E premte, 14.05.2021, 05:12 PM (GMT+1)

Kryeshkrim » Ukaj

Ndue Ukaj: Pse kjo joshje e dalldi pas politikës?

E merkure, 28.04.2021, 08:46 PM


Ndue Ukaj:

Sikur të tregonim ndjeshmëri dhe afinitet për kulturë dhe vlera të nalta estetike, siç tregojmë ndjeshmëri për tema politike dhe udhëheqës të trullosur, me siguri s' do të kishte kaq shumë rrëmujë e shëmti politike mes nesh.

Sikur të tregonim ndjeshmëri për vlera kulturore dhe estetike me siguri do të mundë t' i jepnim shtytje edhe emancipimit politik dhe rrjedhimisht përparimit kombëtar.

Por jo - ne s' tregojmë ndjeshmëri e as afinitet për vlera të nalta kulturore dhe shpirtërore, por dalldisemi pas politikës shterpe e udhëheqësve mediokër.

Kombi ynë, me pak përjashtime, s' ka pasë politikë që i ka sjellë lumturi, paqe, harmoni e unitet, por ka pasë politikë që i ka sjellë varfëri, hidhërim dhe çorientim. Dhe kjo është një e vërtetë e provuar historikisht.

Atëherë pse kjo joshje e dalldi pas politikës?

Të gjitha parametrat thonë se dalldia jonë pas politikës nuk lidhet me ndonjë arsye të fortë morale,  as s' është rezultat i edukimit cilësor politik, por pasojë e paqëndrueshmërisë shpirtërore dhe kjo ka shkatërruar bazat për politikë normale.

Në fakt, politikës së mirëfilltë ia ka zënë frymën mllefi, egoizmi, mendimet stihike e gjykimet aspak racionale.

Impulset e forta politike që shfaqen përditë në jetën tonë kombëtare janë shenjë e varfërisë së madhe shpirtërore dhe kulturore, e kequshqimit të gjatë politik, kurse ngarendjet e trullosura pas politikanëve dhe debatet e përditshme për ta, janë në funksion të agonisë dhe jo normalitetit mes nesh.

Kurrkund në Europë s'adhurohen dhe s' pështyhen politikanët më shumë se te ne! E kjo flet shumë për ne dhe jo sinqeritetin tonë në raport me politikën dhe udhëheqësit politikë.

Prandaj mjedisi ynë politik ka nevojë urgjente që të ajroset dhe të pastrohet nga duhma e keqe dhe këtë duhmë të keqe kurrë s' mund ta pastrojë politika vetë, nëse s' ushqehet ajo me vlera humane, kulturore dhe estetike, pra pa një shtytje të fortë intelektuale e kultutore.

Pa dyshim, qytetarët duhet të marrin pjesë aktive në jetën politike, por  jo të ecin të trullosurur pas liderëve që as vetë s' e dinë kah shkojnë, rrjedhimisht s' dinë as kah iu çojnë.

Historia mëson se një shoqëri që krijon idhuj e profetë të rremë politikë ajo goditet fort dhe ecë pavetëdije kah e nesermja. E ecja pavetësije është bjerrje kohe.

Aty ku flitet tërë kohën për politikë, aty qytetarët në njëfarë mënyre bëhen skllevër të politikës dhe aty s' bëhet fjalë për vlera politike e liri të njëmend, pos për liri partiake, e liria partiake është gjithmonë e kundërta e lirisë së njëmend.

Prandaj nëse vërtet e duam të mirën e vendit duhet të shërohemi - siç ka këshilluar Konica - nga dashuria për indvidin dhe duhet të edukohemi me vlera të nalta kulturore dhe estetike.

E kombit i shërbejmë duke mos u bërë partizanë politikë.

Si pasojë injorancës së thellë politika dhe kequshqimit të gjatë me ide të shkreta politike - osmane e komuniste - ne jetojmë në një rrëmujë të vërtetë, pa parime e pa vlera e ku idetë normale politike rrallohen përherë e më shumë dhe vendin e tyre e zënë trishtueshëm thashethemet, gulçimat, intrigat, mllefi.

Kjo ecje pavetëdije s' çon askund!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora