Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Çmimi Nobel për Letërsi është dinamit kulturor
E enjte, 07.10.2021, 07:16 PM
Çmimi Nobel për Letërsi
është dinamit kulturor
Nga
Ndue Ukaj
Sot
bota e letërsisë dhe kulturës me sy e zemër është e drejtuar kah kryeqyteti
suedez, Stockholmi, ku kumtohet lajmi për fituesin e sivjetshëm të Çmimit Nobel
për Letërsi.
“Çmimi
Nobel për Letërsi është dinamit kulturor”, shkroi Per Wästberg, shkrimtar dhe
anëtar i Akademisë Suedeze, në një shkrim autorial të botuar para disa vjetëve
në njërën nga gazetat më të mëdha suedeze, Svenska Dagbladet.
Ky
Çmim me historinë e tij të lavdishme i ka dhënë shtytje dhe nxitje të pamatshme
fuqisë së artit, duke e bërë atë më të rrokshëm anë e kënd botës; më të shpejtë
dhe më të qarkullueshëm, dhe duke mundësuar që miliona lexues të njihen më mirë
me vlerat e kombeve dhe gjuhëve tjera.
"Përjetësi
është fjala" - tha Nathan Söderblom kur vdiq Alfred Nobel. Me çmimin e krijuar
për letërsi, shpikësi i dinamitit i dha përjetësisë së fjalës një format
universal: krijoi kulturën e nobelit.
Shkencëtari
që themeloi këtë çmim e dinte se gjuha është pushtet sa një mijë ushtri,
prandaj i kushtoi një vëmendje të veçantë fuqisë planetare të artit, letërsisë.
Letërsia
e mirë na mrekullon dhe si e tillë ka ndikim të madh në gjithë historinë
njerëzore. Ajo edukon ndjenjat për liri. Ajo nxit emancipimin dhe shërben si
ilaç për shpirtin. Ajo thyen tabu dhe hap horizonte të reja. Ajo i ndihmon
njerëzit që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për t’i artikuluar mendimet më bukur
dhe më qartë. Ajo hulumton ekzistencën njerëzore në thellësi dhe lartësi. Ajo e
edukon lexuesin që të refuzojë të keqen dhe fuqitë absulute të tiranive dhe çdo
forme të shtypjës. Pra, ajo vazhdon të jetë përjetësia më e bukur e njerëzimit.
Shkëlqimi
universal i letërsisë dhe njohja e përbotshme përmes Çmimin Nobel për Letërsi
ka marrë shtrije planetare dhe një dimension të jashtëzazkonshëm. Pa dyshim,
nëse e marrim dhe e analizojmë historinë e këtij çmimi, emrat që e kanë fituar
atë, afirmimin që iu ka bërë shumë veprave dhe autorëve, shohim se ndikimi i
tij është i pakrahasueshëm.
Letërsisë
shqipe i mungon Çmimi Nobel për Letërsi, ndonëse autori ynë i madh Ismail
Kadare i ka dhënë artit shqiptar nder e dinjitet ndërkombëtar, duke e bërë
pjesë të kulturës së përbotshme.
E
di se është klishe të përsëritet, por dua ta ripohoj: Ismail Kadare është nga
autorët ma të mirë planetar, dhe si i tillë, pa kurrfarë dyshimi ai qmëmoti e
ka meritar Çmimin Nobel.
Ka
kohë që thuhet e shkruhet se vepra e tij letrare nuk ka nevojë të certifikohet,
sepse është pranuar dhe vlerësuar universalisht nga një perandori e madhe
lexuesish.
Letërsia
shqipe ka nevojë për dinamitin kulturor që e dhuron Nobeli. Për të, ka nevojë
gjuha shqipe dhe kombi shqiptar, që të hyjnë në vallen e popujve që kanë fituar
nobelin e letërsisë.
Për
këtë çmim më shumë ka nevojë gjuha dhe kultura shqiptare sesa vetë Kadareja.
Për faktin e thjeshtë se vepra e tij ka prekur majat e kulturës botërore dhe
jeton në ato lartësi.
"Kadare
është luani i letërsisë shqipe, me një reputacion ndërkombëtar"- shkruan
Rita Tornborg, shkrimtare dhe kritike suedeze, në një recension për romanin
“Lulet e ftohta te marsit.” Po, Kadareja
është luan i letërsisë shqipe dhe meriton këtë çmim. Jo për asgjë tjetër, por
pse shkruan letërsi të bukur, magjepse, letërsi që joshë mijëra lexues anë e
kënd botës. Dhe unë lutem që sot, kur të hapet dera e Komitetit të Nobelit, aty
të kumbojë emri i Ismail Kadaresë.