Kulturë
Kadri Tarelli: Çamëria, 'Testament Trashëgimie' për botën shqipare
E premte, 15.04.2022, 09:57 AM
ÇAMËRIA
“TESTAMENT TRASHËGIMIE”,
PËR BOTËN SHQIPTARE.
Libri:
“Vendbanimet në hapësirën historike Shqiptare të Çamërisë”.
Autor
Selman Sheme
Nga
Kadri Tarelli
Pak
kohë më parë erdhi në dorën e lexuesit, libri “Vendbanimet në hapësirën historike Shqiptare të Çamërisë” të
studiuesit Selman Sheme, të njohur në botën shkencore me shumë botime, kushtuar
kryesisht gjeografisë së trevave shqiptare. Vetë ballina, veç titullit, na fut
edhe me hollësi të përmbajtjes, duke na njoftuar më tej: “Tabloja fizike-hapësinore, demografike e funksionale”. Ky është
një libër që unë e vlerësoj si një “Testament trashëgimie” për botën shqiptare,
për t’i folur brezave në shekuj, për të mos harruar, njëherazi për ta lartësuar
emrin e Çamërisë shqiptare.
Çdo
libër sado i veçuar të duket si krijimtari, aq më shumë një vepër shkencore me
përmasa të tilla, vetiu kërkon bashkëpunim, diskutim, rrahje mendimesh, miratim
dhe kundërshti, pa folur për korrektim letrar dhe gjuhësor, madje edhe
paraqitja grafike e artistike. Më duhet të përmend se, emra dhe pena të
fuqishme, janë përfshirë, si:
Redaktor
shkencor: Prof. dr. Sabri Laçi
Recesente:
Akad. Prof. dr. Beqir Meta, Prof. dr. Bardhosh Gaçe.
Redaktore:
Dorina Basha.
Korrektore:
Medina Mehmeti
Arti
grafik: Eva Kukaleshi
Kopertina:
Semela Mero.
Autori, Prof, dr. Selman Sheme,
që në fillimet e librit ngulmon bindshëm:
“Çamëria është një konstruksion mental që ekziston në vetëdijen kolektive të
popullit shqiptar, bazuar në origjinën e përbashkët etno-kulturore”.
Pikërisht
këtë dëshirë dhe bindje, autori përpiqet të përcjellë në këtë studim gjeografik
me të gjithë përbërësit, që nga ndërtimi gjeologjik e gjer te klima, bota
shtazore, bimësia, popullsia dhe organizimi shoqëror-politik. Libri pasurohen me
harta edhe grafikë, njëkohësish edhe me emërtimet e të gjithë qyteteve dhe
fshatrave, pa harruar edhe fotot mjaft të bukura. E përgëzoj autorin, sepse në
formë të përmbledhur përfshin edhe trojet shqiptare në lindje të Korçës, me
qytete dhe fshatra, të shkëputura ashtu si edhe Çamëria, pikërisht në mesin e
vitit 1913, me vendimet e “Konferencës së ambasadorëve” në Londër.
Në
libër krahas gjeografisë, nuk përjashtohet edhe historia, dua të them emërtimi,
arkeologjia, toponimet, arti i ndërtimit, historia politike, me kapitullin
“Harta politike e Çamërisë”, etj. Autori shtyhet disi në kohë jo shumë të
largët, kur filluan të hapen plagët, që s’u mbyllën kurrë: “Është viti 1837, me dekret perandorak u bë riorganizimi i këtij “Elajeti”,
ku tokat shqiptare u ndanë në këtë mënyrë: Sanxhaku i Prishtinës, Nishit,
Shkupit, ndërsa sanxhaku i Vlorës, i Delvinës, dhe Janinës, ku bënte pjesë dhe
krahina e Çamërisë, u bashkuan më sanxhakun e Tërhallës. Në këtë “Elajet” tokat
shqiptare ishin të thërmuara.
Sa
dhimbje përcjell kjo fjalë që përcillet e hidhur si pelin i egër, që më
trishton, por edhe më drithëron njëherazi, sepse shpreh mësëmiri gjendje e
Çamërisë dhe krejt trojeve të banuara nga shqiptarët. Autori shton, duke vënë
gishtin mbi plagë : “Kjo ndarje
administrative bëhej me qëllim për të mos i dhënë mundësi popullit shqiptar të
bashkohej, kështu thyhej më lehtë qëndresa e tij”. Pajtohem plotësisht me
këtë përfundim logjik, sepse ky “thërmim” është një ndër shkaqet më të
qenësishme të pasojave që solli “reforma”, pasi në çastin kur Perandoria Turke po
jepte shpirt, në fillim të shekullit XX, shqiptarët nuk mundën dot të bëhen
bashkë ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kështu edhe bota, plot hile dhe
mashtrime, e pati të lehtë vendim-marrjen për copëtimin e trojeve tona në dobi të fqinjëve. Dhe për
ironi të fatit, fqinjët e përkëdhelur
nuk e patën të vështirë të ushtrojnë “spastrim etnik”, si rasti i Çamërisë në
vitet 1944-1945, më pas në vitet 1999, nën këtë shembull edhe boshatisja e
Kosovës nga ushtria serbe. U desh ndërhyrja e botës, që të shpëtohej Dardania
jonë.
Studiuesi
Selman Sheme, e pranon se nuk është i pari që e studion gjeografinë e Çamërisë.
Është Sami Frashëri, filozofi ynë i Rilindjes Kombëtare, që e përfshin dukshëm
edhe Çamërinë në librin: “Enciklopedi historike dhe gjeografike”. Para dhe pas
tij kemi edhe shumë autorë të tjerë vendas dhe të huaj, që i përkushtohen krahinës
dhe banorëve të saj të lashtë sa vetë jeta. Mes tyre është edhe historiani
Hajredin Isufi, çam për nga origjina, sot banor i Durrësit, studiues dhe botues
i disa librave.
Autori
i ndershëm dhe i saktë me vetën thotë:
“Ndryshe nga shumë autorë që janë marrë me trashëgiminë kulturore dhe
historike, nuk kishte një botim të mirëfilltë gjeografik dhe demografik për
krahinën shqiptare të Çamërisë. Pikërisht këtu, ai gjen shtysën për të
hartuar këtë libër me peshë të madhe në letrat shqipe. Një “Monument”, ku ka derdhur shumë mall e dashuri, shumë punë e
përkushtim, shumë shqiptari e atdhetari, për të cilin besoj se ka shpenzuar
mjaft kohë të çmuar si studiues e krijues.
Bindemi
lehtë, mjafton t’i hedhim një sy burimeve studimore, si dokumente arkivore,
literatura e botuar, përfshirë edhe shtypin (gazeta e revista), etj, të cilat mbushin
disa faqe. Të gjitha na shtyjnë t’i themi me plot gojë: “Të lumtë mendja dhe
pena. Kombi, që të mos humbasë, ka nevojë për të tillë burra dhe të tilla vepra”.
Analiza
e një libri shkencor, sado e saktë të jetë, nuk ta jep të plotë tërësinë e
veprës, kështu është mundësia e lexuesit të shijojë nektarin e luleve të Çamërisë
dhe të japë vlerësimin për këtë libër shkencor-gjeografik. Askujt nuk dua t’i
heq kënaqësinë e leximit dhe studimit, ndaj po mjaftohem me këto fjalë të studiuesit,
konsullit francez Pouquevilie, në veprën e tij prej gjashtë vëllimesh, ku
thuhet: “Çamëve u ka hije lëvdata për trimërinë, bukurinë, pastërtinë e
zgjuarsinë”.
Urime
dhe admirim për autorin, që na sjell këtë libër si pasuri kombëtare dhe me theks
atdhetarie. Një “Testament”, që duhet lexuar, duhet mbajtur, e duhet futur në
kujtesën e kombit, si nga politikanet, diplomatët, studentët, mësuesit dhe nxënësit
e shkollave, ashtu edhe nga të gjithë shqiptarët që u dhimbset kjo copë
Shqipërie, që padrejtësisht vazhdon të mbetet “krah i thyer” i shqiponjës.
Shpresojmë
se dëshira, vullneti, përkushtimi i Prof. Dr. Selman Sheme dhe puna kërkimore
shkencore, do të vijojë edhe në të ardhmen, duke na dhuruar vepra po kaq të
bukur e me vlerë.
Kadri Tarelli
Durrës. Mes pranvere 2022.