Kulturë
Shefqet Dibrani: Dashuria dhe motivi për tu flijuar
E diele, 06.02.2022, 01:30 PM
DASHURIA DHE MOTIVI PËR TU FLIJUAR
Remzi
Limani, "58 DROMCA DASHURIE", prozë poetike, botoi Shtëpia Botuese
"ARSA", ballina dhe ilustrimet, Uran R. Limani. Prishtinë 2014, faqe
140. ISBN 978-9951-8862-5-3.
Nga
Shefqet Dibrani
FILLIMI
Vitin e kaluar, sa
isha për pushime në Kosovë, të premten e 15 tetor 2021, lam për të nesërmen,
kafen e mëngjesit për të pirë me piktorin dhe autorin e shumë librave Remzi
Limani. E nesermja ishte ditë e shtunë dhe mundësia e lëvizjes nëpër qytet
ishte më e lehtë. Nga Lagjja Arbëria ku banoja unë, për tek “Mati I“ ose
siç njihet më mirë në Prishtinë te “Rruga B“, e kalova me taxi, dhe në
restorantin "PAUSE" më priste Remziu, i shoqëruar nga dy miqë, me të
cilët ai pinte kafën e mëngjesit të asaj dite.
Ndeja "me
sebep", slogan i Remziut, shkoi si është ma së miri. Njerëz të qetë,
me humor të lehtë, me njohje të proceseve në themel, dhe si karaktere shumë të
dashur. Pas një orë e ca, kur u ngritëm për të dalë, njëri nga ta më shoqëroi
gjerë në qendër të qytetit, rrugë të cilën e bëmë këmbë duke folur, siç themi
ne "për Shkup e Shkodër!"
TË LEXOSH DY LIBRA NJËHERËSH
Remziu, më dhuroi
librin "58 DROMCA DASHURIE", dhe sikur t’i kishte dy libra, për t’më
krijuar mundësinë e përzgjedhjes, sigurisht, unë do të isha përcaktuar për
ndonjë libër me poezi, pasi diçka nga poezia e tij kisha lexuar, dhe shumë të
tjera kur i bënte publike në rrjetët sociale. Pa asnjë ekuivokë, përzgjedhja
ime do të ishte e gabuar! E them kështu, kur tash i lexova këto tregime të
shkurtëra, njëkohësisht, lexova dy libra përnjëherë. Rrallë më ka rastisur të
lexoj një prozë kaq poetike se sa libri në fjalë. Dhe ku ka më mirë se "të
bëshë një udhë, e t’i kryesh dy punë", sikurse më ndodhi edhe mua
kësaj radhe, për t’ia lexuar Remziut prozën dhe poezinë njëherësh.
Edhe tash, por edhe
në mot, do të mbetet mister, momenti kur ma dhuroi librin, pasi në qenien e tij
sikur u manifestua një ndjenjë jo aq e zakont?! Mu bë enigmë, ose poeti kishte
diçka fort të dhembshme e tejet misterioze nëpër ato DROMCA DASHURIE, ose
ndoshta ashtu ishte natyra e tij njerëzore, se qe një reagim më ndrysha në
mimikën e tij kjo s‘ka dyshim, prandaj mu bë pikë në zemër, mu duk sikur më
falte edhe mua ato copëza trishtimi të prozës së tij lirike, të asaj dashurie
hyjnore të cilën e kishte gdhendur e skalitur me durim e përkushtim nëpër
tregimet e shkurtëra dhe krejtësisht poetike, që lexohen me pasion dhe do të
përjetohen thellë, siç mund të shijohet edhe peizazhi i pikturuar nga brusha e
tij, e preftë, e hollë, e saktë, në kohën kur dihet se autori sukseset më të
mëdha i ka të realizuara në fushën e artit pamor, përkatësisht në pikturë dhe
dizajn grafik.
SKICAT EROTIKE
Libri, teknikisht ka
një koncept për tu veçuar. Secili tregim është ilustruar me skicat e vizatuara
nga i biri i autorit, Urani. Janë vizatime artistike të cilat paraqesin 58
forma e mënyra të gruas së zhveshur nudo me pamje të ndryshme, të cilat si
pamje psikikisht përgatisin lexuesin për temën e librit. "Nga kjo del
se dashuria ndaj një femreje të bukur e të edukuar mirë, është gërshëtim i
hyjnores me njerëzorën e domosdoshme, të cilën secili prej nesh e lakmojmë!...",
(faqe 11). Ky gërshetim artistik, mes pamjes dhe përjetimit, edhe pse në dukje
moralizues, në përmbajtje është shprehje meditative dhe paraqet formën e
përjetimit si ndijim i dashurisë. Pastaj secila "Dromcë Dashurie",
e shkruar sikur të ishte Letër dërguar personit të caktuar, ka numërin përkatës
i futur në kllapa, (1-58). Edhe tregimet kanë titullin përkatës si: "Pa
yje, pa hënë", "Fiksion imazhi", "Takim
puthjesh", "Dalldi arome", "Froni i dashurisë",
etj., kurse nëntitujt, kryesisht janë mesazhe psikologjike, por me tematikë nga
dashuria: "Gracka e parë, ku bie çdo njeri, është dashuria!",
"Dashuria është matematikë me plot të panjohura!", "Nëse
nuk e ndjen dhimbjen e dashurisë, nuk do ta ndjesh as aromën e saj!",
etj. Ky mozaik me mesazhe dashurie, janë këshilla dhe porosi me vete, që do të
mbesin gjatë në kujtesën e lexuesit. Pastaj tregimet janë të shkurtëra, një
faqe, eventualisht edhe në faqen vijuese. Pra në kaq pak hapësirë, në kaq pak
rreshta, autori ka zhvilluar tematikën erotike të perfeksionuar e cila ngërthen
mendimin më poezitiv për jetën, e cila nuk mund të ishte e tillë po të mos
kishte dashuri, pasi "Jeta s’është asgjë tjetër përpos një aferë
dashurie!", (faqe 107).
PROZA POETIKE
Siç e theksuam edhe
më parë, tregimet janë të shkurtëra dhe të realizuara mirë. Janë strofa poezish
me varg pak më të gjatë, një estetikë e papërseritshme, një mendim figurativ e
eliptik që të përvetëson për magjinë e fjalës së shkruar: "E dashur, të
lus sërish: eja me shiun e vjeshtës, së bashku t’i lajmë fytyrat e prushta nga
etja e dashurisë, sepse, dashuria do të na rikthejë frymën e humbur dhe lotin e
tretur tok me shiun e sivjetshëm. Eja, mos ngurro! Edhe ashtu, një ditë do të
ta zëjë rrugën dashuria e pamëshirshme!", (faqe 24). Andaj të gjithë
ata që nuk e dallojnë sa duhet prozën poetike, do t'ua kisha sygjeruar këtë
libër, i cili lexohet sikur të ishte me poezi të shtrira në rrafshin
horizontal. Ja, një tekst i njejtë si mund të strukturohej në formë poezie:
E
dashur,
të
lus sërish:
eja
me shiun e vjeshtës,
së
bashku t’i lajmë fytyrat e prushta
nga
etja e dashurisë,
sepse,
dashuria
do të na rikthejë frymën e humbur
dhe
lotin e tretur
tok
me shiun e sivjetshëm.
Eja,
mos
ngurro!
Edhe
ashtu,
një
ditë do të ta zëjë rrugën
dashuria
e pamëshirshme!
Faqe 24.
Pra, siç duken ky
motiv i dashurisë së skajshme është përjetim real, i përthyer nga një metaforë
që honeps mendjen, me elementin psikologjik për brenda, që të prek ndjenjën, duke
u përthurur brendësia e mendimit meditativ të shprehur kaq figurativisht, sa
s’bëhet më. Shprehje të rralla erotike ose erotika rrallë të përjetuara, që të
hamendin për magjinë e fjalës artistike, për shprehjen e bukur estetike,
mendime të prera vertikalisht sa të të ngrihen ndjenjat, të bëhet sikur
ashensori emocional po tërhiqet me rrëmbim drejt graviteti tokësor, dhe s’ka se
si, zemra të mos bëhet akull, të fanitin halucinacione sa për një qast bëhesh
se je në një botë akullnajash siberiane, pastaj shfaqen emocione të ngrohta të
përjetuara thellë, dhe shpirti ngadal ngrohet po nga ai lumturim?! Këto
halucinacione epshërore manifestohen si shkëndija magjike të zbritura nga ylli
polar që rrezaton çastin a rastin e përjetimit, tashmë të hipnotizuar magjishëm,
dhe të bënë për të menduar gjatë, se jeta pa dashuri është zbrazti, është hiq,
është zeroja absolute e hiqit, kurse autori shprehet: "Jeta është një
kandil i zbehtë, vetëm dashuria mund ta ndrin!", (faqe 23).
Nëse "Për të
mbijetuar na duhet pak bukë, krip dhe ujë. Për të bërë jetë na duhet shumë
dashuri!", (faqe 41). Siç e kemi theksuar edhe më parë, fjalitë e
kësaj proze janë të shkurtëra, gati gati në gjatësinë e vargut poetik. Psh.:
"Çfarë të të shkruaj më? Të të them se më mungon shumë? Këtë e di e
gjithë bota! Të të shkruaj se nuk mundem pa ty? E di fryma ime e hargjuar...
Pra, mos t’i lëndojmë kujtimet e bukura... Megjithëse, e di që e dëshiron vajin
e varur n’qepalla të mia, sepse, aty ruhet përjetësisht loti im që derdhet
vetëm për ty.", (faqe 48), përveç se ky fragment e paraqet një moment
emocional e trënditës, me tri pikat në mes, jo vetëm ndërpritet rrëfimi por të
të ndalet fryma gjatë leximit të kujdesshëm, ndërsa dyshimi hipotetik të kall
strallin: "Më thuaj të lutem, ku të bartëtën erërat e natës? Kush të ka
pranë? Kush të mbanë në gji?...", (faqe 115), megjithatë autori nuk
bie në letargji edhe pse e din se, "Çdo natë, para se të fle, duhet të
gëlltisë gotën e mbushur me heshtjen e përlotur!", (faqe 123). E për
ta kthyer në jetë, e sidomos në artin letrar muzën e tij krijuese, edhe
imagjinatën e këtij momenti përjetues e kthen në metaforë artistike: "Nuk
do ta fik dot flakadanin e kësaj nate. Do të vazhdoj kërkimet... Shpresoj të ma
kthesh shpirtin e humbur, muza ime e dashur!", (faqe 126).
EPITETI
Për tu veçuar është
epiteti, si figurë stilistike, tejet i sforcuar: "nurbardha, zog
dëbore, nuse e maleve" etj, madje deri në nivel hyjnor, por siç
shihet, këtu është pjesë e pjesëz e procesit letrar kjo ndjenjë e fuqishme, kjo
prirje e brendshme e kënaqësisë së veçantë, që quhet "dashuri"
e shprehur nëpër këto dromca të projektuara mirë. E ky përkushtim për
dashurinë, dhe epiteti si figur stilistike, ka të bëjë me respektin e lartë
ndaj femrës, me rolin e saj në shoqëri, jo vetëm si pamje artistike, e
pikturuar për ndjenjat e veta, siç derdhen të gjitha ngjyrat, por në këto
tregime, janë shprehur edhe pasionet e mundshme të çastit kur muza krijuese i
përkushtohet rolit të gruas, femrës, zonjës, përkatësisht shtyllës së shtëpisë.
Nga kjo mund të themi, sikur letërsia jonë të mos kishte edhe të tjera
përkushtime, dhe nga të tjerë burra artist, vetëm me këto "58 Dromca
Dashurie", do të duhej të gjitha gratë të ndjehen të nderuara, të
respektuara, dhe mbase të falin dashurinë që falin, dhe krejt hyjnishëm edhe më
tej ta mbajnë gjallë botën, dhe së këndejmi edhe shkrimtarin, poetin dhe
piktorin Remzi Limanin!
TREGIMI I SHKURTËR
Këto "Dromca
Dashurie", siç e kemi theksuar sa e sa herë, janë tregime poetike, të
konstruktuara si "Letra", se kështu e thotë vet autori. Por
tregimi i shkurtër është aq konçiz dhe me porosi artistike. Për ta konkretizuar
mendimin e shprehur në këtë kritikë letatre, (sa për ilustrim), po
sjellim një tregim të shkurtër, të cilin po ia bashkëngjesim pamjen e thyerjes
dhe të ilustrimit, ashtu siç janë të gjitha këto Letra të ilustruara me skica,
të nisura për personin fiktiv a të imagjinuar, dhe si personazhe të shënuara
si: Lulebora ime, Lulja ime, Zog dëbore, Vala e Dashurisë, etj.:
(51)
FAQE KUJTIMESH
Putheni
rininë, të mos e vajtoni pleqërinë!
Mes
nesh ende qëndron dashuria me stoli kujtimesh të varura mbi ballë. Në ty, sikur
gjithçka është rikthyer e paprekur me gjithë shkëlqimin verbues. Qëmoti, nga
kohët dhe epshet e ndrydhura, mbete e patrajtuar rreth trëndafiltit të
kërthizës. Më beso, e dashur, ty të është rikthyer vajzëria e brishtë, dhe
brenda teje sërish është ngjizur gjaku me formë zemre virgjërore...! Tani, në
prag kujtimesh, duke arnuar plagët e mia, po i numëroj ditët e sosura që ikin
dhe shkrihen syve tu!
Faqe 119.
ENIGMA E "NUMRIT 58"
Pikërisht sintagma e
"NUMRIT 58", është edhe një enigmë tjetër e cila na shfaqet në këtë
libër. Kështu si është, dhe pa asnjë sqarim brenda librit, duket se fsheh në
brendësinë e saj, një enigmë tjetër, sa figurative po aq edhe enigmatike?!
Megjithatë, mund të supozojmë se "Dromca Dashurie" janë 58
Vitet e lumtura të Autorit, dhe duket se këtu muza e tij krijuese sikur ka
përjetuar një prerje transverzale kohore, të atij emocionit lirik mbi dashurinë
reale, të ëndërruar e përjetuar kaq hyjnishëm. Pastaj, mbetet mister, cila fuqi
morale e paska ndihmuar, për të vazhduar jetën, sepse jeta, edhe ai ka thënë,
është dashuri, e cila ringjallet dhe jeton përsëri, në qenien dhe vetëdijën e krijesës
Njeri.
Pra prerjet e tilla,
rastet e ndodhura e dhembjet e mëdha, e sfidojnë njeriun për të jetuar dhe
mbase shkrimtarin edhe për të dashuruar, pasi edhe misioni i kësaj proze
poetike është jo vetëm vazhdimësia e jetës fizike, por hyjnishëm ringjallja
artistike e dashurisë, e cila poetit iu ka bërë balsam mëkues a ilaç shërues, e
si rrallë kush, dhembjen e ka kthyer në dashuri për jetën, dhe mbi të gjitha
krijuesit letrar iu paska zgjuar muza me përmasa të mëdha erotike, kurse në
anën tjetër, dashuria e ka inspiruar për ta vizatuar jetën, përjetimin për ta
pigmentuar, ashtu si ai di dhe ka mundësi. Të gjitha këto elemente, poetike e
psikologjike, përmes metamorfozës kanë riprodhuar gjithë këtë dashuri magjepse
e artistike, por krijimi letrar si prozë poetike shëmbëllen për thellësinë e
përjetuar si ndjenjë dhe si emocion i erosit artistik.
FLIJIMI PËR DASHURINË ose dy dëshirat e
fundit
Sipas kësaj, duket se
dashuria fiktive, dhe kjo kulturë e rrallë e shkrimit shëmbëllyes është letërsi
e realizuar artistikisht, me vlerë të papërseritshme estetike, andaj s’ka faj
artisti kur shkruan se: "Po të më vendosnin para tytës së armës dhe të
më pyesnin për dy dëshira të fundit, dëshirën e parë do ta kisha shfrytëzuar
për të të puthur, kurse me të dytën do ta vishja qiellin me buzqeshjet tua!",
(faqe 75).
St. Gallen, 12 janar 2022.