| E diele, 06.02.2022, 04:32 PM |
Mehmet Kraja:
FRAGMENTE NGA
"LIRIA IME"
(kreu
I)
Në
njërën nga bufetë e aeroportit një grup të rinjsh e tallën, sepse Halil Demaj
nuk e dëgjonte telefonin që binte pareshtur në çantën e tij të dorës, ai ua
nxori gjuhën si Ajnshtajni, ata i thanë çifut i mutit, pastaj ky e nxori
telefonin nga çanta dhe foli me Arjetën, vajzën e tij në Australi, telefonata e
saj dukej sikur vinte nga një dimension tjetër, një përtej bote, fill pastaj ai
hyri vrikthi në një dyqan kinkalerish, sepse iu duk se Arjeta e vogël u fsheh
aty diku, te këndi ku shiteshin lodrat, tani zëri i saj nga telefoni vinte me
ndërprerje, disi i tëharrë, babë, ndihem shumë e vetmume, ndihem si shkretinë,
nuk di as çka me mendu as çka me thanë, pse jetët tona u banë kështu, pse morën
këtë rrugë, babë, nana si asht, ajo gjithmonë m’ka thanë se ka me ardhë nji
ditë me më pa, ti pse nuk vjen, unë kam nevojë me m’pa dikush, e di ti çka asht
vetmia, kur nuk të sheh askush që do, kur shikon detin dhe të kapë trishtimi i
pakuptimtë, kur nuk gjen fjalë me e ngushëllue veten, kur nuk ke mendime në
kokë që kanë ndonjë lidhje me këtë botë, babë, deti asht një shkretinë e
kaltër, edhe ti e ke një det atje, nga këndi ku shiteshin lodrat ai mori një
ari të vogël pelushi dhe me të në dorë u nis tek arka, babë, unë mendoj shumë
për kohën kur kemi kalue bashkë, mendoj për nanën, për Astritin, mandej
përpiqem mos me mendue për asgja, sepse asgjë nuk ka kuptim, babë, këtu ku jam
unë, ka shumë vetmi, natën ndigjoj qentë që lehin, më bahet sikur janë qentë e
lagjes sonë, ti nuk e di sa kam pasë qejf kur me çojshe në shkollë, ishe baba
ma i mirë në botë, ma shtrengojshe dorën dhe unë ndihesha sikur jam brenda një
strofulle të ngrohtë, kështu jam ndie gjithmonë, tash nuk di çka me ba me këto
kujtime, pasqyra vertikale në këndin e dyqanit e pa një lot që rrëshqiti nga
cepi i syrit të djathë të Halil Demajt, babë, e ku me i çu këto kujtime, që mos
me ma nxanë frymën, Ari, ta bleva nji arush të vogël, e di që gjithmonë i ke
dashtë, gruaja e re në arkë e mori në dorë ariun e vogël, e përkëdheli midis
veshëve dhe ia gjeti etiketën e kodit, numrin irracional e gëlltiti makina e
arkës, ajo u duk e lumtur që nuk e kuptonte atë që fliste burri i moshuar, Ari,
nana është ma mirë, ia qita përpara fotografinë tande, ajo e shikoi, m’u duk
sikur të buzëqeshi, babë, unë kam shumë mall për ju, kam shumë mall për
kujtimet e mia, pse ju nuk vini një herë, pse nuk erdhët kurrë, e di që unë kam
mbetë vetëm, a të kujtohet kur nuk dojshin shoqet me luejt me mue dhe ti më
thoshe, Ari, eja luejmë bashkë, babë, babë, alo, babë, zëri në telefon humbi dhe
u mbyt nga sinjale të largëta kozmike. Halil Demaj pagoi dhe i tha shitëses
faleminderit, anglishtja e tij rrinte e shtrënguar dhe e kollarisur, si kostum
i marrë me qira, pastaj me ariun në dorë ai doli nga dyqani i kinkalerive,
teksa pasqyra vertikale në këndin e dyqanit mbeti e zbrazët, si qiell
shkretëtire.
...
Por
ai nuk bëri asgjë nga këto: u ndal nën dritën e fundit të rrugës, nxori
telefonin dhe, duke picërruar sytë, gjeti numrin e Astritit, djalit të tij në
Amerikë, pastaj një copë herë u mor me një dritë të largët mbi oqean, u mundua
të kuptonte nëse ishte anije ose një dritë nga Inishmori, ujdhesa e fshehur në
mes të detit, kishin kaluar më shumë se dy vjet që me të birin nuk kishte
ndërruar asnjë fjalë, herën e fundit ai i kishte thënë, babë, ty të ka ndodhur
tamam ashtu siç e meritoje, siç iu ndodh të gjithë njerëzve që shohin ëndrra me
sy hapur, ke mbetur në mes të hiçit, në mes të një rruge që nuk çon askund, ky
i tha se do t’ia mbyllte telefonin, por ai insistoi që ta dëgjonte, jam yt atë,
i tha ky, po, dreqi ta hajë, ia ktheub ai, e ndjej nëpër dej mallkimin e
gjeneve tua, ose një dreq e di çfarë është, kur isha i vogël, të vetmen gjë që
dëshiroja, ishte të bëhesha si ti, kurse tani, babë, ti je zhgënjimi im, sepse
ti nuk bëre asgjë në jetë, u more me ca ëndrra të vjetra dhe të cofta, jo do të
bëj një studim të madh për gjuhën, jo do të bëj një zbulim, asgjë nuk bëre,
mendove se të gjitha do të shpaguheshin kur të bëhej Kosova, tani çfarë thua, a
ke një gjë për të më thënë, nga ajo që kam lexuar, një ditë mund të mbetesh
edhe pa të, pa Kosovën tënde, Halil Demaj prapë kishte dashur ta mbyllte
telefonin, ndërsa ishte zhytur i tëri në një dëshpërim të athët dhe disi të
vagëlluar, ndërsa tani drita e largët që regëtinte në mes të oqeanit, nuk vinte
nga ndonjë anije, siç kishte pandehur në fillim, por nga Inishmori, ujdhesa që
vuante sindromën e dukjes së pamjaftueshme.
Djali
i tij, Astriti, kurrë nuk kishte besuar se liria e bën botën më të mirë, ajo
thjesht i gënjen njerëzit, tani e mendoi duke i pulitur sytë dhe duke qeshur,
Halil Demaj kishte dashur ta mbyllte telefonin, por zëri i tij i matanshëm e
kishte bërë të stepej, prit, ende nuk t’i kam thënë të gjitha, shih se çfarë
bëre me mua, ma ushqeve iluzionin se do të bëhesha piktor, se do të hapja
ekspozita të mëdha, e di kur më çove te “Hani i dy Robertëve” dhe pashë një
ekspozitë me ca piktura idiote, të një piktori që dukej sikur e kishte lyer
botën me mut, ta thashë këtë me zë të ulët, por ti nuk më dëgjove, as atëherë,
as më vonë, kurrë nuk më dëgjoje, dëgjoje vetëm zërin tënd, fjalët e tua, asgjë
tjetër, më thoshe, ndiqe ëndrrën tënde, dhe unë atë bëra, ende jam duke ndjekur
atë ëndërr, kam përfunduar bojaxhi, lyej shkallë, banja, dritare banjash, së
fundi kam mësuar të lyej fasada, sepse e vetmja gjë që tani synoj në jetë,
është të mos më vijë era qenef, era nevojtore, ndërsa ai imazhi i botës së lyer
me mut më ndjek ngado që shkoj, atëbotë, nga të dy anët e linjës telefonike u
bë një heshtje e gjatë, Halil Demaj u kollit lehtë, vetëm për të treguar se
ende ishte aty, pastaj heshtjes së anës tjetër i foli qetësisht, ti bir, që e
pandeh veten të rëndësishëm dhe krekosesh kaq shumë, e di se ekziston falë
pakujdesisë sime dhe të nënës tënde dhe për asnjë arsye tjetër, mos pandeh se
botën e kishte marrë malli për ty! Po të mos ishte skllav i zhgënjimit, Halil
Demaj do ta kishte vazhduar bisedën, nuk do ta kishte mbyllur telefonin, por
kjo do të ishte sikur të përpiqej të villte shpirtin, kështu iu pat dukur atij.
https://www.facebook.com/mehmet.kraja