Kulturë
Shahbaze Vishaj: Një lirik i mirëfilltë
E merkure, 23.02.2022, 07:16 PM
NJË LIRIK I MIRËFILLTË
Për
librin poetik “Mund të jesh ti”, botoi “Globus R”, Tiranë
NGA
SHAHBAZE VISHAJ, KOSOVË
Për
22 vjet, nga botimi i librit të parë (1988) e deri më sot, Qazim Shehu botoi 14
vepra letrare në poezi dhe në prozë, prej tyre dhjetë vëllime poetike me poezi
për të rritur dhe katër vëllime me tregime. Shikuar titujt e vëllimeve poetike
(pa llogaritur të parin “Fjalët e mëngjesit”, botuar në kohën para zhbërjes së
monizmit, të gjithë titujt e tjerë (nëntë prej tyre) tregojnë se kemi të bëjmë
me një shpirt prej liriku të mirëfilltë e serioz, ku shprehjet figurative dhe
metaforike stolisin poezinë e tij, sa të fuqishme, aq edhe të figurshme dhe
kuptimplote. Mjafton të përmendim disa prej tyre, si: “Fund shpirti”, “Kush
shpiku dashurinë”, “Përmendore në shpirt”,“Në ndodhtë të duhemi”, “A isha unë
Adami yt”, “Fluturputhje” etj, që me vargjet e tyre të rrëmbejnë, të fusin
thellë në detin e lirikës, prej nga me shumë vështirësi mund të dalësh nga këto
thellësi, të një lirike emotive, që burimin e ka pikërisht në thellësitë e shpirtit.
E, në këtë vazhdë vjen edhe vëllimi më i ri poetik i këtij autori “Mund të jesh
ti”, i cili vetëm sa përforcon mendimin e thënë më herët për poezinë e Qazim
Shehut.
Vepra
më e re poetike e poetit Qazim Shehu “Mund të jesh ti” (e dhjeta me radhë) paraqet
një thellim serioz në vazhdimësinë poetike të autorit të filluar 22 vjet më
parë me vëllimin“Fjalët e mëngjesit”. Në veprën më të re të poetit Qazim Shehu
dalin në shesh shenja që e karakterizojnë fjalën poetike, sidomos pas një
përvoje të gjatë të autorit, kështu që libri “Mund të jesh ti” në plan të parë
nxjerr interesimin e gjerë krijues me ç'rast vepra ngërthen në vete
llojllojshmërinë e problemeve, përkatësisht motiveve që trajton poeti, që
gjithsesi i kanë mundësuar Qazim Shehut të hapë mundësi dhe shtigje medituese,
që janë edhe taban i këtyre poezive në përgjithësi. Një element tjetër shihet
qartë se pjekuria krijuese është ngritur në nivel të lakmueshëm, pra, gjithnjë
duke u ngritur, nga libri në libër, nga poezia në poezi, nga vargu në varg dhe
kjo jo si sforcim, por si rrjedhë logjike, që hetohet nëpërmjet të vargut dhe
figurshmërisë, pra si mjet themelor shprehës, po edhe si preokupim jetësor.
Natyrisht, në këtë drejtim vërehen përpjekjet e qëndrueshme që të kondensohet
shprehja poetike dhe, nëpërmjet të këtij kondensimi, të hapen më shumë shtigje
mundësish për poezinë si një ndjenjë e bukur ku gjallëron preokupimi krijues.
Me këtë rast, poeti Qazim Shehu ka arritur që poezinë e tij ta bëjë një gjakim
jetësor të preokupimeve njerëzore, duke shtrirë interesimin e tij krijues edhe
në ato sfera jetësore, të cilat u bënë frymëzim edhe në vëllimet e mëhershme në
poezi te ky autor.
Prologu
i librit të Qazim Shehut, siç ndodh të shumica e poetëve, i kushtohet
Librazhdit, atje tek qyteti i rinisë, që ka lënë gjurmët e pashlyeshme në
shpirtin e poetit. E kjo është:
“Rinia që iku e mbajti
vrapin
Në tjetër qytet, tjera
hapësira,
Pa ditur që lash tek
Librazhdi,
Vitet më të mira...”.
Kështu,
te vëllimi poetik “Mund të jesh ti” Qazim Shehu vendosi 125 poezi, të cilat nuk
i ka ndarë në cikle, por që paraqesin një tërësi poetike të organizuar, ku
motivet vijnë në vazhdimësi, duke plotësuar njëra-tjetrën dhe natyrisht se
paraqesin reliktet nga jeta njerëzore e deri në kohën kur poeti i shkroi këto
vargje shumë të bukura, të përshkuara nga figura të zgjedhura e të qëlluara, ku
secila gjendet në vendin e vet, aty ku e kërkon vargu apo mendimi i butë lirik,
që buron përherë nga një zemër poeti, që di të këndojë dhe jetojë me të
bukurën, me artin në përgjithësi.
Se
çfarë e preokupon poetin Qazim Shehu, çfarë ndien ai në shpirt, ç'frymëzim i
lind atij nga ditët e fëmijërisë, e gjejmë te poezia “Lejleku”, ku poeti tërheq
një paralelizëm mes lejlekut që e priti me vite, por s'u kthye dot, sepse:
“Jo do çdo udhëtim është
mrekulli,
Rruga
ka ngrica,furtunë e shi”;duke gjykuar drejt se vërtetë vonë ishte bindur në të
vërtetën, ndoshta të hidhur, se edhe lejlekët i përcjell i njëjti fat në jetë
mu si njerëzit që ikin, shkojnë, kush me trena, me avionë, ca kthehen, të
tjerët jo, me ç'rast “Si çerdhja e lejlekut zezohet shtëpia”, rrugëtim ky sikur
i lejlekut të poetit që s'u kthye kurrë. E kujtime të këputura nga fëmijëria që
frymëzojnë gjithë poetët, te poeti Qazim Shehu i gjejmë edhe në poezitë:
“Kujtim nga nëna”, “Nusja”, “Dallëndyshet”, “Në rrugën me plepa”, “Miqësitë e
vjetra”, “Fëmjët”, “Ritual”, “Peneli i pishës”, “Grykat”, “Nata me hënë” e
shumë të tjera. Në këto poezi gjejmë një pjesë të jetës së poetit të shkrirë në
të kaluarën dhe në të tashmen, duke i gërshetuar këto dy sintagma jetësore me
fuqinë e fjalës dhe të metaforës, siç është rasti me poezinë “Dallëndyshet”, ku
poeti me argumente bindëse thotë:
“Me pak tis dielli në
krahë,
Në sqep me një rrip
mjegull”, apo të “Nata me hënë”, siç shprehin vargjet:
“Kur nata pelerinën e
harresës vë,
Në pirgun e një
kështjelle të rënë...”.
Nëpërmjet
figurave dhe metaforave kuptimplota, poeti jep tablotë e një jete që mbush
hojet shpirtërore të njerëzve në përgjithësi, gjithnjë në funksion të
fisnikërimit të shpirtit përmes artit poetik. Kjo gjë ndodh me njerëzit që
zbukurohen në tymin e kujtesës së harruar, të bindur çdo ditë për jetën, me
ç'rast :
“Gjysma e zemrës mban
andrallën,
Gjysma gëzimin që
shteron nga pak.
Një gjysmë jetë, një
gjysmë bindje...” ('Makth”).
Frymëzimet
për tokën, për atdheun, për lashtësinë, për gjenezën kredhin poetët nëpër
labirintet në të errëta të historisë, nëpër labirintet e mendimit, nëpër
labirintet e figurshmërisë, vetëm e vetëm për ta stolisur poezinë, vargun,
fjalën, me artin e së bukurës, gjithnjë në lidhje të ngushtë me kujtesën, me
atë që është vitaliteti ynë si njerëz, me krenarinë me të cilën mburremi ndër
shekuj. Kjo natyrisht nuk është edhe e lehtë. Jo, kjo të sjell mundime,
dhembje, vuajtje. Por, mjeshtëria poetike gjithnjë gjen rrugëzgjidhje që shpien
kah natyrshmëria e krenarisë kombëtare. Poeti kur i qaset këtij frymëzimi
shprehet figurshëm:
“Të përshkruaj tokën sa
vështirë,
Një enigmë që kurrë s'u
pa,
Me maja gjithnjë në
errësirë,
E rrënjë malesh në
magmë” (“Toka”).
Dhe
tërë kjo vjen në artin poetik nga poeti Qazim Shehu, kur pohon:
“Unë djalë i vjetër
pesëdhjetë vjeç
Kam një dashuri të
paanë” (“Pasion i gënjyer”).
Kjo
nuk lë kurrfarë dileme për atë që shpreh poeti me tërë bagazhin e tij poetik,që
jo vetëm bën për vete lexuesit, por edhe shpreh qartë tërë bindjet e tij si
njeri i pjekur me kohën nëpër të cilën kaloi, u rrit dhe u burrërua kjo penë,
nga e cila rrjedhin lirshëm lirikat e shpirtit, vargjet të cilat poeti i nxjerr
nga mjedisi i njerëzve me të cilët bashkëjeton çdo ditë dhe kudo. Këtë e
dëshmojnë edhe vargjet e poezisë “Durimi”:
Ne presim durimin të
dorëzojë
Të keqin para
vetëkuptimit,
Hyjnia po të dojë le të
gabojë
Në çastin e ndëshkimit.
Duke
shprehur në këtë mënyrë idetë e tij filozofike për kategoritë e ndryshme që e
përcjellin jetën, si durimi, e keqja, vetëkuptimi, ndëshkimi etj:
Të
një rëndësie të veçantë në këtë vëllim na paraqitën edhe ato krijime poetike ku
autori thellohet në motivet të ashtuquajtura të angazhuara, ku trajtohet
problemi i ekzistencës ashpërake nëpër kohë. E ky rrugëtim për ne shqiptarët
gjithmonë ka qenë i stërmbushur me të papritura, me luftëra që shekujt, që
perënduan kanë qenë të stërngarkuara me to. Megjithatë, edhe në këto rrethana
kanë lindur figura që kanë mbajtur gjallë shpirtin liridashës, krenarinë
kombëtare, po edhe themelet tona i trasuan me eshtra, i ujitën me gjak. Ndër
këto motive, përveç heronjve kombëtarë, njerëzve të shquar për urtësi, zënë
vend edhe vise të ndryshme, që në kujtesën tonë historike kanë ngelë si simbole
të rezistencës, të stoicizmit, të pathyeshmërisë, të krenarisë. Nëpër trauma të
tilla jetësore, gjakon interesimi i poetit që gjërat të thuhen me emrin e
vërtetë, pa zbukurime dhe pa hiperbolizime. Këtu do të përmendim poezitë:
“Vijnë këngët”, pra ato
këngë “të freskëta si
shkrumb i ndarjes,
Dhe më të freskëta se
zjarri i Termopileve,
Se zjarret e Kaçanikut e
Dragobisë”,
Pastaj, Nënë Tereza:
një “engjëll që ende na
mbyllë sytë,
Të shohim ëndrra të
mëdha.:
“Shkumbini”,
“Në Alpe”, “Prizreni”;për t`u kurorëzuar me poezinë antologjike “Adem Jashari”.
Në njëzet e pesë vargjet e kësaj poezie poeti Qazim Shehu derdhi tërë
mjeshtërinë e vargut, tërë fuqinë magjike të fjalës për përmendoren artistike
të quajtur poezi, , ku secili varg paraqet një motiv, një frymëzim, një
panoramë, një rrëfim, një histori më vete. Nga kjo poezi domosdo duhet dhënë të
plotë, sepse çdo varg thotë shumë. Dhe vetëm duke e dhënë të plotë poezinë
“Adem Jashari”, lexuesi që i mungon ky libër, do të krijojë një përfytyrim
madhështor për legjendën shqiptare të quajtur Adem Jashari, të cilin poeti
fjalëzjarrtë Qazim Shehu e stolisi me këtë gjerdan fjalësh, figurash,epitetesh,
metaforash, simbolesh që rrezaton si dielli në poezinë bashkëkohore shqipe.
Poeti kështu e paraqet figurën madhështore e legjendare të Adem Jasharit:
Prej teje duket se vjen
çdo gjë,
Vjen dielli, ndërrohet
ditënata,
Ecin lumenjtë atje ku
ishin gjithnjë,
Në marrëveshje me
shtrëngatën.
Gurët e palatuar të
padurimit tënd,
Ngrihen në një
kështjellë ajri,
Dhe fijet e barit si mjekër
legjendash,
Afrojnë pamje të
zjarrta.
Tani ti s'je më, kjo
s'na ka mpakur,
Guximin që na dhe një
ditë,
Të afruar si mjellmë e
përgjakur,
Si nisje për theroritë,
Por ti je në këtë
rrafsh,
Përmasat e të cilit janë
tek ti,
Drita jote, sa herë bie
errësirë,
Ndizet me një kumt të
ri,
Për të nakujtuar fytyrën
Tënde,
Imazhin e trëndafiltë,
Kosovën si një stërrall
të përkundur,
Në duart'e stuhisë.
Për të na kujtuar ai
s'kishim ditur,
Që ti ishe me ne,
Si ajri që për ditë
thithim,
Si psherëtimat për
vëluese
Dhe gëzimi pa fre…
Nga
gjithë kjo, si dhe poezitë dhe titujt që përmendëm më lart,pohojmë se Qazim
Shehu në poezitë e tij është i qartë dhe nuk i ik terrenit prej nga e merr
materien dhe frymëzimin.Kështu, duke evokuar të kaluarën, ai nuk harron që
nëpërmjet vargut poetik të paraqesë edhe atmosferën dhe gjendjen shpirtërore që
krijohet në rrethana dhe kohë të caktuara. Në këto raste, figurat e përdorura
nuk mbesin vetëm stoli, por bëhen pjesë organike e mendimit, duke hapur horizonte
të reja kuptimi, por mbi të gjitha të josh vlera letrare dhe artistike. E thamë
edhe herë tjera, se në këtë vëllim poetik të madh, me gjithsej 125 poezi,
motivet që e preokupuan poetin Qazim Shehu janë të shumta dhe të llojllojshme.
Autori ka thurë vargje për gjëra të ndryshme, motive këto që e rrethojnë kudo
dhe në çdo hap të jetës, pra, për gjithë atë që e krijon dhe e rrumbullakon
jetën, rrethin shoqëror, atë familjare, social, intim e kategori të tjera, që
jetës i japin bukuri. Këtë do ta ilustroi me dy vargje të një poezie ku poeti
thotë sa faqe të tëra librash zhanresh të ndryshme, si me këto:
“Oksidohen mbetjet e
ëndrrave
Rrotullimit të pritjeve
të ethshme”,
Me
ç`rast nxjerr në sipërfaqe tërë atë që ka në shpirt dhe nuk e le të qetë asnjë
shpirt krijuesi, e në rastin tonë as poetin Qazim Shehu. Kështu, në këtë vëllim
poetik gjejmë lirika me temë sociale, lirika të ditës, lirika nga jeta rurale,
lirika nga jeta urbane, lirika dashurore, lirika alegorike (“Qentë e Dahaut”),
lirika familjare (“Babait”), që “gjithçka fali për mua,/ trashëgiminë e genit,
/ këshillat e urta” e shumë të tjera që lexuesit do t'i ngelin në kujtesë për
kohë të gjatë.