E diele, 28.04.2024, 10:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmet Kraja: Fragmente nga 'Liria ime'

E diele, 06.02.2022, 04:32 PM


Mehmet Kraja:

FRAGMENTE NGA "LIRIA IME"

(kreu I)

Në njërën nga bufetë e aeroportit një grup të rinjsh e tallën, sepse Halil Demaj nuk e dëgjonte telefonin që binte pareshtur në çantën e tij të dorës, ai ua nxori gjuhën si Ajnshtajni, ata i thanë çifut i mutit, pastaj ky e nxori telefonin nga çanta dhe foli me Arjetën, vajzën e tij në Australi, telefonata e saj dukej sikur vinte nga një dimension tjetër, një përtej bote, fill pastaj ai hyri vrikthi në një dyqan kinkalerish, sepse iu duk se Arjeta e vogël u fsheh aty diku, te këndi ku shiteshin lodrat, tani zëri i saj nga telefoni vinte me ndërprerje, disi i tëharrë, babë, ndihem shumë e vetmume, ndihem si shkretinë, nuk di as çka me mendu as çka me thanë, pse jetët tona u banë kështu, pse morën këtë rrugë, babë, nana si asht, ajo gjithmonë m’ka thanë se ka me ardhë nji ditë me më pa, ti pse nuk vjen, unë kam nevojë me m’pa dikush, e di ti çka asht vetmia, kur nuk të sheh askush që do, kur shikon detin dhe të kapë trishtimi i pakuptimtë, kur nuk gjen fjalë me e ngushëllue veten, kur nuk ke mendime në kokë që kanë ndonjë lidhje me këtë botë, babë, deti asht një shkretinë e kaltër, edhe ti e ke një det atje, nga këndi ku shiteshin lodrat ai mori një ari të vogël pelushi dhe me të në dorë u nis tek arka, babë, unë mendoj shumë për kohën kur kemi kalue bashkë, mendoj për nanën, për Astritin, mandej përpiqem mos me mendue për asgja, sepse asgjë nuk ka kuptim, babë, këtu ku jam unë, ka shumë vetmi, natën ndigjoj qentë që lehin, më bahet sikur janë qentë e lagjes sonë, ti nuk e di sa kam pasë qejf kur me çojshe në shkollë, ishe baba ma i mirë në botë, ma shtrengojshe dorën dhe unë ndihesha sikur jam brenda një strofulle të ngrohtë, kështu jam ndie gjithmonë, tash nuk di çka me ba me këto kujtime, pasqyra vertikale në këndin e dyqanit e pa një lot që rrëshqiti nga cepi i syrit të djathë të Halil Demajt, babë, e ku me i çu këto kujtime, që mos me ma nxanë frymën, Ari, ta bleva nji arush të vogël, e di që gjithmonë i ke dashtë, gruaja e re në arkë e mori në dorë ariun e vogël, e përkëdheli midis veshëve dhe ia gjeti etiketën e kodit, numrin irracional e gëlltiti makina e arkës, ajo u duk e lumtur që nuk e kuptonte atë që fliste burri i moshuar, Ari, nana është ma mirë, ia qita përpara fotografinë tande, ajo e shikoi, m’u duk sikur të buzëqeshi, babë, unë kam shumë mall për ju, kam shumë mall për kujtimet e mia, pse ju nuk vini një herë, pse nuk erdhët kurrë, e di që unë kam mbetë vetëm, a të kujtohet kur nuk dojshin shoqet me luejt me mue dhe ti më thoshe, Ari, eja luejmë bashkë, babë, babë, alo, babë, zëri në telefon humbi dhe u mbyt nga sinjale të largëta kozmike. Halil Demaj pagoi dhe i tha shitëses faleminderit, anglishtja e tij rrinte e shtrënguar dhe e kollarisur, si kostum i marrë me qira, pastaj me ariun në dorë ai doli nga dyqani i kinkalerive, teksa pasqyra vertikale në këndin e dyqanit mbeti e zbrazët, si qiell shkretëtire.

...

Por ai nuk bëri asgjë nga këto: u ndal nën dritën e fundit të rrugës, nxori telefonin dhe, duke picërruar sytë, gjeti numrin e Astritit, djalit të tij në Amerikë, pastaj një copë herë u mor me një dritë të largët mbi oqean, u mundua të kuptonte nëse ishte anije ose një dritë nga Inishmori, ujdhesa e fshehur në mes të detit, kishin kaluar më shumë se dy vjet që me të birin nuk kishte ndërruar asnjë fjalë, herën e fundit ai i kishte thënë, babë, ty të ka ndodhur tamam ashtu siç e meritoje, siç iu ndodh të gjithë njerëzve që shohin ëndrra me sy hapur, ke mbetur në mes të hiçit, në mes të një rruge që nuk çon askund, ky i tha se do t’ia mbyllte telefonin, por ai insistoi që ta dëgjonte, jam yt atë, i tha ky, po, dreqi ta hajë, ia ktheub ai, e ndjej nëpër dej mallkimin e gjeneve tua, ose një dreq e di çfarë është, kur isha i vogël, të vetmen gjë që dëshiroja, ishte të bëhesha si ti, kurse tani, babë, ti je zhgënjimi im, sepse ti nuk bëre asgjë në jetë, u more me ca ëndrra të vjetra dhe të cofta, jo do të bëj një studim të madh për gjuhën, jo do të bëj një zbulim, asgjë nuk bëre, mendove se të gjitha do të shpaguheshin kur të bëhej Kosova, tani çfarë thua, a ke një gjë për të më thënë, nga ajo që kam lexuar, një ditë mund të mbetesh edhe pa të, pa Kosovën tënde, Halil Demaj prapë kishte dashur ta mbyllte telefonin, ndërsa ishte zhytur i tëri në një dëshpërim të athët dhe disi të vagëlluar, ndërsa tani drita e largët që regëtinte në mes të oqeanit, nuk vinte nga ndonjë anije, siç kishte pandehur në fillim, por nga Inishmori, ujdhesa që vuante sindromën e dukjes së pamjaftueshme.

Djali i tij, Astriti, kurrë nuk kishte besuar se liria e bën botën më të mirë, ajo thjesht i gënjen njerëzit, tani e mendoi duke i pulitur sytë dhe duke qeshur, Halil Demaj kishte dashur ta mbyllte telefonin, por zëri i tij i matanshëm e kishte bërë të stepej, prit, ende nuk t’i kam thënë të gjitha, shih se çfarë bëre me mua, ma ushqeve iluzionin se do të bëhesha piktor, se do të hapja ekspozita të mëdha, e di kur më çove te “Hani i dy Robertëve” dhe pashë një ekspozitë me ca piktura idiote, të një piktori që dukej sikur e kishte lyer botën me mut, ta thashë këtë me zë të ulët, por ti nuk më dëgjove, as atëherë, as më vonë, kurrë nuk më dëgjoje, dëgjoje vetëm zërin tënd, fjalët e tua, asgjë tjetër, më thoshe, ndiqe ëndrrën tënde, dhe unë atë bëra, ende jam duke ndjekur atë ëndërr, kam përfunduar bojaxhi, lyej shkallë, banja, dritare banjash, së fundi kam mësuar të lyej fasada, sepse e vetmja gjë që tani synoj në jetë, është të mos më vijë era qenef, era nevojtore, ndërsa ai imazhi i botës së lyer me mut më ndjek ngado që shkoj, atëbotë, nga të dy anët e linjës telefonike u bë një heshtje e gjatë, Halil Demaj u kollit lehtë, vetëm për të treguar se ende ishte aty, pastaj heshtjes së anës tjetër i foli qetësisht, ti bir, që e pandeh veten të rëndësishëm dhe krekosesh kaq shumë, e di se ekziston falë pakujdesisë sime dhe të nënës tënde dhe për asnjë arsye tjetër, mos pandeh se botën e kishte marrë malli për ty! Po të mos ishte skllav i zhgënjimit, Halil Demaj do ta kishte vazhduar bisedën, nuk do ta kishte mbyllur telefonin, por kjo do të ishte sikur të përpiqej të villte shpirtin, kështu iu pat dukur atij.

https://www.facebook.com/mehmet.kraja



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora