E diele, 28.04.2024, 09:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Satirë nga Sevdail Hyseni

E diele, 06.02.2022, 01:42 PM


Sevdail Hyseni

Satirike

Bariu

Një bari delesh

Nga zonat malore,

Ruajtjen e bagëtisë

S’e merrte parësore!

Jo, pse s’kish përvojë

Ky blegtor i mbarë,

Por se prodhimet

S’i shkonin n’pazar!

N’këtë biznes jetësor

Nuk i ecte fati…

Vendosi të ikte

Sa më shpejt nga fshati!

Leshi shkon për lesh

E qumështi për gjizë,

Unë i shkreti ngela

Gjithherë nëpër krizë !

Tha me gojën plot

Vetë i katër dhjeti,

-Unë i ruaj delet

Qengjat i ha shteti!

Dënimi

N’kohë të Ali Babës

Ligji tregon dhëmbët,

Brenda një këpuce

T’i fuste dy këmbët!

Forcës së gjyqësorit

S’mund t’i ikte kush,

As ata që këpucët

I kishin pa rabush…

Një djalosh epshor

Në rrugë ashiqare,

E ngacmon nga pas

Gruan me shallvare!

E kapën xhandarët

Drejt e në Gjykatë,

Për t’i dhënë dënimin

Djaloshit trupgjatë!

Gjykatësi e thërret

Xhelatin Harun,

Ta çonte n’bodrum

T’ia bënte atë punë!

Nga një tjetër zyre

Gjykatësi merr vendim:

-T’ia preni dorën

Këtij hajdutit tim!

Nga zyra përballë

Jep urdhër gjyqtari,

T’ia heq xhelati

Kokën një tradhtari!

Desh çmendet djaloshi

Nga kjo mizori,

I duket i lehtë

Dënimi i tij!

I drejtohet xhelatit

Shumë të falem unë:

-Mos harro kujt duhesh

T’ia bësh atë punë?!

Planifikimi

Dikur n’Komunizëm

Mos u ktheftë kurrë,

Nuk na ishte lehtë

Për të qenë burrë!

Ç’e sollën një ligj

Për çdo çift të rinj,

Mos t’ketë më shumë

Se sa dy fëmijë…

Planifikimi i familjes

Erdhi si shtrëngatë,

Duhej bërë kujdes

Gjatë lojës në shtrat!

Meqenëse dënimet

Ngjallnin lemerinë,

Vajti një fshatar

Te mjeku për ndihmë!

Mjeku e këshilloi

Për masat preventive,

-I tha t’i përdorte

Ilaçet kontraceptive!

Mirëpo, fshatarakut

Nuk i eci mbarë,

I ngeli pa dashje

Gruaja me barrë!

Shkon vrap te mjeku

Me kokën në duar :

-Më more në qafë

O mjek i uruar!

Mjeku u zu ngushtë

S’pati tjetër derë,

Vetëm t’ia hiqte

Një gogël, me nder!

Nuk pati sukses

Terapi e vjetër,

Prapë gruaja me barrë

Fët dhe goglën tjetër!

Pas nëntë muajve

Fshatari me hall,

Vjen te doktori

-Më lindi djalë!

Ua!- tha doktori

-Ç’ironi e fatit…

S’mund t’u heq goglat

Gjithë burrave të fshatit!

Miu dhe bretkosa

U zunë në një kohë

Kur s’kishte internet,

Miu dhe Bretkosa

Shokë me dinjitet!

Kalonin një jetë

Plot me ideal,

Njëri mbi tokë

Tjetri në moçal.

Meqë u mungonte

Fejzbuku dhe viberi,

U lidhën për këmbe

Me një fije peri.

Sa herë që i vinte

Miut ndonjë mik,

E njoftonte shokun

Me telin klasik.

Ky lloj komunikimi

Zgjati disa vjet…

Deri sa një ditë

Ndodhi një tërmet!

Tek rrezitej bretku

Mbi ujë si balenë,

Vjen i shpejtë Lejleku

Me sqep e rrëmben!

Kur sheh nga lart

Miun si rri var’,

-Ty s’të rrëmbeva

I shkreti gjitar!

Flet nëpër buzë

Miu i trishtuar:

-Kështu e ke kur zgjedh

Shokun e gabuar!

Gomari me shokë

Një ditë Ali Babës

N’kohë të pandemisë,

I ngordhi gomari

N’pragun e shtëpisë!

Vajtën ca çapkënë

Për ta vënë në lojë,

Njeriun e mërzitur

Që s’fliste me gojë!

Nisën ta ngushëllonin

Të gjithë me rend,

E kishit gomarin

Vërtet një legjendë!

Në stilin e humorit

I thurnin lavdinë,

Nuk e kishte shokun

Në tërë gomarinë!

Bëhuni të fortë

Si guri i Sharrit,

Erdhëm të lutemi

-Për shpirt të gomarit!

Ndjesë pastë veshgjati

Qe një kafshë e mbarë,

U prehtë në paqe

I shkreti gomar!

Mirëpo, Ali Baba

Ishte kokë e zgjuar,

Çështjen e ngushëllimit

Nuk e merrte shtruar!

Keni ardh’ për  t’pame

Sa më vjen mirë…

Kam kënaqësi të kem

Si ju dashamirë!

Nuk e paskam ditur

E them pa ngurrim,

Paska pas’ shumë shokë

Ky gomari im!

Punësimi

Ndërmarrjen Publike

Drejtori mandatar,

Vendosi me konkurs

Të marrë një rojtar.

Të gjithë kandidatët

I shtynë në provim,

Për t’i parë sa ishin

Të aftë për punësim!

-Nëse je në punë

Me armën në dorë,

Vjen një hajdut

Kërcen në oborr…

-Çfarë do të bësh

Është pyetja e parë,

Shkurt tha kandidati

-Kam për ta vrarë!

Jo tha drejtori

Mos kërce hop,

Duhet t’i drejtohesh

Tri herë me “Stop!”,

Në pyetjen e dytë:

-Si është sipas teje,

Po erdhi një lopë

E hyri pa leje?!

Do t’i them “Stop!”

Tri herë në shkallë,

Pastaj do ta gjuaj

Me armë në ballë!

Reagon drejtori

Ke kujdes, ore,

Ajo është lopë

S’të kupton fare!

Duhet ta joshësh:

-Eja, Laro, shpirt,

Si dhe ta mjelësh

Lopën pa koritë!

Dhe pyetja e tretë

I nxjerr befasitë:

Po erdhi gruaja

Te unë në vizitë?!

Kjo pyetje drejtor

Nuk do filozofi,

I them eja Laro

E mjel me kënaqësi!

Mëkati

Një Mari e ditëve t’sodit

Shkon te prifti për rrëfim,

Që t’i lutet Atit t’shenjtë

Për t’ia falur një gabim!

-Prift i dashur të më falësh

Rashë e fjeta me bandill,

Duke lindur pa adresë

Jashtë martesës një kopil!

Ati i shenjtë përpara perdes

Nuk llafos me kokën lart,

Vetëm mjekrën e fërkon

Dhe përflet diç përçartë!

Mirë, bre, prift qofsh bekuar

Pse nuk flet s’më ha leshi,

A s’e lindi Maria Krishtin

Siç na mëson Bibla për veshi!

Prift i dashur më kuptoni

Sa është bota e padrejtë,

Unë Mari, ajo Mari

Njëra kurvë, tjetra e shenjtë!

Referendumi

Këndej e matanë Drinit

Sikur deti valë e shkumë,

Çohen shqipet gjithandej

Të kërkojnë Referendum!

Në Qafë Thanë e Morinë

E pret rrugën një lugat…

Për t’i nxjerr hiles bisht

Prej Brukselit n’Beograd!

Le të kallet krejt Evropa

E të çmendet dhe Ballkani,

Vjen momenti, plas urtia:

-Për një plesht digjet jorgani!

Çdo durimi i vjen fundi

Nuk jetohet kështu të ndarë,

Në mes muresh të Berlinit

Me kufijtë ndërshqiptarë!

Mirë se vjen Referendum!

T’kemi shpresë dhe motiv,

Veç bashkimit kombëtar

Nuk ka tjetër alternativë!

Kush ka tjetër formulim

Le ta thotë: O sot o kurrë!

Erdhi koha të jetojmë

Me një komb e një flamur!

Po i pyetëm rend me rend:

Çka thotë Moska e Verona,

Nuk na lënë të biem bashkë

Në një shtrat me gratë e tona!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora