Mendime
Enver Bytyçi: Pse qeveria nuk mund ta testojë veten te qytetarët?!
E shtune, 25.12.2021, 08:18 PM
Pse qeveria nuk mund ta testojë veten te qytetarët?! Sepse testimet qeveritare janë diktat në emër të masave!
Nga Enver
Bytyçi
"Kartolinë për shqiptarët" e ka
quajtur TV kombëtar TOP CHANNEL vendimin e kryeministrit Rama për të vjelur
mendimin "për shumë çeshtje me interes kombëtar"! Kryemimistri e
quajti këtë një "odë të madhe shqiptare" e madje e rekomandoi si
kuvendim të përvitshëm të qeverisë me masat punonjëse!
Çeshtjet për të cilat Rama tha se do të
diskutojë janë Ballkani i Hapur, dhuna në familje, bilancet e dyfishta, statusi
i pensionistit, amnistia për paratë e emigrantëve (d.m.th të trafikantëve,
sepse emigrantët nuk kanë para për amnisti), kanabisi, çertifikata e
vaksinimit, ndëshkimi për evazionin fiskal, për ndotjen e mjedisit dhe pezullim
të gjyqtarëve dhe prokurorëve, madje të menjëhershëm!
Por kryeministri i vendit nuk pranoi të
"kuvendojë gju më gju me popullin" për PPP-të, për inceneratorët, për
qeverisjen, për përdorimin e taksave të shqiptarëve, për korrupsionin
qeveritar, për lidhjet me krimin e organizuar, për varfërinë, papunësinë,
emigrimin dhe plagë të tjera të shoqërisë sonë, shkaktare e të cilave është vetë
ai! "Kuvendimi" i Edi Ramës është injëjtë me atë të diktatorit Hoxha,
i cili thoshte se "Rinia dëshiron prishjen e kishave dhe xhamive" e
më pas sulej kundër besimit në Zot!
Megjithatë nuk dua të ndalem në këtë pjesë
shqetësuese e të trishtë të "iniciativës" së kreut të ekzekutivit
shqiptar. Për mua koncepti shkon përtej kësaj. Qeveria nuk bën asnjëherë
sondazhe publike në vendet dhe shtetet me demokraci liberale e funksionale.
Qeveritë demokratike bazohen në sondazhet e specializuara të instituteve, universiteteve
dhe akademive për vendimmarrjen e tyre, pavarësisht se kreu i qeverisë e ka
njësuar edhe akademinë e shkencave me politikat e tij.
Në sistemet demokratike sondazhet janë
eskluzivitet i shkenës politike dhe jo i vetë politikës. Sondazhet janë pjesë e
kërkimit shkencor akademik dhe jo atribut e administratës publike. Ato synojnë
të arrijnë në një përfundim objektiv, të strukturuar e në interes të publikut.
Prandaj sindazhet bëhen bazuar në metodat emiprike të kërkimit shkencor si
përmbajtje dhe si proces. Edi Rama në stilin autoritar të markës së Vladimir
Putin e devijon këtë kriter themelor në organizimin e zhvillimin e sondazheve
në Shqipëri. Ai madje përcakton tematikat që i pëlqejnë për sondazh. Çdo gjë që
nuk i pëlqen nuk duhet testuar në opinionin publik. Ky është hendikapi më i
madh i iniciativës së tij të llojit të 16 shkurtit 1966!
Në pikëpamje shkencore iniciativa e
kryeministrit të Shqipërisë konsiderohet si një iniciativë dogmatike, e cila
synon të përligjë politikat autoritaristë të tij. Koncepti i tij për testimin e
opinionit publik është unitarist dhe jo pluralist. Për pasojë metoda dhe
propozimi i tij nuk do të pasqyrojë të vërtetën, edhe nëse në përpunimin e
analizën e të dhënave do të ishte objektiv. Pra, në iniciativën kryeministrore
mungon thelbësorja, raporti me të vërtetën! Kjo mungesë e bën iniciativën e Edi
Ramës një instrument propagande, që vetëm sa i komplikon problematikat dhe
thellon krizën e besimit në vendin tonë.
Çeshtja e testimit dhe analizës së testit të
opinionit publik nuk është kategori që realizohet nga qeveria. Çdo vend
demokratik përdor për këtë qëllim instrumentet shkencorë, të paanshëm dhe të
pavarur. Edhe pse në Shqipëri një instrument i tillë mungon, përsëri do të
ishte më i besueshëm një anketim i një universiteti apo instituti, sesa i
qeverisë shqiptare. Kjo thjesht për faktin se për testime dhe anketime të tilla
duhen aplikuar metoda shkencore. Gjithçka në një vend është raport besimi! Nëse
qeveria bën testimin e çeshtjeve për të cilat është fiksuar Edi Rama, njerëzit
do të japin përgjigjen që dëshiron kryeministri, do të jenë konformistë dhe të
pavërtetë me bindjet e tyre. Nëse një test të tillë do ta bënte pa e njoftuar
Edi Rama një institucion shkencor, atëherë do të kishim ndoshta një qasje më të
përafërt me të vërtetën.
Por që një institucion shkencor të bëjë testime
dhe pyëtësor anketimi, ai nuk mund të pranojë të diktohet nga qeveria as për
temat e anketimit, as për metodat e kërkimit shkencor. Në këtë rast do të
përfshiheshin edhe temat e qeverisjes dhe kjo është e para që duhet bërë. Më
pas do të kishte një standard shkencor për kampionimin e grupeve që përfshihen
në test dhe anketim. Do të përdoreshin metoda shkencore të përpunimit të të
dhënave dhe analizës së rezultateve të këtij anketimi. Dhe përfundimet do të
ishin të ndryshme nga ajo çfarë ka paracaktuar kryeministri i vendit.
Kudo në botë bëhen testime dhe anketime.
Universitetet dhe institutet kërkimore e shkencore zhvillojnë çdo dy javë ose
çdo muaj anketime në kuadër të asaj që quhet barometër, apo rankime në
problematikat dhe figurat politike. Jo duke përcaktuar si pyetje: "Kush
është politikani më i fortë, siç ndodh në vendin tonë! Por se kush është
politikani më imirë"! Vetëm në Shqipëri bëjnë sondazhe e anketime qeveria
dhe këshilltarët e kryeministrit të vendit! Dhe këta me synimin për ta
shprembëruar të vërtetën dhe për ta ndikuar opinionin publik. Qeveritë dhe
televizionet serioze në botë i porosisin sondazhet anketimet publike pa
diktuar, thjesht duke kërkuar të zbulohet mendimi i qytetarëve për
problematikat e ditës. Por jo duke përcaktuar temat e anketimit! Në Shqipëri
ndodh e kundërta. Madje pyëtësorët ndërtohen në mënyrë të tillë që të
evidentojnë forcën e politikanëve, në vend që të testojë te publiku përvlerat e
tyre!
Kjo praktikë joshkencore dhe e qëllimtë për
manipulimin e opinionit publik duhet të marrë fund. Ndërsa iniciativa e Edi
Ramës duhet bojkotuar! Një shoqëri e civilizuar do ta bojkotonte atë, edhe pse
jam i bindur se militantët dhe përkrahësit e tij nuk do ta bëjnë këtë. Kjo do
të thotë se qeveria do të marrë vendime bazuar në opinionin e militantëve të
Rilindjes ose përkrahësve të kryeministrit!