. Na mbetët të shpresojmë në
vigjilencën e qeverisë dhe ngritjen e vetëdijes qytetare në përballimin sa më
të lehtë të krizës sociale.
Popullistët
mendojnë se janë pak më tepër se njerëz të zakonshëm, se janë të pagabueshëm
dhe të papërseritshëm. Në fakt kjo ka të bëjë me anti-intelektualizëm dhe
autoritarizëm ekstrem e cila vjen si pasojë e mungesës së vizionit politik dhe
ideve të qarta zhvillimore.